PD hetim pasurisë së Edi Ramës

MAPO

Nevila Perndoj 10-03-2011 12:29


Deputetët e PD pritet të depozitojnë në Kuvend nismën, për një komision hetimor për pasurinë e kryebashkiakut dhe kryetarit të PS-së. Ky do të jetë komisioni i tretë ndaj tij

TIRANË- Në prag të zgjedhjeve lokale, Partia Demokratike ndërmerr një nismë të re ndaj kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, që lidhet me ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar, për pasuritë e padeklaruara. Nisma ka filluar të diskutohet dje mes deputetëve të grupit parlamentar të PD-së, menjëherë pasi grupi parlamentar i PS-së paralajmëroi ngritjen e një komisioni hetimor për veprimtarinë e Kuvendit. Kërkesa për ngritjen e komisionit hetimor parlamentar nuk është zyrtarizuar ende edhe pse burimet qartësuan se nisma do të jetë konkrete se shpejti. I vetmi element, që dihet është se komisioni hetimor do të merret me pasurinë e kryetarit të opozitës, Edi Rama, më saktë me ato që ata pretendojnë si pasuri të padeklaruara. Ky është komisioni i tretë hetimor që inicohet ndaj Edi Ramës, pas komisionit “Olldashi” dhe atij “Xhaferri”, të ngritur për lejet e ndërtimit. Nuk dihet se cilat do të jenë faktet konkrete që do të përdorë Partia Demokratike, pasi puna e saj do të jetë akoma më e vështirë pa një përgjigje zyrtare që pak kohë më parë dha edhe Inspektorati i Lartë i Deklarimit të Pasurive. Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive mbylli pak kohë më parë verifikimin për kreun e Bashkisë së Tiranës dhe PS-së. ILDKP-ja njoftonte në atë kohë se në përfundim të procedurave investiguese, rezultonte se kishte përputhje mes vetëdeklarimit nga ana e subjektit dhe të dhënave të marra nga ILDKP në të gjithë regjistrat publikë dhe privatë. Edhe lidhur me akuzat e shpeshta të demokratëve në drejtim të kryebashkiakut për afera korruptive në shpërndarjen e lejeve të ndërtimit, duke favorizuar në mënyrë të pandershme shtetasin Dritan Avllaj, i njohur si Tan Lepri, ILDKP theksonte në përfundimet e saj se nuk ishte vërtetuar asnjë prej dyshimeve. Ndërkohë selia blu ka vijuar për një kohë të gjatë debatin kundrejt kryetarit të opozitës, Edi Rama, mbi lejet e ndërtimit, duke e akuzuar se ai ka përfituar 20% të vlerës në çdo leje prej 12 vitesh. Demokratët pretendojnë gjithashtu se Kryetari i opozitës, Edi Rama, duhet të japë shpjegime për gjysmë milion metër katror ndërtim dhe për 100 milionë euro, të përfituara vetëm nga një ndërtues, sipas tyre, me dokumente e prova. Në fund të muajit nëntor, Kryeministri Sali Berisha gjatë fjalës së mbajtur në Kuvend akuzoi kryetarin e opozitës, Edi Rama, se kostumet e këtij të fundit kushtonin mbi 20 mijë euro. “Ai ka një meritë, në dallim me një kryetar tjetër bashkie, që u shkarkua para një muaji. Merita e tij është se fsheh çdo gjë, se vishet nga “Brioni”, që është nga të paktët bosë që sjell me “jet” të veçantë në Tiranë përfaqësuesit e “Brionit”, për kostumet. Kryetari juaj e merr dy herë në vit rrobaqepësen e Brionit, për të prerë kostume. Ai që deklaron 3 mijë euro, kostumet i ka mbi 20 mijë euro. Ai që deklaron 3 mijë euro, këmishën e ka 1200 euro. Ai që deklaron 3 mijë euro, këpucët i ka me lëkurë gjarpri”, - u shpreh ndër të tjera Berisha.

ILDKP: Avllaj nuk ka përfituar nga Bashkia

- Subjekti Edi Rama, me funksion Kryetar i Bashkisë Tiranë

Ka kaluar në kontroll të plotë, i përzgjedhur nga shorti i zhvilluar në 29.04.2010. Në përfundim të procedurave investiguese, rezulton se ka përputhje mes vetëdeklarimit nga ana e subjektit dhe të dhënave të marra nga ILDKP në të gjithë regjistrat publikë dhe privatë. Gjatë veprimeve kontrolluese, Inspektorati i Lartë ka kërkuar informacion nga Bashkia Tiranë për marrëdhënie që mund të kishte krijuar shtetasi Dritan Avllaj me këtë institucion. Nga përgjigja zyrtare e Bashkisë Tiranë rezulton se ky shtetas, për të cilin ka pasur diskutime në media se ka lidhje interesash private me subjektin Edi Rama, nuk ka lidhur kontrata dhe nuk ka përfituar fonde publike nga Bashkia e Tiranës.