Në shumë shtete të zhvilluara si SHBA,Gjermani,Angli e tjera,ka indikacione se efektet e krizës finansiare kanë filluar të amortizohen.
Ka një trend të rritjes së kërkesës,siguri më të madhe të investimeve,plot shembuj të ringjalljes së bankave dhe institucioneve finansiare,një rritje ekonomike të jashtzakonshme në Kinë e shumë vende tjera duke përfshirë edhe Shqipërinë.Me një fjalë, po tregohen shenja të sigurta se kapitalizmi modern ka gjetur forma të reja mbijetese dhe se nuk ishin me vend ato paralajmërimet ogurzeza për gjoja kolapsin e tij dhe ringjalljen e tezave të vjetra marksiste për te dhe sistemin kapitalist.
Ja një koment mjaft domthënës nga Adrian Civici që e ilustron më së miri vitalitetin dhe shpirtin inovativ amerikan.
-------
Kapitalizmi: Cinik apo thjesht seleksionues?
» Vendosur: 31/07/2009 - 08:06
Gazeta "Panorama"
• ADRIAN CIVICI
Lajmet dhe komentet për krizën ekonomiko-financiare dhe efektet e saj vijnë dhe ikin valë-valë.Një pjesë e tyre vazhdojnë të jenë tronditëse, sepse përmbajnë shumë elemente që jo vetëm shkaktojnë pesimizëm, por kërkojnë dhe reflektime serioze mbi mundësitë e daljes nga kriza dhe politikave ekonomike e financiare më të përshtatshme për këtë qëllim. Po kështu edhe sinjalet pozitive që vijnë nga OECD-ja, FMN-ja apo Banka Botërore që vazhdimisht kohët e fundit po japin mesazhe shprese mbi mundësitë e shpejta të fillimit të daljes nga kriza. Publikimi i çdo treguesi që ka të bëjë me ecurinë e nivelit të punësimit, nivelit të besimit të bizneseve dhe konsumatorëve, bilanceve tregtare dhe atyre të pagesave, ecurisë së investimeve, çorientimit të treguesve kryesorë makroekonomikë, deficiteve buxhetore e kursit të këmbimit etj., përbën menjëherë lajm dhe i nënshtrohet analizave e komenteve të gjera. Panoramat bardhë e zi alternohen dhe duket sikur optimistët dhe pesimistët thjesht i zënë rrugën njëri-tjetrin në tentativat e tyre për të dëshmuar se janë ata që kanë të drejtë.
Por në këtë tërësi lajmesh ka vetëm disa ditë, që një lajm është bërë “krye-lajmi” i gjithçkaje që lidhet me krizën: Goldman Sachs, një nga bankat më të madha amerikane njoftoi për një fitim prej 3.4 miliardë dollarësh vetëm në tremujorin e dytë të këtij viti. Shifër kjo sa dyfishi i parashikimeve më optimiste të dhëna nga ekspertët e sektorit bankar amerikan dhe atij ndërkombëtar. Banka tashmë 140-vjeçare, simbol dhe njëkohësisht një nga viktimat e para të shpërthimit të krizës rreth një vit më parë, me këtë nivel fitimi, por gjithashtu edhe me shifrat rekord të volumit të aktiviteteve të saj, realizon fitimin më të madh në historinë e saj.
Pyetjet dhe pikëpyetjet janë të pafundme. Si ka mundësi që në këtë krizë të tmerrshme financiare, ku sipas ekspertëve në nivel botëror vetëm sistemi bankar vlerësohet se ka humbur mbi 2000 miliardë dollarë dhe tregjet financiare e bursat në tërësi kanë humbur mbi 20.000 miliardë dollarë, një bankë, gjendja e vështirë e së cilës u lakua gjatë, të arrijë një rezultat kaq spetakolar? Në Wall Street, e ashtuquajtura “banka e mbretërve dhe mbretëresha e bankave” duket se ka bërë mrekullinë. Aq më tepër që drejtuesit e saj kanë njoftuar tashmë se në llogaritë e tyre ndodhen në dispozicion 11.4 miliardë dollarë të destinuara që të shpërblejnë me bonuse të ndryshme mjaft të mëdha ekspertët, drejtuesit dhe gjithë stafet e tyre, duke e vendosur Goldman Sachs-in në krye të listës për sa i përket nivelit të pagave dhe shpërblimeve për punonjësit e bankave.
