Prishtinë, 20 dhjetor - Koalicioni qeveritar ndërmjet Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës po bëhet gjithnjë e më i paqëndrueshëm, thonë deputetët e këtyre dy partive politike.
Si zyrtarë të PDK-së, ashtu edhe ata të LDK-së, besojnë se me pranverën e vitit 2010, Kosova mund të shtrëngohet të shpallë zgjedhje të parakohshme parlamentare, për shkak të krizës qeveritare, që ata e parashohin.
Zafir Berisha, deputet i PDK-së dhe kryetar i degës së kësaj partie në Prizren, tha për Radion Evropa e lirë se zhvillimet në procesin e fundit zgjedhor dhe ato rreth balotazhit kanë dëshmuar se PDK-ja dhe LDK-ja nuk janë parti që mund të qeverisin edhe pas shpalljes së pavarësisë.
Me deklarimin e pavarësisë dhe ruajtjen e stabilitetit në Kosovë, ky koalicion e ka përfunduar punën e vet, tha Berisha i PDK-së.
“Detyrën, ky koalicion e ka kryer me shpalljen e pavarësisë së Kosovës dhe, thjesht, PDK-ja dhe LDK-ja në koalicion është shumë e pakuptimtë. Unë e them këtë si deputet. E kam thënë edhe atëherë (2007) dhe vazhdoj ta them. Megjithatë, ia lëmë kohës dhe besoj se pranvera do të jetë shumë e favorshme për t’i parë gjërat se si do të rrjedhin, se, si zakonisht, gjërat e mëdha te shqiptarët ndodhin në pranverë”, tha Berisha.
Ndërkohë, edhe deputeti i LDK-së, Bujar Bukoshi vlerëson se koalicioni aktual është në krizë dhe se nuk po funksionon.
Sipas Bukoshit, gjendja është tejet alarmuese dhe duhet të ketë një vlerësim politik se a mund të rikuperohet diçka me riformatimin e tij apo me shpalljen e zgjedhjeve të lira.
“Qeverisja nuk ka treguar kurrfarë performance ose fare pak performancë. Kemi një varg të defekteve, të cilat alarmojnë. Kjo qeveri ose ky koalicion duhet të rikonsiderohet, të shihet se a ka masa të mundshme për ta sanuar gjendjen, për të cilën unë personalisht mendoj se është mjaft vështirë”, u shpreh Bukoshi.
Deputeti Bukoshi thotë se mosfunksionimi i qeverisë i kushton shumë zhvillimit të Kosovës, si dhe aspiratave të saj integruese evropiane. Mes opsionit të rikonfigurimit dhe zgjedhjeve të parakohshme, Bukoshi beson se zgjedhjet janë zgjidhja më e mirë.
Për mua opsioni më i mirë është organizimi i zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
“Dy muajt e fundit, ne jemi dëshmitarë të disa zhvillimeve, të cilat katërçipërisht flasin se koalicioni qeveritar ose ky koalicion i madh duhet ose të rikonsiderohet, ose të organizohen zgjedhjet e parakohshme parlamentare”.
Nënshkrues të marrëveshjes për koalicionin qeverisës janë kryeministri, përkatësisht kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi, dhe presidenti i Kosovës, i cili mban edhe postin e ngrirë të kryetarit të LDK-së, Fatmir Sejdiu.
Ndërsa Thaçi nuk e ka përjashtuar rikonfigurimin e qeverisë së tij me disa freskime dhe ndërrime të ministrave, Sejdiu nuk ka pranuar, në asnjë rast, të flasë për këtë çështje, duke ia adresuar përgjigjen partisë së tij LDK-së.
Sidoqoftë, në koalicionin qeverisës tashmë vlerësohet se ka ndikuar mjaft shumë sjellja e disa zyrtarëve të LDK-së gjatë fushatës, pastaj deklarimi i prishjes së koalicionit nga ana e zyrtarëve të PDK-së, si dhe rasti tashmë shumë i përfolur “Bllaca” dhe dëshmitë e akuzat e tij përmes disqeve publike.
Krijoni Kontakt