Shkruar nga Albin Kurti
17. 08. 2008

Që prej shpalljes së pavarësisë me 17 shkurt 2008, tema kryesore politike që është diskutuar nëpër institucionet dhe mediat e Kosovës është njohja e kësaj pavarësie të shpallur. Njohja ka qenë temë edhe atëherë kur na kanë njohur por edhe atëherë kur na kanë njohur. Është folur për shtetet që porsa na njohën, për ato që besohet se do të na njohin së shpejti, për ato që na kanë çuditur pse nuk po na njohin por edhe për ato që na kanë treguar se nuk do të na njohin madje edhe duke na e shpjeguar përse.

Arsyeja e temës numër një në Kosovë sigurisht se është fakti që tash gjashtë muaj njohja (e mëtutjeshme) e pavarësisë së Kosovës paraqet prioritetin absolut të Qeverisë së Kosovës. Bile nuk ka kurrfarë treguesish se kjo do të mund të ndryshojë në një të ardhme të afërt. Kosovën e kanë njohur 45 shtete të botës deri më tani dhe nuk duket që ka një numër përafërsisht të caktuar të shteteve që do të bënte që njohja e pavarësisë të zbriste nga froni i agjendës së Qeverisë. E thënë ndryshe, edhe nëse do të na njohin 192 shtete të botës atëherë Qeveria e Kosovës do ta ketë për prioritet që edhe shteti i fundit, pra shteti i 193-të i botës, të na e njohë pavarësinë. Njohja e pavarësisë është gjakimi dominues i elitës politike në Kosovë përfshirë këtu edhe analistët e gazetarët e shumtë. Krijohet përshtypja se më e rëndësishme është të na njohin si të pavarur sesa njëmend të jemi të pavarur. Pra, le të na njohin të tjerët si një vend i pavarur paçka se ky vend politikisht dhe ekonomikisht është njësoj i varur sikurse para shpalljes së pavarësisë. Ose, ndoshta, le të na njohin të tjertë si të pavarur anipse ne e dimë që nuk jemi të pavarur? Apo, ndoshta edhe kjo tjetra: le të na njohin të tjerët si të pavarur sepse asisoj mbase na bindin edhe vetë neve se jemi të pavarur?

Sido që të jetë, fiksimi i këtillë pas njohjes së pavarësisë qysh tash shihet se do të na kushtojë shtrenjtë. Zhvillimi ekonomik është lënë pas dore, papunësia vazhdimisht rritet, varfëria përherë zgjerohet e thellohet, shërbimet publike janë të dobëta, shëndetësia e arsimi kanë degraduar si mos më keq etj.etj. E gjithë kjo para së gjithash sepse as që ka një plan apo projekt vendor se si të dilet nga kjo krizë. Krejt çfarë dinë të thonë kryetari, kryeministri e ministrat e Kosovës – atëherë rrallë kur nuk flasin për njohjet e premtuara – janë integrimet evropiane dhe evro-atlantike që besohet se do të ngjajnë diku pas një dekade. Mirëpo, njerëzit kur jetojnë nuk jetojnë pas dhjetë vjetëve - ata jetojnë tash dhe këtu. Kur kësaj i shtohet edhe mungesa e sovranitetit (nuk kemi ushtri dhe as kontroll mbi policinë) dhe mungesa e integritetit territorial (nuk i kontrollojmë kufijtë e Kosovës dhe as çerekun e territorit ku ndodhen strukturat paralele të Serbisë) atëherë bëhet e qartë se angazhimi për njohjen e pavarësisë së Kosovës në fakt është maskë për angazhimin tjetër që mungon: bërjen e Kosovës njëmend të pavarur, bërjen e Kosovës me sovranitet.

Pra, a ishim shtet praktikisht i pavarur dhe shpallja e njohja vetëm sa e formalizuan këtë gjë apo ndoshta nuk ishim shtet i pavarur por përmes shpalljes dhe sidomos njohjes së mëpastajme synojmë të bëhemi të pavarur? Fatkeqësisht, asnjëra prej këtyre. Edhe nëse ishim shtet, nuk ishim shtet i pavarur sepse mbi të gjitha shteti nuk ishte yni por ishte i UNMIK-ut, KFOR-it e vende-vende edhe i Serbisë. Në anën tjetër, shpallja e pavarësisë dhe më pas njohja e saj nuk duket fare që do të na bëjnë shtet të pavarur. UNMIK-u s'po shkon, EULEX-i po vjen, ZCN-ja me në krye Pieter Feith-in tashmë është këtu, ndërkaq Qeveria e Kosovës është e vetëmjaftueshme në ndërtesën e saj me postet dhe privilegjet që gëzojnë njerëzit e saj. Qeveria e Kosovës në vend se ta shpall TMK-në ushtri dhe ta armatosë atë me ndihmën e Shqipërisë dhe të vendeve të NATO-s që na njohën, ajo diskuton për lartësinë e pensioneve dhe menaxhimin e shuarjes sa më të padhimbshme të TMK-së. Për më keq, Qeveria e Kosovës as që e fut nën kontroll të saj ShPK-në (përmes Ministrisë së Punëve të Brendshme) duke e lënë atë edhe më tutje nën UNIMK-un anipse e financon përmes buxhetit të Kosovës që mbushet prej kontributeve të popullit të Kosovës. Për më keq edhe se kaq, Qeveria e Kosovës plot gjashtë muaj pas shpalljes së pavarësisë toleron që AKM-ja t'i mbajë jashtë vendit rreth 400 milionë euro të fondit të privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore. Edhe në Kosovën e pavarur më shumë ka qeverisje mbi Qeverinë sesa qeverisje të Qeverisë. Edhe në Kosovën e pavarur Qeveria ka hall veten dhe ambiciet e saj janë përgjithësisht të reduktueshme në ambiciet personale të njerëzve të saj.

