Teza mbi ilirishten? Hamp na gëzon
Në ditën e parë të konkursit për veprën më të mirë albanologjike u prezantua libri “Studime krahasuese për shqipen” i profesorit të Universitetit të Çikagos, Eric Pratt Hamp.
Yllka Lezo
Premte, 19 Dhjetor 2008 09:12:00
Albanologu amerikan Eric Hamp prezanton “Studime krahasuese për shqipen” në konkursin për veprën më të mirë albanologjike. Vepra mbron tezën se shqipja është pasardhëse e ilirishtes
Në ditën e parë të konkursit për veprën më të mirë albanologjike u prezantua libri “Studime krahasuese për shqipen” i profesorit të Universitetit të Çikagos, Eric Pratt Hamp.
Botimi i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës është në kategorinë e kërkimeve gjuhësore ku jo gjithmonë mund të presësh të papritura shkencore. Vepra në fjalë, dhe sidomos referati gojor që mbajti Hamp, u vlerësuan nën zë dhe jo pa entusiazëm dje në Hotel Tirana. Ai argumenton origjinën ilirishte të shqipes.
Duke pasur parasysh përcaktimet jo të sakta qëjanë bërë mbi pozicionin e shqipes deri më sot ai kërkoi që të njihen këto gabime. Ajo që i serviret lexuesit në këtë botim është një studim i detajuar i gjuhës tonë në rrafsh krahasimtar, që përfshin gramatikën, studimet dialektore, historike, marrëdhëniet e saj me gjuhët fqinje, etj.
Profesori 88-vjeçar i pranishëm në paraqitjen e librit e konsideron gjuhësinë si mbretëreshën e shkencave humane.
Eric Hamp ka nisur ta studiojë shqipen që në vitet ’50 të shekullit të kaluar. Cilësohet si njohës i mirë i të ashtuquajturave të folme skajore, si dialekti i arbëreshëve të Greqisë dhe Italisë, të zonave skajore gege në Maqedoni dhe Mal të Zi.
Studimet i marrëdhënive të gjuhës shqipe me gjuhët e Ballkanit, dhe sidomos i raporteve me gjuhën rumune të cilat kanë rëndësi të posaçme në studimet e tij.
Prof. Rexhep Ismajli, referuesi i veprës së Hamp-it në këtë konkurs dhe përkthyes i një pjese të “Studime krahasuese për shqipen”, shprehet që albanologu amerikan është në linjën e paraardhësve që mbështesin tezën e shqipes prej ilirishtes. Për rëndësinë që kanë deklaratat e djeshme të Hamp-it, vazhdim i koncepteve që mbron në veprën e mësipërme, gjuhëtari shqiptar nga Kosova i jep në këtë intervistë notën maksimale.
Ku bazohet Prof. Hamp-i për të provuar se gjuha shqipe është pasardhëse e ilirishtes?
Tezat e tij të botuara në shumë periodikë ndërkombëtarë pohojnë se gjuha shqipe është pasardhëse e ilirishtes. Kjo e fundit sipas Prof. Hamp-it ka pasur një lidhje të ngushtë me gjuhën romake. Ju e dëgjuat krahasimin e shembujve që ai solli për fjalë si thika në shqip dhe sika në latinisht, ngjashmëritë në kuadër të grupit veri indoevropiane të gjuhëve indoevropiane dhe në aspektin ballkanik.
Pastaj në faza më të vona në lidhje me ilirishten dhe me bllokun e gjuhëve të vjetra ilire ku hyn edhe mesapishtja. Ai përmend disa fjalë për shembull si sibina kur krahason sibina në latinishte me thupër të shqipes. Ka edhe ndonjë fjalë tjetër të ngjashme. Hamp është një etimolog i klasit të parë në botë dhe natyrisht që kjo na gëzon sepse shohim që etimologji të tilla që ndonjëherë mund të jenë përmendur në albanologji sot marrin edhe vlerësimin e tij.
Ju i quajtët risi për albanologjinë deklaratat e tij të sotme?
Pas vitit 1966 e më pas ai kishte një dilemë lidhur me ilirishten sepse në këto 40 vjet për ilirishten ka pasur një tendencë sipas të cilës ilirishtja qenkësh një emërtim që nuk shpreh një gjuhë tamam. Natyrisht që profesor Hapm-i ka kontribute të jashtëzakonshme në studimin e raporteve të shqipes me mesapishten dhe tani po e rikonfirmon gjithë këtë duke e lidhur me ilirishten. Një vit më parë, në një artikull të tij ai u shpreh i sigurt se shqipja dhe mesapishtja janë të lidhura mes tyre.
Ndryshimi është se mesapishtja ka ardhur më herët në gadishullin e Ballkanit. Kjo do të thotë se paraardhësja e shqipes është ilirishtja, dhe është ajo që i ka pasur lidhjet e drejtpërdrejta me mesapishten. Çështja është pak komplekse por është shumë e rëndësishme në zhvillimin e shkencave albanistike në raport me qëndrimet që janë mbajtur disa herë në diskutimet evropiane.
A mund të merren si të vërteta shkencore fjalët e prof. Eric Hamp-it?
Prof. Hamp nuk thotë çdo gjë, ai shpreh vetëm ato për të cilat është i sigurt. Është e vërtetë që etimologjinë për sibinat nuk e ka publikuar më parë, por për prejardhjen e gjuhës shqipe ka deklaruar dhe ka shkruar shumë artikuj dhe studime.
Në një të ardhme do të ketë një botim shkencor që do të përfshijë këto teza?
Ekzistojnë mjaftë botime në lidhje me këto teza. Edhe vetë zoti Hamp kashumë shkrime, disa prej tyre janë përkthyer në librin “Studime krahasuese për shqipen”, ndërsa disa të tjerë janë shpërndarë në revista shkencore shumë të rralla dhe ky është një handikap për albanologjinë, dmth fakti që bibliotekat tona nuk kanë mundësi që t’i sigurojnë.
Me cilët nga paraardhësit është më afër me pikëpamjet që shfaq?
Ka shumë. Ka një histori që daton që në shekullin e 18, nga Johan Tunman dhe pastaj në botën e sotme pas Çabejit kemi Vaclav Cimochoëski etj. Të gjithë ata që janë marrë me albanologjinë në një farë mënyre janë në këto rrjedha të të menduarit. Prof. Hamp-i ka këtë avantazh që depërton shumë më thellë në interpretimet para indoevropiane dhe të gjitha këto lidhje i bën bashkë
Nesër është votimi për veprën më të mirë albanologjike, ju çfarë note simbolike do t’i jepnit veprës?
Më lartën.
shekulli
Krijoni Kontakt