Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike bën mbikëqyrjen permanente të sëmundjeve ngjitëse në Kosovë, përmes sistemit të mbikëqyrjes dhe në kuadër të kësaj mbikëqyrje edhe raportimin për gripin.

Në këtë sezon, 2008/2009, gripi përcillet me kujdes të veçantë duke pasur parasysh rrezikun e paraqitjes eventuale të gripit të shpendëve dhe mundësinë e shpërthimit të gripit pandemik. Sa i përket situatës epidemiologjike, Instituti Kombëtar përcjell me vëmendje ecurinë e shfaqjes eventuale të gripit në Kosovë, përmes 6 Instituteve rajonale.

“Gjatë muajit janar janë identifikuar 1190 raste të dyshimit në influencë (me sëmundshmëri 60/100.000 banorë, dhe 2 raste të diagnostikuara në laboratorët tonë, 1 rast tip A dhe rasti i dytë tip B). Edhepse nuk janë raportuar të gjitha rastet, intensiteti është i ulët. Të gjitha rastet e raportuar kanë të bëjnë me ftohje të rrugëve të sipërme të frymëmarrjes, rrufa dhe rinite të cilat nuk e kanë tablonë klinike tipike të gripit”, thotë drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, prof. dr . assoc. Naser Ramadani.

Gjatë muajit shkurt deri më tani janë raportuar 312 raste të dyshimta në grip në të gjitha komunat e Kosovës. Pasi që këtë javë në media është alarmuar për raste të shumta të gripit në shtetet fqinje, Instituti Kombëtar është duke përcjellë me vëmendje situatën epidemiologjike.

Aktualisht situata epidemiologjike është e qetë, por me gjendjen aktuale klimatike që po mbretëron në Kosovë mund të pritet në ditët në vijim shfaqje të rasteve të gripit.

Instituti Kombëtar tashmë ka dhënë rekomandime të duhura profesionale dhe përmes mediave që qytetarët të kenë kujdes dhe të mos dalin gjatë në ambient të ftohtë, të mos qëndrojnë në lokale të mbyllura me dendësi të madhe të njerëzve dhe të përdorim sa më shume lëngje të nxehta dhe vitamina.

Të gjithë personat me imunitet të dobësuar dhe të moshuarit rekomandohet të vaksinohen. Instituti Kombëtar posedon me vaksina të gripit sezonal dhe personat me indikacione epidemiologjike mund të vaksinohen çdo ditë pune.