Nga Express më 05.09.2009 në ora 18:29
Autoritetet e Shkupit së paku edhe një gjysmë viti do ta prolongojnë vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Kosovën.

Kështu shkruan në numrin e së shtunës, gazeta e Shkupit, “Vreme”.

Duke u thirrur në burime brenda Qeverisë së Maqedonisë, gazeta shkruan se prolongimi i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shkupit dhe Prishtinës lidhet me faktin se pritet që disa kompani të njohura serbe të investojnë në Maqedoni.

Sipas gazetës, kjo mundësi është paralajmëruar pas vizitës së fundit të kryeministrit Gruevski në Beograd, e ku kanë marrë pjesë dhjetëra biznesmenë maqedonas.

“Në këtë takim është thënë se kompanitë serbe janë të gatshme të hyjnë në tregun maqedonas, nëse Maqedonia nuk i vendos marrëdhëniet diplomatike me Kosovën”, shkruan “Vreme”.

Maqedonia e ka njohur pavarësinë e Kosovës një vit më parë, por vazhdon të hezitojë për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike. Zyrtarisht, arsyeja e mosvendosjes së marrëdhënieve diplomatike thuhet se është procesi i papërfunduar i demarkacionit të kufirit mes Kosovës dhe Maqedonisë.