Tradhtari Jeremiq!
Duket se e gjithë ofensiva diplomatike serbe për të stopuar njohjen e pavarësisë së Kosovës ka shpërthyer si një flluskë sapuni të lirë turk duke e hedhur poshtë pretendimin shekullor serb mbi Kosovën. Ministri i jashtëm serb Vuk Jeremiq ndoshta ka bërë deklaratën më të fuqishme e cila do ta çimentonte pavarësinë e Republikës së Kosovës. Jeremiq ka thënë se Serbia edhe mund ta njohë Kosovën shtet të pavarur.
Serbia mund ta njohë republikën e Kosovës si shtet të pavarur nëse Gjykata Ndërkombëtare vendos se shpallja e pavarësisë së Kosovës me 17 shkurt ka qenë një veprim ligjor njofton gazeta serbe Kurir duke iu referuar agjencisë holandeze të lajmeve ANP.
Duket e pabesueshme por është vërtetë - kjo deklaratë ka dalë nga goja e Vuk Jeremiq ministrit të Jashtëm serb në një intervistë që ai e ka dhënë për ANP gjatë vizitës së 15 gushtit në New York.
"Serbia do ta njihte pavarësinë provincës së saj – Kosovës nëse Gjykata Ndërkombëtare e konfirmon shpalljen e pavarësisë së njëanshme të 17 shkurtit – si ligjore”, ka thënë Jeremiq për agjencinë holandeze të lajmeve ANP.
Ky lajm vazhdon të jetë i publikuar në uebfaqen e ANP-së ndërkohë që ende askush nga Serbia nuk e ka demantuar këtë lajm, sqaron Kurir.
Mark Fiser redaktor i lajmeve në ANP tregon për Kurir se lajmi se Serbia është e gatshme të njohë pavarësinë e Kosovës është publikuar para tre ditësh dhe se deri tani ende askush nga Serbia nuk e ka demantuar këtë lajm. Fiser për median serbe tha se lajmi është autentik dhe se deri tani as ministria e Jashtme serbe por as ambasada serbe në Holandë nuk ka kërkuar ta demantojë lajmin në fjalë.
“Lajmi është autentik ndërsa këtë lajm e kanë edhe mediat gjermane dhe franceze”, tha redaktori i ANP-së dhe konfirmoi edhe një herë se thonjëzat e vendosura tek titulli “Serbia do e njihte pavarësinë e Kosovës” do të thonë se këto janë fjalët autentike të ministrit të jashtëm serb.
Mirëpo sipas gazetës Kurir në kabinetin e ministrit të jashtëm serb thonë se Jeremiq gjatë prezantimit të tij nuk e ka thënë këtë deklaratë.
“Në konferencën në fjalë kanë qenë mbi 15 gazetarë dhe asnjëri prej tyre se ka publikuar këtë lajm”, thuhet në sqarimin e lëshuar nga kabineti i Jeremiqit. Ata po ashtu përsëriten qëndrimin e njohur serb se Serbia kurrë nuk do e njohë Kosovën.
Por kabineti i ministrit të jashtëm serb nuk dha shpjegime se përse nuk është kërkuar largimi i këtij lajmi nga uebfaqja e ANP-së. /Telegrafi/
------------------------
http://www.kurir-info.rs/clanak/poli...08-2008/izdaja
Krijoni Kontakt