TIRANË-E kushtueshme por e domosdoshme, vaksina kundra kancerit të qafës së mitrës, mund të bëhet edhe nga femrat shqiptare. Lajmi është dhënë nga ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo. Ajo deklaroi sot për mediat se "vaksina që parandalon virusin human Papilomas që prodhohet në Belgjikë është tashmë edhe në tregun farmaceutik shqiptar".
Sipas saj, kanceri i qafës së mitrës nuk do të jetë më një kërcënim serioz për jetën e grave dhe vajzave. Ministrja garantoi se "vaksinimi i femrave do të ulë ndjeshëm rrezikun nga kanceri që është përhapur së tepërmi".
"Për kancerin e gjirit, ashtu dhe për atë të qafës së mitrës, mbartim një potencial mjaft të mire, në kuptimin që nëse ne detektojmë kancerin në qafen e mitrës që në qelizat e para, ne do të mund ta luftojmë", ka deklaruar Godo.
Ndërkohë gjinekologët thonë se "kjo vaksinë është shumë e rëndësishme dhe duhet filluar që në moshën 10-vjeç". Që sot vaksina gjendet nëpër farmaci dhe injektohet në tre faza, në fillim me një distance një mujore e me tej pas 6 muajsh.
Vaksina ka një kosto prej 46 mijë lekësh dhe për kategorinë e parë, gra në vështirësi ekonomike është menduar ta kryejnë falas. Me pas do të diskutohet nëse kjo vaksine do të futet ose jo në listën e rimbursimeve.
Çdo vit në Shqipëri shtohen 100 raste të reja me kancer në qafen e mitrës, ndërkohe që në Europë në çdo 18 minuta vdes një femër nga kjo sëmundje. Pacientët e prekur janë të grupmoshave të ndryshme nga 20 deri në 50 vjeç.
Krijoni Kontakt