Prioritetit të Qeverisë për njohje të reja i janë bashkuar edhe karvani i analistëve dhe ekspertëve. Sigurisht që është politikisht korrekte të flasësh për njohje të reja por jo edhe për mungesë sovraniteti dhe integriteti territorial. Mund të angazhohesh për dallimet në shkallë por jo edhe për ato në natyrë të gjërave. Mund të thuash se si Malin e Zi e kanë njohur krejt shtetet e botës e neve vetëm 45 por nuk mund ta bësh debat se si Mali i Zi ka ushtri, sovranitet dhe integritet territorial kurse ne s'kemi. Pra, mund të flasësh për atë që e ke më pak (në shkallë sesa shtetet e tjera) por jo për atë që nuk e ke fare (pra, jo edhe për dallime në natyrë me shtete e tjera). Analistët dhe ekspertët e ndryshëm i janë hedhur në qafë Skënder Hysenit që nuk po lobon më shumë e më mirë. Ah, sigurisht që nuk mund të mbrohet dhe nuk duhet të mbrohet Skënder Hyseni. Të gjithë e dimë se kush është ai dhe si është ai. Mirëpo, ky problem nuk është fare i lobimit por i ndryshimit të politikës së Qeverisë e cila nuk është e interesuar që t'i mbrojë interesat e Kosovës duke ua bërë me dije shteteve që nuk na njohin se nuk do të ketë marrëdhënie të njëanshme me to. Shtetet e ndryshme që nuk na kanë njohur ende, nuk do ta ndryshojnë mendjen e tyre për neve varësisht nga lobimi i Skënder Hysenit, varësisht nga rrobet e Skënder Hysenit apo elokuenca e fjalëve të tij. Ato shtete e ndryshojnë mendimin varësisht nga interesat e tyre që duhet të definohen përkundruall qëndrimeve të Qeverisë vendore që i mbron interesat e vendasve. Jo lobimi abstrakt i Skënder Hysenit por qartësimi konkret i Qeverisë se çka fitojnë ato shtete duke na njohur e çka humbasin duke mos na njohur e sjell njohjen nga ana e tyre. Përndryshe, kërkesa qarramane sikurse deri më tash për njohje të pavarësisë prodhon më shumë varësi sesa pavarësi. T'i lusësh vendet tjera të të njohin vetëm ashtu pse ti ke dëshirë është veçse afirmim i pavarësisë së atyre vendeve e jo i pavarësisë tënde.

Le të mos harrojmë që Bosnjen e pranojnë të gjitha shtetet e botës dhe ajo ka edhe ulëse në OKB, mirëpo, muaj më parë, Condoleezza Rice tha se Bosnja është një shtet i dështuar. Mbi 12 vjet pas Marrëveshjes së Dayton-it, Bosnjes i thuhet se është shtet i dështuar! Njëmend Bosnja duket si një shtet i vetëm në hartë apo me ulëset e saj në organizmat ndërkombëtarë mirëpo po shkove në Bosnje e sheh se atje janë dy, në mos edhe tri shtete, përbrenda Bosnjes të cilat i kanë sajuar asaj kufij të brendshëm që janë më të fuqishëm sesa kufijtë e jashtëm. Shumë kollaj, edhe neve pas një dekade, ndonjë sekretare e ardhshme e shtetit amerikan mund të na thotë se jemi shtet i dështuar. Andaj, urgjente dhe të domosdoshme për Kosovën janë sovraniteti dhe integriteti territorial, janë territori, kontrolli i kufijve, i pasurive natyrore dhe i kapaciteteve ekonomike e jo aq njohjet e reja. Në pyetjen se cila është më e rëndësishme, ulësja në OKB dhe njohja gjithëbotërore nga jashtë apo uniteti dhe sovraniteti i Kosovës brenda, nuk duhet të kemi dilema. Bosnja na e sqaron tërësisht (edhe) këtë dilemë.


Paraqet, Sabri Selmani
Gjermani