Regjisorin Ylli Pepo, nuk është e lehtë ta gjesh. Ndryshe nga të gjithë, ai nuk mban…celular! Mundëm t’i gjejmë vetëm numrin fiks të shtëpisë, por edhe aty ishte e pamundur të kapej. Më në fund e gjejmë dhe shuajmë, së pari, kuriozitetin për celularin:
Flet regjisori i telenovelës “Dhimbja e Dashurisë”, artisti i merituar, Ylli Pepo:
Skena erotike dhe rikthimi i serialit “Njerëz dhe Fate”
Regjisorin Ylli Pepo, nuk është e lehtë ta gjesh. Ndryshe nga të gjithë, ai nuk mban…celular! Mundëm t’i gjejmë vetëm numrin fiks të shtëpisë, por edhe aty ishte e pamundur të kapej. Më në fund e gjejmë dhe shuajmë, së pari, kuriozitetin për celularin:
“Unë celular nuk kam mbajtur asnjëherë. E kam refuzuar për faktin që më duket se është një ndërhyrje e ashpër në privatësinë e njeriut. Më duket që nuk ndihmon aq sa kujtojmë ne në komunikimin me njerëzit. Celulari ka vetëm 10 vjet që ka hyrë, edhe përpara 10 vjetëve ne komunikonim me njëri-tjetrin dhe, sigurisht, punët nuk mbeteshin pa bërë.
Them se celulari, më shumë do të më pengonte sesa do të më ndihmonte në marrëdhëniet e mia. Është e padurueshme të takosh një mik, një shok apo një shoqe dhe, ndërsa ti flet, dëgjon që bie vazhdimisht zilja. Çdo marrëdhënie merr fund, nëse futet në mes ajo zile që nuk resht së rëni...”,- thotë regjisori i dy prej telenovelave më të ndjekura nga publiku familjar shqiptar “Dhimbja e Dashurisë” dhe “Njerëz e Fate”.
Nëpër televizione transmetohen telenovela të ndryshme të huaja, madje kanë rezultuar të kenë publik të gjerë. Pse është kaq e vështirë për të pasur më shumë telenovela shqiptare?
Filmi në përgjithësi, por edhe telenovela, ka nevojë për mbështetje të madhe financiare. Bota, këtë lloj prodhimi e ka industrializuar, telenovelat prodhohen brenda një kohe të shkurtër, me një kosto të ulët dhe, po kështu, shiten me çmim të ulët. Çmimi pastaj ndikon vendimet e atyre që i blejnë këto telenovela dhe i transmetojnë, ndaj i shohim me shumicë nëpër TV.
Por, unë mendoj se telenovelat e huaja, nuk kanë të bëjnë aspak me problemet e përditshme tonat, me statusin shpirtëror të këtij populli. Ndërsa xhirimi i një telenovele shqiptare, i bazuar tërësisht në realitetin tonë, padyshim që ka gjithmonë një qasje shumë më të mirë sesa një telenovelë e huaj. Megjithatë, duke ditur këtë, prapë ka një disbalancim të madh.
Unë mendoj se kjo vjen edhe nga fakti se televizionet shqiptare, (që tani janë 56, me gjithë televizionet e rretheve) janë të prirur drejt një formati, që do ta quaja pa frikë, radio me figurë. Nuk është televizion ai që mbush programet e tij me debate pa fund, me emisione ku vetëm llafoset.
Kjo i takon radios, më shumë sesa televizionit, i cili bazohet mbi imazhin dhe jo mbi fjalën. Televizioneve tona imazhi, figura, u mungon shumë më tepër sesa fjala. Po bëhet modë debati dhe diskutimet pa fund; ndaj filmi televiziv, telenovela, seriali, janë lënë në harresë. Mendoj se, t’u japësh njerëzve në formë artistike ato probleme që ata kanë çdo ditë, nëpërmjet filmit, do të ishte shumë edukative, do të ishte shumë më tërheqëse dhe, në fund të fundit, shumë më dëfryese sesa ndjekja e muhabeteve të gjata pa fund, çdo mbrëmje në TV.
Sa kushton një telenovelë shqiptare, në kohë dhe lekë e kemi fjalën?
Filmi është një gjini që kërkon fonde të mëdha. Është një trupë e tërë, nuk janë më pak sesa 50 vetë, shpesh. Unë mund të them që, te “Dhimbja e dashurisë” janë më shumë se 30 aktorë, që do të thotë që janë, të paktën 6 teatro profesionistë të rretheve, të marrë së bashku. Duhen para për të mbajtur këta njerëz. Një telenovelë me 10 seri, me shifra konkrete, nuk mund ta bësh me më pak se 20 milionë lek të rinj.
Po “Dhimbja e Dashurisë”?
Është financuar nga RTSH-ja, nga lekët e taksapaguesve shqiptarë dhe janë dhënë rreth 18 milionë lekë. Sigurisht, janë fonde të pakta, por megjithatë, mund të arrihet të xhirohet, sepse sot është në temën e ditës edhe xhirimi me kosto të ulët i këtyre telenovelave.
