Close
Faqja 2 prej 20 FillimFillim 123412 ... FunditFundit
Duke shfaqur rezultatin 21 deri 40 prej 396
  1. #21
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    19-06-2008
    Postime
    3,176
    6) NGA SHENJAT E PARA TË ERRËSIRËS SHPIRTËRORE DERI TEK TUNDIMET E MËDHA.

    Ajo që u tha deri më tash, lidhet ngushtë dhe e përligj natyrshëm errësirën dhe vuajtjen shpirtërore të Nënës Tereze, “natën e errët”, siç e cilësoi dukurinë Shën Gjoni i Kryqit.

    Sipas të dhënave që dalin nga letrat e Nënës Tereze, të cila Van Exem-i i quajti “Letra të ndërgjegjes”, errësirën shpirtërore ajo e ndjeu që nga viti 1937.

    Në një lëtër dërguar jezuitit Franjo Jambrekoviq, ish famullitari i saj në Kishën katolike të Shkupit, Gonxhja pohon se do të jetë e Zotit për amshim dhe

    “Mos mendo se jeta ime shpirtërore është e mbuluar më trendafila. Kjo është një lule që e gjej rrallë në rrugëtimin tim. Përkundrazi, shpesh më shoqëron errësira”.

    Nëna e dinte se vuajtja është pjesa e jetës së njerëzve, po vuajtja për dashurinë e Krishtit është dhuratë, e jo vuajtje:

    “Vuajtja kurrë nuk do të zhduket krejtësisht nga jeta jonë. Pra, mos kini frikë. Vuajtja është një përçues i dashurisë nëse e shfrytëzoni dhe, para së gjithash, ia kushtoni paqes së botës. Vuajtja në vetvete është e padobishme, po vuajtja e mbështetur në dashurinë e Krishtit është dhuratë e mrekullueshme dhe shenjë e dashurisë. Vuajtja e Krishtit është ngritur në dhuratë, në dhuratën më të madhe të dashurisë, për arsye se nëpërmjet atyre mundimeve janë shlyer fajet tona”.
    Dhe “A ekziston një kënaqësi më e madhe sesa të vuash për dashurinë Tënde (të Krishtit –v.ime)?...Sa më intime të jetë vuajtja, më pak bëhet e dukshme në sytë e njerëzve, aq më shumë të gëzon Ty, Zoti im”.

    Vuajtja e Nënës Tereze nuk është e natyrës fizike, e vështirësive të jetës së përditshme të saj, po shpirtërore, që shprehet me errësirë, me dhembje dhe me ftohtësi në shpirt, gjë e cila kushtëzoi që në raste të ndryshme nuk e përjetoi dhe nuk e ndieu, as ngrohtësinë e lutjes, as praninë e të dashurisë së tij.

    Në letrën e 3 shtatorit të vitit 1959, shkruar Krishtit, Nëna e shpreh këtë gjendje në mënyrë sa të qartë aq të thellë, duke i bërë të ditur të Dashurit të saj, Krishtit, për errësirën shpirtërore, për dyshimin e besimit në Hyjin e në Të, për tundimin e vijueshëm, po edhe për dashurinë e zjartë e të paskajshme që ndiente për Të e për njerëzit, sidomos për të varfërit:

    “Krishti im,

    Qysh të vogël më ke thirrur dhe më ke mbajtur si tënden, e meqë të dy jemi nisur rrugës së njejtë,tash Jezus,unë shkoj në drejtim te gabuar .

    Thonë se shpirtrat në ferr vuajnë dënimin e përjetshëm për shkak të heqjes dore nga Zoti.
    Gjithë atë vuajtje do ta përballonin më dëshirë sikur të kishin vetëm pak shpresë se nuk kanë humbur Zotin
    Në shpirtin tim unë ndjej pikërisht atë dhimbje të tmerrshme të humbjes, që Zoti nuk më do, që Zoti nuk është Zot, që Zoti njëmend nuk ekziston (Jezus, të lust ë m’I falësh nëmët (blasfemitë) e mia, për arsye se më është thënë të shkruaj gjithçka).
    Kjo errësirë më rrethon nga të gjitha anët. Nuk ja dal ta latësoj shpirtin tim. E kam fjalës për dashurinë e shpirtrave, për dashurinë e përmallshme ndaj Zotit.
    Nga buzët e mia rrjedhin fjalë e unë gjakoj t’u besoj atyure me dëshirë të thëllë e të pamësiyshtë.
    Po, për çfarë po lodhem? Nëse nuk ekziston Zoti, nuk mund të ketë shpirt, nëse s’ka shpirt, atëherë edhe Ti, o Jezus, nuk je I vërtetë. Qielli…çfarë zbrazëtirë.
    As edhe një mendim I vetëm për qiellin nuk më hyn në mendje, për arsye se s’ka shpresë.
    Kam frikë t’I shkruaj të gjitha gjërat e tmerrshme që ma përshkojnë shpirtin.
    Duhet të të fyejnë fjalët.

    Në zemrën time s,ka as besim, as dashuri, as shpresë, ka kaq shumë dhembje, dhembje të dëshirës, dhembje e të qënit e padëshiruar.
    Unë e dua Zotin më gjithë fuqinë e shpirtit tim, mirëpo midis nesh është një ndarje e tmerrshme.
    Më nuk lutem: I shqiptoj fjalët e lutjeve të përbashkëta me motra dhe bëj gjithçka që është e mundur të nxjerr nga çdo fjalë ëmbëlsimin që duhet të më jap, po lutje ime e njësimit nuk ekziston më.
    Amë nuk lutem shpirti im nuk është e njëjtësuar me Ty, edhe pse kur jam vetëm nëpër rrugë flas me orë të tëra me Ty, për gjakimin tim për Ty.
    Sa intime janë ato fjalë, po në të njëjtën kohë janë kaq të zbrazëta, për arsye se nuk më afrojnë tek Ti”.

    Torrkerry

  2. #22
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    19-06-2008
    Postime
    3,176
    6) NGA SHENJAT E PARA TË ERRËSIRËS SHPIRTËRORE DERI TEK TUNDIMET E MËDHA (vazhdim).

    Më 3 shtator 1959 Nëna i shkruan dhe atit Picachy për errësirën dhe vuajtjen shpirtërore të madhe:

    “Ju më keni thënë t’i shkruaj. Njëmend nuk ia dal të shpreh asgjë. Nuk e di pse më ndodh kjo. Dua të flas, po nuk i gjej fjalët të shpreh dhembjen time. Mos u mashtro nga unë, më lë vetëm. Zoti e don nga unë këtë ‘vetmi’. Lutu për mua. Përkundër të gjithave, unë e dua Zotin jo për atë që ai më jep, po për atë që Ai merr nga unë. Ai ka asgjësuar çdo gjë në mua”.

    Edhe kryeipeshkvit të Kalkutës, Perier, Nëna i shkruan:

    “U buzëqesh përherë të gjithëve…Ah, sikur ta dinit se çfarë zbrazëtirë dhe palumturi fsheh buzëqeshja ime… O Hyj, nëse vuajtjet e mia e shuajnë etjen Tënde, ja ku jam e gatshme. Do t’i buzëqesh fytyrës sate të fshehur deri në fund të fundit të jetës sime”.

