Nexhat Ibrahimi
ISLAMI NË TROJET
ILIRO-SHQIPTARE
GJATË SHEKUJVE
Logos-A - Shkup
1419/1998
Biblioteka Historia
PJESA E DYTË
SHQYRTIME NGA KULTURA DHE HISTORIA ISLAME NDËR SHQIPTARËT
Rrethanat shoqërore - historike në trojet iliro-shqiptare në periudhën paraosmane
Periudha e shtruar është hulumtuar e studiuar në masë të caktuar nga shumë autorë, si të huaj ashtu edhe të vendit. Përkundër faktit se të dhënat materiale nga ajo kohë janë të pakta, prapëseprapë janë arritur rezultate të konsiderueshme në fusha të caktuara. Megjithëkëtë, lirisht mund të konstatojmë se hulumtimet e studimet janë në fazën e parë. Ato kryekëput janë të preokupuara me përpjekjet për argumentimin e prejardhjes ilire të shqiptarëve, evoluimin e tyre në komb, autoktoninë e tyre në trojet që historia sot i njeh si iliro-shqiptare. Mund të konstatohet gjithashtu se rezultatet e arritura të deritashme, përkundër mangësive, janë solide dhe bazament shpresëdhënës për projekte ekipore multidisiplinare shkencore.
Për arsye se disa faza të Mesjetës janë tejet të errëta sa u përket të dhënave nga dora e parë, dhe se segmente të caktuara të jetës nga studiuesit janë rrahur vetëm pjesërisht e fragmentarisht, jemi detyruar, së këndejmi, që nëpërmjet të dhënave të tërthorta e fragmentare e nëpërmjet metodës komparative e analitike nga të dhënat për trojet tjera, nga po kjo kohë e po këta studiues, ta rikonstruktojmë gjendjen shoqërore-historike edhe në trojet tona iliro-shqiptare në periudhën para Mesjetës dhe pas Mesjetës, apo që me paraqitjen e Kristianizmit e deri në shekullin XIV. Një shtrirje të tillë kohore na e imponon natyra e besimit kristian. Të konceptuarit e drejtë të Kristianizmit gjatë Mesjetës e imponon periudha e Krishtit, ajo apostullike dhe ajo e papatit.
Arsyeja që ne do të përpiqemi ta vëmë për objekt studimi këtë periudhë kohore, konziston në të konceptuarit e drejtë të ngjarjeve që do të ndodhin me paraqitjen e Islamit në skenën historike dhe depërtimit të tij qysh prej shekullit VIII e këtej në trojet iliro-shqiptare, e sidomos në të konceptuarit e drejtë të fenomenit të përhapjes së shpejtë të Islamit në trojet tona gjatë shekullit XIV e më vonë. Prandaj, eksplikimi i drejtë i raporteve shoqërore-historike, religjioze, politike e sociale të popullatës autoktone, ilirëve, e më vonë sllavëve e të tjerëve, do të ndihmojë në të kuptuarit më të drejtë të përhapjes së shpejtë të Islamit te ne dhe përgjithësisht në botë.
Punimi ynë ka pretendime modeste: të shtrojmë disa të dhëna e mendime që deri tash janë injoruar apo vetëm tërthorazi janë prekur, të ofrojmë disa analiza e observime të shkurtra aq sa lejojnë suazat e këtij punimi, dhe, mundësisht, të hapim shtigje të reja në ndriçimin shumështresor të këtyre periudhave.
* * *
Ilirët, të cilët në kohën e depërtimeve të romakëve në trojet iliro-shqiptare dhe vendosjes së tyre në këto troje, shtriheshin në Shqipërinë e sotme, në Kosovë, Serbinë Jugore, në krahinat perëndimore të Maqedonisë së sotme, në pjesë të Bosnjës e të Bregdetit adriatik, ishin politeistë. Mirëpo, politeizmi ilir filloi t’ia lëshojë vendin Kristianizmit, që me Ediktin e Milanos, në vitin 313 u shpall fe zyrtare, institucionale, shtetërore. Romakët në Iliri depërtuan kryesisht nga Selaniku, nga ana e Jugut, nga Bregdeti adriatik nga Perëndimi dhe nga Akvileja nga Veriperëndimi. Në këtë kohë në trojet ilire filluan të themelohen bashkësitë e para kristiane. Pas Ediktit të Milanos dhe pas Koncilit të Parë në vitin 325 në Iznik (Nikejë), me mbështetjen e perandorit Konstantin, Kristianizmi lidhet për Qesarin, segmentin profan dhe ka statusin e fesë shtetërore të Bizantit.
Perandoria më e madhe në botë, Roma, pas krizës ekonomike kishte ra edhe në krizë të udhëheqjes-qeverisjes. Për ta kapërcyer këtë krizë, Diokleciani (me prejardhje ilire) sjell zgjidhje kalimtare preventive me formimin e dy kryeqyteteve, Romës në Perëndim dhe Iznikut në Lindje. Kjo zgjidhje kalimtare preventive përjetoi dështimin e vet në vitin 395, me vdekjen e perandorit Theodosiut, kur Roma e Madhe, për shkak të mosmarrëveshjeve e problemeve të brendshme, ndahet në dy pjesë. Por, këtë fat nuk e përjetoi edhe Kisha, e cila tërësisht u nda më vonë, në vitin 1054.
Lëvizjet e mëdha të popujve prej shekullit IV e deri në shekullin VI (vizigotët, ostrogotët, gepidët, langobardët, hunët e të tjerë) në vitin 476 i shkatërruan perandoritë perëndimore dhe krijuan disa shtete kalimtare.
E. Gibbon konsideron se "në Romën Lindore mjedisi shoqëror e politik ka qenë më i mirë se në Perëndim, ku dominonte konfuzioni politik e ushtarak." Për këtë arsye, kristianët sinqerisht do t’i gëzohen okupimit të Romës nga normanët dhe hunët në çerekun e fundit të shekullit V. Ata konsideronin se me rënien e Romës Perëndimore janë gjetur në rreth shumë më të volitshëm e më të sigurt nga ai në Romën Lindore, të cilën e mendonin si vend të mëkatimit në botë.
Prej rënies së Romës Perëndimore e deri në shekullin VIII shohim forcimin suksesiv të Kishës dhe institucionalizimin e saj. Kështu, të dhënat dëshmojnë se Kisha në këtë kohë është ngushtë e lidhur me klasën sunduese, që rezultoi me dominimin e tyre në të gjitha segmentet e jetës: ushtarake, politike e administrative të Romës. Në atë kohë Kisha zhvilloi formulën vijuese: në skenën politike mbretërit janë sovranë, por njëkohësisht ata duhet ta njohin sovranitetin shpirtëror të Kishës. Në pajtim me këtë, çdokush është i lidhur për Papën dhe duhet ta njohë autoritetin e tij shpirtëror.
Duke filluar nga shekulli X, kur Evropa kalon në rregullimin shoqëror feudal, Franca, Italia e Gjermania ndahen në feude të vogla. Prapëseprapë, perandori gjerman gëzonte autoritetin e të gjitha feudeve në Gjermani e Itali. Kështu u paraqitën dy autoritete të mëdha: 1) i papës, dhe 2) perandorit gjerman. Por, këto dy autoritete nuk jetuan gjatë kohë në paqe. Kisha u forcua dhe arriti ta përvetësojë sundimin profan.
Fundi i shekullit V dhe fillimi i shekullit VI ishte karakteristik për sulmet e fiseve turaniko-bullgare dhe të atyre sllave, të cilat, duke vërejtur se Perandoria Bizantine është dobësuar, filluan t’i atakojnë trojet tona dhe t’i plaçkisin.
Sllavët, si popull indoevropian, kanë ardhur në Evropë në një periudhë më të vonshme, pasi që valët e dyndjeve të tyre ndodhën në shekujt VI e VII. Këto shpërngulje, respektivisht këto dyndje të sllavëve të Jugut në aleancë me avarët, që më saktësisht do të zgjasin prej fundit të shekullit VI e deri në fillim të shekullit VII, do të rezultojnë me vendosjen e tyre të përhershme prej Danubit deri në Detin Egje, ndërsa gjatë dyndjeve të tyre në Ballkan, ata sulmuan e plaçkitën pa u penguar.
