Hoteli i Gjuetarëve në Ishull-Lezhë? Për të gjithë ata që nuk e njohin, ky vend ka historinë e vet dhe vlera arkitekturore, që i ruan ende sot e kësaj dite, ndonëse pjesa më e madhe e kësaj rezidence, e njohur ndryshe edhe si Vila e Kontit Çiano, është e shkatërruar... Gjithsesi, për kuriozët, gjithmonë ka diçka që mund të shohin, pasi e kaluara dhe tradita, vazhdon të ruhet ende në pjesën funksionale të rezidencës. Hoteli i Gjuetarëve administrohet nga pronarët e tokës, pasardhësit e z.Toro Keçi, që ishte personi i cili i dha të drejtën Kontit Çiano, të ndërtonte rezidencën mbi pronën e tij.

Kompleksi në fjalë, është projektuar nga italianët dhe u ngrit nga Konti Çiano, në vitet '38-'39. Vila ishte vendi i preferuar i ministrit të Jashtëm të Italisë dhe projektuesit kryesor të operacioneve ushtarake, strategjike e diplomatike të Duçes.

Ai vinte atje së bashku me miqtë e vet, ushtarët, shoqet, dhe kalonte kohën e qëndrimit në Shqipëri. Në ato vite, pikërisht në këtë ndërtesë, u strehua edhe shefi i Sigurimit të Republikës Jugosllave, Rankoviç. Dihet, se Çiano kishte marrëdhënie diplomatike të mira me qeverinë jugosllave, në kohën e planeve për ndarjen e Shqipërisë. Pas çlirimit të vendit, Vila e Kontit Çiano, ka qenë vendi i preferuar edhe për diktatorin Enver Hoxha, (nga historianët thuhet se në atë vend, është mbyllur dhe ka shkruar fjalimin e tij në Kongresin e I-rë të PKSH). Po kështu, një tjetër figurë shteti, që parapëlqente mbi të gjitha Vilën e Kontit Çiano, ishte kryeministri shqiptar më jetëgjatë në pushtet, Mehmet Shehu. Ai shkonte shpesh për të pushuar dhe për të bërë gjueti në rezidencën e famshme. Me siguri që, para së gjithash, tërheqja për të duhet të ketë qenë veç fakteve historike, ambienti i veçantë dhe mundësitë që vila ofronte. Nuk është gjë e vogël, të kesh mundësi të gjuash rosa, fazanë, thëllëza, zogj të egër, lepuj e kafshë të tjera dhe njëkohësisht, të mund të peshkosh. Pra, dy lloje gjuetie që i ofronte fare mirë një vend, siç ishte Hoteli i Gjuetarëve.

***

Ndërtesa zë një territor prej rreth 20 dynymësh, ndërsa me gjithë kopështin rreth saj, shkon gati 30 dynymë. Anash saj kalon lumi. Rosat, peshq e bretkosa, mund të shihen fare mirë tek bashkëjetojnë (por edhe mund të serviren si pjatanca ushqimi). Kanata të vjetra dritaresh, perde të thjeshta, si çarçafë të bardhë, dysheme që kërcasin teksa ecën sipër tyre, vatra guri të gdhendura, korridore dhe dhoma të viteve të para Çlirimit, duket se ua kanë ndalur paksa vrapin moteve në këtë vend. Modernia, nuk është aspak në plan të parë...

Njëherë e një kohë, kjo rezidencë rrethohej e gjitha nga kanali, si të ish një mini-ishull i vogël, siç mund të gjendet edhe në piktura të atyre viteve. Sot, ajo ka mbijetuar me një pjesë të mirë pamore ende të ruajtur, megjithatë, shumë gjëra me vlerë historike e monumentale janë shkatërruar, sa nga koha, aq edhe nga njerëzit e papërgjegjshëm, P.sh., shumë pak ka mbetur nga sot për sot, nga dhoma e Kontit Çiano, vatra e tij, orenditë e ndryshme që kishte, çiftja e artë, busti i tij... Ndoshta kanë shkuar në ndonjë muze, a ndoshta janë grabitur, këtë nuk arritëm ta merrnim vesh. Por nuk do të ishte keq, sikur vetë ajo ndërtesë të shfrytëzohej njëkohësisht edhe si muze, edhe si hotel dhe restorant. Një atraksion i shkëlqyer turistik për shqiptarë e të huaj. Pse jo, qeveria mund të ndihmonte pronarët aktualë, për të hartuar dhe realizuar një mjedis të tillë dhe për të rigjallëruar një zonë të përhumbur në Ishull-Lezhë. Ata vetë tregojnë se e kanë ruajtur me gjakun e tyre këtë vend, në vitin e rrëmujave, 1997, kur u grabit nga të gjithë, madje disa ishin duke i vënë flakën për ta djegur krejt. Pinjollët e Toro Keçit, e mbrojtën nga shkatërrimi total Hotelin e Gjuetarëve. Marenglen Alcani, një nga të afërmit e pronarëve, punonjës në Hotelin e Gjuetarëve, thotë lidhur me '97-ën, se "familja, sapo mori vesh rrëmujën që po ndodhte në '97, shkoi për të mbrojtur rezidencën e Kontit Çiano. Kishin plaçkitur disa dyqane valute dhe floriri që ishin aty, madje kur shkuam për ta mbrojtur vendin, disa persona ishin duke i vënë flakën, për ta shkrumbuar fare".

