Pas hapjes së dialogut të BE-së me Shqipërinë për liberalizimin e regjimit të vizave, Kryeministri Berisha dhe Zëvendëspresidenti i Komisionit Europian Franco Frattini dhanë një konferencë për shtyp.
Kryeministri Sali Berisha: I nderuar Zëvendëspresident i Komisionit Europian, mik i shquar i Shqipërisë e shqiptarëve, Franco Frattini,
I nderuar ministër i Brendshëm i Republikës së Sllovenisë, zoti Mate,
Shkëlqesi ambasadorë,
Zonja e zotërinj,
Sapo përfunduam bisedimet me Zëvendëspresidentin e Komisionit Europian Franco Frattini, ministrin e Brendshëm të Sllovenisë, vendit mik që kryeson Bashkimin Europian, për një nga problemet më themelore të integrimit të Shqipërisë në BE, atë të liberalizimit të plotë të vizave.
Ky është një moment historik, sepse në historinë e një njeriu dhe të një kombi nuk ka asgjë më të rëndësishme sesa historia e lirive të tij. Liria e lëvizjes është një nga liritë më themelore të individit dhe çdo hap drejt së saj, sikundër edhe drejt lirive të tjera, është hap drejt një të ardhmeje më të mirë.
Sot, ne nisim procesin, në përfundim të të cilit shqiptarët do të ndjehen, në aspektin lëvizjes, qytetarë të hapësirës më të madhe, të hapësirës europiane. Ky proces, siç theksoi Zëvendëspresidenti Frattini, është, para së gjithash, një akt madhor besimi. Unë shfrytëzoj rastin të siguroj Zëvendëspresidentin Frattini, ministrin e qeverisë së Sllovenisë, që kryeson Bashkimin Europian, përfaqësuesit e vendeve anëtare të BE-së se qeveria që unë drejtoj do të bëjë çdo përpjekje për të merituar këtë besim, do të marrë e zbatojë çdo vendim, ligj e reformë që nevojitet, që ky besim i madh të përdoret në përputhje me standardet evropiane.
Unë e informova Zëvendëspresidentin Frattini, ministrin e Brendshëm të Sllovenisë Mate, përfaqësuesit e vendeve anëtare të BE-së, drejtuesit e Komisionit Europian se ne jemi në procesin e pajisjes së qytetarëve shqiptarë me letërnjoftimet dhe pasaportat më të avancuara dhe të standardeve më të mira. Ne po digjitalizojmë tërësisht regjistrin e gjendjes civile, po vendosim një sistem të ri adresash, kemi vendosur kontrollin e integruar të kufijve dhe së shpejti, instalojmë skanerin e parë në doganat tona, për ta përhapur më tej në pikat e tjera kufitare. Ne do të bëjmë çdo përpjekje për të luftuar trafiqet ilegale. Toleranca zero ndaj krimit të organizuar do të mbetet motoja jonë.
Rezultate tona janë të qarta, por ne do t’i konsolidojmë ato më tej. Ne do të firmosim çdo marrëveshje bashkëpunimi, ekstradimi, riparimi e të çdo lloji me vendet anëtare të BE-së dhe do t’i zbatojmë ato me seriozitetin më të madh. Shembulli më tipik ishte rasti i djeshëm, kur një nga të konsideruarit ‘vrasës i shumëfishtë UFO’, nga më të rrezikshmit në Itali, Shqipëri e rajon u kap në rrugë e Tiranës dhe u vendos para ligjit.
Unë do ta mbyll fjalën time duke shprehur mirënjohjen e thellë për Komisionin Europian e vendet anëtare për besimin e madh që kanë dëshmuar ndaj qeverisë që unë drejtoj dhe vendit tim. Shpreh gjithashtu mirënjohjen e thellë ndaj të gjitha institucioneve dhe punonjësve të agjencive të zbatimit të ligjit në Shqipëri, të cilët me përkushtimin e punën e tyre bënë të mundur që Shqipëria të fitojë këtë besim që i jepet sot. Falënderoj të gjitha vendet anëtare të BE-së për bashkëpunimin e ndihmën e shkëlqyer që na kanë dhënë gjatë këtyre viteve, institucionet ndërkombëtare, PAMECA, EURALIUS, ICITAP etj., që kanë luajtur një rol shumë të madh në këto reforma.
Jam i bindur se në falënderimin tim sot, bashkohet çdo shqiptar, që me këtë akt bëhet më i lirë, më dinjitoz e më i sigurt në të ardhmen e tij.
Zëvendëspresidenti i KE-së Franco Frattini: Faleminderit shumë. Ne sapo hapëm negociatat për regjimin vizave me Shqipërinë. Unë erdha këtu personalisht për t'ju sjelle një mesazh të madh besimi.
Së pari, më lejoni t'ju shpreh ngushëllimet për aksidentin e djeshëm, ku vdiqën një numër njerëzish. Unë shpreh keqardhjen time personale dhe atë të Bashkimit Europian.
Në lidhje me liberalizimin vizave, Shqipëria e meriton vlerësimin tonë për progresin që ka bërë. Unë përputhem plotësisht me Kryeministrin, ministrin e Drejtësisë, ministrin e Brendshëm që ky progres i arritur duhet të monitorohet në mënyrë të vazhdueshme dhe ruajtja e këtij progresi është e rëndësishme.