    Më 16 tetor të vitit 1961, nëna i shkruan atit Neuner, duke i bërë të ditur për gjendjen e rënde shpirtërore të saj, po edhe për kënaqësinë që e dashuron Zotin nëpërmjet motrave që i udhëheq:

    “Kur i udhëheq motrat e mia që t’i afrohen sa me shumë Jezusit, kur i mësoj ato ta duan Atë me dashurinë e tyre të thellë, të devotshme e personale, dëshiroj aq shumë të jem e aftë ta bëj të njejtën gjë ( si ato). I shoh motrat duke dashur Zotin pikërisht para syve të mi, duke iu afruar aq shumë Atij, dukë u bërë ditë për ditë aq të ngjashme me Të, e unë, o Atë, jam krejtësisht vetëm, e zbrazët, e përjashtuar, pikërisht e padëshiruar. Megjithatë, me gjithë sinqeritetin e zemrës sime, jam e lumtur që i shoh duke dashur, i shoh motrat të bëhen si Ai. Jam e lumtur ta dua Atë nëpërmjet tyre (…) Besnikërisht i jam përmbajtur përcaktimit tim në ushtrimet shpirtërore. Sa më e madhe të jetë vuajtja, sa më e dendur të jetë errësira, aq më ëmbël do t’i buzëqesh Zotit”.

    Në një letër tjetër (më 15 janar 1963), Nëna përsëri i shkruan atit Neuner:

    “Zoti është duke e bërë lojën e tij, unë i jap atë që ai do. Duket se Ai nuk do që unë të kem ngushëllimin njerëzor, që del nga ajo që i flas. Jam e lumtur për çdo gjë që e bën Atë më të lumtur. Pranoj çdo gjë që ai më thotë”.

    Pak ditë më vonë (më 23 tetor 1961) Nëna i bën të ditur atit Neuner se kishte filluar të mësohej me errësirën dhe me vuajtje për arsye se ato ishin dhunti i vetë Hyjit, prandaj nuk ishte e vetmuar:

    “Jo, atë, nuk jam vetëm: e kam errësirën e Tij, e kam dhembjen e Tij, e kam këtë dëshirë tmerrësisht të zjarrtë për Të, ta dua, ndërsa unë për Të nuk jam e dashur. E di se me Krishtin jam njësuar pandanshëm, për arsye se, sipas vullnetit tim, mendja ime është e pikëzuar (fiksuar) vetëm për Të e në Të”.

    Torrkerry

  3. #23
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    19-06-2008
    Postime
    3,176
    6).NGA SHENJAT E PARA TË ERRËSIRËS SHPIRTËRORE DERI TEK TUNDIMET E MËDHA (vazhdim).


    Nga përvoja e Nënës Tereze mund të kuptojmë në një mënyrë të re, çfarë është shenjtëria. Për këtë këto fjalë që lexojmë këtu, janë shumë të rëndësishme për ata që e marrin seriozisht ekzistimin e tyre.




    Dy vjet më vonë (para 8 janarit të 1965-shit) Nëna i shkruan përsëri atit Neuner, duke i përmenduur përsëri errësirën, vuajtjen, vetminë e jashtëzakonshme dhe dhimbjen që përjetonte për shkak se e ndiente mungesën e Zotit.
    Kjo gjendje paraqite një ferr të vërtetë për të.
    Megjithatë, kishte një ngushëllim të madh: gjitha ajo ishte vepër e Krishtit dhe ajo e pranonte si të tillë:

    “Për sa më përket mua, çka mund t’ju them?
    S’kam asgjë, meqenëse nuk e kam Atë, që zemra ime dhe shpirti im digjen ta kenë.
    Vetmia është shumë e madhe. Qoftë brenda, qoftë jashtë, nuk e gjej asnjërin që t’i drejtohem.
    Më ka hequr Zoti jo vetëm ndihmën shpirtërore, por edhe atë njerëzore.
    Nuk mund të flas me askënd, e nëse flas, asgjë nuk hyn në shpirtin tim.
    Dëshiroja shumë të flisja me ju në Bombay, megjithëse as që jam përpjekur që të takohemi.
    Në qoftë se ekziston ferri, duhet të jetë ky.
    Sa e dhimbshme është të jetosh pa Zot. Pa lutje, pa besim, pa dashuri. E vetmja gjë që ende mbetet është bindja që vepra është e Tij, që motrat dhe vëllezërit janë të Tij”.

    Në një takim në Romë (më 15 tetor 1976) Nëna ia beson atit Le Joly atë që i ndodhte në shpirt:

    “Janë disa çaste kur ndihem si guaskë e zbrazët, e zhveshur (e privuar) nga çdo përbërës brenda meje”.

    Më 17 shkurt 1978 Nëna i shkruan atit Van der Peet se edhe më errësirë dhe vuajtje ishte e Krishtit, madje ishte e gatshme të pranojë që Krishti ta bëjë copa-copa dhe përsëri, edhe si e tillë, do të jetë e tij:

    “Jam duke u kthyer në Kalkutë për ushtrime shpirtërore prej tetë ditesh, që fillojnë më 19 në mbrëmje, kështu do të kem mundësi që disa ditë t’i kaloj vetëm më Krishtin, pra ta ndaj gëzimin më të.
    Jam në dispozicionin e tij.
    Mund të bëjë me mua atë që dëshiron, pa më pyetur fare. Dëshiroj të jem vetëm vogëlushja e tij, nëse ai dëshiron, ndryshe do të jem e lumtur që unë të jem asgjë e Ai të jetrë gjithçka”.

    Ndërsa më 22 shtator 1979:

    “Për sa i përket heshtjes dhe zbrazëtirës, ato janë aq të Mëdha sa unë shikoj dhe nuk shoh, dëgjoj e nuk ndiej.
    Gjithçka lëviz, por nuk flet. Jam e pafuqishme ose rrezikshme.
    Dëshiroj të lutesh për mua derisa që t’i ketë duart e lira, e nëse Ai vendos të më bëjë copë e grimcë, çdo pjesë, edhe pse e vogël, do të jem vetëm e Tij”
    Në një letër të vitit 1985, dërguar jezuitit Albert Huart-it, Nëna shkruan një gjë të qenësishme: çdo gjë që bën për të tjerët i shkakton kënaqësi dhe përshkohet nga drita e Hyjit, ndërsa në brendinë e shpirtit të saj vazhdon errësira:

    “Atë, e marr me mend se kur e hap gojën t’u flas motrave dhe njerëzve për Zotin dhe për veprën e tij, kjo u sjell atyre dritë, hare e guxim. Mirëpo, unë nuk ndjej asgjë. Brenda është krejtësisht errët dhe ndjej se jam e shkëputur krejtësisht nga Zoti”.

    Në mendimet e përmendura të Nënës Tereze, qartësohen dy gjëra të qenësishme:
    a) Prania e vijueshme e errësirës dhe e vuajtjes, që shkojnë e marrim përmasë gjithnjë e më të ndjeshme, dhe
    b) Besimi edhe më i fortë në dashurinë e Hyjit e në dritën hyjnore, që nënkupton dashurinë për njeriun dhe flijimin për të.


    Torrkerry

  4. #24
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    19-06-2008
    Postime
    3,176
    7) ERRËSIRA, DHURATË E HYJIT DHE PËRLIGJE E PËRMASËS HYJNORE.


    Errësira dhe vuajtja shpirtërore e Nënës Tereze janë dukuri thellësisht të lidhura me besimin ndaj Hyjit dha ndaj njeriut.
    Në historinë dymijëvjeçare të krishterimit janë shënuar shembuj të shumtë që e përligjin këtë gjë, po jo dhe për një kohë kaq të gjatë e për një vijimësi dhe intensitet të tillë.

    Çeshtja kryesore, që ia shkaktoi errësirën dhe vuajtjen shpirtërore Nënës Tereze, lidhet me dyshimin se Hyji e kishte harruar për arsye që nuk e ndiente ngrohtësinë dhe dashurinë e Tij si më parë.
    Ky dyshim mbështetet në përshtipjen se ndoshta nuk bënte mjaftueshëm për Hyjin, se, ndoshta, nuk vepronte sipas dashurisë dhe dritës së Tij, ashtu si donte Ai.

