Viti 2012 është shpallur zyrtarisht si vit kremtash, për përvjetorin e 100-të,jubilar të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë.Ky fakt është motiv i fort për një rishikim të gjithanshëm të kësaj periudhe.Sigurisht se diskursi është i ndryshëm,varësisht nga pikëpamjet personale karshi shumë ngjarjeve,shpeshherë shumë tronditëse dhe tragjike,duke filluar nga ditët e para të vjeshtës së vonë të vitit 1912,te Konferenca e Ambasadorëve në Londër e deri te Konferenca e Versajës dhe e Jalltës.
Si popull i vogël,pa krah,i përçarë në shumë fe e krahina,pa ekonomi të qëndrueshme,pa arsim kombëtarë,gjuhë unike letrare e administrative,pa traditë shtetformuese moderne dhe pa asnjë mbështetje të fortë e aktive ndërkombëtare,fillimi ishte tepër i zymtë për trojet tona...trishtues.
Por,ja për inat të hasmit e për lavdi të Hyit tonë,Shqipëria është sot 100-vjeçare.
Bile, edhe me bijen e saj të vogël përkrahë- Kosovën...
Ky përvjetor është rast e motiv që të mendojmë thellë për të gjitha gjanat që nuk shkojnë sipas dëshirës,nevojës dhe kërkesave tona.
Eshtë rast që të analizojmë me qetësi,fakte e logjikë të ftohtë,gjithë ato të meta,dobësi e mangësi që kemi pasur dje,i kemi sot e që duhet sa ma parë të harrohen.E këto nuk janë pak dhe shkado;
Duke filluar nga anarkia,papërgjegjësia ,kapërdisja,egoizmi dhe etja e smuar për pushtet e pasuri,që kurr nuk mundëm ti kotrollojmë në suaza normale...
Ndoshta është tepër pretencioze nga ana ime hapja e kësaj teme,por mendoj se kontributi i të shumtëve të këtij Forumi,që kanë dije,kulturë e vullnet,mund ta bëjë këtë temë shumë atraktive për këtë vit,natyrisht nese i anashklalojmë tifozllëqet partiake, karakteristike për gjithçka ndër ne e rreth nesh,edhe rreth historisë dhe problemeve të natyrës madhore,çfarë ka nevojë për diskutim ky vend...
Këtë temë po e filloj me një shkrim autorial të rilindasit mbase të fundit shqiptarë Zotni Sami Repishtit......nga Amerika e largët.Mbase edhe ka shumë çështje që edhe mund të mos pajtohemi rreth konkluzioneve të tij për çështje,njerzë dhe probleme konkrete,por për nji gja besoj se do të pajtohemi të gjithë;dashurinë e pafund që ka njeriu i këtij vendi për atdheut tonë të përbashkët-Shqipërinë,çka shihet edhe nga shkrimi në vazhdim...
-----------------------
Mirë se vjen viti jubilar 2012!
Opinion e Shtunë, Janar 7th, 2012
SAMI REPISHTI,"PANORAMA",tiranë
Për të gjithë vëllaznit dhe motrat që ndihen krenarë për emnin “shqiptar” dhe “shqiptare”, urimet e mia ma të mira për vitin jubilar 2012. Gjithashtu, mirë se vjen shekulli i dytë i Pavarësisë Kombëtare Shqiptare, shekulli i shpresës së madhe, akoma të papërmbushun, shekulli i andrruem që nga vitet e largëta të Rilindjes shqiptare, që nga bankat e shkollës fillore ku muarrëm mësimin e parë mbi Shqipërinë, tokën e saj, popullin e saj, e historinë e saj të dhimbshme. Sot mendojmë se kjo trashëgimi që sjell lot në sy, nuk duhet të jetë “fati” i pandryshueshëm i Shqipërisë sonë, i Shqipërisë së të gjithë shqiptarëve. Sot kemi çdo të drejtë të mendojmë dhe të punojmë për nji Shqipëri që “bën histori”, rrugëtim drejt lirisë së plotë dhe të ndërtueme me duert tona, e jo nji Shqipëri që “bën politikë” me përmasa të padëshirueshme dhe të kontrollueme nga forca të brendshme reaksionare, ose të jashtme anmiqsore.