Ato që përmendi zoti Berisha për përmirësimin e sigurisë së dokumenteve, lufta kundër kriminalitetit dhe emigracionit të paligjshëm, mbrojtja e kufijve të jashtëm të vendit tuaj, janë pikërisht ajo çka do BE. Nuk i duam thjesht për hir të Brukselit, por janë të rëndësishme për vetë Shqipërinë. Ju keni hartuar një program shumë të mirë reformash. Ajo që është e rëndësishme është që ky program shumë i mirë reformash të përkthehet në rezultate të prekshme konkrete. Unë jam shumë i kënaqur me angazhimin shumë të madh të Kryeministrit dhe të ministrave të tjerë. Përvoja ka treguar se kur ka vullnet të mirë politik, rezultatet mund të arrihen në një kohë shumë të shkurtër. Unë nuk i konsideroj vendet e Ballkanit Perëndimor si një paketë. Secili vend nga ky rajon do të vlerësohet mbi bazën e meritave të veta. Vendi që do të plotësojë kërkesat më herët, do të marrë më herët regjimin e lirë të vizave. Le të japim një shembull nga përvoja e kaluar. U deshëm disa muaj që të hapeshin negociatat dhe pastaj nënshkrimi i marrëveshjes për liberalizimin e regjimit e vizave. Ne hapëm sot negociatat për liberalizimin e vizave dhe kur Shqipëria do të marrë regjimin e lirë të vizave, kjo do të varet nga rezultatet. Unë dua të them se rezultatet mund të arrihen në një kohë shumë të shkurtër. Personalisht mendoj se mund të arrihen rezultate të rëndësishme edhe para mbarimit të mandatit të zotit Barroso.
Ministri i Brendshëm e Sllovenisë Dragutin Mate: Në emër të Presidencës sllovene, dua të përshëndes nisjen e negociatave për liberalizimin vizave me Shqipërinë. Disa ditë më parë, ne nisëm në Këshill bisedimet për nisjen e negociatave për liberalizimin e vizave dhe të gjithë anëtarët e mbështetën këtë propozim të zotit Frattini. Ndonjë mund të mendojë se këtë e vendos komisioneri, por nuk ndodh kështu. Zoti Kryeministër, zoti ministër i Brendshëm ju keni bërë hapa të mëdha përpara që të mund të vinim në këtë ditë që të hapnim negociatat. Ju plotësuat disa nga kërkesat tona bazë për të filluar negociatat. Nga ajo që na tha zoti Kryeministër, nga reagimi politik i tij dhe qeverisë së tij, pasi kjo çështje mbulohet më tepër nga Ministria e Brendshme, unë e zoti Frattini jemi të bindur se shumë shpejt Shqipëria do t’i plotësojë këto kushte. Ju mund të mbështeteni tek Presidenca e Sllovenisë deri në fund të gjashtëmujorit të parë, por mund të mbështeteni edhe tek Sllovenia si vend për çfarëdo ndihme që lidhet me çështjet e sigurisë.
E fundit por jo më pak e rëndësishme, hapja e negociata për liberalizimin e vizave nuk është e rëndësishme vetëm për politikanët, por në radhë të parë është e rëndësishme për vetë qytetarët. Madje kjo është gjëja më e rëndësishme për njerëzit e thjeshtë, në çdo qytet e fshat dhe jam i sigurt se qeveria shqiptare do të bëjë çmos që të arrihen vizat e lira për qytetarët shqiptarë.
Kryeministri Berisha: Dua t’ju siguroj se shqiptarët nuk do ta harrojnë kurrë lajmin e madh që ju sollët sot dhe do ta mbajnë mend
Pyetje: Zoti Frattini, a mund të na thoni se çfarë duhet të plotësojë Shqipëria për të përfituar nga procesi i liberalizimit të vizave?
Zoti Frattini: Së pari, zbatimi i plotë i marrëveshjeve ekzistuese, në mënyrë të veçantë marrëveshjen për ripranimin e emigrantëve të paligjshëm dhe marrëveshjen për lehtësimin e vizave. Në mënyrë që të mos ketë inkoherencë dhe mospërputhje, do t’ju dërgoj të gjitha konsullatave të vendeve anëtare udhëzime për zbatimin tyre, përveç udhëzimeve të qarta që ambasadori i KE-së në Tiranë ka vendosur të faqen e internetit.
Së dyti, është siguria e dokumenteve. Ne e dimë shumë mirë nga Kryeministri se qeveria do të lëshojë për qytetarët dokumentet biometrike dhe që Shqipëria po harton regjistrin elektronik të gjendjen civile.
Pika e tretë, është bashkëpunimi i ngushtë në luftën kundër krimit të organizuar.
Dua të them se në të tre këto drejtime, Shqipëria është në pistën e duhur dhe kjo mbështet optimizmin tim, të shprehur pak më parë, në lidhje me rezultate e shpejta.
Pyetje: Zoti Berisha, a ndani edhe ju këtë optimizëm se rezultati i Shqipërisë do të jetë shumë i shpejtë?
Kryeministri Berisha: Sigurisht që e ndaj, bazuar në atë që ne do të bëjmë çdo përpjekje që procesi të jetë në shpejtësinë e përcaktuar.
Krijoni Kontakt