    Meqenëse Nëna Tereze, qysh në moshën e re, kishte vendosur t’i dhurojë Hyjit krijues gjithçka të qenies dhe të dashurisë së saj, prite që Ai t’i afrohej gjithnjë e më shumë dhe, në çdo veprim, ta ndiente vijimisht ngrohtësinë dhe praninë e Tij.
    Në vend që ta përjetonte këtë, siç e përjetonte më parë, Nëna ndihet e vetmuar, e braktisur dhe dyshimi ia brente zemrën dhe mendjen.

    Sipas Shën Gjonit të Kryqit në Besëlidhjen e Vjetër janë një varg shembujsh të errësirës dhe të vuajtjes shpirtërore, si mund të dëshmohet me Jereminë, Jobin, Davidin etj.
    Pa qëllim që të zgjatem rreth kësaj dukurie, po sjell vetëm një shembul nga Psalmi 13 (12), ku pandërmjetësisht bëhet fjalë për errësirën dhe vuajtjen.
    Deri kur, o Zot, ti do të më harrosh?
    Deri kur fytyrën nga unë do ta fshehësh?
    Deri kur dhembjen në shpirt do ta mbaj:
    Me zemër të kthyer do të jem ditë e natë?

    Duke folur për “natën e ërrët të zjarrit të dashurisë” Shën Gjoni e Kryqit thekson se errësira është proces i pastrimit dhe i njëtësimit me Hyjin:

    Shpirti që përjeton këtë gjendje të pastrimit është i vetëdijshëm se e do Zotin. Është i gatshëm të japë jetën edhe njëmijë herë për të: megjithatë, jo vetëm nuk gjen në këtë një ngushëllim (prehje), po ngarkohet me një peshë edhe më të madhe. Ai personi e do shumë Zotin pa u marrë me asgjë tjetër pos me të, po ndjen aq shumë mjerim sa nuk mund të besojë se Zoti e do për arsye se s’ka motiv as nuk do të ketë që ta bëjë (ta dojë)…”.

    Kjo gjendje, që në qenësi shërben për “njësimin hyjnor”, ndodh për arsye se shpirti pastrohet duke u “përshkuar nga drita hyjnore”, që “nuk i ndodh asnjërtit në mënyrë të njëjtë”.
    Pra errësira, sipas Shën Gjonit të Kryqit, ndodh për ta ndiçuar dhe për ta ushqyer shpirtin me dritën hyjnore:

    “…Kjo natë, nëse prodhon errësirë në shpirt, kjo ngjet vetëm për të ndiçuar atë (shpirtin): nëse e përulëson dhe e privon nga çdo e mirë, e bën vetëm për ta ngritur; nëse e zhvesh nga çdo pasuri dhe marrëdhënie njerëzore, e bën vetëm për ta përgatitur hyjnisht që t’i përjetojë dhe t’i shijojë gjërat mbinatyrore dhe natyrore në lirinë e përsosur të shpirtit”.

    Torrkerry

  5. #25
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    19-06-2008
    Postime
    3,176
    7) ERRËSIRA, DHURATË E HYJIT DHE PËRLIGJE E PËRMASËS HYJNORE (vazhdim).

    Mendoj se gjendja e tillë e shpirtit ngjet, para së gjithash për shkak të ballafaqimit të dy botëve: asaj konkrete dhe asaj hyjnore.
    Në të vërtetë, në “natën e errët” (sipas shën Gjonit të Kryqit) shpirti lirohet nga ndjenjësimi i zakonshëm dhe normal dhe “mbushet” me cilësi që deri në atë çast kanë qenë të panjohura, të huaja për të.
    Duke u gjetur në gjendje të tillë të këmbimit, ndërrimit – dhunti e hirit të Hyjit – shpirti i vihet në dyshim të madh për shkak të frikës se e ka humbur Hyjin, ngrohtësinë dhe dashurinë e tij.
    Nëna Tereze më 1962 pyete: “Pse Ai (Krishti) m’i jep të gjitha, pas vetvetes?”.

    Gjendja e këtillë shpirtërore, natyrisht u ndodh njerëzve që i përkushtohen më gjithë shpirt dashurisë së Hyjit, që lutjen e kanë pjesë të qenësishme të jetës e të veprimit dhe që synojnë që dashurinë hyjnore ta bartin e ta mbjellin në shpirtrat e njerëzve.
    Në të vërtetë, personat që lidhen ngushtë më Hyjin dhe me dashurinë e tij e përjetojnë këtë ndërrim shpirtëror dhe pikërisht ky ndërrim ua shkakton dyshimin, që kur të analizohet në thellësi, del si i zakonshëm.

    Dukurinë e errësirës dhe e vuajtjes shpirtërore e përjetoj dhe shën Augustini. Edhe pse ishte bindur se “e vetmja gjë, për të cilën unë nuk dyshoj në vetëdijen time, Jezu Krisht, është që të dua Ty. Fjala jote më ka prekur në shpirt dhe unë të kam dashur. Por edhe qielli dhe toka, si edhe gjithçka që ato përmbajnë, më thonë të të dua, dhe nuk pushojnë së thëni çdo njeriu një gjë të tillë, që të mos ketë shfajësim për asnjë njeri” theksonte se përkundër shtypjes që i bëntë errësira dhe vuajtja, e kishte ruajtur të gjallë dashurinë për Hyjin dhe dritën e tij:

    “O e vërtetë, dritë e shpirtit tim, ti mos lejo që të më flasë errësira ime! Si uji kam kulluar deri këtu poshtë dhe errësira më mbulon. Por edhe nga këtu unë të kam dashur. Unë bridhja sa andej – këndej dhe u kujtova për ty.
    Dëgjova zërin tënd prapa kurrizit tim që më thërriste nga pas: mezi e dëgjova në zhurmën e madhe të diskutimeve pafund. Ja ku më ke tani, duke u kthyer i përvëluar, e i etur drejt burimit tënd.
    Askush të mos më zërë rrugën, unë dua të pi e të jetoj.
    Nuk dua të jem më unë jeta ime: kam jetuar keq me jetën time dhe për veten time kam qenë i vdekur; te ti rijetoj!”.

    Gjakimi kryesor i Shën Augustinit, siç përligjet dhe me çdo veprim të Nënës Tereze, ishte bashkimi me Hyjin; sa më shumë që Hyji do të këtë vend brenda tij, jeta e tij do të jetë më e pasur dhe më e vërtetë, jeta e vet Zotit në të:

    “Kur të mund të bashkohem me ty në të gjithë qenien time, asgjë nuk do të jetë për mua vuajtje dhe mundim, gjitha jeta ime do të jetë e gjallë dhe e mbushur plot me Ty. Ndërsa tani që ende nuk jam i mbushur plot me Ty, jam pëshë ndaj vetes sime, sepse atë që mbushet me Ty, ti e ngre lart dhe e lehtëson”.

    Dhe Shën Augustini gjithmonë në “Rrëfimet” shkruan edhe:

    “Përveç kësaj, tani që vajtimi im dëshmon bezdinë që ndiej për veten time, je ti drita dhe kufiri i dëshirës, i kënaqësisë, i dashurisë, derisa të më bësh të skuqem me veten time, të iki nga vetvetja për të të përqafuar Ty, për të mos e dashur kenaqësinë as për mua, as për Ty, veç atë që unë kam nga Ti. Unë jam i gjithi përpara teje, Jjezu Krisht, sido që të jem”.
    Pra vetëm Hyji me hirin e tij mund t’i ndezë dritën dhe mund t’ia zvogëlojë errësirën dhe vuajtjen shpirtërore, askush tjetër:

    “Shiko, Jezu Krisht, se nuk gënjej përpara teje: shpirti im është si fjala ime. Do ta ndezësh ti bishtukun tim, Perëndia ime, Jezu Krisht, dhe do të bësh pak dritë në errësirën time”.