***

Rezidenca ka aktualisht 2 salla të mëdha dhe 20 dhoma hoteli. Sot, funksionale janë 6 prej tyre, si dhe salla e madhe që ndërtoi Enver Hoxha, e cila është rikonstruktuar prej pronarëve, kur e rimorën Hotelin e Gjuetarëve. Vendi do të ruajë traditën në të gjithë konstruktin e tij, sa më shumë që të mundet, kjo është dhe ideja e pronarëve, të cilët nuk duan ta shkatërrojnë rezidencën, duke ja kuptuar rëndësinë komerciale, por edhe historike. Vlen të theksohet fakti, se kjo ndërtesë ka qenë një ndër tre rezidencat e vetme në Shqipëri, me status "Rezidencë qeveritare", krahas asaj të Durrësit dhe Pallatit të Brigadave, megjithatë, sot gjendja e saj është e mjerueshme, pasi vetëm pronarët nuk mund ta risjellin në formën e dikurshme, për shkak të shpenzimeve të mëdha që ajo kërkon.

Kush ishte Konti Galeazzo Çiano?

Padyshim, që figura e Kontit Galeazzo Çiano, është e njohur për të gjithë nga historia si diplomat i rëndësishëm, ministër i Jashtëm i Benito Musolinit, e njëkohësisht, këshilltari kryesor me influencë të padiskutueshme mbi Duçen. Çiano ka të bëjë me zhvillime ndër më të rëndësishmet, përsa i përket Luftës së Dytë Botërore dhe më kryesorja, fatin e Shqipërisë në vitin 1939.

Më 8 janar ´39, pasi aprovoi planin për pushtimin ushtarak të Shqipërisë, Benito Musolini vendosi të dërgojë në Beograd, ministrin e tij të Jashtëm, Kontin Çiano."Për pushtimin e Shqipërisë, ne duhet të merremi vesh përfundimisht me Jugosllavinë, i tha Kontit Çiano, Musolini. Ata duhet të kuptojnë se Adriatiku është det italian dhe Mesdheu i përket Romës". Kështu, Çiano qëndroi në Jugosllavi për 6 ditë dhe bisedoi me homologun e vet dhe me kryeministrin jugosllav, Stojadinoviç, duke i dhënë siguri atij, se problemi shqiptar është një problem italo-jugosllav dhe se Italia nuk do të ndërmerrte asnjë veprim, pa u konsultuar më parë me Jugosllavinë. Pas një muaji, qeveria e Stojadinoviçit rrëzohet. Pikërisht në atë kohë, Konti Çiano shkruante në ditarin e vet, se: "Me Stojadinoviçin do ta ndanim Shqipërinë, pasi ata kërkonin Veriun së bashku me Shkodrën dhe Malin e Taraboshit. Tani do ta pushtojmë krejt, pa Jugosllavinë". Ndërsa në kujtimet e botuara të mbretit Zog, në lidhje me Kontin Çiano dhe atë pikë të nxehtë historike, që ka të bëjë me pushtimin e vendit nga fashistët, thuhet: "Konti Çiano, pasi u kthye prej Jugosllavisë, na erdhi zyrtarisht për t'i bërë vizitë Qeverisë Shqiptare, ku i shpjegoi sipas qejfit të tij, se bisedimet italo-jugosllave nuk kanë asgjë mbi Shqipërinë. Na dëshironte që të lëshohej një komunikatë, së bashku me ministrin e Jashtëm të Shqipërisë. Natyrisht, kjo nuk u pranua dhe prej kësaj kohe, e kuptova se Konti Çiano ka shumë influencë tek Musolini. Ai u përpoq të na afrojë në një mënyrë miqësie, por ishte shumë megaloman dhe i paqëndrueshëm në bisedimet e tij dhe mendjemadh. Kontit Çiano, prej 5 ditëve të qëndrimit të tij në Shqipëri, ju bënë gjithandej nderimet si mik e aleat. Ai, më shumë dhe gjithandej u shoqërua nga ministrat me shumë nderime, se i kishte dëshirë e i pëlqenin. Por, në bisedimet që pata me ta, ditën e parë nuk ishin të ngrohta aq shumë. Megjithëqë e mbajta shumë mirë, por ditën e dytë kur e kisha për drekë, bisedova më haptas me të dhe më premtoi personalisht si një lloj besimi, dhe ai do të bënte çmos për një miqësi të sinqertë italo-shqiptare. Saqë, siç e dini, për të përfituar nga kjo, e bëra edhe dëshmitarin e martesës sime. Po ashtu, e ndalova dy ditë prapa e fola me të, ku më dha mjaft premtime, po të kota. E këtu, unë e kuptova se Musolini e dëgjon shumë dhe ky ia mbushte mendjen Musolinit. Të gjitha këto pengesa, me pak fjalë, i shpjeguam nga rrethanat. Nga përpjekjet që kemi kaluar me zor të madh dhe ashtu siç e dini, u bënë me mungesa ekonomike e financiare dhe me varfëri. Por, në çdo moment, nuk kemi lënë pas zhvillimet e vendit. Pra, unë, siç ju thashë, se qysh në Nëntorin 1926, e kam kuptuar haptas qëllimin e errët të Musolinit kundër Shqipërisë. Asnjëherë nuk jam gabuar në ta, por nevojat e mëdha, siç e dini, na lanë gjithmonë t'i arrijmë në frikësimet italiane. Nuk kam lënë mjet pa përdorur për sigurimin e Shqipërisë, qysh në vitin 1934. I kam propozuar ballkanasve për një lidhje ballkanike, duke qenë edhe Shqipëria brenda. I jam lutur Ataturkut, që ky të ndërhyjë përbri Greqisë e Jugosllavisë, që kishin një aleancë në mes tyre, që të pranohej edhe Shqipëria...".