Roli i shenjtës Mari-virgjër në Historinë e Shëlbimit!
Nga Libri "Pse t'i besojmë Jezusit" kapitulli 14.
“Mos ki frikë, o Mari, sepse ke gjetur hir para Hyjit!".
“Je më e bekuar se të gjitha gratë dhe i bekuar është fryti i kraharorit tënd! Dhe, nga e pata fatin të vijë tek unë Nëna e Zotit tim?!".
"E lumja ti që besove se do të plotësohet çka të qe thënë prej Zotit!”.
"Ja, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur,".
"Edhe ty vetë një shpatë do ta tejshkojë shpirtin që të zbulohen shestimet e zemrës së shumëkujt.”
"Pastaj i tha nxënësit: Ja, nëna jote! Prej asaj ore nxënësi e mori me vete."
Maria, është Nëna e gjymtyrëve të Krishtit!
Për këtë më së miri, na flet shkrimi nga DOKUMENTET E KONCILIT II TË VATIKANIT, respektivisht KUSHTETUTA DOGMATIKE MBI KISHËN «DRITA E POPUJVE» - LUMEN GENTIUM (21 NËNTOR 1964). Këtu, po e sjelli vetëm një pjesë të këtij dokumenti, i cili ndërlidhet me rolin e Marisë në Kishën katolike, kështu që pak a shumë, mund të kuptojmë sa më mirë dhe sakët rolin e Marisë.
E Lumja Zoja Mari virgjër, Nëna e Hyjit në fshehtësinë e Krishtit dhe të Kishës!
Hyji tejet i mirë dhe i urtë, pasi që deshi të shpërblente botën, “kur erdhi koha e caktuar, Hyji e dërgoi Birin e vet, të lindur prej gruaje... që ne ta fitonim bijësinë...” (Gal 4, 4-5). “Ai që për ne njerëzit dhe për shëlbimin tonë zbriti prej qiellit dhe u mishërua për virtyt të Shpirtit Shenjt prej Virgjërës Mari” (Credo në meshën romake: Symbolum Constantinopolitanum).
Ky mister hyjnor, na u zbulua dhe vijon në Kishë, të cilën e themeloi Krishti si Trupin e vetë, në të cilën besimtarët, që shkojnë pas Krishtit-Krye, dhe të cilët janë në bashkësi me të tërë shenjtërit e Tij, do ta nderojnë dhe kujtojnë “përmbi të gjitha Zonjën Mari përherë Virgjër, Nënën e Zotit tonë Jezu Krishtit.”
Virgjëra Mari, e cila, nëpër lajmin e engjëllit, pranoi në zemër dhe në trup Fjalën e Zotit dhe i solli botës Jetën, pohohet dhe nderohet si Nëna e vërtetë e Hyjit dhe e Shëlbuesit. Në mënyrë të lartë shpërblimi, për arsye të meritave të Birit të saj dhe e bashkuar me Të ngushtë dhe pandashëm, është e miratuar me rol dhe dinjitet të bëhet Nëna e Birit të Hyjit. Pikërisht për këtë arsye, bija tejet e dashur e Atit dhe shenjtërorja e Shpirtit Shenjt, nga e cila dhunti e hirit të veçantë, i tejkalon të gjitha krijesat qiellore dhe tokësore.
Njëkohësisht, është e lidhur në gjini të Adamit, me të gjithë njerëzit, të cilët kanë nevojë për shëlbim, për më tepër “vërtetë është nëna e gjymtyrëve (të Krishit)... sepse mori pjesë me dashuri që të linden në Kishë besimtarët, të cilët janë gjymtyrët e atij Kreut”. Prandaj, edhe e përshëndesim si gjymtyrë të shkëlqyeshme dhe të veçantë të Kishës dhe tipar të saj, si më të mirin shembull në besim dhe dashuri, prandaj Kisha (Katolike) e mësuar nga Shpirti Shenjt, me dashuri fëmijërore e nderon si nënën tejet të dashur.
