Halili: Do të mbrohemi si Gjeorgjia prej Rusisë
Laura Papraniku
Kryetari i Lidhjes Kombëtare Shqiptare të Iliridës, Nevzat Halili, duket se po bën më kërcënues tonet për federalizmin e Maqedonisë në dy njësi organizative nacionale. Të martën, përmes një letre të hapur, drejtuar Parlamentit të Maqedonisë subjekteve politike në vend, Bashkimit Evropian, OSBE-së dhe Ambasadave të SHBA-ve dhe Shqipërisë, në Shkup, ai ka përsëritur edhe një herë kërkesën për ndarjen e shtetit në dy njësi federale, pjesën e Iliridës dhe Maqedonisë. “Mjete tona për federalizmin e Maqedonisë do të jenë vetëm se paqësore, mirë po nëse shteti na sulmon dhe përdorë dhunë kundër nesh, do të jemi të detyruar të vetëmbrohemi”, deklaroi për “Lajm”, lideri i LKSHI-së. Ka më tepër se një dekadë që kur Halili ka ngritur idenë e formimit të Republikës së Iliridës, mirëpo thotë se LKSHI nuk ka formacionin e vet ushtarak. “Nuk kemi ushtri, pasi neve na mbron populli dhe ai do të na mbron nga sulmet eventuale prej shtetit, nëse ai përdor dhunë ndaj nesh. Pra, do të mbrohemi si Gjeorgia prej Rusisë”, shprehet kryetari i LKSHI-së. Ai shprehet i sigurt se “Iliria” dhe federalizmi i Maqedonisë do të ndodhin patjetër, pasi e drejta e vetëvendosjes së një populli për të jetuar i lirë dhe i pa varur është e drejtë ndërkombëtare.
“Nuk do të rimë gjithë jetën shërbëtorë të tjerëve, por do të bëhemi zot të vetes, pasi këtë të drejt na e japin të gjitha konventat ndërkombëtare”, thotë Halili. Edhe në letrën, me të cilën të martën u është drejtuar institucioneve të Maqedonisë dhe qendrave ndërkombëtare të vendosjes, nënvizohet kjo e drejtë. “Kërkojmë fillimin sa më të shpejtë të bisedimeve me institucionet shtetërore dhe ato ndërkombëtarë për ri definimin e Maqedonisë, si organizim federal apo regjionalizim nacional, që nënkupton funksionimin e dy republikave asaj të Iliridës dhe Maqedonisë”, shkruan Halili në emër të LKSHI-së. Përcaktimet e LKSHI-së, sikurse vëren ai, bazohen në të drejtën e natyrshme për barazi dhe liri të gjithë popujve të botës së civilizuar, të garantuara me deklaratat dhe rezolutat të posaçme të OKB-së.
Krijoni Kontakt