Miratohen ndryshimet në qeveri, Pollo zv/Kryeministër, Beja Ministër i Arsimit, Godo ministre e Shëndetësisë
Kuvendi miratoi dje me shumicë votash ndryshimet për tre poste në kabinetin qeveritar. Deputetët miratuan propozimet për Genc Pollon, në postin e zv/kryeministrit, Anila Godon, në postin e ministres së Shëndetësisë dhe Fatos Bejën, në postin e ministrit të Arsimit. Genc Pollo, kandidati postin e zv/kryeministrit është diplomuar në Shkencat Historike në Universitetin e Tiranës, ndërkohë që në vitet 1986-1988 është angazhuar si kërkues shkencor në Akademinë e Shkencave. Ka kryer studime pasuniversitare në Universitetin e Vjenës (1988-1990) dhe është njohës i 4 gjuhëve të huaja. Ndërsa, kandidati për postin e ministrit të Arsimit, Fatos Beja, ka kryer studimet në Universitetin e Tiranës, dega Filologji, ndërkohë që mban titullin Doktor i Shkencave Filologjike. Në vitet 1971-1982, ai ka punuar si përkthyes e redaktor në Agjencinë Telegrafike Shqiptare, ndërsa më pas (1985-1992), ka qenë bashkëpunëtor Shkencor në Institutin e Gjuhësisë dhe Letërsisë, Akademia e Shkencave. Veprimtaria politike e Bejës nis në vitet 1992-1997, si Këshilltar Diplomatik i Presidentit të Republikës. Në vitin 1996, Beja zgjidhet deputet i PD-së, ndërkohë që vijon aktivitetin e tij në forumet drejtuese të PD-së. Aktualisht, Beja është nënkryetar i Kuvendit të Shqipërisë dhe Kryetar i Komisionit parlamentar për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut. Ndër të tjera, Anila Godo, kandidatja për postin e ministres së Shëndetësisë ka lindur në vitin 1956, në Tiranë. Në vitin 1980 është diplomuar pranë Universitetit të Tiranës, në Fakultetin e Mjekësisë dhe që prej atij viti ka ushtruar profesionin e mjekes në Departamentin e Pediatrisë, në Qendrën Spitalore Universitare "Nënë Tereza", në Tiranë. Që nga viti 1990 dhe deri më sot është pedagoge në Fakultetin e Mjekësisë dhe nga viti 2003-2007 zv/dekane e Fakultetit të Mjekësisë. Nga vitet 1997-2002 është shefe e Departamentit të Pediatrisë. Aktualisht është shefe e pavionit të Onko-Hematologjisë Pediatrike. Që nga viti 2007 ushtron një mandat 7-vjeçar si anëtare e KALSH. Në vitin 1997 ka marrë titullin "Doktor i Shkencave", ndërsa në vitin 2001, titullin akademik "Profesor i Asociuar". Ka një aktivitet të pasur shkencor dhe ka kryer një seri specializimesh jashtë vendit. Ndërkohë që, Godo është anëtare e Partisë Republikane që prej vitit të parë të krijimit të saj.
RD
Ruaj Lidhjet