Përpjekjet e vazhdueshme për romanizimin e popujve autoktonë kishin dështuar, siç është rasti me dakët në Rumani, thrakët në Bullgari, ilirët në Dalmaci, Shqipëri e Maqedoni. Sa i përket Kosovës, është fakt i pamohueshëm se të paktën që nga shekulli XVIII p.e.s. lindën shumë shtete politike ilire të cilat kaluan gradualisht nga etapa fisnore në mbretëri të vërteta të vogla, si dardanët, penestët, peonët etj., për të evoluar më vonë në popullin shqiptar.
Sipas të dhënave që ofron E. Petroviq, popullsia që gjetën sllavët në trojet lindore të Serbisë së sotme, nuk ishte ende e romanizuar dhe si provë për këtë sjell emrat e vendeve, që sipas mendimit tonë e mbështesin mendimin e mësipërm. Mirëpo, të gjitha këto lëvizje e konflikte nuk kaluan pa pasoja. Prandaj, invazionet, si të avarëve ashtu edhe të sllavëve, e më vonë edhe të bullgarëve, në masë të madhe e ndryshuan strukturën nacionale të popullsisë së Dardanisë dhe vendeve të tjera. Burimet kishtare tregojnë se invazionet ishin të dhunshme, e jo me paqe. Vendësit përjetuan fat të mundimshëm. Disa u masakruan në sulmet e para sepse rezistuan, disa u robëruan dhe u shitën si skllevër... ose u përvetësuan e asimiluan nga bizantinët.
Këtë e vërejmë edhe nga letra e Papa Nikolla I, dërguar Mihailit II në shtator të vitit 860, me ç’rast kërkon kthimin e jurisdiksionit në territoret e Illyricumit Lindor, të cilat ishin shkëputur nga Roma në mes të shekullit VIII, e ku i përmend të gjitha provincat, duke përfshirë edhe Dardaninë me kryeqytetin e saj Skupin, që d.m.th. se ata ishin ilirë.
Edhe periudha e mëvonshme karakterizohet me trazira e konflikte. Shekulli IX shënon përtëritjen e interesit bizantin për trojet tona. Rreth vitit 850 pjesa më e madhe e Shqipërisë së sotme u inkorporua në provincën bizantine, Themën e Durrësit, ku përfshihej Epiri i Ri, pjesë të Prevalisit, derisa Epiri i Vjetër u përfshi në Themën fqinje të Nikopolisit. Mirëpo, ky kontroll bizantin ende lëkundej nga migrimet serbe.
S. Hill pohon se bullgarët depërtuan gati deri në Durrës në fund të shekullit IX, kurse Sh. Demiraj sundimin e bullgarëve në trojet tona e vë gjatë viteve 815-1018. Historiani S. Rizaj pohon se bullgarët depërtuan përtej Danubit nga fundi i shekullit VII. Kulmin e tyre bullgarët e arritën gjatë perandorit të tyre Simeonit (893-927), kur edhe Kosova ishte pjesë e tyre. Si pasojë e kësaj, Shqipëria në fillim të shekullit XI ishte skenë e ekspeditave ushtarake bizantine, kur perandori Vasili II Bullgarovrasësi rivendosi kontrollin bizantin në Shqipëri me fitore në vitin 1018 në Betejën e Beligradit (Palcheropolisit-Beratit).
Shekulli XI ishte përplot kryengritje e trazira: ato të vitit 1040, 1043, 1070, 1078, 1080 etj.
Në vitet 1021-1022 shqiptarët i gjejmë krah të Bizantit, kur bullgarët duke ikur nga Durrësi me rrethinë, do ta shkretërojnë për pak kohë Arbërinë, që atëbotë përfshinte rajonin midis Durrësit, Krujës e Elbasanit.
Në vitin 1054, si pasojë e ndarjes kishtare kristiane, Kosova ndahet në dy pjesë - në dy sfera interesi: në të Lindjes me rrafshlartën e Kosovës si ortodoksë, dhe në të Perëndimit me fushëgropën e Dukagjinit si katolikë.
Një gjendje aspak më të mirë e hasim deri në vitin 1347, kur Stefan Dushani e pushtoi Shqipërinë dhe përzuri latinët e bizantinët. Një pjesë e Kosovës qysh më herët pat ra nën ndikimin serb. Të gjithë shkencëtarët shqiptarë pohojnë se serbët u vendosën në Kosovë në periudhën e shekujve XII-XIV. Më herët nuk e hasim as popullsinë e tyre, as Kristianizmin e tyre, e as sundimin e tyre. Në fund të shekullit XI tokat shqiptare i pushtojnë serbët, duke sulmuar Zveçanin e fortifikuar, Lipjanin, e më vonë edhe Llapin, Drenicën, Pejën e Gjakovën etj.
Historiani J. Swire konstaton se në vitin 1169 Stefan Nemanja arriti t’i bashkojë shumicën e krahinave serbe në Veri nën sundimin e tij, e pastaj formoi një dinasti të quajtur Dinastia Nemanjiqase.
Në vitin 1180 serbët e futën nën sundimin e vet Shqipërinë Veriore, duke përfshirë edhe Shkodrën. Më pas e pushtuan edhe Prizrenin dhe qytetet tjera të Kosovës.
Historiani Alan Ducelier shtrirjen serbe e shtron kësisoj. Ai thotë se vetëm "në kohën kur princi Stefan u bë mbret, në vitin 1217, shteti serb filloi të zgjerohej dhe përfshinte edhe zonën e Pejës, derisa trupi kryesor i territoreve të Kosovës mbetej jashtë kufijve të tij. Ardhja e osmanëve në Ballkan totalisht e çorganizoi shtetin serb, i cili pas vdekjes së car Dushanit (më 1355) u shkapërderdh për shkak të mospajtimeve të brendshme. Kështu, princërve më të fuqishëm të vendit iu la veprimi i lirë për organizim. Kështu, në Zetë dhe Shqipërinë Veriore u paraqitën Balshajt, në luginën e Moravës, Llazar Hrebelanoviqi, kurse në Kosovë, Vuk Brankoviqi.
Siç cekëm, me vdekjen e car Dushanit dhe ndarjen e feudalëve serbë në disa principata, u krijuan kushte që edhe feudalët shqiptarë të organizohen, kështu që themeluan tri principata (thema): principatën e Durrësit, të Artës e të Shkodrës, që shtrihej prej Dubrovnikut deri në Durrës e Prizren.
Mund të përmblidhet se invadimi i sllavëve nga Veriu drejt viseve jugore gjendjen e ilirëve e vështirësoi edhe më shumë. Për t’iu shmangur konflikteve e trazirave të vazhdueshme, e madje edhe zhdukjes së tërësishme, një pjesë e ilirëve u tërhoqën drejt Jugut, kurse pjesa tjetër e mbetur, përkundër humbjeve të mëdha, u bënte ballë presioneve asimiluese sllave. E tillë ishte jeta në kontinuitet, me ndryshime të vogla gjatë sundimit të Stefan Nemanjës, Millutinit dhe Stefan Deçanit.
Shkrimi i Guillaume D’Adam, propagandues i kryqëzatës e tendencioz, megjithëkëtë hedh dritë në ndriçimin e asaj periudhe. Ai, në vitin 1332, shkruan: "... Këta njerëz, si latinë ashtu edhe shqiptarë, janë nën zgjedhën e padurueshme dhe shumë të rëndë të princit të sllavëve, të cilin ata e përbuzin dhe e urrejnë nga zemra, ngaqë shpesh i lidhin me zingjirë dhe bujarët e tyre ua shpronësojnë... Që të gjithë, së bashku dhe individualisht, janë të mendimit se ata do t’i shenjtëronin duart e veta po t’i zhytnin në gjakun e të lartpërmendurve - sllavëve."
