ZIRINA LLAMBRO
Shqipëria është klasifikuar në zonën e rrezikut shëndetësor. Vetëm disa ditë pasi Ministria e Mjedisit deklaroi se, cilësia e ajrit është përmirësuar me 30%, të dhëna të frikshme vijnë nga specialistët e Institutit të Shëndetit Publik. Monitorimi është kryer për periudhën janar–qershor 2008 në qytetet Tiranë, Korçë dhe Vlorë. “Niveli i grimcave të pluhurit dhe lëndëve të ngurta prezente në ajër është 2-3,5 herë më i lartë ndaj normave të lejuara të vendeve të BE-së, duke na klasifikuar në zonën e rrezikut shëndetësor”, thuhet në raportin e dërguar në ministri. Sipas specialistëve të ISHP-së, po rritet në mënyrë të qëndrueshme edhe përmbajtja e dioksidit të azotit (NO2) në ajrin urban të këtyre qyteteve, si rezultat i shtimit të trafikut automobilistik. “Në Tiranë përmbajtja mesatare e tij është më e lartë se norma e lejuar në vendet e BE-së, pra veç grimcave në Tiranë po bëhen problem shëndetësor edhe gazet e shkarkuar nga automjetet”, theksohet në raport. Listës së qyteteve me ajër të ndotur i shtohen edhe Korça e Vlora. “Në këto qytete po ashtu përmbajtja e dioksidit të azotit NO2 në qendrat përkatëse është konsiderueshëm më e lartë se pak vite më parë, duke qenë fare pranë kufirit të lejuar në vendet e BE”, kanë vërejtur specialistët.
Lëndët toksike
Për herë të parë është monitoruar edhe përmbajtja e benzenit C6H6 në ajrin urban të tre qyteteve. Nga pikëpamja toksikologjike benzeni futet në grupin e lëndëve me efekte kancerogjene për njerëzit. “Edhe përmbajtja e tij faktike tashmë mund të konsiderohet jo e ulët, me tendencë rritje pasi është komponim që shkarkohet kryesisht nga makinat që përdorin benzinë”, sqarohet në raportin e ISHP. Por ndryshe nga vendet e tjera Shqipëria nuk ka vendosur asnjë kriter për përmbajtjen kësaj lënde të dëmshme në benzinën që importohet. Nga të dhënat në terren bëhet me dije se ajo kapërcen me disa herë standardet. Pasojat në shëndetin e qytetarëve mund të jenë tejet të rënda. “Përmbajtja e benzenit në benzinat që tregtohen në vendet e BE-së duhet të jetë më e vogël se 5 për qind (në masë), prandaj kjo normë duhet vendosur sa më parë prej organeve përgjegjëse edhe për benzinat, që importohen në Shqipëri”, rekomandojnë specialistët. Ndërsa Ministria e Mjedisit nuk nguroi për asnjë çast të deklaronte për ajrin e përmirësuar që thithim çdo ditë, në këtë aspekt nuk është marrë asnjë masë. Të paktën kështu rezulton në të gjitha analizat e kryera.
Xhuveli: Ajri është bërë më i pastër
“Nga monitorimi i fundit që ne kemi kryer, është vërejtur se ajri në metropol ka përmirësim deri në 30 %, krahasuar me të dhënat e mëparshme”. Këtë deklaratë ministri i Mjedisit, Lufter Xhuveli, e bëri gjatë analizës 7-mujore të disa ditëve më parë. Sipas tij, monitorimi i cilësisë së ajrit është kryer në zonat urbane më të populluara (Tiranë, Elbasan, Durrës, Fier, Shkodër). Në 9 stacione janë matur 6 indikatorët më kryesorë. Ajri rezulton i pastër për 4 treguesit SO2, NO2, O3, dhe Pb, të cilët sipas ministrisë, janë brenda normave të lejuara nga Bashkimi Evropian. “Përmbajtja e pluhurave në ajrin urban, PM10 (grimca nën 10 mikron) dhe LNP (lëndë e ngurtë pezull), në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2007, paraqet përmirësim, ku 2 stacione rezultojnë brenda normave të lejuara të standardit shqiptar”, bëri me dije ministria. Ndërsa në pikat e tjera ku janë kryer matjet edhe pse përmbajtja e pluhurave kalon normën e lejuar, vihet re tendenca në ulje e përmbajtjes së tyre. Monitorimi konfirmon gjithashtu se ajri është i pastër sa i përket përmbajtjes së metaleve toksike (Pb Cr, Ni dhe Zn).
Gazeta Panorama
Krijoni Kontakt