Duam nji Shqipëri të lirë, të pavarun, demokratike, të bashkueme dhe europiane, dhe duam ta ndërtojmë me duert tona!
* * *
Në atmosferën e diskutimeve të hapuna nuk ka tabu. Të metat që shohim nuk duhen fshehë, ashtu si plagët që marrim nuk duhen mbulue. Mendjet e ndrituna të shoqënisë shqiptare duhet të trajtojnë problemet tona me kujdes dhe profesionalizëm, sidomos kur nji kontingjent i tyne mban në duert e veta pushtetin politik dhe ekonomik. Qëllimi i të gjithëve asht i qartë: përmirësimi çdo ditë i gjendjes ekzistuese për shqiptarët në vend dhe sigurimi i nji vendi dinjitoz për Shqipërinë tonë në familjen e kombeve të lira e të qytetnueme. Ne duam hymjen në Europë jo si lypsarë, por si nji komb që e meriton!
Fatkeqësisht, nji zhvillim i këtillë nuk paraqitet i mundshëm në Shqipëri sot. Etja e pafund për pushtet -dhe pushtet absolut – vrapimi mbas pasunimit të shpejtë e në shumicën e rasteve me mjete te paligjshme, korrupsioni qeveritar dhe qytetar që grijnë administratën e vendit dhe vetë shoqëninë shqiptare, shkelja e paturpshme e ligjit e mosdënimi i krimit, nuk premtojnë nji të ardhme të mirë. Kjo situatë ka krijue nji imazh shumë negativ për Shqipërinë në botën e jashtme.
Nji ish-kryeministër i akzuem për abuzime zyrtare kërkon të zgjidhet President i Republikës në qershorin që vjen. Nji ish-president kërkon të mbetet kryeministër për tridhjetë vjet, sikur Shqipëria të ishte “çifligu i babajt”. Parlamenti shëmbëllen ma shumë me nji “pazar oriental” me kakofoninë e tij. Deputetët janë “të caktuem nga Partitë”, nuk janë kandidatë të zgjedhun lirisht nga populli. Pjesëmarrja e tyne në Kuvend asht “fakultative” e varet nga çapkënllëku i “maestros” që drejton orkestrën. Institucioni i Presidencës, simboli i sovranitetit dhe dinjitetit të kombit tonë, merret nëpër kambë me papërgjegjsinë ma të madhe. Drejtësia, pushteti i tretë, ashtë politizue aq shumë, sa ka humbë asnjanësinë. Humbja e respektit për autoritetin qeveritar asht me të vërtetë shqetësuese.
Ky fenomen politik negativ u mundësue nga mungesa e nji shoqënie civile shqiptare, të ndërgjegjshme për detyrat e saj qytetare. Të lodhun nga nji shtypje gjysmëshekullore nën tiraninë komuniste dhe nga vorfënia e madhe që mundoi nji popull të tanë, “të lirë”, por jo “të çliruem” nga mentaliteti i sistemit komunist, populli shqiptar, i cili u gjet para alternativave të paprituna i pa përgatitun dhe në nji ambient pa rregulla dhe rregullore, u vërsul në fushën e spekulimit, vjedhjes, korrupsionit e krimit me dëshirën e pandalshme për pasunim të menjihershëm. Padrejtësia dominoi me aktin barbar të shfrytëzimit të pakufi e pa ndërgjegje. Ish-anëtarët e nomenklaturës së kuqe dhe fëmijt e tyne zhveshën “shtetin” e ndërtuem me djersë – e me gjak të pafajshëm – dhe krijuen pasuri të shpejta e marramendëse. Të tjerë ndoqën shembullin e tyne të mbrapshtë. Shqipëria hyri në rrugën e plutokracisë që rritet çdo ditë!