Si është e mundur një gjë e tillë? Komentet e para ia atribuonin një sukses të tillë përfitimit nga fondet publike të vëna në dispozicion të saj fillimisht nga ekipi i Presidentit Bush dhe më vonë nga ai i Presidentit Obama, të cilët në kuadrin e planeve mbështetëse akorduan shuma marramendëse në ndihmë të sektorit bankar. Po kështu, shumë nga kritikët e saj evidentojnë problemin se banka ka lidhje të forta me Shtëpinë e Bardhë, duke iu referuar faktit se figura të shquara të politikës amerikane, si Bob Rubin në kohën e presidencës Klinton, Paulson në kohën e Xhorxh Bushit apo edhe Tim Geithner i kabinetit Obama, kishin qenë më parë drejtues apo të angazhuar me Goldman Sachsin. Por një argument i tillë nuk duket dhe aq i qëndrueshëm po të kihet parasysh se Goldman Sachs-i i ka shlyer tashmë qeverisë amerikane të 10 miliardë dollarët që iu dhanë si ndihmë vjeshtën e kaluar, kur ajo ishte në kulmin e krizës së saj.
Megjithatë, në tërësinë e këtyre analizave, të gjithë duket se bien dakord me një gjë: që Goldman Sachs e ka arritur këtë rezultat “tronditës” këtë radhë në kuptimin pozitiv të fjalës, si pasojë e një veprimi apo përpjekje të vetme që quhet INOVATION. Dhe akoma më shumë se kaq, me rezultatin e saj duket se po i jep përgjigje edhe një shqetësimi akoma më fondamental se vetë kriza: a është vetë sistemi kapitalist shkaku thelbësor i kësaj krize? Gjatë gjithë këtyre muajve, në tentativë për të gjetur fajtorin e krizës dhe rrugëdaljet prej saj, lulëzuan natyrshëm mjaft qëndrime të kundërta, të cilat kërkonin rikthimin e plotë të Keynes-ianizmit dhe ndërhyrjes së gjerë të shtetit në ekonomi, që e cilësonin kapitalizmin liberal si të keqen më të madhe të kohërave moderne, që arrinin deri atje sa t’i jepnin të drejtë Marksit në vlerësimet e tij për kapitalizmin etj.
Ndërkohë, Goldman Sachs, më shumë se sa thjesht përgënjeshtrues i “fundit të kapitalizmit”, po bëhet bartës i një mesazhi shumë thelbësor për të ardhmen. Dalja nga kriza dhe eficenca në periudhën post-krizë varet shumë nga inovacionet që aktorët ekonomikë dhe politikat ekonomiko-financiare janë në gjendje të bëjnë. Kapitalizmi, më shumë se sa cinik, është një proces i fortë selektiv. Nga kriza dalin më shpejtë dhe më të sigurt ata që janë në gjendje të reformojnë dhe modernizojnë thellësisht sistemin, strukturat dhe mënyrat e funksionimit të tyre, ata që dinë të paraqiten në treg të rinovuar në përputhje me kërkesat e reja. E gjithë kjo korrespondon shumë mirë me konceptin e “shkatërrimit krijues” të dhënë nga ekonomisti amerikan Joseph Shumpeter, sipas së cilit “çdo periudhë prosperiteti shoqërohet me një krizë të thellë, gjatë së cilës ata që nuk dinë apo nuk arrijnë të rinovojnë cilësisht aktivitetet e tyre janë të detyruar të vdesin me nder në betejën me krizën”. Nga kjo logjikë duhet përjashtuar si i neglizhuar çdo reagim, që është tërësisht i natyrshëm, i tipit: “Po karakteri human i kapitalizmit ku është?” ...mos vallë duhet pranuar pa kushte “darvinizmi ekonomik e social?”. Aspak. Humanizimi i kapitalizmit bëhet dhe duhet bërë shumë mirë me politikat publike, buxhetore, politikat sociale, politikat e rishpërndarjes proporcionale të efekteve të rritjes ekonomike, mbrojtjen sociale, garantimin e stabilitetit financiar dhe kontrollin e inflacionit etj.