Kur është fjala për autoktoninë e serbëve në trojet iliro-shqiptare, (pseudo) shkenca serbe insiston në toponiminë aktuale si argument dhe në disa objekte sakrale. Ndonëse shumica e këtyre të fundit mbajnë prejardhje bizantine e romake, e disa madje edhe ilire, e të përvetësuara nga serbët në fund të Mesjetës, ata sot e gjithë ditën indoktrinojnë veten dhe të tjerët. Sa i përket toponimisë, Alan Ducelier përgënjeshtron pohimet serbe, duke pohuar se "pjesa më e madhe e toponimeve sllave në Kosovë dhe Shqipëri duhet të jenë më shumë bullgare se serbe, që është fare e natyrshme meqë bullgarët e okupuan këtë zonë që nga shekulli IX, e posaçërisht në mbarim të shekullit X, në kulmin e Perandorisë Bizantine, me Ohrin si kryeqytet. Në atë kohë serbët ishin të vendosur larg nga Kosova, në të vërtetë, në shekujt IX-X kolonitë e tyre të para kompakte ishin Rasha (Rasa) në luginën e Ibrit, në Perëndim të Moravës dhe Zeta që korrespondonte gjerësisht me Malin e Zi të sotshëm".
Gjendja e rëndë politike, ekonomike e ushtarake kishte shkaktuar edhe kaos të vërtetë shpirtëror, social, e mos të cekim moral, kulturor e shkencor, e kështu me radhë. Këtë më së miri na ilustron e dhëna se popujt që ishin drejtpërdrejt apo tërthorazi në trojet tona, popujt tjerë përreth i trajtonin ndryshe nga popullsia e vet. Fjala vjen, çifutët (që nëpërmjet romakëve e Kristianizmit kanë influencë në trojet tona) lejojnë skllavërimin e joçifutëve, por jo edhe të çifutëve, ndaj të cilëve duhet të sillen mirë e t’i ndihmojnë. Ata ndalojnë kamatën (eksploatimin) ndërmjet veti, por e lejojnë me të huajt, duke pretenduar se ata nuk kanë ndonjë obligim ndaj atij populli injorant.
Edhe te fqinjët e parë të ilirëve, në Greqinë antike e më vonë, diskriminimi ka qenë në kulm. Disa grekë mendonin se jogrekët për nga natyra janë krijuar për robër. Filozofi i njohur e nxënësi i Sokratit, Platoni, ka kritikuar skllavërimin e grekut nga greku, por skllavërimin e të huajve nga greku ai e lejon për shkak se, sipas tij, disa popuj intelektin nuk e kanë të përsosur, dhe si të tillë duhet të përfundojnë si skllevër. Kurse mësuesi i Lekës së Madh, Aristoteli, filozof me famë, njerëzit i ka ndarë në: 1) të lirë, dhe 2) skllevër. Këta të fundit janë krijuar vetëm për t’u shërbyer të parëve. Ky skllavërinë e ka konsideruar si institucion të nevojshëm.
Sipas disa parashtrimeve themelore, Kisha kristiane dhe autoritetet fetare kristiane kanë të drejtë dhe kompetenca që të tjerët, jokristianët, me forcë t’i tërheqin në Kristianizëm. Mbështetjen për këtë detyrim e gjejnë në Besëlidhjen e Re, sipas Lukës, 14:15-24, ku ndër të tjera thuhet: "... dhe detyroi të hyjnë...".
Kisha kristiane në bazë të kësaj anekdote ka konkluduar se udhëzimi mund të imponohet me dhunë dhe se Kisha ka të drejtë të bëjë presion e ta terrorizojë shpirtin njerëzor. Ata që kanë refuzuar Kishën janë ekskomunikuar dhe janë djegur në zjarr.
Në fillim Kisha e ka nxitur dhe motivuar femrën për aktivitete të gjera, e veçanërisht për lindjen e pasardhësve, por më vonë femra është blasfemuar, është shpallur si shtrigë e fallxhore, për çka janë djegë të gjalla me mijëra gra.
Kësaj dhune iu nënshtruan edhe dijetarët e artistët, që paraqet një fotografi të errët të periudhës paramesjetare e mesjetare. Sipas një pohimi, gjyqet e inkuizicionit për një kohë shumë të shkurtër kanë dënuar 30.000 njerëz me vdekje dhe djegie.
Analitikët pohojnë me të drejtë se bazament për gjithë këtë dhunë e këto masa drastike janë thëniet nga Besëlidhja e Re:
"... E kush më pranon mua, e pranon atë që më dërgoi mua". (Luka, 9:48), ose
"… E kush më përbuz mua, e përbuz atë që më dërgoi mua’. (Luka, 10:16).
Tekstet tjera biblike kanë theks edhe më të rreptë, e kjo shihet sidomos për ata që mbesin jashtë udhëzimit, d.m.th. pa e pranuar mësimin ungjillor:
"Kush nuk është me mua, është kundër meje, dhe kush nuk mbledh me mua, shkapërderdh." (Mateu, 12:30).
Mësimet kristiane urdhërojnë skllavin t’i nënshtrohet totalisht dëshirës së zotëriut, skllavopronarit të tij, dhe jeta e vdekja e skllevërve është e varur nga dëshira e skllavopronarit. Çdo njeri autoritativ në perandori ka poseduar disa mijëra skllevër të dënuar për shkaqe shumë të vogla. Po ashtu, nëse femra e lirë kristiane është martuar me skllavin, ajo është varur, kurse skllavi është djegur i gjallë. Madje, edhe vetë Kisha ka poseduar skllevër dhe ka pranuar qartë legalitetin e skllavërisë, me pretekst se po pengon lypjen e lëmoshës dhe vjedhjen.
Gjendja aspak dhe askurrë nuk ka qenë më e mirë as te bizantinët. Ata për vete kanë supozuar se janë krijuar të udhëheqin me botën, kurse të tjerët janë krijuar për t’u shërbyer atyre. Skllavi nuk ka gëzuar të drejtën të posedojë, të trashëgojë, të lë trashëgim apo të martohet legalisht. Skllavi i padobishëm, i sëmurë apo në moshë është vrarë.
Ligji, apo e Drejta romake parasheh se të gjithë skllevërit e një njeriu të lirë, të vrarë nga skllevërit, duhet të vriten, etj. E gjithë kjo gjendje shfarosëse e totalisht diskriminuese dhe ndërrimi i shpeshtë i pushtuesve në trojet që i cekëm më parë, pastaj mospajtimet ideologjike të kristianëve ndaj të tjerëve, çarjet dhe konfliktet ndërkristiane në katolikë, ortodoksë e sekte të tjera të shumta, linin përshtypje për një gjendje të rëndë dhe asfiksuese religjioze, morale, politike, ekonomike e kështu me radhë. Kjo bëri që të përhapen doktrina pikëpamjesh të ndryshme që ishin në kundërshtim me doktrinat religjioze të Kishës zyrtare, e si protestë e hapur ndaj shtrembërimeve doktrinore dhe dhunës permanente. Vërehen sektet: bogumile, novaciane, manihene, mesaliniane, kutugjere, bullgare, babune, torbaçe, e ndër më të njohurat hasim sektet e arianizmit dhe akacianizmit, që nga Kisha zyrtare u ndoqën me ashpërsi.
Vlen në mënyrë të veçantë të ceket aktiviteti i sektit bogumil, më i njohuri dhe më i rebeluari në shekullin X, që iu kundërvu institucionalizimit të Kristianizmit në Mesjetë. Sipas disa të dhënave, në Siujdhesën Ballkanike, në Thraki e në Ballkanin Lindor, Bogumilizmi u paraqit në shekullin X. Në zhvillimin e tij në masë të madhe kanë ndikuar sekti paulician e mesalian, e po ashtu kanë ndikuar edhe mësimi hebraik e islam. Megjithëkëtë, doktrina e bogumilëve shquhej me elemente të theksuara të mësimit maniheist. Për shkak se janë ndjekur rreptë nga sundimtarët serbë (shekulli XII-XIV), prej shekullit XIII bogumilët tërhiqen nga Rumelia drejt Perëndimit në Bosnjë, ku rezistojnë deri në ardhjen e osmanëve dhe Islamit. Ata janë ndjekur si heretikë kurse mësimi i tyre si herezë, si nga katolikët ashtu edhe nga ortodoksët.
