I. Legjendat për stinët e motmotit
Rituali i Ditës së Verës
Ky ritual festohet gati në të gjitha fshatrat e trevës sonë. Dita e verës festohet gjashtë javë para festës së Shën-Gjergjit*.
Në popull thuhet: Gjatë ditës së verës s’duhet që të punohet assesi me gjilpërë, njëherit s’duhet të lëmë varur pijë*, sixhim apo diç të ngjashëm nëpër muret e dhomave apo të shtëpisë. Po të punosh me gjilpërë gjatë tërë vitit vend e pavend apo nëpër shtëpi, dhoma, dysheme, magje e tjerë, do të shfaqen gjarpërinjtë.
Zakonisht ditën e verës, vajzat beqare e festojnë në forma të ndryshme, p.sh. gjatë ditës së verës shëtisin nëpër lagjet e fshatit si dhe nëpër tërë farefisin. Më parë për këtë ditë kanë përgatit ushqie të llojllojshme si: gurubia, sitliash, zerde etj. Edhe sot e hasim këtë ritual, por në rastet e festave të të fejuarve, ku çojnë tesha për nder (v.i.) të ditës së verës.
Pra, ky ishte rituali i ditës së verës, që ende e hasim si dhe shumë rituale tjera në popull.
Rituali i tokës së kuqe
Ky ritual me karakter paganist thuajse aty-këtu ende mund të haset në fshatrat e trevës sonë. Rituali i tokës së kuqe manifestohet në këtë mënyrë: Disa ditë para festës së Shën-Gjergjit marrin tokë të kuqe që gjendet nëpër kodrina apo nëpër vreshta. Tretet një sasi e matur në ndonjë enë të veçantë, ku toka e kuqe lëshon ngjyrën e saj dhe me të e lyejmë pjesën e poshtme gati rreth e përqark shtëpisë me një lartësi gati gjysmë metre.
Besohet se kjo ngjyrë e tokës së kuqe mbron tërë shtëpinë prej: oreve, zanave, shpirtligave dhe atyre qofshinlarg, etj.
Legjenda e Fenerit
Gojëdhëna për fenerin ëshë edhe sot e kësaj dite e gjallë në tërë vendin tonë, konkretisht për fenerin do të rrëfejmë këtë gojëdhënë që vjen nga fshati Kamjan: që kur u lëshua rryma elektrike në fshat, ai si zakonisht në udhën që lidhet me fushat dhe atë të udhës së Marinit e cila udhë të shpie deri te xhadeja e Re. Feneri si zakonisht u shfaqej njerëzve apo bujqve që mbeteshin më vonë nëpër arat e tyre dhe atë në këtë formë: së pari dukuronte nga ndinjë* ferrë apo Kojri dhe mbante largësinë që ndonjë herë humbej apo papritmas shfaqej në ndonjë vend aty pari, por para se të shfaqej Feneri, ai i cili ishte në udhë duke u kthyer nga fushat me qerren me kalë, qoftë ai i ngarkuar me kullosë, barë, kashtë, groshë, misër apo diçka tjetër, na jep të kuptojmë se Feneri gjithnjë qenka shfaqur në kohët e punëve të bujqësisë apo të katër stinëve të vitit. Sot e sot e hasim shprehjen e gjallë “mos u vono se po të të zënë nata, të shoqëron Feneri - * mo zot të shfaqet si dele, cape etj.
