Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 7
  1. #1
    Mjedisor Maska e Edvin83
    Anëtarësuar
    20-03-2006
    Vendndodhja
    Tallinn
    Postime
    4,670

    Pse po kthehemi në kosh plehërash

    Mbi takimin Berisha Berlusconi


    Presidenti i rajonit të Puglias, Nichi Vendola, gjatë një interviste të para disa ditëve, u pyet nga një gazetare italiane edhe për mundësinë e ndërtimit të një termocentrali bërthamor në Puglia. Kjo, sepse flitet se Puglia është një nga zonat e mundshme të projektuara për një ndërtim të tillë. Përgjigja që dha Vendola ishte: « Për të ndërtuar një termocentral bërthamor në Puglia qeverisë do t’i duhet të vijë atje me ushtri. » Në fakt aq e fortë është ndjeshmëria e opinionit publik italian kundër termocentraleve bërthamore saqë qeveria e Berlusconit, që e ka rihapur çështjen e lejimit të ndërtimit të bërthamorëve, meqënëse është në prag të zgjedhjeve rajonale, ku kandidon edhe Vendola për t’u zgjedhur për herë të dytë president, nuk i ka bërë publike rajonet ku mendon se mund të ndërtojë termocentralet bërthamore sepse kjo do t’i sillte humbjen në ato rajone. Italianët, pra, edhe kur mendojnë se mund të kenë nevojë për bërthamorë thonë se, gjithsesi, kjo duhet të bëhet larg bythës së tyre.
    Dhe ja ku u del në ndihmë «presidentit i rajonit të Shqipërisë», Sali Berisha, i cili përsëriti edhe një herë propozimin për të ofruar tokën shqiptare si mundësi për ndërtimin e një termocentrali bërthamor. Dhe kjo pasi kryeministri ynë bëri edhe një ekspoze ku, midis të tjerash, tha se qeveria e tij planifikon të ndërtojë mbi katërqind hidrocentrale të vegjël e të mëdhenj në lumenjtë e Shqipërisë, e tece, e parkun më të madh eolik në Evropë, pa përmendur tecin me qymyr në Durrës. Berisha pra, edhe një herë, pa u marrë leje shqiptarëve, u ofroi tokën e tyre italianëve dhe kujtdo qoftë, për të ndërtuar ato që ata nuk guxojnë t’i ndërtojnë në vendet e tyre pasi nuk i lejon popullsia.
    Për të kuptuar se pse italianët ia lejojnë vetes ta përdorin Shqipërinë si «kosh plehërash», siç e quajti edhe vetë shtypi italian këto ditë, mjafton të kesh parasysh batutën e Berlusconit kur tha se, për trafikimin e femrave të bukura shqiptare, italianët janë të gatshëm ta mbyllin një sy, batutë kjo që sikur erdhi për të ilustruar një vlerësim të shtypit francez të vetëm dy ditëve më parë që shkruan se Italia, nga një vend që ka qenë « laboratori i avangardës së Evropës » po shkon « drejt barbarizimit», po « kthehet në një vend provincial », « me një klasë politike provinciale », « me televizione që kanë mbetur në vitet 80, me programe « të dielëzuar », « me talk show gjithë britma », « me shalë e bythë jashtë », që i ka ndërtuar pikërisht Berlusconi. (Liberation, 11 shkurt 2010)
    Pra problemi nuk është pse kërkon Berlusconi ta shndërrojë Shqipërinë në një kosh plehërash të Italisë, por pse kërkon ta shndrrojë kështu një shqiptar si Berisha. Pyetja që mund të shtrohet është: e bën nga halli, e bën nga padituria, apo çfarë ? Gjykimi im është se Berisha e bën këtë nga halli dhe padituria bashkë, e jo vetëm, por edhe nga një ndjenjë papërgjegjshmërie morale ndaj bashkëqytetarëve të tij, që është karakteristike për të gjithë klasën tonë politike. Mund të quhet edhe kriminale pa patur frikë se po bën ndonjë teprim. Por cili është halli i Berishës që e çon deri në këtë krim ndaj vendit e ndaj brezave që do të vijnë - shtrohet pyetja. Halli i Berishës është i thjeshtë : të qëndrojë në pushtet me çdo kusht. Dhe me këtë ofrim të tokës së Shqipërisë Berlusconit ai mendon se do të mund të zgjidhë dy probleme serioze përsa i përket qëndrimit në pushtet. Së pari, të zgjidhë problemin e mbështetjes ndërkombëtare për qeverisjen e tij, duke patur parasysh edhe gurguletë e kontestimet e kohëve të fundit nga ana e opozitës. Së dyti, çka sipas mendimit tim është kryesorja, synon të zgjidhë një problem edhe më të madh. Arka e shtetit shqiptar është bosh ose është duke u zbrazur pasi vendi është në krizë ekonomike. Për hir të së vërtetës duhet thënë se shkaku i kësaj krize nuk është thjesht e vetëm qeveria Berisha. Sipas gjykimit tim Shqipëria po kalon një krizë ekonomike që lidhet me shterimin e burimeve kryesore që e kanë mbajtur ekonominë më këmbë deri vitet e fundit. Nuk ka dyshim, tashmë, se industria e ndërtimit, që ka qenë ajo kryesorja në vend, është frenuar pas lulëzimit që pati në dhjetëvjeëçarin 1995 – 2005 për disa arësye ndër të cilat do të veçoja si më kryesoret: pakësimin e kërkesës për banim të njerëzve e lidhur kjo edhe me rënien dramatike të cilësisë së jetës në qytetet kryesore të vendit për shkak të urbanizimit të egër, pakësimin e të ardhurave të emigrantëve, pakësimin e investimit të parave të pista të drogës e prostitucionit në këtë industri. Ndërkaq burime të tjera ka pak sepse shumë pak është investuar tjetërkund për shkak të politikave të keqorientuara. Kështu që, për të mbajtur në këmbë administratën dhe kastën rreth tij, që e mban edhe në pushtet, si dhe për të evituar një rënie dramatike të mirëqënies që do ta fuste vendin në krizë edhe më të thellë social politike, Berishës i duhen para. Dhe rruga më e shkurtër për të siguruar këto para dhe për të mbajtur pushtetin është të shesë ç’mund të shitet nga ky vend njëlloj si ai i falimentuari që shet edhe plaçkat e shtëpisë për të paguar borxhet. Dhe në këtë pikë del edhe paaftësia apo padituria e qeverisë së Berishës. Në fakt ekonomia shqiptare, qysh kur erdhi Berisha në pushtet, i ka pasur këto simptoma sëmundjeje dhe një qeveri e aftë e inteligjente do të duhej të projektonte një ndryshim të politikave ekonomike në mënyrë që investimet të kanalizoheshin tjetërkund. Mirëpo kjo nuk është bërë, dhe jo thjesht për shkak të mungesës së vizioneve, por për shkak të faktit se qeveria nuk ka qenë asnjëherë tek ne shprehëse e interesave të popullsisë së gjerë, por shprehëse e interesave të një ekonomie pakice biznesesh që ndryshe cilësohen si biznese « kafsho dhe ik ». Eshtë kjo që nuk e ka lejuar të ndërtojë politika ekonomike që do të siguronin atë që në botë, prej kaq kohësh, sot quhet zhvillim i qëndrueshëm.
    Shkurt, pra, Berisha mendon se duke shitur çka mund të shitet me konçesion tek të huajt do të ketë mundësi të sigurojë, krahas mbështetjes politike, edhe atë të punësimit të ca shqiptarëve dhe të mbledhjes çfarë të mundë për të investuar kryesisht në rrugë apo edhe në vepra të tjera publike të cilat do t’ua japë me tenderime klientelës së tij. Në këto kushte klientela a djeshme e opozitës ose do të falimentojë ose do të mblidhet rreth sofrës së tij për të mbledhur thërrimet që do të lenë klentët besnikë të Berishës. Duke i shtuar kësaj edhe mbështetjen ndërkombëtare, veçanërisht italiane, për heqjen e vizave këtë vit, çka do të shërbente edhe si valvol shkarkimi për shqiptarët që do të jenë pa rrugëdalje në Shqipëri, Berisha mendon se do të mund të qeverisë për bukuri.
    Ky është leximi im për lëvizjet e fundit të Berishës në takimin me Berlusconin.
    Kësaj i duhet shtuar fakti se opozita, në vend se të bëjë një analizë të thellë kësaj gjendjeje, duke parë edhe përgjegjësitë e saj, në mënyrë që të ndërtojë një alternativë bindëse, bën një luftë krejtësisht superficiale. Sipas meje shkaku i mungesës së alternativës është përsëri i njëjtë në thelb me atë që e shtyn Berishën në sillet kështu, dmth duke shitur interesat afatgjata të shqiptarëve. Rama dhe njerëzit e tij, të ndodhur përpara rrezikut të humbjes së çdo mundësie për t’u rikthyer në pushtet e për të shpëtuar interesat e tyre nga rreziku në rritje i klientelës së Berishës dhe Metës, po bëjnë një luftë për jetë a vdekje, në të cilën atyre u duhen aleatë nga të mundin, pavarësisht principshmërisë, ideve apo qëllimeve të tyre. Kjo shpjegon edhe faktin se në vend që të kishim një protestë të fortë të kësaj opozite ndaj takimit të Berishës me Berluskonin, qoftë edhe për deklaratën e turpshme të këtij të fundit lidhur me trafikimin e femrave shqiptare, opozita vazhdoi të merret vetëm me « të hapen a të mos hapen kutitë ». Sikur një të dhjetën e energjive që ka shpenzuar për luftën e kutive opozita ta kishte shpenzuar për të denoncuar brenda vendit, por edhe ndërkombëtarisht, tek partitë e majta evropiane, projektin e shndrrimit të Shqipërisë në kosh plehërash, e për të projektuar e propozuar një program alternativ për daljen nga kriza, jam i bindur se për këto projekte nuk do të flitej më. Mirëpo për këtë nuk e lejon e njëjta e keqe : funksionimi i saj në shërbim të ekonomisë « kafsho dhe ik. »
    Eshtë e qartë se në këto kushte, Shqipëria e kthyer tashmë në një skelet të shqyer nga hijenat, nuk ka alternativë tjetër veçse të kthehet në koshin e plehërave të Evropës e të vazhdojë të ofrojë mish të freskët femrash për evropianë të edukuar sipas modelit Berlusconi. (Korrieri, 16 shkurt 2010)