Një përmbledhje e gjendjes shpirtërore e fizike - biologjike shpie drejt përfundimit se Roma (Lindore e Perëndimore) e të tjerët, për shkak të qëndrimit të tyre kryekëput materialist, të veshur me petkun e shenjtërisë, në aspekt të jetës njerëzore dhe vlerës së saj inherente, për shkak të të konceptuarit antropomorf të Zotit, për shkak të konceptimit përbuzës e injorues të kësaj bote nga ana e Kristianizmit dhe të shtypjes së instinkteve natyrore e synimeve legjitime të njeriut nga njëra anë, dhe sllavët e të tjerët, të sëmurë nga dëshira drejt pushtetit, drejt fuqisë, përkatësisht drejt vullnetit imperialist, po sikur edhe vëllezërit e tyre perëndimorë, nga ana tjetër, shkaktuan lindjen e fatumit e jo të lirisë, shkaktuan rebelimin e njeriut dhe daljen e tij jashtë kornizave zyrtare kishtare. Në një gjendje të këtillë të pashpresë, edhe gjatë Mesjetës trojet tona iliro-shqiptare në përmasa (jo fort) të vogla u ndeshën me mësimet e Fesë islame dhe muslimanët e parë, por me shpresa të vogla që të mbijetojnë. Përkatësisht, muslimanët ishin në numër simbolik me rastin e depërtimit të Perandorisë Osmane në këto troje, e të tjerët u dëbuan, u zhdukën apo u asimiluan. Është e dukshme se ardhjen e osmanlinjve në trojet tona dhe përgjithësisht në Ballkan, e pritën duarhapur jo vetëm muslimanët e paktë, por edhe popullsia tjetër e organizuar në sekte të ndryshme, e madje edhe një pjesë e popullsisë me besime të tjera.
LITERATURA
"Argumenti" – ?asopis za teoriju i praksu, nr. 2-1982, Rijeka.
Arnold, Thomas; "Povijest islama - Historijski tokovi misije", botimi III, Sarajevo, 1990.
Asad, Muhammed; "Islam na raspu?u", Zagreb, 1994.
Azizussamed, Ulfe; "Islamizmi dhe Krishterizmi", bot. I, Prizren, 1413-1992.
"Bujku" - e përditshme e dt. 01.04.1995; 13.07.1995; 19.05.1995; 14.09.1996, Prishtinë.
Bulaç, Ali; "Islam i demokratija, teokratija i totalitarizam", Sarajevo – Ljubljana, 1995.
Demiraj, Shaban; "Gjuhësi ballkanike", Shkup, 1994.
Doçi, Rexhep; "Iliro-shqiptarët dhe serbët në Kosovë (sipas onomastikës)", Prishtinë, 1994.
El-Hufi, Muhammed Ahmed; "Toleranca islame", Prishtinë, 1996.
Gams, Andrija; "Biblija i društvo", Novi Sad, 1979.
Grup autorësh; "Feja, kultura dhe tradita islame ndër shqiptarët", Punime nga Simpoziumi ndërkombëtar i mbajtur me 12-15.10.1992, Prishtinë, 1995.
Grup autorësh; "Historia e popullit shqiptar", I, bot. II, Prishtinë, 1979.
Grup autorësh; "Ilirët dhe Iliria te autorët antikë", Prishtinë, 1979.
Grup autorësh; "Shqiptarët e Maqedonisë", Punime nga Simpoziumi 1992, Shkup, 1994.
Gjini, Gasper; "Skopsko–prizrenska biskupija kroz stolje?a", Zagreb, 1986.
Hadri, Ali; "Historia e popullit shqiptar për shkollat e mesme", botimi III i plotësuar, Prishtinë,. 1993.
Handži?, Mehmed; "Islamizacija Bosne i Hercegovine i poreklo bosansko-hercegova?kih muslimana", Sarajevo, 1940.
Ibrahimi, Nexhat; "Kontaktet e para të Islamit me popujt ballkanikë në periudhën paraosmane", Shkup, 1997.
"Kultura" – ?asopis za teoriju i sociologiju kulture i kulturnu politiku, 13-14/1991, Beograd, 1971.
"Kur'ani me përkthim e komentim" në gjuhën shqipe nga h. Sherif Ahmeti, Medine, Arabia Saudite, 1413 hixhrij.
Muhammed, Mahmud Seid; "Islami dënon diskriminimin racor", 1415/1994.
"Përparimi" – revistë shkencore, nr. 2/1991, Prishtinë.
Rizaj, Skënder; "Kosova gjatë shekujve XV, XVI dhe XVII", Prishtinë, 1982.
Stipçeviq, Aleksandar; "Ilirët", botimi III, Prishtinë, 1990.
"Shkrimi Shenjt" – përkthyer nga Don Simon Filipaj, Ferizaj, 1994.
Tërnava, Muhamet; "Popullsia e Kosovës gjatë shekujve XIV-XVII", Prishtinë, 1995.
Tur?inovi?, Josip; "Katoli?ka crkva u južnoslavenskim zemljama", Zagreb, 1973.
Islami dhe romanizimi e kristianizimi i para-shqiptarëve
I
Është trend kohe i disa dhjetëvjetëshave të fundit të pohohet, si në qarqet akademike, ashtu edhe në të gjitha nivelet shkollore e deri në shtypin e verdhë, se të parët tanë, d.m.th. para-shqiptarët (ilirët) kanë qenë katolikë, fe kjo të cilën ata e pranuan vullnetarisht. Me fjalë të tjera, nga ajo që thuhet e shkruhet, mund të përfundojmë se Katolicizmi te para-shqiptarët është kongenital, i natyrshëm, i lindur dhe se vetëm ardhja e osmanlinjve me Fenë islame e rrënoi këtë parajsë botërore, këtë rehati kozmike ku jetonin të parët tanë.
Që në filim duhet të konstatojmë se kjo çështje është mjaft e vështirë e komplekse dhe kërkon çasje multidisiplinare e serioze, të liruar nga tendencat me kohë të shtresuara dhe nga synimet evrocentriste prokristiane, çfarë është rasti me shumë autorë shqiptarë të proveniencës kristiane dhe të proveniencës muslimane prokristiane.
Të udhëhequr nga motive të pastra shkencore e kulturore, e brenda mundësive intelektuale e kohore dhe natyrës e vëllimit të këtij shkrimi, do të përpiqemi ta shtrojmë këtë çështje sa më drejtë, me çka nënkuptojmë: në bazë të literaturës relevante të shtrojmë çështjen e pushtimit të Ilirisë nga romakët dhe përpjekjet e tyre për romanizimin e ilirëve vendas, e më pastaj edhe përpjekjet e tyre për kristianizimin e ilirëve vendas, por ta shtrojmë edhe rezistencën e ilirëve kundrejt pushtimit dhe asimilimit, akulturimit të huaj, dhe në anën tjetër, gjendjen e para-shqiptarëve me rastin e depërtimit të Islamit në trojet tona. Natyrisht, do të kufizohemi në rrafshin shoqëror e historik me elemente nga rrafshi politik, religjioz, mitologjik e të ngjashme.
