“AT PJETËR MESHKALLA S.J.” (1901-1988)
Fritz RADOVANI
PJESA E PARË
Mos u habitni!...
Kam dishirë me shkrue për një Burrë që thirrej “Pjetër”, që don me thanë “gúr” e, që, me të vërtetë kje gúr, një prej Atyne gúrve të Kishës Katolike Shqiptare, kundër së cilës dyert e ferrit s’mujtën me fitue. Sa do të mundëm me qitë në pàh karakterin e Tij burrnor e fisnik e, mbi të gjitha até atdhetar e fetar e, kryesisht përpjekjet e Tija për unitetin e Atdheut, këte, nuk e di, mbasi unë do te duhëj me pasë një kulturë të gjanë për me e përshkrue Até e, që mjerisht komunizmi né na la pa atë kulturë.
Ky asht i Nderuemi At (Padër) Pjetër Meshkalla S.J. ose, si e njohti gjithë Shqipnia: PADËR MESHKALLA.
Padër Pjetër Meshkalla S.J. Meshtar Katolik, jezuit shqiptar i “Shoqnisë Jezu – S.J.”, ka lé në qytetin e Shkodrës, me 25 shtator 1901, në një shtëpi përdhese në fund të rrugës së “Daulles”, në krahun e majtë, aty, ku sot banon Zef Alimhilli.
Mbas mësimeve të para që mori në vendlindje, shkoi për studime teologjike në Linz të Austrisë. Atjé, në vitin e dytë u sëmue, kështu, në vitin e tretë u bashkue me Don Kolec Prennushin, që ka kenë daja i em dhe sëbashku vazhduan studimet deri në vitin e fundit. Don Koleci, ishte një vit ma i ri (datlindja 1 janar 1902) dhe vdiq i ri me 2 korrik 1950, mbas 11 muejsh hetuesi në Shkodër. Ai vdiq prej zemrës, që, sidukët, iu shkatrrue prej torturave të Sigurimit të Shtetit komunist. Nana e Tij, pra, gjyshja eme që e thirrshim Nana Nine, çdo ngjarje të jetës së Don Kolecit dhe të rinisë studentore të Tij, e lidhte me Padër Pjetër Meshkallën, që aso kohe ishte në burg, kohë në të cilën unë nuk e njihja fare, mbasi kur ishte arrestue Ai në vitin 1946, në Tiranë, unë kam kenë i vogël 6 vjeç, në Shkodër.
Gjyshja na tregonte se, kur djelmët ishin në Austri (kështu i thërriste ajo, mbasi i konsideronte të dy të vetët), gjatë Luftës së Parë Botnore, të dy kishin humbë për 10 muaj dhe nuk kishin asnjë dijeni ku ndodhëshin ata. Aq e kishte vuajt atë kohë, sa për pak javë na thonte gjyshja, më kanë rá të gjithë flokët e kresë, mbasi flitëj se atje gjendja asht shumë e randë dhe e vështirë, madje, ma keq se në Shqipni. Njerëzit vdiqnin urije. As shkolla e as konvikte nuk kishin funksionue mâ. Lufta kishte marrë përmasa përditë e ma të mëdha.
Një mjek ushtarak austriak që, aso kohe banonte në shtëpinë e gjyshit tem Pjetër Prennushit ose, siç njihëj nga rusnjanët Tukja i Kol Dedës, që ishte edhe vëllau i madh i At Mati Prennushit O.F.M. (Provinçial i Fraçeskanve të Shqipnisë, që u pushkatue me 11 mars 1948), i premton gjyshit, se, nëpërmjet ushtarëve austriakë që shkonin me çue informacionet në Vienë, ai mund të dërgonte atje edhe një paketë të vogël me ushqime, rreth 500 gr. ku futeshin dy rriska bukë të thata dhe në mes të tyne edhe dy rriska proshutë për me ia çue Kolecit në Linz. Paketa nisëj çdo dy ditë, por përgjigje nuk vinte ma prej andej, mbasi ushtarët nuk këthenin ma në Shqipni. Lidhje tjera nuk kishte.
Kur mbas 10 muajsh të humbun pushoi Lufta, djelmët u kthyen të dobsuem asht’ e lëkurë në Shqipni dhe treguan se kishin jetue në një shtëpi të një austriaku, që nuk kishte pasë bukë as për vedi, por jetesa e tyne ishte kenë dy rriskat e bukës së thatë e proshuta që shkonte nga Shqipnia e, që, njenën e kishte hangër Koleci, ndërsa, tjetrën ia kishte dhanë shokut të vet Pjetrit. Ç’ prej asaj kohe e deri në vdekje, Padër Pjetër Meshkalla, ka kenë një Mik i përjetëshëm i familjës sonë, kushrinjve me nipa e mbesa të Don Kolecit.
Mbas këthimit në Shqipni, daja u ba prift. Pjetri, zgjodhi rrugën e Urdhnit Jezuit S.J. Ai vazhdoi plotësimin e moshës 33 vjeçare me studime mbasuniversitare në Poloni, Itali etj. dhe mbas Shugurimit meshtar u këthye në Atdhé, ku filloi punën si mësues në shkollën fillore të Jezuitëve në Shkodër e, ma vonë profesor në Seminarin e tyne.
