Postuar më parë nga
DYDRINAS
Aksidentet në Tiranë, çdo ditë një viktimë
» Dërguar më: 26/11/2009 - 15:09
Aksidentet rrugore shkaktojnë çdo ditë një viktimë. Kryeqyteti renditet në krye të listës së qyteteve që ka numrin më të madh të tragjedive automobilistike. Viktimat, në 60 për qind të rasteve janë këmbësorët. Një studim i Institutit të Shëndetit Publik i realizuar në Tiranë, duke iu referuar shifrave të Qendrës Kombëtare të Traumatologjisë, tregon se nga 1860 persona që dëmtohen nga aksidentet, rreth 300 humbasin jetën. Duke iu referuar shifrave, ISHP-ja hedh alarmin ndaj aksidenteve, çka konfirmon se Shqipëria ka 10 të vdekur për 15 mijë banorë, një numër që është 3.5 herë më i lartë se vendet e tjera. Numri më i madh i aksidenteve shënohet në kryeqytet, pasi ka më shumë automjete në qarkullim. Ndërsa janë meshkujt e moshës 25 deri në 45 vjeç, që kapin numrin më të madh të autorëve të aksidenteve, të ndjekur nga meshkujt e moshës 18 deri 25 vjeç. Ora që shënon më shumë aksidente në Tiranë është 12:00 deri në orën 20:00, ndërsa periudha që shënon pikun e rasteve me pasojë vdekjen është stina e verës. Ndër shkaqet e aksidenteve është shpejtësia tej normave të parashikuara në kodin rrugor dhe pakujdesia e këmbësorëve.
Fëmijët
Tirana regjistron edhe numrin më të madh të aksidenteve, por më shqetësues është fakti se mes viktimave bie në sy shifra e lartë e fëmijëve. Në këto aksidente janë plagosur 146 fëmije ose 8 për qind e gjithë të dëmtuarve si dhe kanë vdekur 31 fëmijë ose 10 për qind e gjithë të vdekurve. Ndërkaq, vihet re se grupmosha 5-10 vjeç është ajo më e prekura nga dëmtimet prej aksidenteve rrugore. Kjo grupmoshë dominon si për fëmijët këmbësorë, ashtu edhe për ata pasagjerë. Për sa i përket specifikimit, vërehet se mbizotërojnë këmbësorët, të cilët përbëjnë 74 për qind, pjesa më e madhe e të cilëve janë mosha të reja. Por, në listën e të rrezikuarve hyjnë edhe pasagjerët apo biçiklistët. Sipas statistikave të ISHP-së, që i referohen informacioneve të marra nga Drejtoria e Policisë së Qarkullimit Rrugor, gjate tre viteve të fundit ka prirje të rritjes së të dëmtuarve, ndërsa është rritur bilanci i viktimave. Meshkujt me moshë 25-45 vjeç përbëjnë numrin më të madh të autorëve të aksidenteve, të ndjekur nga ata me moshë nga 18-25 vjeç.
Gazeta Shqiptare
Krijoni Kontakt