II
Ilirët, përkatësisht para-shqiptarët, si një ndër dy-tre popujt më të lashtë të Evropës, në epokën parahistorike e historike kanë "banuar në një rajon të gjerë, i cili nga Perëndimi mbyllej nga Deti Adriatik dhe ai Jon, në Veri nga Alpet Lindore dhe Drava, në Lindje nga Danubi - Morava - Vardari, ndërsa në Jug nga Epiri dhe vise të tjera helene. Përveç kësaj, mund të flitet me mjaft siguri për praninë e elementeve ilire në Azinë e Vogël, në Greqi dhe në Itali. Miss Edith Durham kufijtë e Ilirisë së vjetër i vë në Bosnjë-Hercegovinën e sotme, në Mal të Zi, Serbi, Dalmaci dhe arrijnë deri në Triestë. Në mbështetje të Strabonit, ajo pohon se epirotët, ilirët e maqedonasit flasin një gjuhë të njëjtë, një gjuhë jogreke, nga rrjedh shqipja moderne, gjuha më e vjetër e Ballkanit.
Ilirët në kohën e depërtimeve romake, e para pushtimeve sllave, shtriheshin në Shqipërinë e sotme, në Kosovë, Serbinë Jugore, në krahinat perëndimore të Maqedonisë së sotme.
Romakët në trojet ilire depërtuan kryesisht nga Selaniku prej anës jugore, nga Bregdeti adriatik prej anës perëndimore dhe nga Akvileja prej anës veriperëndimore. Kurse sipas M. Sufflayt, depërtimi romak në Shqipëri është bërë prej Italisë, kryesisht nëpër dy porta, Durrësi dhe Solana (Solini i sotëm, N. I.) e Dalmacisë.
Ilirologu i njohur A. Stipçeviq, pohon se "edhe analizat më sipërfaqësore të materialit arkeologjik nga kjo kohë, na zbulojnë se procesi i romanizimit nuk ka ndodhur gjithkund në mënyrë të barabartë. Derisa qendrat e urbanizuara, qoftë në bregdet, qoftë në mbretëri, u romanizuan gati plotësisht, kështu që aty flitej dhe shkruhej gjuha latine dhe jeta zhvillohej si në çdo qytet tjetër të madh të Perandorisë Romake, ndërkaq jashtë këtyre qendrave situata ishte krejt ndryshe. Po ashtu, përfshirja e ilirëve në radhët e legjioneve romake si dhe qëndrimi i tyre në provinca të tjera të Perandorisë, larg nga atdheu, shkaktoi që ata ushtarë të mësojnë shpejt gjuhën zyrtare të ushtrisë - latinishten. Shumë prej tyre nuk ktheheshin në vendlindje, por edhe nëse ktheheshin, ata ktheheshin si veteranë, me shprehi tjera, me dije të reja nga qytetërimi romak. Faktor tjetër i romanizimit është ardhja e ushtarëve të huaj në provincat ilire, që njëherit ndikuan në përhapjen e kulteve të huaja romake dhe joromake. Në romanizimin e trojeve ilire ndikuan edhe Via Egnatia, qendrat ushtarake, kolonistët etj.
Përkundër presionit të fuqishëm të akulturimit, ilirët vazhduan të flasin gjuhën e tyre popullore, të respektojnë hyjnitë e tyre, të varrosin të vdekurit në mënyrën e lashtë, tradicionale, e punonin tokën si më parë, e ruanin veshjen, fëmijët i emëronin me emrat e tyre dhe vetëm në rast nevoje i përshtateshin strukturës administrative dhe politike romake. Edhe pas kësaj periudhe, ilirët nuk i harruan tërësisht hyjnitë e veta dhe shumë pak morën pjesë në krijimin e kulturës shpirtërore romake. Kështu, gjatë tërë kohës së sundimit romak, ekzistojnë njëri pranë tjetrit religjioni i vjetër ilir dhe religjioni i ardhacakëve, përkatësisht i atyre të cilët e kanë pranuar mënyrën e re të jetesës dhe hyjnitë e reja. Ky dualitet i jetës shpirtërore do të zgjasë gjatë gjithë shekujve të okupimit të gjatë romak. Kjo kryeneqësi më vonë do të zbutet por kurrë në tërësi, e sidomos për shkak të konservatorizmit të ilirëve dhe jetesës së një pjese larg qendrave urbane.
Pos këtij, kemi edhe faktorin ekstern që pengoi romanizimin, sikur që janë lëvizjet e markamanëve, kuadëve dhe popujve tjerë që qysh në shekullin II e.r. kaluan kufijtë e Perandorisë Romake. Shekulli III karakterizohet me vërsuljet e mëdha të popujve barbarë në Ballkan. Në gjysmën e dytë të shekullit IV erdhën hunët dhe shumë popuj të tjerë, të cilët mbollën tmerr e vdekje. Viktimë ishin veçanërisht qendrat, e më pak periferitë. Lidhur me këto ndodhi Shën Jeronimi shkruan: "Gjithkund vetëm pikëllim dhe tmerr dhe shumë pamje të vdekjes."
Në pengimin e romanizimit të ilirëve kanë kontribuar edhe disa faktorë të tjerë, sikur lëvizjet e një numri të madh vendasish të paromanizuar - peregrinëve të provincës së Dalmacisë dhe të trojeve të tjera të Ilirisë së lashtë, kryesisht në një formë të organizuar, të cilët në grupe u drejtuan në basene minierash dhe në krahina të tjera të njohura ekonomike të kësaj province, duke u vendosur në masën më të madhe në Transilvani, ku posaçërisht zënë vend në rajonin e pasur me ar të maleve Apusen në trevën midis qendrave antike Apulum, Ampelum dhe Alburnus... Për shkallën e migrimit ilir në Daki, të dhënat linguistiko-onomastike kanë treguar se këto elemente provinciale të kolonizimit në këtë provincë ishin më të shumta, pos elementeve greko-orientale. Sipas dr. Exhlales, "supozohet se migrimi dardan në Daki është bërë gjatë viteve të para të pushtimit romak në veri të Danubit, kur në Daki fillon një vërshim i fuqishëm emigrantësh - kolonistësh të ardhur nga trevat ilire." Po kjo autore pohon se "analizat onomastike, përkatësisht antroponimia, ka treguar se ilirët e ardhur në këtë provincë ishin të romanizuar dobët."
Në viset e popullzuara me popullsi dardane, veçan në shekujt II dhe III, ka vepruar Lëvizja Latrone që kishte për qëllim rezistencën kundër romakëve dhe kundër shtresës së të liruarve, si përfaqësues të pushtetit dhe të interesave romake si dhe kundër elementeve të tjera aktive në procesin e romanizimit.
Para ardhjes së romakëve, shoqëria dardane sipas gjasave ishte e ndarë në bujq, të cilët ishin të vendosur nëpër lugina të lumenjve, dhe në barinj që banonin në pjesët malore, por forcë dominuese në këtë shoqëri duket se kanë qenë barinjtë. Që me ardhjen e tyre në këto vise, romakët do të përpiqen ta zhdukin këtë simbiozë bujqësore-baritore, duke i favorizuar për këto arsye bujqit, duke i implikuar këta në rrjedhat e jetës në kushte të reja shoqërore - ekonomike dhe duke i orientuar në përpunimin e barinjve, të cilët përndryshe nuk ishin të pushtuar. Koncentrimi i tokave në duart e çifligarëve dhe ndarja e tokave veteranëve, e përcjellë me emigrimin e popullsisë prej fshatrave në qytete, ishin elemente që reflektoheshin në raportet e mëparshme ekonomike-prodhuese dhe si pasojë e kësaj, dobësohej fuqia ekonomike e fshatarëve të lirë, të cilët për shkaqe të përmendura më parë ishin të detyruar të tërhiqeshin në toka jopjellore. Krahas kësaj, meqë nuk kishin mundësi t’i përshtateshin sistemit të ri monetar, ata deshën-s’deshën bëheshin të varur nga pronarët e latifundive të mëdha. Varfërimi i popullsisë së lirë, së bashku me format fillestare të raporteve të kolonatit, ishin shkaqe të paraqitjes së latronëve të shumtë dardanë, kështu që nga mesi i shekullit II pjesa dërrmuese e fshatarësisë së lirë u inkuadrua në Lëvizjen latrone. Mendohet se latronët kanë pasur qendrat kryesore të lëvizjes në rrethinën e Prizrenit, në luginën e Timokut, në rrethinën e Drobetës etj. Kryesisht jetonin në male të larta prej nga i kontrollonin rrugët. Latronët kryesisht i sulmonin pushtuesit romakë, pastaj libertët e pasur dhe vendasit që i përkrahnin ardhacakët.
