Kryeministri italian Silvio Berlusconi së shpejti do të vizitojë Tiranën. Kështu është shprehur zëvendëssekretari i Këshillit të Ministrave të Italisë, Gianni Letta gjatë një takimi me kryetaren e Kuvendit shqiptar, Jozefina Topalli në kuadër të një vizite që ajo po zhvillon në Itali.

“Italia është mbështetëse e fortë e zhvillimeve në Shqipëri dhe kjo mbështetje do të konkretizohet së shpejti edhe me vizitën e numrit një të qeverisë italiane, Silvio Berlusconi në Shqipëri”, tha zoti Letta.

Sipas tij, do të përshpejtojë këtë vizitë së bashku me Kryeministrin Berlusconi dhe një grup investitorësh italianë për të rritur kështu bashkëpunimin politik por edhe atë ekonomik.

Duke bërë një pasqyrim të shkurtër të zhvillimeve në Shqipëri, reformave fiskale e politike, Kryetarja e Kuvendit, Topalli tha se falë një lidershipi të fortë dhe reformave kurajoze Shqipëria në një kohë rekord po mbyll fazën e ratifikimit të MSA-së.

/Balkanweb/