Për atë arsye, Koncili, duke paraqitur mësimin mbi Kishën, në të cilën Shpërblyesi Hyjnor kryen shëlbimin, dëshiron me kujdes të shndrisë edhe rolin e Zonjës Virgjër në fshehtësinë e të Mishëruarit të Fjalës dhe të Trupit Mistik, si dhe detyrat e atyre që janë të shpërblyer ndaj Nënës së Hyjit, nënës së Krishtit dhe Nënës së njerëzve, mirëpo s'ka për qëllim të paraqesë mbarë mësimin mbi Zonjën, as që të zgjidhë pyetje të cilat teologët nuk i sqaruan ende. Prandaj, ende mund të mbahen ato mendime që mësohen lirisht në shkollat katolike mbi Të, e cila, në Kishën Shenjte zënë vendin më të lartë prej njerëzve, sepse me Korp dhe me Shpirt është në Qiell, afër dhe bashkë me Zotin, e si e tillë, afër dhe bashkë edhe me njerëzit, me të gjithë ne.
Roli i së Lumes virgjër Mari në ekonominë e Shëlbimit!
"Kisha, me arsye, e nderon Marinë, me nderim të posaçëm, sepse ajo, sipas hirit të Hyjit, është e lartësuar përmbi të gjithë engjëjt dhe njerëzit pas Birit, si Nënë e Zotit të gjithëshenjtë, e cila, mori pjesë në misteret e Krishtit. Qysh prej kohës më të lashtë, e Lumja Virgjër, nderohet me titullin “Nëna e Zotit”, nën mbrojtjen e së cilës, besimtarët me urata i drejtohen në çdo rrezik dhe nevojë. Sidomos, prej Koncilit të Efezit, populli i Zotit, e nderon gjithnjë e më tepër, duke e nderuar me dashuri, duke e thirrur në ndihmë dhe duke e ndjekur, sipas fjalëve të saj profetike: “Të lume do të më thërrasin të gjithë popujt, sepse bëni punë të mëdha ai i cili është i fuqishëm” (Lk 1, 48). Ky nderim, çfarë ishte i pranishëm gjithmonë në Kishë, megjithëse dallohet qenësisht nga Adhurimi i Fjalës së Mishëruar, i Atit dhe i Shpirtit Shenjt, këtë e përkrah. Sepse, mënyrat e ndryshme të përshpirtërive ndaj Nënës së Zotit, që i ka aprovuar Kisha në suazat e mësimit të shëndoshë dhe të drejtë, sipas rrethanave të kohës dhe të vendit, si dhe sipas natyrës dhe karakterit të besimtarëve, bëjnë që, me nderimin e Zonjës, të nderohet Biri, për të cilin janë të gjitha (khs. Kol 1,19), kuptohet mirë, dashurohet dhe lëvdohet urdhërimeve të Tij.”
Koncili Shenjt, shprehimisht mëson këtë mësim katolik dhe bën me dije të gjithë bijtë e saj që bujarisht të përhapin nderimin e Zonjës së Bekuar, sidomos atë liturgjik dhe të vlerësojnë me të madhe shprehinë e devocionit ndaj saj që gjatë shekujve i porosit Magjisteri i Kishës, dhe le të kryejnë me ndërgjegje të gjitha ato që janë vendosur për nderimin e figurave të Krishtit, të Zonjës së Bekuar dhe të shenjtërve. Kështu bën me dije teologët dhe predikatarët e fjalës së Zotit, të cilët duke e vështruar denjësinë e posaçme të Zonjës së Bekuar, sugjeruan të ruhen me kujdes nga çdo teprim i prapët dhe nga shpirtvogëlsia e tepruar. Duke favorizuar nën udhëheqjen e magjisterit studimin e Shkrimit Shenjt, të Etërve të Kishës dhe të liturgjive të Kishës, le të shndrisinë drejtësisht rolin dhe privilegjet e së Lumes Virgjër, që ka për qëllim gjithnjë Krishtin, i cili, është burimi i mbarë të vërtetës dhe devocionit. Le të flakin me kujdes çdo gjë që me fjalë apo me vepra mund të shpijnë në rrugë të pagabueshme vëllezërit të ndarë ose këndo sa i përket mësimit të vërtetë të Kishës. Pastaj, le të kujtohen besimtarët, se përshpirtëria e vërtetë, s’janë ndjenja të pafrytshme dhe të zbrazëta e sipërfaqësore, mirëpo duhet rrjedhin nga feja, e cila, sjell gjer tek pranimi i lartësimit të Nënës së Zotit dhe të frymëzohemi me dashuri bijërore ndaj Nënës duke i ndjekur virtytet e Saja." (krahaso: DOKUMENTET E KONCILIT II TË VATIKANIT, respektivisht KUSHTETUTA DOGMATIKE MBI KISHËN «DRITA E POPUJVE» - LUMEN GENTIUM (21 NËNTOR 1964).)
Krijoni Kontakt