  2. #2
    Mjedisor Maska e Edvin83
    Anëtarësuar
    20-03-2006
    Vendndodhja
    Tallinn
    Postime
    4,670
    NJË POLITIKË NË MOSHËN E DJEPIT
    18/02/2010
    Daut Gumeni

    Të ndiqje konferencën e përbashkët të shtypit midis Kryeministrit italian dhe atij shqiptar në mbyllje të vizitës së këtij të fundit në Romë pak ditë më parë, nuk mund të mos ndiheshe keq. Nuk mund të mos ndiheshe keq kur kryetari i qeverisë së vendit tënd shkel dhe protokollin zyrtar përkatës dhe mundohet aq shumë të flasë në gjuhën e mikpritësit. Dhe nuk është as hera e parë e as i vetmi zyrtar shqiptar që shkel rregullat elementare të protokollit shtetëror, vetëm për t’i bërë qejfin zyrtarit të huaj. Për të mos përmendur pozitën në të cilën bien me aq dëshirë zyrtarët tanë të lartë kur përpiqen të flasin një gjuhë të huaj, që ka nevojë edhe për një përkthyes të dytë...

    Dhe përse gjithë ajo përulje e zyrtarëve tanë të tranzicionit përpara të huajve? Pse ai kompleks aq i rëndë inferioriteti ndaj të huajve, kur brenda vendit lëshojnë të tëra rrufetë e Zeusit ndaj opozitarëve dhe mbarë qytetarëve të tyre? Pse gjithë ajo përulje ndaj zyrtarëve të huaj, kur pushtetarët tanë të tranzicionit i mbushin zyrat e tyre në Tiranë me pasqyra e me kolltukë të rëndë, si të qenë jo më zyra të shtetit më të varfër të Europës, por berberhane luksi dhe sallone panairesh të kolltukëve të modës së fundit?

    Nuk i kanë parë pushtetarët tanë sa të thjeshta e funksionale janë pajisjet e zyrave të Amerikës që drejton botën, apo të Europës së pasur? Kaq të papërshtatshëm për postet që kanë ndihen pushtetarët tanë, sa kërkojnë t’i plotësojnë mangësitë e tyre si shtetarë me pasqyra qesharake e me kolltukë të vetëtitur prej lëkure? Ja dhe na prishin mendjen neve “si shqiptarë të mirë”, po kur presin miqtë e huaj të pushtetit në ato zyrat e tyre “me hundë në qiell”, nuk ndihen ndopak ngushtë që t’u kërkojnë ndihma për “reformat”, që kthehen aq shpejt në deformime të institucioneve shtetërore e të vet demokracisë?...

