Deklarata e kreut të PS kundër simboleve të Aleancës: "Shqipëria nuk mund të rrijë nën dy flamuj"

Rama në Gërdec, sulm si Enver Hoxha ndaj NATO-s


Në prag të tre vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, Edi Rama sulmoi nga Gërdeci anëtarësimin e Shqipërisë në këtë organizatë, duke deklaruar se, "Shqipëria nuk mund të rrijë nën dy flamuj". Duke ndjekur traditën e etërve, pinjollët e bllokut me në krye Ramën zgjodhën pikërisht Gërdecin dhe tragjedinë e saj për të nxjerrë vrer dhe urrejtje ndaj Aleancës më të fuqishme të sigurisë në botë, NATO. Ashtu si diktatori Enver Hoxha, në gjurmët e tij, Edi Rama hodhi vrer ndaj Aleancës më të fuqishme dhe të sigurisë sot në botë. Nuk është hera e parë që Rama sulmon NATO-n. Edhe ditën kur Shqipëria merrte ftesën zyrtare për Anëtarësim në NATO, Rama e priti këtë ngjarje me protesta duke bllokuar rrugët nga Vora. Ndërsa një vit më parë, gjatë një demonstrate të PS, demonstruesit dogjën flamurin e NATO-s në bulevardin Dëshmorët e Kombit.

Deputeti i Partisë Demokratike, Gerti Bogdani, deklaroi se reagimi i Ramës, me shokët e tij të "politikës së re", Ruçi, Dokle të kujton kohët sovjetike kur NATO ishte armik dhe kur "vota ishte plumb për armikun". Bogdani theksoi se Shqipëria e ka zgjedhur flamurin e NATO-s dhe NATO ka zgjedhur Shqipërinë, pavarësisht protestave të Edi Ramës. "Tre vite më parë kur Shqipëria u anëtarësua në NATO, Edvin Kristaq Rama protestonte kundra NATO-s. Dje Edvin Kristaq Rama u tha shqiptarëve se 'Shqipëria nuk mund të rrijë nën dy flamuj'. Tamam si 3 vite më parë, edhe dje, ky pinjoll i Bllokut dhe i Ben Alive, që ne bashkë me shqiptarët përmbysëm 20 vite më parë, u turr kundër flamurit të NATO-s. Por Shqipëria e ka zgjedhur flamurin e NATO-s dhe NATO ka zgjedhur Shqipërinë, pavarësisht protestave të Edvin Kristaq Ramës. Shqiptarët janë krenarë që pranë flamurit shqiptar, flamurit më të bukur në botë, valëvitet e do të valëvitet flamuri i NATO-s. Dje Edvin Kristaq Rama, me shokët e tij të 'politikës së re', Ruçi, Dokle na kujtuan kohët sovjetike kur NATO ishte armik dhe kur 'vota ishte plumb për armikun'", tha Bogdani. Ndërsa siguroi Ramën se më 8 maj, shqiptarët do të votojnë si anëtarë të NATO-s, të vendeve të NATO-s si SHBA dhe BE. "Sigurojmë zotin Rama se më 8 maj, shqiptarët do të votojnë si anëtarë të NATO-s, të vendeve të NATO-s si SHBA dhe BE. Më 8 maj do të votohet mbi të gjitha për qytetin dhe qytetarët", tha ndër të tjera Bogdani. Tre vite më parë kur Shqipëria merrte ftesën për t'u bërë anëtare e NATO-s, kreu i PS-së, Edi Rama, mblodhi në shesh ish-ushtarakë dhe ish-sigurimsa të regjimit komunist për të protestuar kundër anëtarësimit në Aleancën politiko-ushtarake më të fuqishme të globit. Sentimenti anti-perëndimor i Ramës, njeriut që e kaloi rininë e tij duke u fshirë pluhurin busteve të diktatorit komunist, u bë më dallues pikërisht në ditën e marrjes së ftesës për në NATO, kur ai ftoi deputetët e PS-së të mbajnë zi pas zyrtarizimit të vendimit. Fryma anti-perëndimore e Ramës vazhdoi edhe me protestat kundër liberalizimit të vizave.

RD