Të pavarur dhe të izoluar
Nga: Fehmi HAJRA
Përderisa në Kosovë qytetarët po aplikojnë për çdo ditë e më shumë për pasaportat e reja të Republikës së Kosovës, Sllovakia ka marrë një vendim të prerë: nuk do t’i njohim pasaportat e reja të Kosovës dhe nuk do të lejojmë që kosovarët me ato pasaporta të hynë në Sllovaki. Për ata qytetarë që nuk janë të familjarizuar me Marrëveshjen Schengen, fakti që Sllovakia nuk do t’i njoh pasaportat nuk paraqet kurrfarë problemi, pasi që nuk është një vend edhe aq shumë i synuar për kosovarët.
Por në fakt, situata duket mjaft e komplikuar pasi që tashmë Sllovakia është pjesë e Bashkimit Evropian dhe është pjesë e Marrëveshjes Schengen dhe si e tillë mund të paraqesë probleme në BE për arsye se në “Zonën Schengen” nuk ka pika kontrolluese dhe ta zëmë, nëse një qytetarë ka një vizë Schengen të lëshuar nga Çekia ai mund të udhëtojë në cilin do vend tjetër që ka nënshkruar Marrëveshjen Schengen, duke përfshirë edhe Sllovakinë e cila si duket nuk dëshiron të jetë në të njëjtën vijë me Bashkimin Evropian.
Situata duket e ngjashme me atë që ka sot Maqedonia, pasi që Greqia nuk i njeh vizat që lëshojnë vendet e Schengenit për qytetarët e Maqedonisë, atëherë përdoret e ashtuquajtura “Schengen minus” që nënkupton që një qytetar me pasaporta maqedonase mund të udhëtojë në të gjitha vendet e Schengenit përveç Greqisë. Por në Kosovë gjithçka është më e komplikuar se sa në të gjitha vendet tjera të Ballkanit për sa i përket çështjes së vizave. Duke pasur një status politik ende të diskutuar dhe jo të njohur nga të gjitha vendet e BE-së, situata duket mjaft e komplikuar kur dihet se çdo vendim për lehtësimin apo liberalizimin e vizave për Kosovën duhet të merret pëlqimi nga të gjitha vendet e BE-së. Pozicioni i Sllovakisë tashmë dihet, por ende nuk është e qartë se si do të veprojnë vendet tjera të BE-së që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës në rast se BE-ja dëshiron të zbusë vizat për kosovarë.
Ajo që është e çuditshme në krejt ketë proces janë institucionet shtetërore të Kosovës, sidomos Qeveria e Kosovës me Ministrinë e Brendshme dhe atë të Jashtme. Përderisa Qeveria e kaluar ankohej se nuk mund të bëjë asgjë në ketë drejtim pasi që nuk e kemi Ministrinë e Jashtme (ndonëse çështja e vizave ka të bëjë më shumë me Ministrinë e Punëve të Brendshme) dhe për shkak të statusit të pazgjidhur politik, kjo Qeveri i ka të gjitha ministritë që duhen të koordinohen në ketë proces, dhe se Kosova tashmë është subjekt shtetëror i njohur nga institucionet e BE-së. Por në fakt, kjo punë as që duket se është në agjendë të Qeverisë. Krejt çfarë ka bërë kjo Qeveri në ketë proces është një iniciativë që në start e dështuar e Ministrisë së Arsimit, që me anë të një letre kërkonte zbutjen e regjimit të vizave për studentet kosovar. Fati i asaj letre as që dihet.
Letra që ministri i Arsimit ju pati dërguar vendeve anëtare të BE-së (ndonëse është dëshmi e një vullneti të mirë të Ministrit) dëshmon për atë që shumë kush e ka thënë që të gjitha Qeveritë në Kosovë janë silluar dhe sillen sikur të ishin OJQ, të tipit që kërkojnë në emër të anëtarëve të saj të rregullohet ndonjë çështje me interes publik. Një Qeveri serioze, merr përgjegjësi dhe përkushtohet në reforma. Në fakt ajo pse kemi një situatë të komplikuar me çështjen e vizave në Kosovë, është ndër të tjera edhe për fajin e Qeverisë dhe institucioneve tjera veçanërisht Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe realitetit tonë si shoqëri.
Letra që Ministri Hoxhaj iu pat dërguar vendeve anëtare të BE-së, së pari ishte dashur te dërgohej tek ministri Pajaziti dhe t’ia përkujtonte kolegut të tij se ai duhet të fillojë së realizuari ato kritere dhe kërkesa që vinë nga Bashkimi Evropian, siç janë siguria e kufijve, siguria e pasaportave (futja e elementeve biometrike), lufta ndaj krimit të organizuar, lufta ndaj trafikimit të qenieve njerëzore etj etj., në mënyrë që BE-ja te zbusë regjimin e vizave për studentët kosovar dhe gjithë shoqërinë kosovare.
Është për të çuditur se si Qeveria e Kosovës, nuk është aspak e shqetësuar që Kosova është shteti i vetëm në Evropë që Bashkimi Evropian nuk ka kurrfarë marrëveshje me të, qoftë për lehtësimin apo për liberalizimin e vizave Schengen. Ndërkohë që ajo (BE-ja) ka me të gjitha shtetet e Evropës që nuk janë në BE, madje edhe me Rusinë e Bjellorusinë që nuk kanë ambicie për të qenë pjesë Unionit, madje e kundërshtojnë atë.
Në fakt, pa një marrëveshje lehtësimi dhe më pas liberalizimi të vizave me BE-në dhe me shtete tjera që nuk janë pjesë e BE-së, duket se në brendësi të Pasaportave të Republikës së Kosovës do t’i kemi vetëm disa vule kur të na bije puna të shkojmë në Mal të Zi, Shqipëri apo Maqedoni.
Vështirë do të jetë për qytetarët e Kosovës që të shkojnë më larg, sidomos në “Zonën Schengen” e cila mbetet totalisht e mbyllur për ta. Por kjo nuk vlen si duket për shumicën e politikanëve të vendit ashtu edhe për zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme të cilët asnjëherë nuk e kanë marrë mundin që të provojnë lobimin në vendet e Bashkimit Evropian, në mënyrë që këto të fundit të fillojnë negociatat me Kosovën për lehtësimin e procedurave për pajisjen e kosovarëve me viza aq të domosdoshme për të udhëtuar në Evropë. Dikush mund të thotë, pse të lobojnë kur ata s’kanë probleme asnjëherë për viza, madje as që ju duhet të shkojnë në ambasada.
Krijoni Kontakt