Pak më përtej se ky shembull për momentin individual i Goldman Sachs-it, ekspertët po evidentojnë vazhdimisht një koncept bazë. Ekonomitë e vendeve të ndryshme, qofshin këto të zhvilluara apo në zhvillim, nuk duhet thjesht të presin “mbarimin e krizës” dhe rikthimin e normalitetit “në mënyrë normale”, por duhet të bëhen çdo ditë e më shumë të ndërgjegjshme, se nga kjo krizë do dalin më shpejt e do zhvillohen po kaq shpejt vetëm ato ekonomi e biznese që do jenë në gjendje të bëjnë reforma të thella strukturore, që do jenë në gjendje të bëjnë politika konkrete në favor të inovacioneve më bashkëkohore, që do të reflektojnë një aftësi të lartë përshtatjeje me kushtet e reja të zhvillimit dhe konkurrencës botërore në kuadrin e thellimit të globalizimit.
Në paketat e “përballimit të krizës” që shumë vende apo qeveri hartuan, mbizotëronin instrumentet e stopimit të krizës, përballimit të përkohshëm të saj, “absorbimit të një pjese të madhe të saj nga fondet publike”, garantimi i një mbështetjeje të madhe sociale për më të prekurit etj. Por tashmë në shumë vende po përgatiten ato që quhen “gjenerata e dytë e planeve të mbështetjes dhe zhvillimit”, thelbi i të cilave është “rritja e aftësive të ekonomisë dhe biznesit për të dalë sa më shpejt nga kriza dhe për t’u zhvilluar në mënyrë eficente në vitet që vijnë”. Thelbi i këtyre planeve është pikërisht “nxitja dhe orientimi i përdorimit masiv të inovacioneve bashkëkohore” si armët më të suksesshme në përballimin e konkurrencës në vitet që vijnë. Këto paketa të gjeneratës së dytë duket se janë shumë më seleksionuese në përfshirjen dhe përfitimet nga to. Vetëm ato biznese që shfaqin shenja të qarta “aftësie përshtatëse dhe dinamikë të shpejtë ndryshimi” do të jenë përfituesit kryesorë të mbështetjes.
Mendoj se kjo lloj “filozofie” duhet të bëhet shpejt pjesë e politikave tona ekonomiko-financiare, të bëhet pjesë e vetë vendimmarrjes së bizneseve në planet e tyre të zhvillimit. Biznesi kërkon vazhdimisht me të drejtë “mbështetje më të madhe nga qeveria” për përballimin e efekteve të krizës. Nga ana e saj, edhe qeveria duket se dalëngadalë po bindet se efektet e krizës në Shqipëri janë konkrete dhe me pasoja të dukshme, duke dhënë vazhdimisht sinjale pozitive për ndërhyrje e favorizime të ndryshme. Por, eksperienca botërore dhe analizat e shembujve pozitivë, siç është dhe rasti i Goldman Sachs-it kërkojnë shumë më tepër se kaq. Thjesht, mbështetja dhe ndihmat, qofshin këto si favorizime fiskale, derregullime apo mbështetje direkte, nuk mjaftojnë, sidomos po të kemi parasysh perspektivën e afërt post-krizë.
Sinjalet në politikat tona ekonomiko-financiare apo sociale për muajt dhe vitet në vazhdim, përveç nxitjes maksimale drejt “politikave strukturore” të ashtuquajtura të gjeneratës së dytë, pra që garantojnë zhvillim të qëndrueshëm si dhe konvergjencë e integrim cilësor në ekonominë botërore, duhet të transmetojnë shumë dukshëm edhe mesazhin tjetër, se “prioritet do kenë e duhet të kenë ato ndërmarrje e kompani që tashmë kanë një plan modern zhvillimi”, ato biznese e aktivitete që dëshmojnë se janë përfshirë në logjikën e inovacionit dhe modernizimit, ato sektorë të ekonomisë që garantojnë rezultate eficente në përballimin e konkurrencës kombëtare e ndërkombëtare etj. Trajtimi në bllok i çdo biznesi apo aktiviteti pa asnjë lloj “seleksionimi”, sipas logjikës së mësipërme do të ishte po aq i gabuar sa edhe indiferenca apo mosndërhyrja për shpëtimin e tij nga kriza. Duke bërë gjithë politikat e mundshme e të domosdoshme të mbrojtjes sociale, të zbutjes maksimale të efekteve sociale si pasojë e krizës, ne duhet të jemi po kaq të kujdesshëm në kuptimin e thelbit të kapitalizmit: garën e përditshme me eficencën dhe konkurrencën. Në rast se nuk e “absorbojmë” si duhet këtë moment, rrezikojmë të sorollatemi gjatë në përpjekjet për përballimin e efekteve të krizës dhe mbi të gjitha në garantimin e ritmeve të nevojshme të rritjes ekonomike në vitet që vijnë.
Krijoni Kontakt