Kuçedra
Kuçedra në mitologjinë shqiptare është një qenie me pamje rrënqethëse. Fytyra dhe* i gjithë trupi i saj janë të mbushura me qime të gjata. Kuçedra përfytyrohet si një grua e thinjur, trupmadhe, me gjoks të varur ose si një gjarpër shumë i madh me 7 gjer më 12 kokë, që nxjerr flakë nga goja. Besohet se kur afrohet Kuçedra, koha prishet dhe shtrëngata të mëdhaja shoqërojnë daljen e saj. Shtrëngatat e vogla shkaktohen nga fëmijët e Kuçedrës. Para* vitit të 12-të të jetës së saj, Kuçedra është një bollë. Ajo rritet në shpellat e maleve në një gjatësi të tillë, që mund të lëvizë e të rrotullohet me shumë mundim. Kur dëshiron të dalë nga strofka* e saj, ajo pret lëkurën dhe humb shumë gjak. Shpesh Kuçedrat ua shterojnë ujin njerëzve dhe kjo mungesë e ujit nuk merr fund, përderisa asaj t’i bëhet fli ndonjë njeri, të cilin ajo e gëlltitë të gjallë.
Kuçedrat mund të meten* vetëm me dragonjtë. Në kuptimin e figurshëm, Kuçedër do të thotë: grua zemërligë, që zihet me të gjithë e fut në sherr edhe të tjerët.
Gojëdhëna e Kepit të Shkallës në fshatin Gurgurnicë
Dikur të parët e këtij fshati për nevojat e bujqësisë, të blegtorisë apo thjesht thënë, për nevojat e jetës, në pjesën perëndimore e cila gjendet buzë daljes prej fshatit është Karpa e Madhe që e kanë thyer apo e kanë hapur udhështegun banorët e mëparshëm.
Sot udhështegun e tillë e shfrytëzojnë për nevojat e kullotave si dhe të ujit ku gjenden 5-6 puse kryekëput mu* si ato të parët e dikurshëm.
Kepi i Shkallës në popull quhet edhe si “Kodra e Shkallës” për shkak se forma e udhështegut ka pamjen e tillë të shkallëzuar dhe për këtë e quajnë: KEPI I SHKALLËS apo KODRA E SHKALLËS.
Legjenda për Muajin e Plakave
Legjenda për Muajin e Plakave apo Plaka që u shndërrua në gur është gojëdhëna e cila në popull haset e gjallë me këto fjalë:
“MARS O VLLA
M’JEP TRE DITË UHA
TA MBEJTI PLAKËN ME GJITHË XH’I KA”.
Pra, është legjenda e cila ende dëgjohet nga gojëdhëna e popullit të trevës sonë. Kjo legjendë është e gërshetuar me stinën e pranverës së hershme, apo me muajin mars*, që populli e quan: “Muaji i Plakave”, mirëpo e dëgjojmë edhe si: “Muaji kur Plaka doli në bjeshkë e u shndërrua në gur”.
Legjenda në popull rrëfehet me sa vijon: “Gjatë muajit mars plakat duhet që t’i marrim me të mirë, se ata, po të hidhërohen, mundin ta prishin motin. Prandaj, është e zakonshme që plakave, gjatë muajit mars t’u përmbushim dëshirat dhe kërkesat…”, që ndryshe në popull thuhet: “Plakave gjatë marsit t’u gatuani ëmbëlsira, dhe atë për çdo ditë t’u gatuani hallvë me rrush të thatë, se po të hidhërohen plakat, bën puna vaki që të fryjë fortunë e tmerrshme e shoqëruar me shi e borë e të gjithëve na bën shtëng e gur mu* si plaka që u bë gur në stanet e bjeshkëve të Sharrit”.
Rrëfimi i Plakës që u shndërrua në gur, në gojëdhënën e popullit rrëfehet nga kjo ngjarje kështu: “Dikur paska qenë një grua e Plakë, e cila paska dalë me gjithë familjen e vet, dhent, qentë dhe kafshët, tre ditë para ditës së pranverës në stanet e bjeshkëve të Sharrit. Mirëpo, koha e stinës së pranverës së hershme e tradhtoi Plakën. Tre ditë pas ditës së pranverës, në stanet e bjeshkëve të Sharrit, moti me të shpejtë u prish”. Thuhet se ato ditë paska fry erë e madhe me shi e borë, sa që tre ditë e tre netë rresht, fortuna s’ka pas të ndalur, bile-bile ulurima e fortunës është dëgjuar edhe në fushat e Pollogut. Pas tre ditësh e tre natësh, moti është qetësuar, por Plaka, familja, dhent, qent, kuajt, lopët dhe dhitë ishin ngrirë nga të ftohti, mu në hyrjen e staneve. Që prej asaj kohe janë shndërruar në gur, bile në atë vend sot gjendet një gur në formë të Plakës, ku sot e kësaj dite prej aty buron ujë, që besohet se janë lotët e Plakës, që u shndërrua në gur”.
Legjenda e muajit të zerzeles
Muaji i zerzeles është në kohën e verës së hershme apo gjashtë javë pas Shën-Gjergjit, por e quajnë edhe koha e kositjeve. Muaji i zerzeles zgjat dy javë e ndoshta pak tepër. Kjo është koha kur livadhet kositen, qofshin ato në fusha apo nëpër kodrina. Besohet se gjatë kësaj kohe kuçedrat dalin nga strofkat e tyre për t’u rrezitur. Mirëpo, me daljen e tyre si zakonisht prishet moti. Rrufeja kuçedrat i gjuan sa që i bën shkrum e hi. Gjatë kësaj kohe moti është i shoqëruar me shira të shpeshtë, saqë me bubullimën e motit të ligë dëgjohet edhe bubullima e madhe e liqenit të zi që edhe sot e sot gjendet në bjeshkët e Sharrit. Thuhet që gjatë muajit të zerzeles duhet të kujdesesh që të mos qëndrosh nëpër vende të çelta apo të hapura* siç janë: fushat, kodrinat, etj., por s’duhet të strehohemi ndër drunj se mundet mu aty të jetë strofka e kuçedrës saqë rrufeja të godasë e të djegë, të bën shkrum e hi me gjithë kuçedrën. Prandaj* gjithmonë duhet gjetur ndonjë strehim ndër drunjtë e thatë apo të qëndrosh ulur ose të rrihet shtrirë përdhé.
Rituali i Gurkanakecit
Ky ritual është i lidhur ngushtë me festën e Shën-Gjergjit që ka karakter pagan. Gurkanakeci është një gur i rëndomtë që ka forma të ndryshme që e hasim nëpër lëndina apo kodrina. Mirëpo, në këtë lloj guri hasim një shtresë që i ngjan lëmashkut nga i cili me topitje të pështymës krijohet kana që populli e quan Gurkanakeci.
Sot e kësaj dite një ritual të këtillë, thjesht pagan e hasim në trevën tonë. Dhe mu për këtë kësaj radhe do të flasim për legjendën e manifestimit të këtij rituali pagan me sa vijon: Një ditë para festës së Shën-Gjergjit, që në popull festohet si “Dita e luleve” apo “Dita e trafkave”, si në shumë fshatra, poashtu edhe në fshatrat Kamjan dhe Siniçan mblidhen vajza, djem, gra, burra dhe fëmijë, që zakonisht shoqërohen me daulle. Dalin në natyrë në vendin e quajtur “Gryka e rekës”. Atje luajnë valle, këndojnë, e kështu me radhë.
Gurkanakecin e përdorin vajzat dhe djemtë beqarë, dhe atë me të vetmin qëllim që gjatë vitit të kenë fat të mirë; vajzat duke i përlyer shuplakat e dorëve si dhe bishtalecat, ndërsa djemtë e përlyejnë vetëm gishtin e madh tregues, ngase Gurkanakeci kur thahet merr ngjyrë të kuqërremtë, që besohet se ngjyra e kuqe tërë vitin do t’i mbrojë nga shpirtligat apo “ato qofshinlarg”.
Ky është pra rituali i Gurkanakecit, që manifestohet edhe sot e kësaj dite në “Ditën e luleve”.
Krijoni Kontakt