Të rinjtë çamë kanë krijuar forumet e tyre në internet. Kudo ndodhen, këmbejnë e-mail me debate rreth Çamërisë.
Informacione, ide, histori, akuza, pishmane, brenga. Ka nga të gjitha llojet dhe nga e gjithë bota. Më vijnë dhe mua këto e-mail-e. Përditë. Mamaja ime është çame nga familja Dino e Paramthisë, ndaj shpesh i lexoj me kureshtje. Që e vogël më dukej një histori e tmerrshme kjo: një ditë të bukur u detyruan të lënë shtëpitë, pasuritë, jetën e tyre e të merrnin rrugët. Shumë u vranë, të tjerë vdiqën, edhe fëmijë, por mijëra mbijetojnë ende. Naja, për shembull, gjyshja ime e urtë dhe e mirë është sot afër të nëntëdhjetave, por është e fortë dhe e drejtë si qiri. Ajo tregon për pasuritë e lumturinë e familjes së saj në Çamëri, por dhe për tmerrin e dëbimit, njerëzit që humbën dhe vështirësitë e mbijetesës në Shqipëri. Nuk ishte e lehtë të ishe çam dhe gjatë regjimit të Enverit, por hajt, iku dhe ajo kohë dhe ndoshta kohë më të mira do të vijnë. Ashtu siç fëmijë më dukej absurde dhe e padrejtë deri në palcë historia e çamëve, edhe sot, me rrëzime kufijsh e synimin e një bote të qytetëruar, nuk e konceptoj se si një vend, djep qytetërimi si Greqia, vazhdon të mbajë peng historinë dhe të kaluarën e këtyre mijëra njerëzve. Çështja është futur në kulisa politike dhe përdoret si kartë nga politikanët e dy vendeve për të arritur përfitimet e radhës. Vitet e fundit çamët, të rinj e të moshuar, po bëjnë disa hapa për të mbajtur gjallë të shkuarën e tyre. Ja, mblidhen përvit në Qafë- Bote për të kujtuar eksodin. Mblidhen me degë ulliri në duar e me bluza të bardha paqeje. Janë disa mijëra vetë, që duhet të marrin kurajon e të vazhdojnë rrugën. Të kapërcejnë atë kufi ashtu të bashkuar e të kthehet secili në shtëpitë e veta, që kanë mbetur ashtu ku i lanë të parët e tyre. Çfarë do të bëjnë grekët? Do të qëllojnë me armë për shkelje kufiri? Do të kenë kurajo të bëjnë një tjetër masakër në 2008 apo 2009-ën? Të gjithë kthehen një ditë në shtëpitë e tyre. S'mund të bëjnë përjashtim çamët.
B.W
Krijoni Kontakt