Përkundër rezistencës së fuqishme të vendasve, krahas romanizimit filloi edhe kristianizimi i ilirëve, duke e zbrapsur politeizmin ilir. Kjo sidomos ndodhi me Ediktin e Milanos në vitin 313, kur Kristianizmi shpallet fe zyrtare, institucionale shtetërore. Në këtë kohë e më vonë në trojet ilire filluan të themelohen bashkësitë e para kristiane. Pas Ediktit të Milanos dhe pas Koncilit të parë në vitin 325 në Iznik (Nikejë), me mbështetjen e perandorit Konstantin, Kristianizmi lidhet për Qesarin dhe ka statusin e fesë shtetërore të Bizantit. Edhe Miss Edith Durham pohon se Kristianizmi arriti herët në bregun dalmat dhe kishte depërtuar në brendi nga shekulli IV. Në këtë kohë Iliria ishte pjesë nën patronatin e Romës. Me forcimin e Kristianizmit, politeizmi pagan, ku gjetën vend të gjitha hyjnitë lokale të popujve të nënshtruar, religjioni ilir dhe simbolizmi ilir pësuan krizë të thellë, kurse forcohet botëkuptimi kristian mbi jetën, bota puritane intrasigjente e religjioit të ri militant. Edhe pse në rrethana të reja që i solli Kristianizmi, ilirët ditën të gjenin mënyra për të ruajtur disa besime të lashta të tyre, bile edhe atëherë kur formalisht e pranuan Kristianizmin. Këtë e vërejmë në gjurmët ilire në kulturën popullore, në arkitekturë dhe në urbanizëm, në mënyrën e varrosjes së të vdekurve, në simbolikën fetare, në motivet ornamentale, në veshmbathjet popullore, në stolitë, në muzikën dhe vallëzimet, në gjuhën, në organizimin shoqëror-politik.
Në joefikasitetin e romakëve për t’i romanizuar e më vonë edhe për t’i krishteruar ilirët, ndikoi kriza e madhe ekonomike e pastaj edhe kriza e udhëheqjes-qeverisjes që dominonte në perandorinë më të madhe në botë – atë të Romës. Për ta kapërcyer këtë krizë, Diokleciani sjell zgjidhje kalimtare preventive me formimin e dy kryeqyteteve, Romës në Perëndim dhe Iznikut (Nikejës) në Lindje. Kjo zgjidhje kalimtare përjetoi dështimin e vet në vitin 395, me vdekjen e perandorit Theodosiut, kur Roma e Madhe, për shkak të mosmarrëveshjeve e problemeve të brendshme ndahet në dy pjesë. Mirëpo, këtë fat politik nuk e pësoi edhe Kisha. Ajo këtë fat e përjetoi disa shekuj më vonë kur uniteti i saj u shkapërderdh në vitin 1054.
Kësaj do t’i ndihmojnë edhe lëvizjet e mëdha të popujve prej shekullit IV e deri në shekullin VI, (vizigotët, ostrogotët, geditët, longobardët, hunët e të tjerë), të cilët në vitin 476 e shkatërruan Perandorinë perëndimore dhe krijuan disa shtete kalimtare.
Fundi i shekullit V dhe fillimi i shekullit VI karakterizohet me sulmet e fiseve turaniko-bullgare dhe të atyre sllave, të cilat duke vërejtur se Perandoria Bizantinase është dobësuar, filluan të atakojnë dhe ta plaçkisin. E. Çabej paraqitjen e sllavëve e vendos prej shekullit V në kohën e perandorit bizantin, Anastasit I, më 493. Dyndjet e sllavëve që kanë filluar nga fundi i shekullit VI e deri në fillim të shekullit VII, do të rezultojnë me vendosjen e tyre të përhershme prej Danubit deri në Detin Egje. Gjatë dyndjeve të tyre në Ballkan, ata sulmuan e plaçkitën pa u penguar.
Duke e marrë parasysh krizën e brendshme të romakëve dhe sulmet nga jashtë, mund të përfundojmë se sllavët duke ardhur në këto troje në shekujt VI e VII, në viset perëndimore të Ballkanit gjetën popullsi mjaft të madhe të vjetër vendase, të paromanizuar dhe gjysmë të romanizuar, e cila ishte tërhequr së pari para romakëve, e madej edhe para popujve barbarë në viset të cilat vështirë shkileshin. Edhe studiuesi boshnjak N. Smailagiq në enciklopedinë e tij pohon se "në shekullin VII sulmet sllovene penguan romanizimin (dhe kristianizimin. N.I.) e shqiptarëve." Kurse historiani shqiptar S. Rizaj konstaton se "popullsia ilire në këtë kohë u pakësua edhe më tepër."
Se procesi i romanizimit e kristianizimit qe ndërprerë, dëfton edhe e dhëna se "në vitin 732 Shqipëria i qe bashkuar Patrikanës së Konstantinopolit, e këtë e argumenton edhe letra e Papa Nikolla I dërguar Mihailit II në shtator të vitit 860, kur ky kërkon kthimin e jurisdiksionit në territoret e Illyricumit Lindor, të cilat ishin shkëputur nga Roma gjatë mesit të shekullit të kaluar", ku "përmend të gjitha provincat, duke përfshirë edhe Dardaninë me kryeqytetin e saj Skupin."
Kështu, përpjekjet e vazhdueshme për romanizimin dhe kristianizimin e popujve autoktonë kishin dështuar, siç ishte rasti me dakët në Rumani, trakët në Bullgari, ilirët në Dalmaci, Shqipëri e Maqedoni. Sa i përket popullit autokton në Kosovën e sotme, është fakt i pamohueshëm se që nga shekulli XVIII p.e.r. lindën shumë shtete politike ilire të cilat kaluan gradualisht nga etapa fisnore në mbretëri të vërteta të vogla, si dardanët, penestët, peonët, për të evoluar në popullin shqiptar të ditëve tona.
Sipas të dhënave që sjell E. Petroviq, popullsia që e gjetën sllavët në trojet lindore të Serbisë së sotme, nuk ishte ende e romanizuar dhe si provë për këtë sjell emrat e vendeve.
Mund të përmblidhet se invadimi i sllavëve nga Veriu drejt viseve jugore gjendjen e ilirëve e vështirësoi edhe më shumë. Filloi tërheqja e tyre drejt Jugut, kurse një pjesë e tyre u rezistuan presioneve sllave, të cilën gjë e dëshmon fakti me shqiptarët e Sanxhakut të Nishit deri në shekullin XX.
Duke e marrë parasysh faktin se një pjesë e konsiderueshme e para-shqiptarëve (ilirëve) fare nuk e pranuan romanizimin dhe kristianizimin, e një pjesë tjetër romanizimin e kristianizimin e përdori vetëm formalisht për t’iu shmangur dhunës dhe zhdukjes fizike, që e pamë nga shumë shembuj e burime historike, nga një anë, dhe nga ana tjetër, duke e marrë parasysh faktin tjetër se sllavët me rastin e invadimit në Ballkan dhe në trojet iliro-shqiptare ishin ende paganë dhe nuk u konvertuan në numër në Kristianizëm deri në shekullin IX, mund të përfundojmë se kjo pjesë e iliro-shqiptarëve ende ishte me besim politeist pagan dhe se asnjëherë nuk ishin kristianizuar. Me të drejtë historiani e etnologu boshnjak M. Haxhijahiq pohon, e ky pohim i tij mund të shtrihet edhe për para-shqiptarët, se shenjat dhe gjurmët e muslimanëve të parë në Ballkan shpiejnë në periudhën kur popujt e sllavëve të jugut ende i përkitnin religjionit të tyre sllaven, apo në kohën kur filluan të kryqohen, që d.m.th. se shfaqja e Kristianizmit te sllavët e jugut, ose te pjesa më e madhe e tyre, apo kjo vlen edhe për para-shqiptarët e trevave lindore iliro-shqiptare, nuk është më e vjetër nga shfaqja e Islamit." Në bazë të dokumenteve e burimeve të shkruara kishtare sllavo-serbe dhe të të dhënave të sotme nga terreni, rezulton se serbët filluan të kristianizohen prej shekullit IX e këndej, që shkon në favor të konstatimit të sipërm. Nuk dëshirojmë të shtrihemi më gjatë në këtë pjesë të temës, sepse kjo do të jetë objekt i një punimi të veçantë, por megjithatë e shohim të arsyeshme t’i shtrojmë disa çështje mjaft relevante.
