27-01-2011 12:48 CET Vetëm një ditë pas deklarimit të saj se “Kosova është Serbi” dhe shkrimit se si shqiptarët “mashtrojnë, gënjejnë, kontrabandojnë e gjuajnë me armë”, politikania e re nga Trogiri, Helena Novak, është dashur të kërkojë falje.

Novak thotë se atë etiketim ndaj shqiptarëve e ka bërë në afekt, si reagim ndaj provokimeve që një person kishte shkruar se të gjithë shqiptarët janë të ndershëm dhe më të mirë se “njerëzit tanë”.

“Nuk është dashur të merrem me këtë çështje. Tani më vjen shumë keq për të gjitha”, pendohet Novak.

Ndërkaq, kryetari i bashkisë së Trogirit, njëherësh edhe kryetar i degës së partisë SDP në atë rajon, Damir Rilje, e ka kërcënuar Novak me largim nga partia.

“Nuk do të doja të komentoja paranojat personale të Helene Novak. Nuk pajtohem me qëndrimet e saja, e as partia SDP nuk i përkrah. Këtë rast e kam paraqitur tek organizata e qarkut e cila vendos rreth largimit të mundshëm të Helena Novak nga partia”, ka thënë Rilje. /zëri/