Kur nana e Tij Agëja, shkonte me e pa P. Pjetrin të mbyllun në kuvendin e Jezuitëve në kohë dimni, pa zjerm e pa ngrohje, u zemronte me të birin dhe i thonte: “Ik mor prej këndej, pse rrin këtu, bukuri Don Koleci, prift e me të gjitha kushtët...”. Ajo bisedonte edhe me gjyshen tême për këte problem, por kot!... Ai nuk këthehëj mâ prej rrugës që ishte nisë, rrugë në të cilën Ai mbylli jetën e Tij plot lavdi, me 28 korrik 1988.
Kishte kënaqësi të madhe kur na të rinjtë i kujtonim veprimet e nanës së Tij, me detaje ashtusi na i kishte shpjegue gjyshja né dikur... Fëtyra i merrte pamje tjetër, u çilte, qeshte, maparë se çdo pjesë tjetër e fëtyrës i qeshnin sytë, që i vezullonin e, për ata që e njohtën, ata sy janë të paharrueshëm për ambëlsinë joshëse të Tyne, por, edhe për shkëndijat që nxirrnin kur e lypte rasa. Besoj i kujtojnë mirë Ata sy të gjithë atá që ishin të ulun në podin e Institutit Pedagogjik të Shkodrës e, besa edhe ata që folën prej auditorit, mbasi edhe na që ishim në rrugë, kurrë nuk mund të harrojmë Burrin e shkurtë mjedis oficerave e xhelatëve të Sigurimit, që e morën me mendimin se mosha e madhe do të bante të vetën e, populli i Shkodrës nuk do ta shihte kurrma....
Unë e njohta Padër Meshkallën për fëtyrë, mbasi doli prej burgut të parë aty nga vitët 1961-62, kur erdhi për vizitë në shtëpinë tonë, që, tashma nuk ishte as Don Koleci, por as nana Nine, e cila pak kohë maparë kishte vdekë, po ishin motrat e Don Kolecit, ose ma mirë me thanë edhe motrat e Tija, të cilat i deshti dhe i respektoi si një vëlla i mirë i tyne. Vinte shpesh sepse gjente ngrohtësinë e të gjithëve, dashni e ngrohtësi të cilën Ai e gjeti në të gjitha votrat e Shkodrës, ose ma mirë me thanë në secilin prak dere ku i shkeli kamba.
Kujtoj njëditë, e pashë tek dera dhe simbas zakonit e ftova me hy mbrend për një kafe, por ai nuk erdhi, më diftoi se ishte nisë për vizita të largëta prej shtëpisë, po shkonte për festën e Bajramit ndër disa miqë Myslimanë. Të parën vizitë e bante tek Hafiz Ali Tari, mandej me radhë për tri ditë shkonte ndër shtëpijat e atyne Myslimanëve, për të cilët ruante kujtime të mira nga jeta e burgut që kishte kalue me tá. Edhe atá ia këthenin vizitën, por, ajo që do të vê në dukje asht tjetër gja, se, kur hyni të dytën herë në burg ata e kujtuan dhe e ndihmuan edhe materialisht deri ditën që doli prej burgut. Lutja e Tij ishte e barabartë e me fryt për të gjithë padallim Feje, fjala e Tij ishte mësim e dashni për të gjithë. Ai gjithmonë përsonifikonte të vërtetin dhe të pagabueshmin. Fjala e Tij nuk diskutohëj prej askujt.
Ja, çfarë shkruan për Té, i nderuemi Prof. Arshi Pipa: “ ...në kjoftë se kam shpetue nga burgu i Burrelit e jam sot i gjallë, i detyrohëm lutjeve të njerëzve si, Padër Meshkalla e të tjerëve, të cilët kujtoj se kanë kontribue në determinimin e fatit tem.” (Intervistë e dhanun për revistën “Kumbona e së Diellës” Shkodër,1993).
Tregojnë, se, kur bahëj ndonjë debat në diskutimet që zhvillonin të burgosunit mes besimeve të ndryshme, për problemët filozofike apo teologjike, Hafiz Ali Tari, ndër fetarët ma të kulturuem të Fesë Myslimane, u thonte të gjithve në mënyrë të preme: “...Kjo çeshtje qëndron kështu, sepse, kështu, ka thanë edhe P. Meshkalla!”.
Po, në burg të Burrelit, njëherë i nderuemi Ibrahim Biçaku (ish kryeministër i Shqipnise në 1944), nuk binte dakord me të nderuemin Gjergj Kokoshi për një problem filozofik në fushen politike e, për me përcaktue përfundimin e bisedës vëndosën me e mbyllë bisedën ashtusi do të thonte P. Meshkalla.... Ai me të gjithë bisedonte për çdo problem papritesë, madje, me dashamirësi. Ai i kishte vue vedit detyrë që duhët të bajmë çka asht e mundun për unitetit e Atdheut dhe përparimin e tij.
Duhej “thérë” për me e ba me folë, atëherë, ata që e njohtën, besoj e kujtojnë portretin e Tij fisnik, të vendosun e të pakëthyeshëm. Fliste me buzë të afrueme, nofullën paksa e shtërngonte, me zâ të lehtë e, mollzat e faqeve i kuqeshin si dy kokrra qerrshia, që e banin edhe ma të freskët fizionominë e Tij, merrte pamje me ngjyrën e bukur të një djalit të rinj si të një drandofillës, ashtusi kishte edhe forcën e Shpirtit.
(vijon)
Krijoni Kontakt