Si rrjedhim, u monopolizue sektori ekonomik i vendit. Shteti u transformue, në logjikën e tyne të smurë, në nji “lopë qumshti”, ku ata që duhet të shërbejnë ose t’i qëndrojnë pranë, janë “mjelsit” ma të mirë. Katastrofa ekonomike ishte e paevitueshme me të gjitha efektet e saja, sidomos në formimin e karaktereve të reja pa vlera morale. “Konsumerizmi” i shfrenuem i nji kapitalizmi të egër e të pashpirt u ngrit në piedestalin e vlerës kryesore. Çdo gja tjetër u nënshtrue para nji sulmi të këtillë.
Liria e fitueme përfundoi në nji gjendje fiktive dhe perceptimi zëvendsoi realitetin e përditshëm. Çdo njeri thërriste “liri!” dhe asnjeri nuk mendonte për “përgjegjsi”. Në Shqipëri nuk u kuptue se “liria” e “përgjegjsia” janë dy anët e të njajtës monedhë. Liria pa përgjegjsi asht “anarki”, dhe përgjegjsia pa liri asht “tirani”. Shqiptarët nuk kanë nevojë as për të parën, as për të dytën. Si rrjedhim, kemi sot nji boshllëk të madh shpirtënor e moral që duhet mbushë dhe sa ma shpejt me vlera morale të trashëgueme si nderi, besa, burrënia, mikpritja, solidariteti kolektiv i fshatit dhe qytetit, e natyrisht dashunia për nji liri të vërtetë, jo të egër e primitive, por frymëdhanëse. Gjatë shekujve, Shqipëria ka dhanë shembuj të naltë vlerash morale, të cilat janë të mundshme vetëm tek nji popull që i kultivon këto vlera.
Përcaktimi i arsyeve që sollën konfuzionin moral e politik të vendit tonë janë të shumta dhe subjekti i studimeve antropologjike dhe sociologjike: njeriu shqiptar dhe shoqënia që ai krijon. Hapi i parë asht “ndërgjegjsimi” i pranisë së fenomeneve negative, sado i dhimbshëm që mund të jetë nji proces i këtillë. Asht i domosdoshëm! Mbas “ndërgjegjsimit” vjen analizimi i origjinës dhe i zhvillimit të këtyne fenomeneve, dhe ma në fund, nevoja për “rindërtimin moral” të qytetarisë së gënjyeme. Propaganda pa substancë dhe aksionet spontane të lidershipit nuk kanë vlerë.
Nganjiherë ngjet që para rrezikut të përbashkët ngjallet nji guxim i përbashkët për nji aksion të përbashkët që ofron nji energji të ekzaltueme. Atëherë, zakonisht, lind shpresa për nji jetë që nuk njeh skllavëri. Së bashku, të gjithë ngrihen nalt, fitojnë moralisht dhe guximi i përbashkët kthehet në nji mit modern: shpresë për nji jetë të lirë e me dinjitet. Pikëpamje të këtilla shëmbëllejnë konturet e nji revolucioni paqësor që nuk ashtë terminologji ofenduese; në të kundërtën, ai asht çlirim pa tragjedi personale e kolektive.
* * *
Të larguem nga Shqipëria për vite të gjata, “emigracioni” shqiptar – ose diaspora – e ndien shumë mungesën e “atdheut të lindjes”. Çfaqjet e vazhdueshme të atdhedashunisë janë dëshmia ma e plotë: ruejtja e gjuhës amtare, shkollimi shqip i fëmijve, çfaqjet kulturore e artistike me frymë shqiptare, shtypi shqip, lobimi për Shqipërinë e Kosovën në atdheun e adoptuem e tjera. Ky asht sentimentalizmi i tyne ndaj “çështjes shqiptare”. Në mbrendinë e botës së tyne sentimentale dhe të kufizueme, Shqipëria dhe shqiptarët akoma idealizohen, nji gjendje shpirtënore që nuk pranon realitetin e padëshirueshëm dhe që sjell si rrjedhim zhgënjimin e thellë sa herë që mërgimtarët e përballojnë atë. Nga këto premisa, nënvizoj tre aspekte të mendimit politik të “diasporës” për çështjet shqiptare: E para, urrejtja dhe hakmarrja janë nji kancer që shkatërron tek ata që e ushqejnë.