    Dhe në një vend tjetër ai shkruan: “Ti je mjeku, ndërsa unë i sëmuri; ti ke mëshirën, unë mjerimin. A nuk është jeta njerëzore mbi këtë tokë një provë?”.

    Torrkerry.

  6. #26
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    19-06-2008
    Postime
    3,176
    8) 7) ERRËSIRA, DHURATË E HYJIT DHE PËRLIGJE E PËRMASËS HYJNORE (vazhdim).

    Kjo përligjet dhe nga Tereza e Krishtit Fëmijë, e dashuruar në Zotin, e cila në ditarin e saj (lexo: në letrën shkruar eprores së saj) shkruan midis të tjerash:

    “Nënë e dashur, mbase ke fituar përshtypjen se po e teproj me dëshminë time. Në të vërtetë, të gjykosh për ndjenjat e mia në bazë të poezive të shkurtra që i përftova gjatë këtij vit, do t’iu duhet një shpirt plot e përplot ngushëllim, për të cilin veli i besimit është, të thuash, i shqyer…, mirëpo, nuk është më për mua një vel, po një mur që mberrin deri në qiell dhe e pengon pamjen e kupës së qiellit me yje…
    Kur e vë në peshojë lumturinë e qiellit, pronë e përhershme e Zotit, nuk provoj asnjë kënaqësi, për arsye se thjeshtë llogaris atë që duhet ta besoj.
    Është e vërtetë, herë mbas herë një rreze e vogël e diellit e ndriçon errësirën time, atëherë, për një cast, pushon prova, po në vijim, kujtimi për atë rreze, në vend që të më shkaktojë gëzim, e bën errësirën time edhe më të madhe”

    Torrkerry

  7. #27
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    19-06-2008
    Postime
    3,176
    7) ERRËSIRA, DHURATË E HYJIT DHE PËRLIGJE E PËRMASËS HYJNORE (vazhdim).

    Edhe ati Pio, që u shpall më vonë shenjt, e përjetoi dukurinë e errësirës dhe e vuajtjes shpirtërore, që u shpreh përmes pesë plagëve, në duart, në dy këmbët dhe në gjoks.
    Në tekstin e lutjeve dhe të letrave të lëna në dorëshkrim, që u botua mbas ndërrimit të jetës së tij, theksohet errësira shpirtërore dhe dyshimi se mos Hyji e kishte braktisur dhe, si rrjedhojë e kësaj, vuante përtej masës.
    Përkimet e mendimeve të tij të thëna në tekstet e lutjeve dhe të letrave të lëna në dorëshkrim, me mendimet e Nënës Tereze të shfaqura në letrat që u botuan në vëllimin e përmendur të atit Brian, janë të shumta e të mëdha, ndonjëherë thuajse të njëjta. Ati Pio shkruan:

    “Zoti im, kam humbur
    dhe të kam humbur!
    A thua do të të rigjej?
    Ndoshta të kam humbur
    për gjithmonë?
    Më ke dënuar
    të jetoj për amshim larg fytyrës sate?”.

    Dhe akoma:

    “Ndjehem se po vdes, Zoti im,
    e ju e shihni sesi shuhet kjo krijesë e dobët
    që e tëra shkrihet për ju,
    ndërsa ju rrini indifferent
    të ju thërras tiran, i ashpër?
    Ahme! Ç’jam duke thënë!...
    Më fal, o Zot, dashuria ime!
    Jam jashtë vetvetes
    dhe nuk di se çfarë them.
    Ju më keni bërë,
    të padurim,
    ju më keni pushtuar,
    ju m’i keni djegur të gjitha të brendshmet,
    ju më keni futur në brendësinë time
    një lumë të zjarrtë”

    Edhe në letrat dërguar drejtuesve shpirtërorë ati Pio vë në dukje vuajtjen shpirtërore (dhe fizike nga plagët). Kështu në letrën e 5 shtatorit të vitit 1918, nisur atit Benedetto, thotë:

    “Ndihem i mbushur nga një oqean i zjarrtë”, ndërsa një muaj e gjysmë më vonë i bën të ditur për gjendjen tepër të rëndë shpirtërore dhe për mënyrën sesi kishte ndodhur me pesë plagët që i ishin shfaqur pa pritur e pakujtuar: “ Çka t’ju them rreth asaj që më pyetni si ka ndodhur kryqëzimi im? Zoti im, çfarë rrëmuje dhe çfarë përulje (poshtrimi) provoj për atë që Ti ke treguar në këtë krijesë tënde meskine”.
    Po përmend të dhëna se edhe Biri i njeriut, Jezu Krishti, aq sa shenjëzon shpëtimtarin për njeriun, aq edhe vuajtësin ( Mk 10,45). Pra, Krishti është Zoti që vuan (Is 53), Zoti i vuajtjes, flijuesi i vërtetë. Krishti, bir i njeriut, lindi e jetoi në vuajtje, si njerëzit e tjerë, pikërisht ashtu siç theksonte Goethe (mbështetur tek Plotini) : “Syri s’do të duhet të shihte nëse s’do kishte në vete natyrën e diellit”, “ose siç vë në dukje papa Benedikti XVI: “ Çdo proces i njohjes në një farë mënyre përmban përherë një proces të asimilimit, një lloj njëjtësimi ( unifikimi) midis atij që e njeh ( një diçka) dhe asaj që njihet, gjë që ndryshon sipas nivelit ontologjik të subjektit që njeh dhe të objektit që njihet”.
    Në vijim, vetëm dhe dy raste, që lidhen me Krishtin, Zot i gjallë mes njerëzve.
    I pari ka të bëj me dhembjen shpirtërore të Krishtit, kur mbërrin me nxënësit e vet në kopshtin e Gjetsemanit. Ndërsa u thotë atyre të luten:

    “Mori me vete Pjetrin dhe dy bijtë e Zebedeut. Atëherë filloi të trishtohej e të ngushëllohej. E u tha:
    ‘Shpirtin ma kaploj një trishtim që çon në vdekje. Qëndroni këtu dhe rrini zgjuar me mua!’

    Pastaj u largua pakëz, ra me fytyrë për dhe e lutej :’Ati im, nëse është e mundur, largoje prej meje këtë kelk mundimesh! Megjithatë, le të bëhet, jo si dua unë, por si do ti’.
    Dhe u kthye tek nxënësit, i gjeti fjetur dhe i tha Pjetrit:
    ‘Si kështu s’mund të rrini zgjuar me mua as për një orë të vetme? Rrini zgjuar e lutuni të mos bini në tundim! Shpirti, vërtet, është i gatshëm, por trupi është i ligshtë.’

    Prapë shkoi të dytën herë e u lut:
    ‘Ati im! Nëse s’mund të kalojë ky kelk mundimesh pa u pirë prej teje, u bëftë vullnesa jote!’ (Mt 26, 37-42).

    Rasti i dytë lidhet me fjalët e Jezu Krishtit në kryq, kur i drejtohet Atit krijues:
    “ Eli, Eli! Lema sabakthani? Hyji im, Hyji im! Pse hoqe dorë prej meje” (Mt 27, 28).