    Pse gjithë ajo përulje e pushtetarëve tanë të tranzicionit ndaj të huajve, në një kohë që në Tiranë na i mbathin dhe karriget e tyre të punës me ca bishta palloi prej druri, si të qenë koka djepi? Pse u meket gjuha pushtetarëve tanë të tranzicionit përballë të huajve, kur këta miq të pushtetit tallen dhe me mjerimin e vajzave shqiptare?...

    Mund të vijohej me pyetje të tilla një natë të tërë dimri, por pushtetarët tanë të tranzicionit nuk begenisin të përgjigjen, sepse ato pyetje do të merrnin përgjigje vetëm po t’i bënte një mik i huaj i pushtetit. Ja, për shembull, sikur t’i pyesnin miqtë e huaj të pushtetit se përse tremben aq shumë pushtetarët tanë nga transparenca e zgjedhjeve të 28 qershorit të kaluar, mbase do ta kishin më të vështirë t’u përgjigjeshin baballarëve të kushtetutave demokratike se “nuk i lejon Kushtetuta”...Sikur miqtë e pushtetit të kujtoheshin t’i pyesnin pushtetarët tanë se përse mbyllen si me magji të gjitha proceset penale ndaj pushtetarëve, pushtetarët tanë mbase nuk do t’u përgjigjeshin aq serbes se “u vonuan avokatët në tunelin e bllokuar të Kalimashit dhe kaloi afati procedural përkatës”...Sikur të kujtoheshin një ditë dhe miqtë e pushtetit e t’i pyesnin pushtetarët tanë se përse nuk vihen përpara përgjegjësisë arkitektët e mirëfilltë të varrezës së Gërdecit, mbase pushtetarët tanë aq trima me shqiptarët dhe aq të përulur përpara të huajve, nuk beson kush se mund t’u përgjigjeshin që vërtet këta pushtetarë të Tiranës nuk e dinin fare se ku binte Gërdeci e jo më të kishin dhe gisht në gjëmën që u ra sipër atyre banorëve të pafajshëm. Ca më pak pushtetarët tanë mund t’u përgjigjeshin dhe miqve të tyre të huaj se Gërdeci u projektua dhe u ngrit fshehtas edhe nga gjysma e institucioneve të këtij shteti, vetëm për t’u pasuruar ca pushtetarë...

    Pa le po t’i pyesnin miqtë e tyre të huaj pushtetarët tanë se përse ka dy dekada që stabiliteti i karrigeve të pushtetarëve zullumqarë të pandëshkueshëm nga drejtësia, na ka kthyer në një shoqëri të dënuar nga padrejtësia... Këtë pyetje pushtetarët tanë do ta merrnin si një nga ato shakatë prej ushaku të “kavalierit”, me të cilat pushtetarët tanë shkrihen gazi dhe nuk pyesin fare se bëhen vetë e na bëjnë të gjithëve gazin e botës...

    Edhe sikur miqtë e huaj të pushtetit, që nuk janë aq të hollë në shaka sa “kavalieri”, të pyesnin një ditë me diell se kush i pengon vërtet reformat e nevojshme në Shqipërinë e tranzicionit, pushtetarët tanë do t’u përgjigjeshin hezber: “Opozita që nuk njeh zgjedhjet më të lira e më të ndershme të zhvilluara në historinë e Shqipërisë”...Kurse po të pyeteshin nga miqtë e pushtetit se edhe aq të lira e të ndershme t’i quajmë ato zgjedhje “historike”, si do t’i kryenit reformat e mëdha me 74 deputetë, kur për ato reforma kërkohet një shumicë e cilësuar, pushtetarët tanë do t’u përgjigjeshin përsëri serbes: Atë përgjigje duhet ta japë opozita “punisto-mafioze” që nuk na bindet as të zgjedhim kryetarin e as të votojë tok me mazhorancën e dojtë për t’i vënë të gjitha institucionet e shtetit në tepsinë e pushtetit...

