Ndrageta, mbretëria e krimit që vlen 69 miliard dollarë

Ekspertë të krimit pohojnë se kjo organizatë ia ka kaluar Mafias siçiliane, duke u renditur si më i madh rrjet trafikant i drogës në Itali

Ndrageta, në rrjet krimi i organizuar në Itali, që sa vjen e forcohet, ka kryer një veprimtari të paligjshme me vlerë prej 69 miliard dollarësh vetëm gjatë vitit 2007, bëjnë të ditur hetuesit italianë. Ekspertë të krimit pohojnë se kjo organizatë ia ka kaluar Mafias siçiliane, duke u renditur si më i madh rrjet trafikant i drogës në Itali.

Ekspertë të krimit dhe hetues italianë theksojnë se rrjeti "Ndrageta, me qendër në rajonin jugor të Kalabrisë, ka ardhur duke u forcuar gjithnjë e më tepër dhe ka zgjeruar aktivitetin ndërkombëtar. Ata thonë se, kjo organizatë ka shtrirë aktivitetin e saj në të gjithë Evropën dhe përtej saj.

Një raport i fundit i grupit kërkimor italian, Eurispes, thotë se kjo organizatë është e përfshirë në aktivitete nga më të ndryshmet, që nga trafiku i drogës dhe zhvatja e parave, në kontrabandën e armëve, prostitucionin dhe tani po angazhohet edhe në imigracionin e paligjshëm.

Eurispes shton në raportin e saj të fundit, se vetëm vitin e kaluar "Ndrageta, e cila do të thotë "Shoqëri Nderi" ka realizuar një aktivitet kriminal me vlerë 69 miliard dollarë. Presidenti i grupit studimor Gian Maria Fara thotë se, organizata kriminale po bëhet gjithnjë e më e fuqishme dhe po shtrihet jashtë vendit.

Zoti Fara thotë se, "Ndrageta është e pranishme dhe e fuqishme në Amerikën e Veriut, Kanada, Amerikën e Jugut dhe në Australi. Ajo vepron edhe në Evropën Veriore dhe është shndërruar praktikisht në një konglomerat të vërtetë biznesi. Një nga karakteristikat e saj, sipas zotit Fara, është se penetrimi në këtë organizatë është tepër i vështirë, gjë që vështirëson marrjen e informacionit mbi mënyrën si operon ajo: "Është shumë e vështirë të gjesh individë nga "Ndrageta, të cilët të shndërrohen në informatorë, thotë ai, pasi vetë natyra e kësaj organizate kriminale dhe mënyra se si tërheq anëtarë, e bën thuajse të pamundur që dikush nga radhët e saj të bëhet informator për shtetin. Struktura e saj është thuajse ekskluzivisht e bazuar në lidhjet familjare".

Prokurori anti-mafie në qytetin kalabrez të Cantanzaros, Mario Spagnuolo, thotë se imigracioni i paligjshëm po bëhet shumë me interes për "Ndragetën". Ai thotë se kjo organizatë ka hyrë në ujdi me rrjete ndërkombëtare për t'u futur në këtë aktivitet. Prokurori thotë se krimi i organizuar i kësaj zone ka marrë nën kontroll trafikun e imigrantëve të paligjshëm, duke i detyruar këta imigrantë më pas në tregun e zi të punës dhe prostitucion.

Rafaele Rio, shefi i zyrës së grupit kërkimor Eurispes në Kalabri, thotë se "Ndrageta po shndërrohet në një faktor me peshë në kontrabandën globale të drogës. Zoti Rio thotë se, për të shfrytëzuar sa më me efikasitet burimet e saj dhe për të rritur fitimet, "Ndrageta" ka eliminuar ndërmjetësit dhe është lidhur direkt me kartelet e drogës në Amerikën Latine, veçanërisht me kolumbianët.

Vincenco Macri, prokuror antimafia me zyrë në Kalabri, thotë se trafiku i drogës i realizuar nga "Ndrageta" në vitin 2007 përbën thuajse 2/3 e të gjitha fitimeve të paligjshme të kësaj organizate dhe vazhdon të rritet. Studiuesi i grupit Eurispes, Rafaele Rio, thotë se organizata po bëhet gjithnjë e më e militarizuar. Në operacione të ndryshme të ndërmarra nga hetuesit, shpjegon zoti Rio, janë zbuluar sasi të mëdha armësh. Kjo, shton ai, është provë se është vënë në lëvizje një proces serioz militarizimi.