    Nëna Tereze ishte e vetëdishme për errësirën dhe për vuajtjen shpirtërore që e përcollen duke filluar nga viti 1937 ( në mos edhe më herët), mirëpo, po ashtu ishte e vetëdishme për besimin e thellë e të palëkundur për Hyjin, për dashurinë e Tij dhe për përmasën hyjnore që Hyji ia kishte dhuruar. Ajo e ndiente këtë cilësi në shpirtin e saj dhe në dashurinë që kishte për njerëzit, sidomos për të varfërit e më të varfërve ; e vërente në çdo veprim që bënte, në të gjitha mbrritjet, që për të, pa përjashtim, ishin të gjitha vepër e dashurisë së Hyjit, përmbushur prej saj dhe motrave të saj. Pra siç thekson me të drejtë ati Brain : “Vetëdija për provaninë hyjnore mjaft e qartë në veprim dhe në jetën shpirtërore të Nënës Tereze ishte një mbështetje e madhe në çastet më të vështira të saj”.

    Torrkerry

  8. #28
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    19-06-2008
    Postime
    3,176
    7) ERRËSIRA, DHURATË E HYJIT DHE PËRLIGJE E PËRMASËS HYJNORE (vazhdim).



    Mbas dhënien së besës Hyjit se do të jetë për gjithë jetën e Tij, pa kushte dhe pa kërkuar asnjë shpërblim për veten e saj, “ t’i dhurojë Hyjit gjithça që Ai do t’i kërkonte”,
    nëna u njësua me dashurinë dhe me dritën e Hyjit dhe ajo dritë i priu në jetë e në çdo veprim.
    Kjo miqësi,”e bazuar në besimin dhe në dashurinë e madhe për Krishtin” dëshmohet kur ajo ia rrëfen mëkatet Birit të Hyjit dhe Ai ia fshin ato, siç del në një letër të saj, nisur atit Van der Peet, pas ushtrimeve shpirtërore pesëditore dhe pas rrëfimit:

    “…ia kam thënë të gjitha mëkatet e mia, e Krishti m’i ka marrë të gjitha mëkatet.
    Mbas rrëfimit e kam ndjerë zemrën time duke kënduar. Falëminderit Jezus, që m’i
    more mëkatet e mia. Thjesht, Ai I fshiri ato”.

    Torrkerry

  9. #29
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    19-06-2008
    Postime
    3,176
    7) ERRËSIRA, DHURATË E HYJIT DHE PËRLIGJE E PËRMASËS HYJNORE (vazhdim).

    Me një fjalë, Nëna e kishte kuptuar në qenësi jetën e njeriut brenda jetës së Hyjit, prandaj thoshtë:

    “Jeta është vetë jeta e Krishtit në ne”,

    Prandaj zbatoi në jetën e vet dhe me jetën e vet porosinë e Shën Palit se nuk është ajo që jetonte, po Krishti jetonte në të (Gal 2,20), dhe porosinë e Ungjillit: “Kush don të jetë i pari midis jush, do të jetë shërbëtori i të gjithëve” (Mk 10,44), përcaktim që vetë Krishti e përligji deri në kryqësim, i cilësuar si shtegtim i dashurisë dhe i shërbimit dhe që përmbys çdo logjikë njerëzore.
    Nëna ishte e vetëdijshme se “Për të mberritur të bëhemi të shenjta, duhet të vuajmë shumë.Vuajtja e krijon dashurinë dhe jetën në shpirtra. Të rrimë, me Marinë, pranë Krishtit të kryqëzuar me kashtej (kelqet, kelk) tanë të bërë nga katër kushtet e me plot verë të flijimit të vetes sonë”.

    Vuajtjen dhe errësirën shpirtërore Nëna Tereze i përballoi me dashurinë hyjnore dhe me gëzim, për arsye se siç i shkruante kryeipeshkvit të Kalkutës, Perier:

    “Dua të jem apostole e haresë”.

    Nëna deshi dhe diti të flijohej për të tjerët, duke mos kursyer asgjë, që i solli gëzim dhe ja shtoi dashurinë për Hyjin.
    Ajo e kishte të qartë faktin se “besimi i plotë dëshmohet kur i jepemi plotësisht Zotit, për arsye se Zoti na është dhënë neve.
    Nëse Zoti, që s’ka asnjë borxh me ne, është i gatshëm të na japë edhe veten e tij, si mund t’i përgjigjemi dashurisë së tij duke u kufizuar t’ia japim vetëm një pjesë tonën?
    Duke e mohuar vetveten, unë e nxis Zotin të jetojë për mua…
    Sa lehtë është ta pushtosh Zotin!
    Ne i jepemi atij e Zoti bëhet i yni dhe nuk kemi asgjë tjetër pos Zotit. Çmimi me të cilin Zoti e kompenson besimin tonë në të është ai vetë”

    Dhe

    “Lutuni ( i shkruan atit Van Exemit) që unë të kem dritë të shoh dhe të kem forcën të lirohem nga çdo gjurmë e un-it tim në çdo veprim. Duhet të zhdukem krejtësisht nëse dua që Zoti t’i ketë të gjitha”.

    S’ka dyshim se errësira e nënës Tereze është rrjedhojë e veprimit të Hyjit në shpirtin e saj dhe e shndërrimit të saj, siç thoshin motrat, në “urë midis njerëzve dhe Zotit, t’u sjellë atyre mëshirën e Zotit dhe t’i drejtojë tek Zoti”
    Nëna i përjetoi dhe i kuptoi vuajtjen dhe errësirën, siç thuhet në psalmin 139:
    “As errësira për ty e errët nuk do të jetë”.
    Ajo ishte e bindur në faktin se: “Nëse një herë e kemi Zotin brenda nesh (i thotë gazëtarit Desmond Doig, redactor i ‘Calcutta Stateman’ – v.ime), do ta kemi për gjithë jetën…Mirëpo, jam e bindur se është Ai, nuk jam unë.
    Është puna e tij, jo e imja.
    Pa të nuk mund të bëj asgjë. Edhe Zoti nuk mund të bëj asgjë për atë që është plot me vetveten. Është e nevojshme të mos kesh brenda assgjë, për të lërë mundësinë që ai të bëjë atë që dëshiron. Edhe gjeja më e bukur që i përket Zotit, dije: është i gjithëpushtetshëm, megjithatë nuk e detyron askënd me forcën”.

    Ky qëndrim i saj përligjet edhe nga një letër dërguar atit Neuner, ku dalin në dritë dy gjëra të qenësishme: Nëna Tereze është e vetëdijshme se errësira shpirtërore është vepër e Zotit dhe se ajo është e lumtur që s’ka asgjë; se është një hiç dhe Hyji është gjithçka:

    “…I kemi marrë trembëdhjetë postulante të reja janarin e kaluar dhe tashmë të gjitha ë mbushura me gëzim që të vuajnë për të varfërit e Zotit. Do ta kemi një grup të mirë në muajin maj që do t’i pëlqejë Zotit. E unë vetëm vështroj dhe mrekullohem. Asgjë nuk më hyn brenda. Gjatë këtyre ditëve kam kuptuar një gjë. Fakti se Zoti dëshiron që unë të jem pa gëzime thesareve të jetës shpirtërore, jam duke dhënë gjithçka nga zemra dhe shpirti për t’u ndihmuar motrave të mia që të jenë në latësinë e detyrës.
    I shoh të rriten në shenjtëri prej ditës në ditë, të rriten në dashurinë e Zotit, e kjo më bën të lumtur. Për sa më përket mua, unë kam vetëm gëzimin që s’kam asgjë, as dhe realitetin i pranisë së Hyjit. Asnjë lutje, asnjë dashuri, asnjë besim.Asnjë tjetër pos dhembjes së vijueshme të dëshirës së zjarrtë për Hyjin”

    Torrkerry

  10. #30
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    19-06-2008
    Postime
    3,176
    7) ERRËSIRA, DHURATË E HYJIT DHE PËRLIGJE E PËRMASËS HYJNORE (vazhdim).