Nëse do të ishte, fjala vjen, vetëm në disa dhoma dhe me pak aktorë, mund të kushtonte dhe më pak, por dëshira jonë për të dhënë një afresk të jetës shqiptare sot, nëpërmjet 10 serive të filmit, ka bërë që të mos xhirojmë vetëm në ambiente të mbyllura, por të kërkojmë që të shfaqim jetën në të gjitha dukuritë e saj. Edhe jashtë këtyre ambienteve, edhe në rrugë, edhe në sheshe, edhe në kafe, edhe në vila luksoze, kudo ku jetojnë njerëz.
Është xhiruar brenda tre muajve gjatë marsit, deri në fund të majit, është montuar, po ashtu, për 3 muaj dhe, gjithsej, janë dashur gjashtë muaj. Telenovela ka marrë një të tretën që kërkon një film artistik shqiptar të xhirohet.
Lekët janë arsyeja që u la përgjysmë telenovela e parë, “Njerëz dhe fate”?
Saktë. Nuk u siguruan dot lekët e nevojshëm për të mbështetur vazhdimin e serive, por tani kemi shpresë që do të xhirojmë 10 seri të reja, pasi dramaturgu, Ruzhdi Pulaha, i ka përgatitur ato dhe projekti është në zyrat e RTSH-së.
Do të jenë të njëjtët aktorë që luajtën në seritë e para të “Njerëz dhe fate”?
Telenovela do të nisë aty ku është lënë. Do të interpretojnë aktorët që ishin, por sigurisht do të ketë edhe aktorë të rinj. Gjithmonë, në xhirimet e filmave që unë bëj, mbështetem në një thënie të njohur të Vittorio de Sicës, një prej klasikëve të kinemasë italiane dhe asaj botërore, i cili thotë që: Nuk ka filma të mirë dhe filma të këqij, por ka filma të dobishëm dhe filma të padobishëm. Përpiqem gjithmonë që filmat e mi të jenë filma të dobishëm.
4. “Dhimbja e Dashurisë” do të vazhdojë?
Skenaristi Bashkim Kozeli, me të cilin kemi pasur një bashkëpunim shumë të mirë, është i gatshëm që t’i vazhdojë 10 seri të tjera.
Aq më tepër që, siç do ta shikoni dhe ju, në fund të serisë së 10, mbeten hapur disa linja, të cilat mund të vazhdojnë fare mirë në seri të reja.
Nga disa shikues, lexues të “Shekulli”-t, kemi dëgjuar që realiteti i pasqyruar në telenovelë është shumë i egër. Cili është mendimi juaj?
Unë do të thosha të kundërtën. Herë-herë, gjatë montimit të filmit, më duket sikur e kemi zbutur pak realitetin tonë. Unë mendoj se realiteti është edhe më i egër. Kemi qenë për të xhiruar në malet e veriut, në Alpe, në zonën e Thethit, në fshatra dhe kemi parë që atje jeta nuk është aspak aq e lehtë sa ajo e Bllokut këtu.
Dhe mendoj se dhe ajo është Shqipëri, është më shumë Shqipëri sesa Tirana, prandaj jeta akoma është e vrazhdë në Shqipëri, qoftë edhe në formimin e njerëzve, qoftë dhe sjelljet karshi njëri-tjetrit. Mjafton t’u përmend faktin që kudo ne dëgjojmë që flitet me zë të lartë, ngritja e zërit nuk tregon forcë arsyeje, por gjithmonë tregon një mungesë edukate, për mendimin tim.
Ka pasur një skenë në telenovelë, për të cilën kam dëgjuar të flitet shumë, ajo e një akti, raporti seksual. Mendoni se publiku familjar shqiptar është i përgatitur për skena të tilla?
Jo, publiku familjar shqiptar nuk është i përgatitur për skena të tilla. Natyrisht, kemi qenë shumë të vëmendshëm për t’iu shmangur skenave të tilla, të cilat janë prezente në jetën e përditshme sot. Janë prezente, aq më tepër që dimë që, këto marrëdhëniet intime, ngandonjëherë kanë edhe prapavijë interesash, në kuptimin që, vajza apo meshkuj përpiqen të joshin njëri-tjetrin për arsye të tjera dhe jo për arsye ndjenjash dhe për arsye dashurie.
Sigurisht, dhe kjo anë e karakterit të njerëzve, nuk kishte pse të mungonte në telenovelë. Drejtori ynë i fotografisë, Astrit Omeri, i cili është një nga operatorët më të mirë, është kujdesur që edhe ajo skenë të mos kishte teprime, por tani unë do t’i bindem gjykimit të publikut, sigurisht, veçanërisht atij familjar dhe them se edhe mund të shmangej ndonjë gjë, por në realitet është bërë maksimumi që ajo skenë mos ketë një përmbajtje të theksuar erotike, siç kanë shumë e shumë filma që jepen në kanalet televizive tona, por që janë të huaj, ndërsa për filmin shqiptar janë akoma tabu. Them se kjo tabu duhet thyer, siç janë thyer shumë tabu të tjera.
A ka skena të tjera të tilla gjatë serive të ardhshme?
Jo, ajo është e vetmja. Skena të tilla nuk ka më. Ajo ishte e lidhur, ishte në funksion të karakterit të një personazhi, personazhit të Zyrasë, e cila është një nga personazhet negativë të filmit, të interpretuar mjaft mirë nga Julia Ilirjani, dhe tani, në këto seritë që vijnë më pas, skena të tilla nuk ka, por marrëdhënie midis personazheve të natyrave të ndryshme, sigurisht që ka.
Çfarë ndodh në seritë e ardhshme. Mund të na zbuloni ndonjë sekret?
Derisa përmendët fjalën sekret, d.m.th., që ajo mbetet e fshehtë, mbetet sekret, kështu që, mendoj se mund të duroni edhe rreth një muaj, një muaj e gjysmë që t’i mësoni të gjithë të fshehtat e filmit. Më lejoni të mos i përgjigjem kësaj pyetjeje, pasi do të heq kureshtjen e mëtejshme të publikut.
Të gjithë personazheve u ndodhin gjëra të çuditshme dhe të papritura në film, nga seria në seri. Sepse unë jam dhe i parimit që, nuk ka gjë më të mërzitshme se të tregosh një film me fjalë. Filmi nuk tregohet, ai shikohet.
Mes personazheve të njohur, ka dhe shumë aktorë të rinj. Nga vijnë?
Mund të them që jam me fat që kam një kastë aktorësh shumë të mirë, jam i kënaqur për të gjithë, për secilin prej tyre. Kanë dhënë maksimumin dhe, mbi të gjitha, më pëlqen sepse u krijua një ansambël aktorësh të vjetër, të njohur dhe me aktorë që dalin për herë të parë në ekran. Ky është dhe një nga synimet tona, që, nëpërmjet telenovelave, të sjellim edhe talentet më të reja.
Pasi unë jam kundër një kaste të caktuar aktorësh, të cilët shtegtojnë nga filmi në film. Janë të njëjtët portrete, pavarësisht talentit të madh të tyre dhe lojës së shkëlqyer që bëjnë. Përveç këtyre, ka dhe shumë aktorë të tjerë, të cilët i sjellin dhe freski ekranit, sjellin një pasurim të mëtejshëm të karaktereve dhe të lojës interpretative në Shqipëri dhe, sigurisht janë dhe bazë për t’u bërë shtylla më tej të teatrit dhe të filmit shqiptar.
Në këtë kuptim, ashtu si tek telenovela e parë, “Njerëz dhe fate”, ku hynë, ku erdhën këto prurje, edhe këtu ka disa aktorë të rinj. Disa janë pëlqyer, disa nuk janë pëlqyer, por kjo ndodh gjithmonë në fillimet e një seriali. Ndërsa tani dëgjoj që të gjithë aktorët i pëlqejnë, është zgjedhur një kast i mirë. Kjo më kënaq dhe më bën të mendoj se kam gjetur rrugën më të drejtë për të përzier aktorë të njohur dhe të panjohur.
Mund të them që në film, shumë nga aktorët që kam unë, kanë arritur kulmet e tyre, ndër ta mund të përmend heroinën kryesore, Anila Bishën, e cila është një aktore me eksperiencë nëpër filma, por në rastin konkret, ajo sigurisht është në apogjeun e saj.
Po kështu, Kastriot Çaushi, Petrit Malaj, Dritan Boriçi, Genti Bejko, Ermela Teli, Llesh Nikolla, Marko Bitraku, Hajrie Rondo, pjesëmarrja e së cilës na nderoi në film dhe shumë të tjerë, dhe këta luajnë karshi aktoreve fare të reja, që s’kanë dalë kurrë në film, si: Eni Lila, Niada Saliasi, Jonida Vokshi, apo fëmijët e vegjël Doruntina Visha dhe Taulant Malaj.
Nga të gjitha skenat që keni bërë për telenovelën, cila ka qenë njëra nga më të lodhshmet, që ka dashur më shumë mund?
Ndër më të lodhshmet ka qenë skena e ndjekjes së kriminelëve nga policia. Këtu kishim një numër të pafund të forcave të rendit dhe të reneas, një masë të madhe njerëzish, të cilët duhet t’i organizonim dhe të xhironim. Kishim pak kohë në dispozicion, pak mundësi mjetesh, siç janë revolverët e të tjera dhe mund të them që, xhirimi i atij episodi na solli më pas edhe policinë e qytetit, sepse kujtuan që vërtet po ndodhte një tragjedi, po vriteshin njerëz, etj. Ky qe, njëkohësisht, dhe një nga episodet më interesante.
Krijoni Kontakt