Që nga kriza me Mariza Linon deri te debatet me Xhon Uidhers. Sulmi mbi OSBE-në pas humbjes në zgjedhjet e vitit 2001
Zgjedhjet e 26 majit të vitit 1996 do të shënonin dhe thyerjen e pakthyeshme mes SHBA-ve dhe ish-presidentit Berisha, pas një marrëdhënieje që ishte “plasaritur” që prej mesit të vitit 1994. Por “armiqësia” duket se u shpall në vitin 1997, ndërsa në pjesën e dytë të këtij viti, i gjendur në opozitë, Berisha e kishte vërtet të vështirë të gjente një bashkëbisedues në pritjet mondane të organizuara në selinë e Ambasadës Amerikane. Asokohe ambasadore ishte Mariza Lino, e cila edhe sot mbahet mend për “vënien në darë” të ish-presidentit Berisha, që deri para se të kërcisnin krismat e vitit 1997 dukej se kishte pozitat dhe garancitë e një sulltani në vend. Gjatë pranverës tragjike të '97-s deputetë të PD-së në Kuvend nuk ngurruan të akuzojnë Shtetet e Bashkuara për organizimin e dirigjimin e ngjarjeve të dhunshme për shpërbërjen e shtetit. Vetë ish-kreu i SHIK-ut, Bashkim Gazidede, njeriu më i afërt i Berishës, i akuzoi në Kuvend SHBA-të dhe Greqinë si organizatore të trazirave. Marazi ndaj SHBA-ve u shtua dhe më shumë pas kalimit të PD-së në opozitë. Gjatë një marshimi për në Qytetin Studenti, në fund të vitit 1997, mitingashë të PD-së nuk ngurruan të hedhin parulla antiamerikane pranë Ambasadës së SHBA-ve në Tiranë, duke shënuar në këtë mënyrë dhe rastin e parë të një proteste antiamerikane në Tiranë, pas vendosjes së pluralizmit politik.
Faktori Berisha
Pak kohë më vonë planet e ish-ambasadores shkuan më larg se kalimi i Berishës në opozitë, ndërsa sinjalet ishin të qarta: Berisha nuk i duhej më as Partisë Demokratike. Një raport i Grupit Ndërkombëtar të Krizave në vitin 1998 shprehej se konflikti politik në Shqipëri do të qetësohej me largimin nga politika të Nanos dhe Berishës, dy prodhuesve kryesorë të konfliktit. Ky raport u mbështet fuqimisht nga ish-ambasadorja, ndërsa në opinionin publik u krijua ideja se amerikanët nuk do të lejonin që Berisha të rizgjidhej në krye të PD-së në vitin 1999, kur ai pati si rival Genc Pollon. Natyrisht që ky rezultoi një aksion i falimentuar, pasi Berisha gëzonte një besnikëri të verbër në radhët e militantëve të partisë së tij. Shumica e militantëve demokratë kishin moton e tyre të palëkundur, sipas së cilës “pa Berishën merr fund PD-ja”.
Zëvendësimi i Linos
Acarimi i marrëdhënieve mes kreut të opozitës Berisha dhe ambasadores amerikane u bë aq publik, saqë edhe njeriu simbol i PD-së, Azem Hajdari, nuk ngurronte të shpallte publikisht “planet tinëzare të ambasadores për udhëheqësin historik Berisha”. Disa muaj më vonë erdhi edhe zëvendësimi i Linos, ndërsa Zhozef Limpreht, ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara, nduk do të tregonte kurrë ndonjë afeksion të veçantë ndaj kreut të Partisë Demokratike. Disa ambasadorë të SHBA-ve në Tiranë kanë qenë objekt i thirrjeve publike në mitingjet e PD-së në sheshin "Skënderbej" që të largohen nga Shqipëria. Vetë drejtues të lartë të PD-së, dega Tiranë, në këto mitingje, kanë qenë nismëtarë të thirrjeve për të larguar nga Shqipëria të ndjerin, ish-ambasadorin Zhozef Limpreht. Sikur të mos mjaftonte kjo, drejtues të lartë të PD-së deklaronin në këto mitingje se ish-ambasadori Limpreht nuk përfaqëson qëndrimin e qeverisë amerikane!!
Pas vdekjes së Limprehtit mandati i ambasadorit Xhejms Xhefri duket se i ndryshoi balancat, ndërsa Xhefri gjithnjë e më shumë diti të ruante një “të mesme të artë” mes PS-së dhe PD-së, vijë që duket se u ruajt edhe nga pasardhësja e tij, Marsi Ris, e cila përkoi ambasadore e SHBA-ve kur Berisha u rikthye në pushtet në vitin 2005.
Berisha u përplas me Dan Everts, pas trazirave të ‘98-s
Edhe gjatë kohës kur ishte në opozitë, kryeministri aktual Sali Berisha nuk do të harronte instinktin e tij për t’u përplasur dhe konfliktuar me ambasadorët e OSBE-së në Shqipëri. Rasti më flagrant u shënua në vitin 1998, ku pas revoltave të dhunshme, të drejtuara nga kryetari i PD-së, institucionet e sapongritura shtetërore u vunë sërish në rrezik si rezultat i sulmeve me armë nga ana e opozitës të drejtuar nga Berisha. Në atë kohë, ish-ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Dan Everts, dha një ultimatum të hapur në drejtim të kryetarit të PD-së, Sali Berisha, pas dorëheqjes që kishte bërë ish-kryeministri Fatos Nano. “Është hera e fundit që i bëj apel Berishës për të ruajtur qetësinë. Është në favor të tij dhe të mbështetësve të tij që të dorëzojnë armët, sepse në rast të kundërt, dhuna do të përshkallëzohet”, - do të deklaronte ambasadori Everts.
Berisha e akuzoi Nanon se donte të dëbonte OSBE-në
Përmendja e historisë së përzënies së OSBE-së nuk është e para në Shqipëri. Në fakt, ka qenë vetë kryeministri Berisha, i cili gjatë kohës që ishte në drejtim të opozitës, e akuzoi ish-kryeministrin Nano se po tentonte që të dëbonte OSBE-në nga Shqipëria. Kjo ndodhi pas dorëheqjes së ish-ambasadorit Osmo Liponen. Ky i fundit gjithmonë ishte vendosur nën shënjestrën e medias dhe të politikës. Në qarqe të ndryshme është diskutuar se finlandezi Liponen ka qenë më i lidhur me opozitën në Shqipëri. Dy vitet e qëndrimit të Liponenit në Shqipëri nuk kanë qenë dhe aq të suksesshme përsa u përket përplasjeve dhe kontradiktave që ai ka pasur me politikanë dhe zyrtarë të shtetit, ndryshe nga dy paraardhësit e tij, Dan Everts dhe Ahrens. Ka qenë i pari kryeministri Fatos Nano që ka shfaqur "pakënaqësi" të rolit të OSBE-së. Madje pati edhe akuza nga opozita, nga kryetari i saj Sali Berisha, se "Nano kërkon të përzë OSBE-në nga Shqipëria".
Albania
Krijoni Kontakt