    Nëna ishte njeri – vdekatare, prandaj si besimtare me përshpirtshmëri të jashtëzakonshme, kiste nevojë ta ndiente gjithnjë ngrohtësinë dhe praninë e Hyjit, dashurinë, dritën, ndihmën dhe përkrahjen e tij. Shën Pali thotë: “Vetë nuk mundem asgjë, mirëpo mundem gjithçka me atë që më përkrah”.
    Me përmasën hyjnore të dhuruar nga Hyji, Nëna nuk e ndiente grohtësinë dhe përkrajen në shpirtin e saj si më parë për arsye se atë e kishte brenda qenjes së vet: edhe ajo vetë ishtë bërë dritë e Hyjit, vepronte e drejtuar dhe e mbështetur nga ajo dritë.
    Pra duke i dhënë Hyji cilësitë hyjnore një krijese të vet, një njeriu, siç ndodhi me Nënën Tereze, ai person nuk mund t’i kishte njëjtë të gjitha ndijimet e të ndjehej shpirtërisht si më parë.
    Mendoj se këtu qëndron një nga çështjet kryesore që shkaktoi dyshimin, lëkundjen, frikën te Nëna se Hyji e kishte braktisur.
    Në Ungjillin e Gjonit thuhet: “çka lind prej mishit, mish është; çka lind prej shpirtit, shpirt është” (3,6).
    Nëna Tereze jetoi dhe veproi me këto dy cilësi.

    Errësira – vuajtja shpirtërore e Nënës, pra, nuk ishte dëshmi e shuarjes ose e mosbesimit të saj në Hyjin, përkundrazi ishte dëshmi e dashurisë, e besimit dhe e njësimit më të madh me të.
    Kjo dëshmohet nga fjalët e saj : “Vetëm në dëgjimin e Hyjit, që na flet nga thellësia jonë dhe në lutjen, i gjejmë vullnetin dhe vendosjen (përcaktimin) që të dalim nga tundimet e mëdyshjeve tona”,

    Dhe

    “Heshtja na jep një vision të ri të gjërave. Kemi nevojë për këtë heshtje për të mbërritur te shpirtrat. E qenësishme nuk është ajo që ne themi, por ajo që na thotë Zoti e që Ai u thotë të tjerëve nëpërmjet nesh. Krishti na pret gjithmonë në heshtjen. Na dëgjon në heshtje: në heshtje u flet shpirtrave tanë. Në heshtje mund të dëgjohet zëri i tij. Heshtja e brendshme është shumë e vështirë, por duhet t’i shtojmë përpjekjet që të lutemi. Në këtë heshtje zbulojmë një energji të re dhe një bashkim të ri. Bashkimin e mendimeve tona me të Tijat, bashkimin e lutjeve tona me të Tijat, bashkimin e veprimeve tona me të Tijat, të jetës sonë me të Tijën”

    Torrkerry

  11. #31
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    19-06-2008
    Postime
    3,176
    7) ERRËSIRA, DHURATË E HYJIT DHE PËRLIGJE E PËRMASËS HYJNORE (vazhdim).

    Duket e pabesueshme, po pikërisht dyshimi dhe frika se mos e ka braktisur Hyji, e bën besimin e Nënës Tereze më thelbësore e më të patundur.
    Fjalët e Nënës që lutja i dukej e ftohtë, se Zoti nuk e donte më, lidhet me faktin se, siç u tha më lart, në qenien e saj bashkëjetonin dhe ndërplotësosheshin cilësi të dy botëve: asaj konkrete (tokësore) dhe asaj hyjnore:

    “Nëna Tereze e dinte se errësira e saj ishte çmimi që duhej ta paguante për të ndezur “zjarrin e dashurisë” dhe “Me jetën e saj të flijuar në shërbim të të varfërve, Nëna Tereze përqafoi të njëjtin fat të Krishtit”. (Atë Brian).

    Një mendim të ngjashëm e shprehu dhe Ati Raniero Cantalamessa, i cili theksoi se me natën e errët të shpirtit, Nëna Tereze “bashkëjetonte çuditërisht me një paqe dhe me një lumturi, që siç e thoshte ajo vetë, nuk do ta këmbente me asgjë tjetër në botë, që asnjëri nga mistikët e tjerë nuk do ta bënte”.
    Duhet theksuar se Hyji nuk i jep një krijese përmasën hyjnore për lumturinë vetjake (të vetë krijesës, të shenjtit), por për të tjerët, për të mbartur dashurinë hyjnore tek të tjerët dhe për t’i bartur të tjerët tek Ai.
    Këtu qëndron një nga qenësitë kryesore të besimit, të veprimit, të errësirës dhe të vuajtjes shpirtërore të Nënës Tereze: vegla e Hyjit (në këtë rast Nëna Tereze si vegël e Krishtit) shndërrohet në hir të Hyjit dhe nuk e ndien kënaqësinë vetjake të njeriut të zakonshëm, por jeton dhe vuan për të tjerët, për t’u ofruar të tjerërve kënaqësi. Shenjtërit s’kanë kënaqësi vetjake për arsye se kënaqësia e të tjerëve bëhet dhe është kënaqësia e tyre.
    Pra, Hyji nuk i ndrit njerëzit me dritë për shkak të atyre vetë, por për ta kumtuar e për ta përhapur dashurinë hyjnore midis njerëzve, pa marrë parasysh racën, fisin, ngyrën, që t’i bëjë ata me veti të hyjnueshme.

    Krijesat njerëzore me cilësi të tilla, përkatësisht shenjtërit, u japin shembullin njerëzve për t’u dashur mes tyre me dashurinë e Hyjit:

    “Pikërisht kjo dashuri (ndaj Hyjit) të hap rrugën e qetësisë e të kënaqësisë së njëmendtë. Ajo të mëson se e mira është e lidhur ngushtë me dashurinë dhe më së shumti mësohet nga dashuria, nga dhimbja dhe nga vuajtjet.
    Ta duash dikë, domethënë të flijosh diçka për të. Ta duash Hyjin, domethënë të flijohesh për dashurinë e tij. Flijimi i këtillë të shkakton kënaqësinë, të jep fuqi të veprosh e të gjallosh përherë me përvujtëri e me nder (A. Berisha: Nëna e dritës, Prishtinë 2004).

    Torrkerry

  12. #32
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    19-06-2008
    Postime
    3,176
    7) ERRËSIRA, DHURATË E HYJIT DHE PËRLIGJE E PËRMASËS HYJNORE (vazhdim).


    Shenjtërim a nuk domethënë dhe harrimi i vetvetes, braktisja e vetvetes pr t,u ofruar tjerëve dashurinë vetjake dhe dashurinë e Hyjit: për t’u flijuar në veprimin konkret në mënyrë që të tjerët ta ndjejnë e ta përjetojnë dashurinë dhe grohtësinë hyjnore, në mënyrë që do t’u mundësohet njerëzve ta përjetojnë jetën në qenësinë e saj dhe t’i përballojnë vështirësitë sa më lehtë, të sigurojnë jetën e qetë e të përjetshme të shpirtit, siç veproi Nëna Tereze nga viti 1929? Pra, shenjtërit kanë si dëtyrë kryesore të bëjnë dashurinë dashuri; t’u ofrojnë njerëzve dritën hyjnore dhe t’u hapin shtigjet e mirësisë e të përvujtërisë në jetën koinkrete, jo të jetojnë për kënaqësinë e tyre (vetjake).

