Të dashur sivëllezër mësues e dashamirës të kulturës, traditës, gjuhës e gjithçkaje shqiptare ndiej kënaqësi të veçantë që nëpërmjet faqeve elektronike të urojmë njëri tjetrin Ditën e shënuar për shkollën shqipe.
Të flasësh për shkollën shqipe dhe për rrethanat si lindi ajo, duhet doemos të flasësh për epokën më të ndritshme të historisë shqiptare- Rilindjen Kombëtare Shqiptare, sepse ajo qe një lëvizje e gjerë dhe e fuqishme çlirimtare, që u zhvillua në të gjithë vendin dhe në kolonitë e ngulimet shqiptare e arbëreshe jashtë atdheut, që nga vitet 30 të shekullit të kaluar gjer më 1912 kur u shpall shteti i pavarur kombëtar.
Në krye të kësaj lëvizjeje u vunë udhëheqës të guximshëm e të vendosur, patriotë, iluministë demokarat që mbi interesa të atdheut nuk vinin tjetër. Ata ditën të orientohen me zgjuarsi në situatat e ndërlikuara të gjendjes ndërkombëtare. Për realizimin e programit të çlirimit kombëtar dhe të vënies së vendit në rrugën e përparimit e të demokracisë, rilindësit, mbështetën shpresën dhe besimin e tyre në forcat e brendshme, në radhë të parë në masat popullore të fshatit e të qytetit.
Rrallë mund të gjesh rilindës që të mos ketë qenë njeri i veprimit. Të gjithë janë përpjekur jo vetëm të shkruajnë e të këndojnë, por edhe të veprojnë, të luftojnë, të sakrifikojnë, të japin jetën edhe në fushën e betejave për lirinë e popullit dhe pavarësinë e atdheut, si dhe për dritën e diturisë. Rilindësit nuk ishin ideologë, politikanë e shkrimtarë kabinetesh: ata ishin njerëz të veprimit praktik, që nuk i përfillnin rreziqet për realizimin e idealeve të tyre. Naum Veqilharxhi e Jani Vreto, Koto Hoxhi e Pandeli Sotiri, Petro Nini Luarasi e Papa Kristo Negovani, Mihal Grameno e Luigj Gurakuqi me kaq të tjerë nuk luftuan vetëm me penë. Disa prej tyre dhanë dhe jetën, të bindur se, siç thoshte Naimi ”drita e diturisë përpara do na shpjerë…”. Për keto qëllime të larta, ideologët e poetët e shuqar merreshin edhe me libra të thjeshta për shkollat e para shqipe, duke nisur nga Abetaret… Kur jemi te Abetaret ia vlen të përmendim ato të parat. Më 1884 Naum Veqilharxhi botoi të parën Abetare në gjuhën shqipe që njihet si ”Evëtar”, pastaj Kristoforidhi ”Abetare”(1872); Jani Vretoja, Pashko Vasa dhe Sami Frashëri botuan ”Alfabetare e gjuhësë shqip”(1879) etj. Gjithë këta libra u shkruan meqë rilindësit tanë bënë përpjekje që mësimi i shqipes të futej në shkollat turke e greke që ekzistonin aso kohe në Shqipëri. Mirëpo, meqë kjo nuk u lejua, rilindësit tanë vendosën të çelnin shkolla shqipe me vete. Kështu me ndihmën e rilindësve që vepronin jashtë dhe arsimdashësve korçarë hapet e para shkollë në gjuhën shqipe, e njohur si :
MËSONJËTORJA SHQIPE E KORÇËS
Qe kjo një shkollë me fizionomi të theksuar kombëtare laike, ku të gjitha mësimet jepeshin në gjuhën shqipe. U hap në kushtet e pushtimit osman kur shkollat shqipe dhe mësimi shqip ishin të ndaluar në Shqipëri. Shkolla filloi me punë, më 7.3.1887, në Korçë, me nismën e një grupi rilindësish dhe me përkrahjen e masave patriotike korçare dhe atyre të mërgimit. Ajo u kthye në një vatër të edukimit të vetëdijes kombëtare. Aty mësonin nxënës të të gjitha besimeve, sekseve dhe shtresave dhe mësimi jepej falas. Nga ana e përmbajtjes, e strukturës dhe e planit mësimor ishte një shkollë mjafte e përparuar. Jepeshin lëndët: shkrim, këndim, gjuhë shqipe, gramatikë shqipe, histori e Shqipërisë, gjegrafi, aritmetikë etj. E tërë veprimtaria përshkohej nga idetë patriotike, nga edukata e punës dhe dashuria për dije. Drejtuesit e saj qenë veprimtarë të shquar të arsimit kombëtar, si Pandeli Sotiri, Petro Nini Luarasi, Nuçi Naçi. Thoma Avrami etj.
*Pandeli Sotiri dha ndihmëse të shquar për mbarëvajtjen e mësonjëtores shqipe të Korçës, duke qenë drejtor i parë i saj dhe i pari mësues i shqipes në këte shkollë. Për veprimtarinë e tij u vra në Stamboll nga armiqtë e çështjes kombëtare shqiptare.
*Petro Nini luarasi u përndoq nga xhonturqit dhe Patrikana e Stambollit.
Vdiq i helmuar prej tyre në Ersekë, më 17.8.1911.
*Ky fat do t´i ndjekë më vonë edhe Papa Kristo Negovanin, Luigj Gurakuqin e shumë arsimdashës të tjerë deri në ditët e sotme.
Shkolla funksionoi 15 vjet, duke përballuar vështirësitë e pengesat e nxjerra nga pushtuesit dhe kleri antikombëtar. Në prag të shekullit XX u bë me 6 klasa. Shumica e atyre që mbaruan këtë shkollë ishin veprimtarë të shquar të lëvizjes për çlirim kombëtar e shoqëror. Në përkujtim të saj data 7 mars është shpallur » Dita e Mësuesit «.
Më duhet të shtoj edhe këtë: shikuar në vite vërtet nuk është shumë, sepse krahasuar me shtetet tjera që kanë akademi shkencash edhe me mbi dy – tre shekuj, shkolla shqipe është relativisht e re. Por, e them me modesti, ndonëse modestia thuhet se është tipar i atij që s´ka me se të mburret, se për këtë kohë kaq të shkrutër shkolla jonë ka nxjerrë personalitete të shquara nga lëmi i shkencës dhe kulturës. Sot gjen shumë personalitete shqiptare madje që ligjërojnë nëpër universitetet e botës nëpër lëndë deficitare.
Për fund po shtoj një të dhënë personale në kohën e tashme. Me të ardhur në Danimarkë, unë përfitova një përvojë të re. Unë medoj se sidomos në Kosovë shkollimi duhet të transformohet, duhet të përparohet në atë masë sa fëmijët të mos stërngarkohen se tepërmi me gjëra që ua ngarkojnë kokat pa nevojë, e që ndoshta nuk u duhen kurrë në jetë. Unë çmoj shumë sistemin e shkollimit danezë dhe besoj se janë të një mendje edhe mësuesit tjerë shqiptarë që kanë pasur rastin të japin mësim si mësues vullnetarë.
Në kremte të tilla, ku ka të bëjë me gjeneratën e re, fjalën time zakonist e përmbyll duke iu referuar një fjalës së urtë: ”Mjer ai djalë që s’ia kalon babait, mjer ai çirak që s’ia kalon ustait” dhe në raste të tilla unë lutem:” Të gjithë fëmijët ua kalofshin prindërve dhe mësuesve të tyre”!
Ju faleminderit!
Krijoni Kontakt