    Po t’i pyesnin miqtë e huaj të pushtetit se përse Shqipëria ka mbetur e fundit në rajon për proceset integruese, kur e ka nisur atë udhë ndër të parat, pushtetarët tanë e kanë përgjigjen të gatshme dhe të mençur: “Ne gjithmonë të fundit kemi qenë”... Dhe në qoftë se miqtë e huaj të pushtetit i pyesin më tej pushtetarët tanë: “Po atëherë përse gjakoni aq ethshëm për pushtetin duke pranuar gjithë gëzim edhe humbjen e asaj faqeje që ju ka mbetur përpara elektoratit?” – pushtetarët tanë aq trima nëpër zyrat e mediat e tyre dhe aq të përulur përpara të huajve, do të përgjigjeshin se u mjaftonte vetëm të bënin pjesë në klasën e re të kapitalistëve revolucionarë dhe stabiliteti i pushtetit të tyre i siguruar me ato kapitale...

    Edhe sikur t’i pyesnin miqtë e huaj të pushtetit se përse nuk u vjen fare turp që për të hequr dorë nga kjo politikë e moshës së djepit i detyrojnë gjithnjë të huajat, këtu pushtetarët tanë do të mbanin një ligjëratë mallëngjenjëse për pafajësinë e kavalierit, që “qe ngatërruar nga bukuria e gazetareve shqiptare” e nuk e kishte fjalën fare për trafikun e qenieve njerëzore...

    Prandaj do të ishte e udhës që dhe pushtetarët tanë ta merrnin vesh më në fund se kjo politikë e tyre, që i ka mbërthyer aq keq nëpër kolltukët me koka djepi, duhet të marrë fund. Se duhet të marrë fund kjo politikë zemërake dhe krizat që pjell ajo për të mos lejuar fundin e tranzicionit dhe zhvillimin e reformave të nevojshme për përparimin real të vendit. Duhet të marrë fund kjo politikë e moshës së djepit dhe ai takëm politikanësh të improvizuar nga Partia e Punës për të ruajtur pushtetin me rekuizitë të re, ndoshta ka ardhur koha të kërkojnë një punë tjetër. Ndoshta ka ardhur koha që dhe ky vend i varfër të mos qeveriset më nga marrëzia.

  3. #3
    Mjedisor Maska e Edvin83
    Anëtarësuar
    20-03-2006
    Vendndodhja
    Tallinn
    Postime
    4,670
    Edhe njëherë për plehrat
    NGA: ALBA MALLTEZI
    Në Tiranë vazhdojnë të qarkullojnë opinione qesharake se Shqipëria rrezikon të kthehet “një kosh plehrash i Europës”, duke spostuar në mënyrë paradoksale problemin nga brenda, jashtë. Sikur të tjerët duan të na bëjnë, ata, Europa, Italia. Jo ne, ne jemi parajsë ekologjike që synon të dhunohet. Një opinion i rrezikshëm ky që uroj të ketë në bazë të tij vetëm verbërinë, injorancën apo pamundësinë për të parë mjedisin ku jetojmë e jo shpërndarjen e një psikoze të qëllimshme e të paramenduar: Shqipëria është tashmë prej 20 vjetësh një kosh plehrash dhe njërëz të caktuar vazhdojnë të pengojnë që ky kosh ku ne sot jetojmë, të sistemohet pa u kthyer përfundimisht në një vorbull të parekuperueshme.
    Ndërsa institucionet shtetërore, duke u nisur nga Bashkitë, që nga ajo e Tiranës dhe ato në rrethe, Ministria e Mjedisit, Ministria e Shëndetësisë, ofrojnë shifra me pikatore, të dyshimta, të matjes së ndotjes së mjedisit, të tjera institucione, përmes seminareve, japin shifra alarmante: rritje e numrit të të sëmurëve me tumore dhe leuçemi në Shqipëri, në të shumtën e rastëve këto sëmundje janë të lidhura drejtpërdrejtë nga faktorë ndotës të mjedisit. Mjekët mbeten e vetmja kategori që vazhdojnë të ngrenë zërin për këtë shqetësim, duke kërkuar herë pas here ndërhyrje serioze nga ana e Shtetit për mbrojtjen e mjedisit. Kush ka patur mundësinë të udhëtojë nga Tirana në Milano, vetëm falë shqisës që Zoti i ka falur, atë të frymëmarrjes, mund të kuptojë se ajri i kryeqytetit industrial të Italisë, duket ajër i pastër malesh, në krahasim me ajrin e kryeqytetit tonë. E pra, muajt e fundit, një nga debatet më të forta në këtë qytet verior të shtetit fqinj është ndotja e ajrit dhe një nga shqetësimet kryesore të pushtetarëve vendorë atje është reduktimi dhe matja e përditshme e pluhurave të imët në ajër. Janë këto pluhura, të prodhuar nga makinat, ndërtimet, që janë shkaktarët kryesorë të dëmeve në shëndetin e njeriut. Në Milano, i gjithë opinioni publik u alarmua, pas shtimit të rasteve me leuçemi te fëmijët. Nuk bëhej fjalë për një epidemi, por dy raste në një lagje të trafikuar, mjaftoi të nisnin masat urgjente për disiplinimin e trafikut, krijimin e ditëve pa makina. Në Tiranë, në Shqipëri, nuk bëhetë asgjë. Që prej 28 Qershorit të vitit të kaluar mazhoranca është impenjuar të mbajë karrigen dhe opozita e impenjuar t’ua heqë kundërshtarëve nga dora, ndërkohë që cilësia e jetës së njerezve sa vjen e bie, thithet nga kjo vorbull e krijuar, nga ky kosh i madh plehrash ku ne jetojmë. Javën e kaluar, po në Itali, u zbulua se një firmë e madhe ndërkombëtare detersivësh e të tjera produkte higjene (që vijnë dhe në Shqipëri) i hidhte mallrat e veta të skaduara në një firmë plehrash me çmim të lirë, ku përfundonin në tokë, duke ndotur mjedisin. Në Itali janë vënë para drejtësisë. Po në Shqipëri? Në gjithë këto vite? Ku hidhen detersivët, bojrat, ilaçet e skaduara? Çdo gjë prej 20 vjetësh përfundon në tokën dhe në trupin tonë, askush nuk kontrollon nëse ndërkohë vijnë dhe groposen në menyrë klandestine apo me liçenca të dyshimta shtetërore produkte të dëmshme, sepse ende ne Shqipëri vendi ku hidhen plehrat është toka, lumenjtë e deti. Dhe ka ende nga ata që thonë “...rrezikojmë të kthehemi në kosh plehrash...” kur ka vite që jemi.