    Pikërisht errësira dhe vuajtja shpirtërore e nxiten dhe e frymëzuan Nënën Tereze të flijohet për të tjerët, të bëhet burim dritë e frymëzimi për ta.
    Në letrën dërguar Van Exemit, ajo shkroi:

    “Dua të jem një e shenjtë sipas zemrës së tij të mëshirshme e të përvuajtur; për këtë arsye do të përpiqem të bëj atë që është më e mira brenda këtyre dy virtyteve të Jezusit”,

    ndërsa atit Picachy:

    “Dua të bëhem një e shenjtë sipas zemrës së Jezusit: e mëshirshme dhe e përvuajtur. Kjo është e vetmja gjë që, njëmend, në këtë çast është e rëndësishme për mua”.

    Nëna Tereze thoshte se gëzimi i saj ta dashuronte Krishtin rridhte nga gëzimi të merrte pjesë në vuajtjet e tij.
    Kjo pjesëmarrje në vuajtjet përmbushej duke marrë pjesë në vuajtjet e njerëzve, sidomos në vuajtjet e të varfërve nga më të varfërit, tek të cilët e shihte Krishtin e kryqëzuar:

    “Ju lutem – i shkruan Nëna Tereze kryeipeshkvit të Kalkutës, Perier, - kërkoni nga Maria të ma japë zemrën e Saj, në mënyrë që unë të mundem më me lehtësi ta përmbush dëshirën e Tij (të Krishtit) në mua. Dua t’i buzëqesh edhe Jezusit dhe kështu t’ia fsheh edhe Atij, nëse do të ishte e mundur, dhembjen dhe errësirën e shpirtit tim”.

    Nëna do të pranonte të përjetonte e të vuante gjithçka të mundshme, vetëm e vetëm që t’i sillte kënaqësi Krishtit në zemër:

    “Këmbëngulte në faktin – shkruan ati Brian – që e paguan barra qiranë, të ‘duroj çdo vuajtje të mundshme qoftë edhe vetëm për një shpirt’ dhe ‘të ofroj gjithçka vetëm për atë shpirt, pse ai shpirt do të sillte gëzim të madh në zemrën e Jezusit’”.

    Torrkerry

  13. #33
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    19-06-2008
    Postime
    3,176
    7) ERRËSIRA, DHURATË E HYJIT DHE PËRLIGJE E PËRMASËS HYJNORE (vazhdim).

    Meqenëse i vuante vuajtjet e Krishtit në shpirtin e saj dhe këto vuajtje i “shëronte” me veprimin dhe me flijimin për të varfërit, për të braktisurit, për të gërbulurit, Nëna Tereze mësohet me errësirën dhe vuajtjen shpirtërore dhe fillon t’i dojë (me i dashtë), me çka përligjiet një shkallë e lartë e vetëdijes dhe e flijimit të saj përballë Hyjit dhe njeriut, përballë botës konkrete dhe botës hyjnore.

    Është rasti i rallë në historinë e krishterimit që një vdekatar (e) i përfill dhe i do errësirën dhe vuajtjet shpirtërore për një kohë aq të gjatë.
    Pse ndodhi kështu me Nënën Tereze nuk është e vështirë të shqarohet: Ajo i ishte përbetuar Zotit se do të përfillte e do të pranonte çdo kërkesë dhe vepër të tij.
    Në çastin kur bindet se errësira dhe vuajtja ishin vepër e Krishtit Zot, fillon t’i dojë dhe t’i çmojë. Këtë e thotë qartas një një letër dërguar atit Neuner në prill tëe vitit 1961:

    “Për herë të parë në këto njëmbëdhjetë vite ia kam dalë ta dua errësirën për arsye se tash besoj se ajo është një pjesë, një pjesë krejt e vogël e erresirës dhe e vuajtjes së Krishtit në tokë. Ai më ka mësuar ta pranoj si “pjesë shpirtërore të veprës së tij”
    Njëmend sot kam ndjerë një gëzim të thellë që Krishti nuk do ta përjetojë më agoninë e Tij, dëshiron ta përmbushë (realizojë) nëpërmjet meje”.

    Kjo ështe dëshmi dhe formë e martirizimit, dëshmi nëpërmjet vuajtjeve e në vuajtje.

    Se gjithë ajo që ndodhte në shpirtin e Nënës Tereze ishte vepër e Hyjit, dëshmohet dhe nga ky vlerësim i atit Brian:

    “Pa errësirën e saj të brendshme, pa e njohur dëshirën e tillë të dashurisë dhe dhimbjen që nuk është e dashur (nga Zoti) dhe pa identifikimin e jashtëzakonshëm me të varfërit, Nëna Tereze nuk do ta kishte fituar besimin dhe zemrat e tyre me atë thellësi”, dhe “Vuajtja e Nënës Tereze kishte mbërritur në fazën më intime: të marrëdhënies me Zotin. Dhe në gjakimin (zellin) e saj për shpëtimin e të tjerëve, e përqafoi në masën e plotë këtë vuajtje në mënyrë që të varfërit që i donte, mund ta provonin në mënyrë e plotë dashurinë e Zotit. Si rrjedhojë e kësaj, errësira e saj u bë bekim i saj më i madh: ‘sekreti i saj më i thellë’, në realitet ishte dhuntia e saj më e madhe”.

    Me përvojën dhe me veprim e vet, Nëna Tereze, jo vetëm e pasuroi dhe i dha një përmasë sa të thellë,aq të ndërliqshme konceptit të errësirës dhe vuajtjeve shpirtërore, që i cilësoi paraardhësit dhe pasardhësit e Shën Gjonit të Kryqit, po me mendimet e veta dhe me mënyrën e besimit në dashurinë e Hyjit dhe bartjen e kësaj dashurie tek njerëzit, që janë bazë e traditës së krishterimit, mbetet një shembull i veçantë, në figurë për shumëçka e papërsëritshme.


    Torrkerry

  14. #34
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    19-06-2008
    Postime
    3,176
    8) FUNDI QË SJELL NË FILLIM.

    Çeshtja e besimit të Nënës Tereze në Hyjin dhe në dashurinë e tij dhe puna e saj që këtë dashuri ta përhapë tek njerëzit në mënyrë që ata ta duan njëri-tjetrin siç i do Hyji krijesat e veta, duke mos kursyer asgjë të qenies së vet, nuk mund të ketë asnjëherë fund për arsye se sa herë që gërmohet nëpër tekstet e lutjeve të saj, të letrave e të mendimeve të thëna në raste të ndryshme, do të zbulohen gjëra të veçanta e të qenësishme, që lidhen me botën konkrete të njeriut dhe me botën hyjnore, të cilat për Nënën ishin të pandara.

    Duke pasur parasysh këtë, po e përfundoj këtë punim me tri mendime të saj, që dëshmojnë përshpirtshmërinë e jashtëzakonshme, njësimin me Hyjin dhe Birin e tij, Krishtin, dhe pëmasën hyjnore sa të gjerë aq të thellë, që ishte e pranishme në shpirtin e saj nga mosha e rinisë së hershme, po që në rrjedhë të kohëve, sidomos pas thirrjes së dytë të Krishtit (më 10 shtator 1946), u bë më e dukshme dhe mori përmasa gjithnjë e më të mëdha sa njerëz të zakonshëm, bashkëpunëtorë, drejtues shpirtërorë dhe prelatë të lartë, që e takuan dhe e panë në veprim e përditshëm, e cilësuan “Krishti i gjallë në mes të njerëzve”:

    “Përulësia më e madhe është të dish se je një hiç.
    Këtë do ta njohësh kur ta takosh Hyjin në lutje.
    Kur je ballë për ballë me Zotin, nuk mund të njohësh tjetër veç se je një hiç, se s’ke asgjë.
    Hyji flet në heshtje e zemrës sate.
    Nëse vihesh në lutje para Zotit dhe në heshtje, sigurisht se Zoti do të të flasë. Pra, do të mësosh se je asgjë.
    Vetëm kur të realizosh hiçin tënd, zbrazëtinë tënde, është Zoti që mund ta mbushë nga vetja e tij”.