Hulumtuesit shqiptarë praninë e Islamit në Ballkan, pra edhe në trojet iliro-shqiptare, e vënë me pushtimet osmane në Ballkan, dhe kjo tezë mund të haset thuajse në të gjitha tekstet shkencore e shkollore, por edhe në shkrimet reviale e gazetareske. Një numër i vogël i tyre kontaktet e para të Islamit me trojet tona i vënë gjatë shekullit XIV.
Thuajse asnjë hulumtues shqiptar kontaktet islamo-iliro-shqiptare nuk i sheh para shekullit XIV. Në këtë mënyrë injorohen kontaktet shumëshekullore ndërmjet kulturës arabo-islame dhe asaj ballkanike, pra edhe iliro-shqiptare, për të cilat shkurtimisht kemi shkruar. Atë që nuk e bënë hulumtuesit tanë, e bënë të tjerët. Kështu, hulumtuesi perëndimor G. B. Pellegrini thotë se "shumë gjuhë në Mesdhe edhe sot në glosarin e vet kanë shumë fjalë arabe, që gjithsesi nuk i kanë përhapur e sjellur vetëm turqit në Evropë, por ato janë rezultat i kontakteve më të hershme të Evropës me arabët".
Orientalisti serb R. Bozhoviq kontaktet islamo-evropiane, e veçan ato sllavo-islame, por edhe ndikimet reciproke, i sheh se janë zhvilluar në tri drejtime:
1) nëpërmjet Bizantit, përkatësisht kufirit bizantino-arab dhe luftërave ndërmjet dy perandorive.
2) nëpërmjet basenit mesdhetar, përkatësisht Spanjës, Egjiptit fatimit dhe Sicilisë, në të cilat civilizimi arab ka arritur përmasa të mëdha.
3) nëpërmjet Hungarisë, përkatësisht nëpërmjet Veriut dhe luftëtarëve nomadë, peçenegëve. Ky vrojtim i R. Bozhoviqit do të mund të aplikohej thuajse në tërësi për pjesën lindore të trojeve iliro-shqiptare, rrethana këto që i kanë rezultuar pushtimet e Bizantit, bullgarëve etj. Për pjesën perëndimore të trojeve iliro-shqiptare do të thuhej se parësor ka qenë baseni mesdhetar, që ka rezultuar nga pozita gjeostrategjike e këtyre trojeve.
Nuk dëshirojmë të flasim për secilin kontakt e rast veç e veç, sepse kjo do t’i kalonte suazat e këtij shkrimi, por do të ndalemi në rastet më eklatante, të cilat dëftojnë jo për "kontaktet", por për vendbanimet muslimane.
Arabët, përkatësisht kulturën arabo-islame e kemi të pranishme në Adriatik dhe viset bregdetare qysh në shekullin VIII, e që me ndërprerje të shkurtra do ta hasim deri në fillim të shekullit XI, apo në vitin 1023, kur nga Sicilia ndërmorën sulmin e fundit në bregun lindor të Adriatikut. Nga këto kontakte tregtare, ushtarake, diplomatike, shkencore e religjioze prej tre shekujsh, e intensive rreth një shekulli e gjysmë, kemi ndikime të mëdha reciproke, e sidomos të atyre arabo-islame mbi ato ballkanike, pra edhe iliro-shqiptare, si kulturë më e avancuar e cilësore.
Kulturën arabo-islame e kemi të pranishme në trojet iliro-shqiptare edhe me peçenegët qysh në shekullin VIII, të cilët në këtë kohë i hasim të kufizuar në Jug me themën e Maqedonisë, Strumës, në Veriperëndim me sllavët, në Lindje me Detin e Zi, në Veri me hungarezët e Bizantin.
Sipas R. Bozhoviqit "Peçenegët muslimanë janë bartës të mundshëm të kulturës arabo-islame në Ballkan". Ai thotë: "Duke e marrë parasysh arsimimin e tyre të shkëlqyeshëm, që shumë historianë e theksojnë, gjithsesi se kanë qenë bartës adekuat të kulturës dhe natyrës arabo-islame". Edhe Viljem Tirski shprehimisht pohon se "cubat e popullit endacak" që "bëhen synet (cirkumizohen) janë peçenegët".
Shembullin e tretë e kemi me "Turqit vardarianë", të cilët nga Anadolli i shpërnguli cari Teofili (829-842), për arsye se e pranuan Islamin dhe i vendosi në Maqedoni. Franjo Raçki mendon se turqit vardarianë zanafillisht kanë qenë muslimanë. Për fat të keq, kjo temë nuk është hulumtuar, përkatësisht ne nuk kemi ardhur deri te shënime më të plota, kështu që shumë pak dihet për ta, ndonëse numerikisht kanë qenë të konsiderueshëm dhe kanë jetuar në tokat dardane e në fqinjësi të tyre.
Shembullin e katërt do ta marrim në praninë e muslimanëve në mbretërinë bullgare gjatë Mesjetës. Sipas historianit shqiptar S. Rizaj, bullgarët depërtuan përtej Danubit nga fundi i shekullit VII, kurse Sh. Demiraj sundimin e bullgarëve në trojet iliro-shqiptare e vë gjatë viteve 815-1018. S. Hill pohon se bullgarët në fund të shekulli IX depërtuan gati deri në Durrës. Kulmin e tyre bullgarët e arritën gjatë perandorit të tyre Simeonit (803-927), kur edhe Kosova ishte pjesë e tyre. I theksuam këto të dhëna më lart nga arsyeja se në atë kohë mbretëria bullgare përfshinte edhe tokat dardane dhe popujt tjerë ilirë. Pikërisht në këtë mbretëri, në këto troje e në këtë kohë, kemi vendbanimet e para muslimane. Këtë tezë e argumentojnë shumë fakte dhe shumë burime. Ne do t’i cekim vetëm disa.
Kani bullgar Borisi në vitin 864 e kryqëzoi popullin e tij, e sigurisht për shkak se Bizanti në atë kohë lulëzonte dhe kishte perspektivë më të mirë në krahasim me perandoritë tjera të asaj kohe. Kjo që ndodhi për ne edhe nuk do të kishte rëndësi më të madhe sikur të mos ishte problemi vijues. Me kryqëzimin e popullsisë së mbretërisë së vet, problem doli çështja e librave të saracenëve (muslimanëve), që ishin përhapur në mbretëri, ndërsa me kristianizimin e tyre, u shtrua pyetja e trajtimit të mëtejmë të librave me tematikë islame. Se këta libra ishin të shumtë tregon edhe fakti se kjo çështje arriti deri te Papa Nikolla I, i cili dha përgjigje decidive:
"Ju pyetni ç’duhet bërë me librat heretikë, të cilët pohoni se gjenden te ju, kurse i keni marrë nga saracenët. Ata, natyrisht, nuk duhet ruajtur sepse, sikur që është shkruar (në enciklikën mbi Korinasit), kuvendimet e këqija e prishin moralin e shëndoshë, e për këtë, si të dëmshme dhe heretike, dorëzojani zjarrit".
Edhe Franjo Raçki flet për këtë ndodhi, duke thënë se arabët kanë kaluar nëpër Siujdhesën Ballkanike dhe kanë provuar përhapjen e fesë, veçan duke shpërndarë libra.
Dr. Llujo Thaller në librin e vet "Nga fallxhorët e magjistarët deri te mjeku modern", cek se rreth kësaj kohe Bullgaria ka qenë përplot muslimanë dhe se njëherë madje i kanë djegur librat muslimanë në Bullgari. Këtë e konfirmon edhe V. Klaiq kur thotë se "në Bullgari dhe në vendet fqinje ka pasur muslimanë." Se nuk është fjala vetëm për kontakte por për vendbanime, na flet edhe shënimi vijues: Në vitin 896/376 hixhrij, në Kiev të Ukrainës shkoi një delegacion musliman ta përvetësojë udhëheqësin e tyre, Shën Vlladimirin, për ta pranuar Islamin. Duke e marrë parasysh se ende ishte në religjionin e vjetër sllaven, ai i ftoi teologët muslimanë bullgarë të Vollgës që t’ia ekspozojnë themelet e besimit të tyre. Edhe vetë ai merrte pjesë në diskutimet shkencore. Më në fund u përcaktua për Kristianizmin bizantinas, sigurisht për shkak të perspektivës që ofronte Bizanti si superfuqi e asaj kohe. Këtë ndodhi e sqaron kronika mesjetare ruse "Povest vremenih leta" nga shekulli XI. Aty thuhet se Vlladimirit i erdhën shumë delegacione që ta përfitojnë në besimin e tyre. Ai i dërgoi misionarët e tij në vendet e ndryshme për të parë se cili besim është më i përshtatshëm për ta. Në të kthyer, të deleguarit, përveç tjerash, deklaruan: "Erdhëm në Bullgari dhe pamë se si luten ata në tempull, përkatësisht në xhami...". Këto deklarata u dhanë në vitin 6495 sipas kalendarit të tyre, kurse në vitin 987 sipas kalendarit gregorian.
Pa hyrë në detaje dhe pa sjellur edhe raste të tjera, mendojmë se të gjitha këto fakte flasin qartë se Islami dhe kultura arabo-islame në trojet lindore të Ilirisë, kanë qenë të pranishme shumë herët. Madje, një pjesë e ilirëve apo e para-shqiptarëve drejtpërdrejt nga besimi i tyre politeist pagan kanë kaluar në Islam, pa ndërmjetësimin e Kristianizmit apo fare pa e pranuar Kristianizmin.
III
Pushtimi romak i trojeve ilirike bëri që një pjesë e popullit vendas, veçan qendrat, herët të bien nën ndikimin politik e ekonomik, e më pastaj edhe religjioz, kulturor e shoqëror. Ky proces quhet romanizim. Më vonë, duke filluar nga shekulli IV, filloi, nëpërmjet pushtuesve romakë, edhe kristianizimi i trojeve tona. Mirëpo, që në fillim një pjesë e popullsisë vendase i bëri rezistencë të madhe pushtuesit të huaj, duke refuzuar njëkohësisht edhe romanizimin edhe kristianizimin. Kjo pjesë e popullsisë, mjaft e konsiderueshme, qoftë tërësisht duke e refuzuar romanizimin e kristianizimin, qoftë vetëm formalisht duke e pranuar atë, sa për t’iu shmangur zhdukjes fizike, u përballoi vështirësive kohore dhe në shekullin VIII e më vonë u ndesh me kulturën arabo-islame. Kjo ishte realitet sidomos në pjesën lindore të Dardanisë, d.m.th. në Kosovën e sotme, në pjesët lindore të Serbisë së sotme dhe në një pjesë të Maqedonisë. Me keqardhje duhet konstatuar se hulumtimet në këtë fushë janë nën çdo nivel, ndaj shkencëtarët e painformuar injorojnë realitetin historik se një pjesë e trojeve dardane dhe ilire përgjithësisht, më herët është islamizuar se që është kristianizuar. Shembulli i peçenegëve, muslimanëve në mbretërinë bullgare, i turqve vardarianë dhe i pranisë muslimane në bregdetin ilir më se një shekull e gjysmë, është i qartë dhe kërkon studime më të hollësishme në të gjitha segmentet e mundshme. Në anën tjetër, me këtë realitet, deri tash të heshtur, të parëve tanë muslimanë do t’u bëhet e padrejtë duke thënë se kanë qenë katolikë, por Turqia i bëri me dhunë muslimanë! Parullat e tilla, si duket, do t’i përdorin vetëm mediokrët dhe sharlatanët shkencorë, por jo edhe shkencëtarët e mirëfilltë.
LITERATURA
1. Asad, Muhamed, "Islam na raspu}u", Zagreb, 1994.
2. Bo`ovi}, Rade, "Arapi u usmenoj narodnoj pesmi na srpskohrvatskom jezi~kom podru~ju", Beograd, 1977.
3. Brandt, Miroslav, "Srednjovjekovno doba povijesnog razvitka", I, Zagreb, 1980.
4. "Bujku" - gazetë e përditshme në Kosovë, Prishtinë, e dt.: 01.04.1995; 19.05.1995; 25.06.1996; 14.09.1996; 09.11.1996; 23.11.1996; 21.12.1996; 15.02.1997.
5. Bulaç, Ali, "Islam i demokratija, teokratija i totalitarizam", Sarajevo - Ljubljana, 1995.
6. Çabej, Eqrem, "Studime gjuhësore", III, Prishtinë, 1976.
7. Çabej, Eqrem, "Studime gjuhësore", VI, Botimi II, Prishtinë, 1988.
8. Demiraj, Shaban, "Gjuhësi ballkanike", Shkup, 1994.
9. Doçi, Rexhep, "Iliro-shqiptarët dhe serbët në Kosovë (sipas onomastikës)", Prishtinë, 1994.
10. Grup autorësh, "Feja, kultura dhe tradita islame ndër shqiptarët", (Simpozium ndërkombëtar mbajtur më 12-15 tetor 1992 në Prishtinë, Prishtinë, 1995.
11. Grup autorësh, "Shqiptarët e Maqedonisë", (Simpozium ndërkombëtar mbajtur më 1991 në Shkup), Shkup, 1994.
12. Grup autorësh, "Historia e popullit shqiptar", I, bot. III, Prishtinë, 1979.
13. Hadri, Ali, "Historia e popullit shqiptar për shkollat e mesme", botim i tretë i plotësur, Prishtinë, 1973.
14. Had`ijahi}, Muhamed, e të tjerë, "Islam i Muslimani u Bosni i Hercegovini", Sarajevo, 1979.
15. Had`i-Vasiljevi}, Jovan, "Muslimani na{e krvi u Ju`noj Srbiji", bot. II, Beograd, 1924.
16. Hand`i}, Mehmed, "Islamizacija Bosne i Hercegovine i poreklo bosansko-hercegova~kih muslimana", Sarajevo, 1940.
17. Hiti, Filip, "Istorija Arapa od najstarijih vremena do danas", botimi II fototip, Sarajevo, 1988.
18. Ibrahimi, Nexhat, "Kontaktet e para të Islamit me popujt ballkanikë në periudhën paraosmane", Shkup, 1997/1417.
19. "Kultura" - ~asopis za teoriju i sociologiju kulture i kulturnu politiku, 13-14/1971, Beograd, 1971.
20. Rizaj, Skënder, "Kosova gjatë shekujve XV, XVI dhe XVII", Prishtinë, 1982.
21. Schug-Wille, Christe, etj., "Bizant i svijet islama", Rijeka, 1978.
22. Smailagi}, Nerkez, "Leksikon islama", Sarajevo, 1990.
23. Stipçeviq, Aleksandër, "Ilirët", botimi II, Prishtinë, 1990.
24. Tërnava, Muhamet, "Popullsia e Kosovës gjatë shekujve XIV-XVI", Prishtinë, 1995.
25. Tur~inovi}, Josip, "Katoli~ka crkva u ju`noslovenskim zemljama", Zagreb, 1973.
26. "Thema" - revistë për filozofi, sociologji..., 4(3), 1985, Prishtinë.
Krijoni Kontakt