Urrejtja dhe hakmarrja duhen zëvendsue me parimin e “faljes së fajit” dhe idealin e “pajtimit” të përgjithshëm. Ky qëndrim asht shumë i vështirë – unë jam dëshmitar! – por asht shumë fisnik, dhe siguron nji kapital moral të pallogaritshëm, bazë e fortë në ndërtimin e nji shoqënie civile solidare. E dyta, në Shqipëri dhe në hapësinat e banueme nga shqiptarët nuk ka “anmiq”. Anmiqët janë përjashta kësaj zone. Në Shqipëri ka “kundërshtarë”, dhe kundërshtari nuk asht anmik. Parimisht, kundërshtari asht nji element pozitiv i historisë, sepse nuk pranon “uniformitetin” që na shqiptarët njohim shumë mirë. Ky mospranim lind nevojën e “diversitetit”, ndryshim-mendime që synojnë
nji objektiv: zgjidhjen e problemeve në frymën e lirë, debatin e lirë dhe marrjen lirisht të vendimeve me shumicë. “Diversiteti” nuk lejon formimin e konformizmit që djeg çdo mundësi të zhvillimit demokratik.
Nganjiherë njeriu ka përshtypjen se diskutimet e hapuna e të zgjatuna nuk nxjerrin gja në dritë. Kjo tezë nuk asht logjike. Ajo që afron qytetarët e lirë të nji vendi të lirë – si Shqipëria që ne andrrojmë – nuk asht konformizmi por “solidariteti” në mes nesh që lindë nga dashunia e jonë e përbashkët me shërbye “Nanën Shqipëri” dhe nga bindja e sinqertë e secilit për nevojën e krijimit të nji shoqënie shqiptare të qytetnueme, të ndërgjegjshme për rolin e saj në histori dhe në kuadër të botës së qytetnueme.
E treta, Shqipëria duhet të “modernizohet”, të hyjë në shoqëninë e qytetnueme bashkëkohore të botës së lirë, që shpesh cilësohet si “qytetnimi euroatlantik”. Gjatë historisë bashkëkohore, – që nga idealizmi uilsonian i drejtësisë dhe i transparencës (“Open covenants, openly arrived at”, 1919), Pakti Kellogg-Briand (1928), Karta e Atlantikut (1941), Karta e OKB-së (1945), Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut (1948), Akti Final i Helsinkit (1975) Konventa e Kopenhagës dhe Karta e Parisit (1990) – bota e qytenueme ka deklarue solemnisht angazhimin e shteteve për ruejtjen e paqes, respektimin reciprok në mes tyne, dhe sidomos ka adoptue nji seri statutesh për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Parime të vjetrueme, të trashëgueme nga Traktati i Vestfalisë (1648) ose Kongresi i Vjenës (1814) sidomos ai i “sovranitetit absolut” që lejon qeveritë e nji vendi me shtypë popullsitë vendëse, kanë humbë peshën e tyne në kodin ndërkombëtar (Kosova asht nji shembull i ndritun) e janë zëvendësue me prioritetin e të drejtave të njeriut mbi autoritetin qeveritar dhe konceptin e “sovranitetit absolut”. Sot kemi konceptin e ri të “sovranitetit të kufizuem” të shtetit dhe sovranitetit të paprekshëm të qytetarit. Sot “liria e individit” asht ideali suprem, nji orientim historik që zhvillohet me konceptet e lirisë dhe të drejtave të njeriut, thanë ndrysh “feja e shekullit 21”.
Sot, këto fjalë të shenjta, “liri” dhe “të drejta”, nënkuptojnë “liri nga frika” (kryesisht nga autoriteti qeveritar) dhe “liri nga uria” (kryesisht nga papunësia dhe vorfënia).
* * *
Thirrja e studentëve të Dhjetorit 1990, “Liri, demokraci! Edhe ne si gjithë Europa”, mbetet thirrja ma e randësishme dhe substanciale në historinë bashkëkohore shqiptare. Ajo asht e skalitun në shkamb dhe për të gjitha kohët. Kjo trashëgimi fisnike e rinisë studentore shqiptare nuk duhet harrue, nuk duhet anashkalue.
Krijoni Kontakt