    *

    “Të jem e shenjtë domethënëë lirohem (të heq dorë) nga gjithçka që nuk është Zot. T’ia shpaloj zemrën e ta zbraz nga të gjitha gjërat e krijuara; të jetoj në varfëri dhe e terhequr.
    Të heq dorë nga vullneti im, nga prirjet e mia, nga ëndrrat e mia dhe nga fantazimet e mia dhe të bëhem një skllavë e vullnetshme e vullnetit të Zotit”.

    *

    “Nëse ndonjëherë do të bëhem e shenjtë, do të jem pa dyshim një shenjtëreshë e ‘fshehur’: do të mungoj vijimisht në parajsë që të shkoj mbi tokë për t’ua ndezur dritën atyre që janë në errësirë”.


    Është vështirë të gjenden shembuj të këtillë të dashurisë hyjnore dhe të shenjtërimit shprehur kaq thellësisht sesa nëpërmjet këtyre mendimeve të Nënës Tereze.
    Mirëpo, sikur Nëna Tereze të mos kishte thënë, shprehur asnjë mendim, veprim dhe flijimi i saj vijueshëm për rreth gjashtëdjethë vjet rresht për tjetrin, sidomos për të varfërit nga më të varfërit, pa marrë parasysh përkatësinë dhe hapësirën gjegrafike, e përligjin dashurinë e saj të jashtëzakonshme për njeriun dhe shenjtërimin e saj, siç e thotë ajo vetë : “Shenjtëria është bashkimi me Zotin, në lutje dhe në veprim”.
    Deri në frymën e fundit Nëna Tereze jetoi, veproi dhe i përmbushi këto virtyte.

    Kështu mbaron studimi i profesorit Anton Berisha. Del në pah një gua e fortë që ia ka kushtuar Zotit dhe të tjerëve gjithçka! Me të vërtetën një shenjtereshë të madhe!

    Torrkerry

  15. #35
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    19-06-2008
    Postime
    3,176
    Zoti ia ka dhënë këtë person të shenjtë kishës tonë që është në Shqipëri.
    Duke e njohur më mirë, mund të kuptoimë çfarë Zoti dëshiron prej nesh.

    “Dëgjo, kur ndalem e mendoj sa e lumtur jam që edhe sot, për çdo ditë kam mundësi t’i ndihmoj Krishtit, i cili vuan nga uria, gërbula, i cili vdes. Unë në këta njerëz e shoh Krishtin, i shërbëj Krishtit, e dua Krishtin. Për këtë unë jam fatlume. Pra, si po e sheh, të sëmurët, të gërbulurit, ata që vuajnë janë dhantia më e madhe e Zotit. Kjo gjë ndoshta tingëllon çuditshëm për shumë njerëz, por për ne besimtarët, për mua është kështu”

    NËNA TEREZE
    (Burim. Gjergji: Nëna jonë Tereze,faq. 65)

    Torrkerry
    Ndryshuar për herë të fundit nga torrkerry : 13-10-2008 më 03:57

  16. #36
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    19-06-2008
    Postime
    3,176
    “Shërbimi i të varfërve ndër më të varfërit, të gjitha klasëve dhe feve...Në ta lypset njohur Zotin i cili vuan”...Të varfër duhet kërkuar nëpër rrugë, trotuare, shpella të errëta, slumsa...Çfarë focë, kuraje, guxim! Ditë e natë ndër ta, për ta dhe me ta, në valët e mjerimeve dhe vdekjes së pamëshirshme.

    Faq. 64.

    Torrkerry

  17. #37
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    06-10-2008
    Postime
    9
    Faleminderit,zoti torrkerry per këtë testament të nënë terezes.
    kam një pyetje për ju zoti torrkerry: a e dini pse nena treze e mori emrin nena tereze.
    ne veqanti me interson tereze;PSE.

  18. #38
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    11-09-2008
    Postime
    59
    Zoti ia ka dhënë këtë person të shenjtë kishës tonë që është në Shqipëri.
    Duke e njohur më mirë, mund të kuptoimë çfarë Zoti dëshiron prej nesh.
    Mendoj edhe unë që kjo është shumë e rëndësisishme. Jemi shumë egoistë.
    Ajo mund të na mësojë shumë: një urti për të cilën bota moderne ka shumë nevojë.

    Faleminderit.
    Ndryshuar për herë të fundit nga ademmerovci : 14-10-2008 më 04:21

  19. #39
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    19-06-2008
    Postime
    3,176
    Zoti ia ka dhënë këtë person të shenjtë kishës tonë që është në Shqipëri.
    Duke e njohur më mirë, mund të kuptoimë çfarë Zoti dëshiron prej nesh.

    “Përpos vuajtjeve dhe mjerimeve materiale, nga uria, sëmurja gërbula, këta njerëz vuajnë edhe më tepër shpirtërisht, posaçe ndjenja shpirtërore-psikike që janë të dëbuar (të përbuzur), të emargjinuar, pse nuk janë të pranuar as në familje as në shoqëri, nuk jabë të dashur...Pra vetëm dashuria, zemra e pastër, kushtimi dhe jeta e plotë me ta dhe për ta mund t’i shërojë varrët e këtyre njerëzve”

    Faq 74-75

    Torrkerry

  20. #40
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    19-06-2008
    Postime
    3,176
    Citim Postuar më parë nga mikesha Lexo Postimin
    Faleminderit,zoti torrkerry per këtë testament të nënë terezes.
    kam një pyetje për ju zoti torrkerry: a e dini pse nena treze e mori emrin nena tereze.
    ne veqanti me interson tereze;PSE.


    Mikesha, te pershendes.
    Saktesisht nuk e di. Mendoj se per fakt qe kishte ne mendje te themeloje nje kongregate murgeshash "kontemplative ne veprim", zgjodhi si shembull per jeten e vet dy shenjteresha shembullore per kete: Terezen e Aviles dhe Terezen e Jezusit Femijes.

    Nese ne leximet e tua, do te gjesh nje pergjigje tjeter, ben mire nese do te ma tregosh ate.

    Torrkerry

Faqja 2 prej 20 FillimFillim 123412 ... FunditFundit

Tema të Ngjashme

  1. Buletini javor nga Forumi Shqiptar
    Nga Albo në forumin Na bashkoi Albasoul
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 13-01-2004, 02:15
  2. Buletini javor nga Forumi Shqiptar
    Nga Fiori në forumin Na bashkoi Albasoul
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 02-09-2003, 00:16
  3. Buletini javor nga Forumi Shqiptar
    Nga Fiori në forumin Na bashkoi Albasoul
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 26-08-2003, 00:21
  4. Buletini javor nga Forumi Shqiptar
    Nga Albo në forumin Na bashkoi Albasoul
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 23-06-2003, 09:43
  5. Buletini javor nga Forumi Shqiptar
    Nga Albo në forumin Na bashkoi Albasoul
    Përgjigje: 1
    Postimi i Fundit: 16-06-2003, 07:55

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •