http://www.gazeta55.al/fotolajm/9593...%20Klinton.jpg

Hillari Klinton: Krenarë për marrëdhëniet shqiptaro-amerikane, liderët politikë të respektojnë shtetin ligjor dhe të drejtat e njeriut
15-03-2011 / Gazeta 55

Berisha: Rivendosja e marrëdhënieve me SHBA, një datë historike për shqiptarët

Sekretarja amerikane e Shtetit, Hilari Klinton, me anë të një deklarate ka uruar shqiptarët me rastin e rivendosjes së marrëdhënieve Shqipëri-SHBA 20 vjet më parë. Ja edhe mesazhi i plotë “Në emër të Presidentit Obama dhe popullit amerikan, i dërgoj urimet më të mira popullit të Shqipërisë teksa dy popujt tanë shënojnë njëzetë vjet të marrëdhënieve të rivendosura diplomatike më 15 mars. Pas një ndërprerjeje prej 52 vitesh, viti 1991 ishte vërtet një fillim i ri – jo vetëm për marrëdhëniet tona dypalëshe, por edhe për zhvillimin e Shqipërisë si një vend demokratik dhe një partner ndërkombëtar. Kjo ditë përkujton partneritetin tonë, na kujton përparimin e bërë dhe nënvizon premtimin e së ardhmes së Shqipërisë, sidomos ndërkohë që ju ndërmerrni hapat e nevojshëm për të arritur synimin e anëtarësimit në Bashkimin Europian. Edhe gjatë viteve më të errëta të Luftës së Ftohtë, shqiptarët dhe amerikanët nuk i harruan lidhjet e forta të miqësisë mes dy vendeve tona. Dhe pas vitit 1991, Shtetet e Bashkuara e mbështetën Shqipërinë teksa ajo filloi rrugën e integrimit në bashkësinë euro-atlantike. Tani Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe ka treguar një përkushtim të thellë ndaj Aleancës, me një prej kontributeve më të mëdha për frymë në Forcën Ndërkombëtare të Ndihmës për Sigurinë (ISAF) në Afganistan. Përkushtimi i Shqipërisë ndaj stabilitetit në rajonin e saj është demonstruar nëpërmjet mbështetjes së saj për shtetin e ri të Kosovës dhe kontributeve për pajtim në Ballkanin Perëndimor. Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të mbështesin integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Ne mirëpritëm vendimin në fund të vitit 2010 për të lejuar shqiptarët të udhëtojnë pa viza kudo në Bashkimin Europian. Tashmë shqiptarët kanë arritur shumë, por më shumë punë mbetet në rrugën drejt BE-së – dhe ky vit do të jetë me rëndësi kyçe. Shqiptarët duhet të punojnë së bashku për t’u siguruar që vendi të ecë përpara dhe që ritmi të ruhet. Nxisim udhëheqësinë politike të Shqipërisë, si në qeveri ashtu edhe në opozitë, që të udhëheqin nëpërmjet llogaridhënies dhe transparencës, dhe të respektojnë e të forcojnë sundimin e ligjit dhe të drejtat e njeriut. Kjo është mënyra më e mirë për të demonstruar përkushtimin e tyre ndaj ndërtimit të së ardhmes së sigurt dhe të begatë që populli shqiptar do dhe meriton. I uroj popullit të Shqipërisë më të mirat teksa vazhdojmë të punojmë së bashku, edhe përtej njëzetë viteve të ardhshme”, thotë sekretarja e Departamentit Amerikan të Shtetit, në mesazhin dërguar shqiptarëve, në emër të presidentit amerikan.

Ministri i Jashtëm Haxhinasto jep pritje me rastin e 20-vjetorit të rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike

Me rastin e 20 vjetorit të rivendosjes së marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe SHBA-së, ministria e Jashtme organizoi një pritje gjatë të cilës ambasadori Arvizu i ka vlerësuar marrëdhëniet mes dy vendeve tepër të mira, ndërsa u shpreh se “ndjehem krenar për marrëdhëniet tona dhe i sigurt se vitet më të mira i kemi para nesh”. Gjatë fjalës së tij ambasadori i SHBA-ve deklaroi se dy vendet duhet të tejkalojnë të gjitha diferencat që ekzistojnë mes tyre, ndersa theksoi optimizmin e tij për të ardhmen e Shqipërisë dhe marrëdhënieve mes Uashingtonit dhe Tiranës. “Është një javë mjaft e rëndësishme duke filluar që dje kur ishte edhe dita e verës. Është e rëndësishme që ne të shikojmë pas dhe të kuptojmë rëndësinë e asaj çfarë kemi, për të ardhmen. Pak momente më parë edhe në ambasadë zhvilluam një ceremoni për të përkujtuar këtë ditë. Stafi i ambasadës më dha si dhuratë një portret mjaft të madh të vizitës së sekretarit Bejker në Shqipëri që u prit nga mijëra shqiptarë. Është diçka e mrekullueshme kur krahason periudhat. Ajo ndjenjë e madhe e asaj kohe mua më duket sikur e ndjej edhe sot”, është shprehur Arvizu.

Berisha: Rivendosja e marrëdhënieve me SHBA, një datë historike për shqiptarët

Kryeministrit i vendit Sali Berisha e ka cilësuar 20 vjetorin e marrëdhënieve Shqipëri-SHBA si një datë historike në marrëdhëniet e vendit tonë me shtyllën e lirisë dhe demokracisë. Duke vlerësuar ndikimin e rëndësishëm e SHBA në historinë e popullit shqiptar kreu i ekzekutivit deklaroi: ‘20 vjet më parë, jo më pak se një muaj pas rënies së diktaturës komuniste qeveria amerikane vendosi të rivendosë marrëdhënie diplomatike me Shqipërinë dhe nga kjo kohë freri i demokracisë nuk pati më të ndalur’. Kryeministri Berisha përmendi dhe kontributin e pamohueshëm që SHBA kanë në çështjen e Kosovës. ‘Ishin shtetarët amerikan ata që i dhanë mbështetjen më të madhe shqiptarëve të Kosovës duke e vendosën çështjen e lirive të saj në axhendën ndërkombëtare. Presidenti i asaj kohe Bill Klinton filloi një fushatë të madhe për lirinë e Kosovës e cila u finalizua me lirinë dhe krijimin e shtetit të saj. Kreu i ekzekutivit duke shprehur bindjen e tij të thellë se mënyra më dinjitoze për të shprehur mirënjohjen ndaj SHBA është ndërtimi i vlerave të lirisë dhe demokracisë e siguroi ambasadorin amerikan se zgjedhjet e 8 majit do të jenë të standardeve europiane. “Këtë maj do shkojmë në zgjedhje me një nga infrastrukturat më moderne me lista elektronike, me dokumente elektronike identifikimi, me mjete numërimi elektronik dhe me kuadër ligjor ndërkombëtar si dhe me angazhim të madh të OSB dhe qeverive mike si dhe qeverisë suaj për të bërë me seriozitetin më të madh këto zgjedhje” - përfundoi fjalën e tij kryeministri Berisha.