Hetuesit italianë kundër krimit kanë vite që theksojnë rrezikun që paraqet shtimi i influencës së "Ndragetës", si në Itali edhe jashtë saj. Zëvendës Prokurori i Përgjithshëm Amerikan, Mark Filip, tha kohët e fundit se kjo organizatë është shndërruar në një problem serioz edhe për organet amerikane të ruajtjes së rendit.

Pse kamorra është kaq e fuqishme

Me temperaturat e verës në rritje në Napoli në jug të Italisë, kriza mbi mijëra ton plehra të pambledhura po përkeqësohet. Zyrtarisht vlerësohet se janë 50 mijë ton mbetje në rajonin e Kampanias dhe 5 mijë ton në rrugët e qytetit. Banorë të zemëruar fajësojnë qeverinë dhe bandat kriminale të Kamorrës.

Por si funksionon Kamorra? Dhe pse qeveria duket e pafuqishme? Clare Longrigg është një zë autoritar mbi mafian napoletane, Kamorra: "Kamorra kontrollon gjithë trafikun që lëviz në Portin e Napolit, të gjitha bizneset e paligjshme dhe të palejueshme që lëvizin jo vetëm në qendrën e Napolit, por edhe rrotull. Nëpërmjet kontakteve të Kamorrës në këshillat e qytetit dhe ato lokale, në ekipe operuese dhe administrative, ata kanë marrë kontrollin e kontratave për hedhje të mbeturinave, pra, ata kanë kontroll të plotë të jetës ekonomike të qytetit".

Kontrolli që Kamorra ka mbi biznesin e mbeturinave do të thotë planifikim i dobët bashkiak dhe rregulla të dobëta. Vendet ku hidhen plehrat janë mbushur plot jo vetëm me mbeturina lokale, por edhe mbeturina të importuara nga pjesë të tjera të Italisë. Disa nga këto mbetje kanë qenë toksike si frigoriferë të vjetër dhe mbetje industriale të patrajtuara, por të hedhura aty pa leje.

Numri i personave që vuajnë nga kanceri në Napoli është rritur ndjeshëm. Dhe një proces gjyqësor për lidhjet midis politikanëve dhe Kamorrës nuk ka patur fillim të mirë kur një prej dëshmitarëve kryesorë, Michele Orsi, u qëllua për vdekje në një bar.

Pra, kush janë këta persona që kanë kaq shumë pushtet në një qytet evropian modern? "Është një lloj federate e përbërë nga familje të ndryshme. Disa janë më të fuqishme se të tjerat. Disa janë në rritje dhe grinden e formojnë aleanca të ndryshme. Por njerëzit që drejtojnë këto familje janë karizmatike ashtu si edhe drejtuesit e kulteve. Luigi Guliani dhe bashkëshortja e tij kanë drejtuar pjesën qëndrore të Forcellas dhe ne shkuam në një prej dasmave të tyre. Yjet vendase ishin të ftuar. Ata janë shumë të famshëm dhe kanë pasuri të jashtëzakonshme", thotë Clare Longrigg. Po çfarë roli luajnë gratë, e pyetëm Clare Longrigg.

"Gratë në Kamorra luajnë rol shumë të rëndësishëm po t'i krahasosh me mafiat e tjera italiane. Gratë në Napoli prej kohësh kanë qenë më të emancipuara. Vetëm ato janë përgjegjëse për huazim parash, por edhe për drejtimin e kontrabandës së drogës dhe pastrim të parave. Pupetta Maresca, psh ishte një grua e jashtëzakonshme që mori drejtimin nga i shoqi, kur ky i fundit u vra. Ajo ishte vetëm 18 vjeç. Mbaj mend ishte vetëm disa vjet më parë kur dy makina të mbushura me gra nga familje kundërshtare shkuan në një takim që përfundoi, duke qëlluar njëra-tjetrën. Dy makina të mbushura me gra të vdekura".

