Kampionati i 34-t i Botëror i të rinjve dhe i 14-ti për të reja, që është duke u zhvilluar në Kali të Kolumbisë, ka nisur me medalje për kombëtaren tonë. Gjithçka ka ardhur nga shpatullat e shtërmenasit Briken Calja, i cili në stilin e shkëputjes, me 136 kg, ka zënë vendin e tretë në peshën 69 kg.
Është medalja e bronztë e para ndërkombëtare në grupmoshën e të rinjve për Briken Caljen, i cili dhe me shtatëmbëdhjetëvjeçarët, të paktën në Landskrone të Suedisë më 2006-ën, ka qenë i tillë. Prezantimi i mirë i shtërmenasit ka vazhduar dhe në stilin e shtytjes, teksa me 164 kg ka zënë vendin e katërt.
Dhe në total me 300 kg në dygarësh është renditur po i katërt. Ndoshta Shqipëria do të kishte dhe një tjetër medalje në peshën 69 kg, por ka munguar Gerti Trasha, i cili, me vendin e tetë në Europianin e të rriturve në Linjano të Italisë, është kualifikuar për në Lojërat Olimpike "Pekin 2008".
Ka munguar, sepse ka patur një dëmtim të lehtë, dhe për të mos u rënduar më shumë, kur janë Lojërat Olimpike përpara, Trasha e ka parë të arsyeshme të refuzojë vajtjen në Botërorin e të rinjve.
Sot pritet prova e kampionit të botës në fuqi në peshën 77 kg, Erkand Qerimajt, prejt të cilit Shqipëria kërkon medalje. Pas tij janë dhe Elvis Tabaku në peshën 85 kg, Endri Karina në peshën 94 kg dhe Maria Veli në peshën 63 kg. Gjithsesi ajo që është e rëndësishme, Briken Calja e ka marrë medaljen e parë të bronztë për Shqipërinë.
Krijoni Kontakt