  4. #4
    back to origin Maska e ☆Angie☆
    Anëtarësuar
    02-11-2007
    Vendndodhja
    Skyline
    Postime
    2,559
    Citim Postuar më parë nga Edvin83 Lexo Postimin
    «presidentit i rajonit të Shqipërisë»
    Tr@pi më i madh i rajonit, madje i gjithë rruzullit.

    Puna është se Shqipëria jo vetëm që nuk ka një qeveri të hajrit por as një popull të hajrit.
    Elegance is an attitude.

  5. #5
    Mjedisor Maska e Edvin83
    Anëtarësuar
    20-03-2006
    Vendndodhja
    Tallinn
    Postime
    4,670
    Citim Postuar më parë nga angelina o2 Lexo Postimin
    Tr@pi më i madh i rajonit, madje i gjithë rruzullit.

    Puna është se Shqipëria jo vetëm që nuk ka një qeveri të hajrit por as një popull të hajrit.

    E ka nje shok, Robert Mugabe i ngjan shume

  6. #6
    I love god
    Anëtarësuar
    23-02-2007
    Postime
    8,043
    rregulloje pak titullin e temes.

    sa per temen !!!kerkojani vehtes njehere dhe jo presidentit " pastertine"

  7. #7
    i/e regjistruar Maska e martini1984
    Anëtarësuar
    02-04-2009
    Postime
    5,594
    Citim Postuar më parë nga angelina o2 Lexo Postimin
    Tr@pi më i madh i rajonit, madje i gjithë rruzullit.

    Puna është se Shqipëria jo vetëm që nuk ka një qeveri të hajrit por as një popull të hajrit.
    Se c'me kujtove ate historine e vagonave te trenit te mbushur me pesticide qe erdhen nga Gjermania(nga Hanoveri saktesisht) dhe i bllokuan tek Hani i Hotit qe mos tja fut kot.Dhe ai Konjaku Grek mbas 90-s qe kushtonte shishja 2 litershe 800 leke te vjetra shqiptare dhe sa njerez vdiqen ne Tirane.
    @Edvin83
    Mugabe te pakten ja u morri tokat te bardheve qe tja u falte te zinjve.
    Populli eshte gjithmone bageti,biles i bejme qejfin vetes se jemi te zgjuar
    Jemi ne por me koshat e plehrave..............
    ncncncncncncccccccc

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •