"Maqedonia Veriore", emri më i diskutuar
Vazhdojnë negociatat Athinë-Shkup për zgjidhjen e krizës politike
Emri më i përafërt, që po diskutohet në bisedimet treshe mes Athinës-Shkupit dhe OKB-së, është "Maqedonia Veriore". Këtë e la të kuptohet, vetë i dërguari i Ban Ki Mun-it, Metju Nimiç. Gjatë ditës së djeshme, ndërmjetësuesi i OKB-së, Nimiç, vizitoi Shkupin, ku u takua me krerët zyrtarë të Maqedonisë. Emisari i OKB-së theksoi se "biseduam për disa mundësi për zgjidhjen e çështjes për emrin në procesin ekzistues. Edhe Presidenti, por edhe Kryeministri treguan një qëndrim të vetëm, lidhur me çështjen", deklaroi mediatori Nimiç, pas takimit në Qeveri me
Kryeministrin Nikolla Gruevski. Në pyetjen e gazetarëve, nëse emri "Maqedonia Veriore" në disa variante është propozimi për të cilin bisedohet, Nimiç nuk dha përgjigje konkrete. "Nuk është fshehtësi se po kërkojmë formulim që do t‘i kënaqë të dy palët. Ky emër është përmendur në shtyp këto ditë. Nuk do të përgënjeshtroj e as konfirmoj. Shumë emra janë përmendur në vitet e kaluara dhe për këtë arsye nuk do të flasë për emër konkret", deklaroi Nimiç. Thotë se nuk ka afat të caktuar për zgjidhjen e çështjes, por kjo periudhë është shumë e rëndësishme dhe për këtë shkak nuk duhet të lëshohet mundësia për përparim. Nimiç, pas takimeve me Presidentin Branko Cërvenkovski dhe me Kryeministrin Nikolla Gruevski, edhe një herë konfirmoi se bisedimet janë përqendruar në kontestin për emrin, edhe pse ekzistojnë edhe çështje tjera. Ndërmjetësuesi i OKB-së prej Shkupit udhëton për në Selanik në takim me negociatorin grek për emrin, Adamantios Vasilasik.
Polemikat
Athina dhe Shkupi janë përplasur sërish për çështjen e emrit. Ditën e djeshme, shefja e diplomacisë greke, Dora Bakojanis dhe Kryeministri maqedonas, Nikolla Gruevski, kanë replikuar në distancë, duke shuar shpresat për një zgjidhje të shpejtë të krizës. Gruevski, duke akuzuar Athinën, theksoi se, "nëse Greqia pengon integrimet euroatlantike, atëherë qeveria do të përqendrohet në zhvillimin e fuqishëm dhe serioz të shtetit.
Kryeministri deklaroi se të gjitha indikacionet tregojnë se Greqia nuk dëshiron të zgjidhet problemi për emrin, siç tha "të paktën jo deri nga gjysma e vitit të ardhshëm, deri në zgjedhjet për Parlamentin Evropian". "Greqia do të bëjë ç‘mos që ky proces në shtator të mos përfundojë me sukses dhe fajtori të jetë Republika e Maqedonisë. Në qarqet diplomatike është shumë e rëndësishme se kush është fajtori, edhe pse kjo nuk është vendimtare", tha Gruevski. Ndërkaq, ministrja e Jashtme e Greqisë, Dora Bakojanis, ka deklaruar se ndërmjetësi Metju Nimiç ka mandat për të negociuar vetëm çështjen e emrit kushtetues të Maqedonisë, shkruan e përditshmja greke "Naftemboriki". Arsyeja e kësaj deklaratë të shefes së diplomacisë greke, është letra e Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Mun, dërguar Kryeministrit të Maqedonisë, Nikolla Gruevski. Gruevski nga fundi i muajit të kaluar i dërgoi letër Ban Ki Munit, me të cilën kërkon, përveç emrit, në rend dite të kthehen edhe çështje tjera të lidhura me emrin. Ban Ki Mun në përgjigjen e tij, theksoi se së pari, duhet zgjidhur kontesti për emrin dhe pastaj, sipas tij, do ta hapej rruga për zgjidhjen e çështjeve të tjera që kanë të bëjnë me emrin.
Shqip
Krijoni Kontakt