Kriza në Napoli është tipike e kohëve tona. Rrënjët e Kamorrës megjithatë janë të vjetra sa edhe vetë qyteti. Një nga ata që e kuptojnë shumë mirë Napolin është shkrimtari Peter Robb.

"Mendoj se kushtet për të e kanë prejardhjen larg që nga perandoria romake dhe treguesit e parë në fillim të rilindjes, por Kamorra është diçka spanjolle".

Mbretërit spanjollë morën zotërimin e Napolit në fillim të 1500 dhe sunduan për më shumë se 200 vjet.

Ata sollën me vete krimin e rrugës së Seviljes. Ata sollën gjithashtu thotë Peter Robb, edhe ligjshmërinë politike që shohim sot:

"Sunduesit spanjollë ishin gjithmonë të kënaqur që të linin njerëzit të vetëorganizoheshin. Ata nuk ishin aspak të interesuar për mirëqenien e popullsisë vendase dhe kështu filloi të ekzistonte një bashkëekzistencë midis pushtetit sundues dhe këtij pushteti kriminal vendas e filloi të rritej dhe dominoi periferi dhe lagjet e vjetra të Napolit, dhe që nga ajo kohë, ajo ka mbetur. Ka korrupsion të tmerrshëm politik dhe lënie pas dore dhe është në këto kushte që po lulëzon edhe pushteti kriminal".

Kur Napoli u trondit nga tërmeti i 1980, Kamorra shfrytëzoi rastin. Peter Robb thotë: "Qeveria italiane futi miliarda për rindërtim dhe Kamorra mundi të futet në mënyrë shumë të gjerë dhe në kontratat qeveritare, ndërtimet dhe materialet e ndërtimit janë tashmë pjesë e rëndësishme e biznesit të Kamorrës. Në të njëjtën kohë, atje filloi të lulëzonte dhe trafikimi i drogës së botës. Heroina arriti në Itali dhe më pas edhe kokaina nga Amerika Jjugore".

Bandat e rrugës së Napolit ishin tani në të njëjtin nivel me fqinjët e tyre të famshëm përtej ngushticës së Mesinës, Cosa Nostres tradicionale në zemër të Siçilisë. Një studim i kohëve të fundit nga një shoqatë italiane vlerësoi se, Kamorra vitin e kaluar kishte vlerë afro 23 miliard dollarë që është në përgjithësi GDP e Libanit. Anna Gilmour,e cila ka ndjekur nga afër mënyrën se si Kamorra është shtrirë në një rrjet krimi të gjerë botëror me të ardhura të krahasueshme me ato të një vendi të vogël.

"Kamorra është shumë e lidhur me organizata të tjera. P.sh., përsa i përket heroinës, ajo mund të ketë marrëdhënie me shqiptarët, këta të fundit kanë lidhje me grupet turke e këta të fundit kanë lidhje me rrjete që lëvizin nga Afganistani dhe Pakistani. E njëjta gjë edhe për kokainën. Kamorra ka patur mundësi të forcojë lidhjet me grupet spanjolle dhe kolumbiane që operojnë tregtinë e kokainës nga vendet prodhuese në Ande nëpërmjet Brazilit ose Karaibeve për në Afrikën Perëndimore dhe më pas në Evropë".

Kamorra mund të jetë tani një lojtar ndërkombëtar. Por për Peter Robb, ajo është ende problem italian kaq i thellë, kaq kompleks, saqë shkon në zemër të çdo gjëje italiane:

"Çështja e korrupsionit në Itali që është në thelb të kësaj është kaq e thellë dhe vazhdon në kaq shumë shtresa, saqë unë nuk e di se ku mund të fillojë dikush punën". Ndërkohë 70 milion eurot e nevojshme për të përfunduar gjithë punën në Napoli janë ngrirë si pjesë e një hetimi, në të cilin është përfshirë dhe guvernatori rajonal, Antonio Bassolino. Në Napoli, policia ka arrestuar rreth 50 vetë që thuhet se janë të Kamorrës dhe më shumë se 20 zyrtarë janë nën hetim, pasi në mënyrë të paligjshme kanë shitur mbetje në vend që t'i pastrojnë. Për napoletanët, shërimi nga këto probleme duket më larg se kurrë.

Përgatiti:

KLARITA BAJRAKTARI

RD