(Nga Shekulli)
Një transaksion tjetër u njoftua dje me shitjen e koncesionit të Kalimashit. Kompanitë, krejtësisht të panjohura. Shqipëria ka lëshuar mbi 100 kontrata koncesionare për minierat, por përfitimet janë të padukshme.
Faktet
* E gjithë Industria Minerare e Shqipërisë u dha me koncesion gjatë viteve 2000-2003, krejtësisht falas, përkundrejt investimeve minimale.
* Të gjitha kompanitë koncesion-marrëse kanë qenë të vogla dhe të panjohura në qarqet botërore të industrisë minerare.
* Koncesionet më të rëndësishme janë shitur te të tretët dhe qeveria shqiptare ka dhënë miratimin, pa bërë publike detajet e transaksioneve.
* Ministria e Financave u ankua disa javë më parë se shfrytëzimi i nëntokës shqiptare po prodhonte pak apo aspak të ardhura për Buxhetin e Shtetit.
* Qeveria miratoi së fundmi një ligj që i detyron kompanitë të paguajnë 10% rentë për shfrytëzimin e resurseve kombëtare.
* Minierat me koncesion kanë ngrënë jetën e disa dhjetëra minatorëve gjatë pesë viteve të fundit. Kompanitë kanë shpëtuar pa ndëshkim.
Një kompani kanadeze e quajtur “Carlaw Capital III Corp” njoftoi dje se ka blerë nga një korporatë australiane pesë kontrata koncesionare për minierat e kromit dhe të bakrit në Shqipëri, u njoftua dje nga media kanadeze. Sipas njoftimit, kompania “JAB Resources” zotëron koncesione për mineralet e kromit, platinit, arit, bakrit e nikelit në Kalimash dhe zona të tjera të Shqipërisë veriore. “JAB” zotëron rreth 3 milionë dollarë australianë për të financuar aktivitetet e kompanisë për pjesën e mbetur të vitit 2008. Vlera e transaksionit nuk bëhet e ditur. Kompania thotë se po kryen kërkime për burime të reja minerali kromi pranë minierës ekzistuese të Kalimashit. Kompania “JAB” ka zyrat qendrore në Australi dhe është themeluar nga disa ekspertë gjeologë.
Koncesioni
Në listën e ligjeve shqiptare, “JAB” nuk gjendet gjëkundi. Zyrtarisht, Miniera e Kalimashit i është dhënë me koncesion kompanisë turke “Hayri Ogelman Mademcilik” në vitin 1999. Vetë “JAB”, në faqen e vet në internet, thotë se e ka blerë kontratën koncesionare nga një kompani tjetër. Shit-blerja e kontratave koncesionare duket se është një praktikë e zakonshme në Shqipëri dhe kryhet pa marrë mundimin për të informuar shqiptarët. Sipas një investigimi gazetaresk të kryer nga Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Investigative, BIRN, kompanitë po shfrytëzojnë në mënyrën më të keqe të mundshme nëntokën shqiptare, pasi po mbledhin mineralin më të pasur, duke ulur vlerën e pjesës dërrmuese të burimit dhe duke i hequr shansin vendit që të përpunojë pjesërisht këto minerale. Për pasojë, vlerësohet se rreth 200 milionë euro vlerë mineral kromi e bakri janë hedhur. Në mungesë të mineralit të pasur, kjo vlerë mund të bëhet e parikuperueshme, sipas ekspertëve, sepse nuk do të ketë leverdishmëri ekonomike. Në total, kjo metodë pune ul jetëgjatësinë e burimeve minerare dhe ul përfitimin ekonomik të vendit.
Dhe ka shumë raste të tilla
Kompani, emrin e të cilave nuk e ka dëgjuar askush në Shqipëri, mësohet se ekzistojnë dhe kanë koncesione nafte apo mineralesh të tjera, vetëm kur lajmi publikohet për investitorët e bursave të vendeve të tjera. Disa muaj më parë, një kompani me emrin “Privat Co.”, rezultoi pronare e zonës naftëmbajtëse të Kuçovës. Zyrtarisht, eksportet e mineraleve të papërpunuara arritën në dhjetëra-milionë euro gjatë vitit të kaluar por ministri i Financave, z.Ridan Bode, deklaroi këtë vit se qe shumë i pakënaqur për faktin se gjithë ky volum ekonomik po sillte në Buxhetin e Shtetit, të ardhura në nivele të papërfillshme. Kompanitë që shfrytëzojnë nëntokën shqiptare nuk kanë asnjë detyrim tjetër për të plotësuar, me përjashtim të pagesës së Tatimit mbi Fitimin, por tatim-fitimi i deklaruar është i papërfillshëm.
Ndalohen investimet serioze
Copëzimi i Industrisë Minerare të vendit në një pafundësi kontratash, si dhe refuzimi i autoriteteve për të revokuar kontratat që janë shkelur në pjesën dërrmuese të rasteve nga kompanitë koncesion-marrëse, ka penguar kompani më serioze të investojnë në Shqipëri. Vitin e kaluar qenë kompanitë kineze të interesuara për të shfrytëzuar nëntokën shqiptare, por nuk mundën të hynin, për shkak se në Shqipëri nuk kishte më burime të lira. Kompania më e madhe koncesion-marrëse te mineralet, ka marrë angazhim të investojë 15 milionë dollarë, dhe as këto para nuk i kanë investuar. Minierat shqiptare u shfrytëzuan në mënyrë të gabuar gjatë dekadës së fundit të komunizmit, kur nevoja e qeverisë për të fituar valutë sakrifikoi logjikën e shfrytëzimit afatgjatë dhe të qëndrueshëm të burimeve.
Krijoni Kontakt