Close
Faqja 2 prej 6 FillimFillim 1234 ... FunditFundit
Duke shfaqur rezultatin 11 deri 20 prej 54
  1. #11
    Evidenca Maska e RaPSouL
    Anëtarësuar
    09-03-2006
    Vendndodhja
    Gjermani
    Postime
    17,464
    Italia bllokon planet turke për rianeksimin e Shqipërisë

    ROMË – (Lajm i marrë nga London Mornin Post). Dërgimi i anijeve të luftës “Dandolo”, “Climene” dhe anijeve të tjera drejt Vlorës është njoftuar nga qeveria si një skemë e nisjes së një agjitacioni, që po tenton të nëpërkëmbë vendimin e Konferencës së Londrës, e cila e shpall Shqipërinë vend neutral.
    Ismail bej Qemali, i cili e ka parë një gjë të tillë, u shpreh i kënaqur me veprimin e Italisë për ofrimin e ndihmës politike dhe humanitare. Ai nuk mendon hapin që mund të çojë në ndërlikime dhe i përshkroi kushtet e popullit në Vlorë si tejet të mjerueshme. “Tribuna”, duke komentuar njoftimin e qeverisë, deklaroi se qëllimi aktual i Italisë është thjesht humanitar, meqenëse kushtet e mjerueshme në Vlorë kërkojnë ndihma të nevojshme shëndetësore.
    Në lidhje me ruajtjen e bregdetit, qeveritë e Francës dhe Italisë e kanë paralajmëruar Italinë se dyshohet për një lëvizje myslimane në Portin e Smirnës. Turqit kanë nisur dhe po vazhdojnë me dy vaporë të marrë me qira nga Komiteti për Shqipërinë, me synimin e ngritjes së flamurit turk dhe ripushtimin e Shqipërisë nga Turqia. Në një linjë perfekte me të gjitha shtetet firmëtare të Konferencës së Londrës, Italia ka ndër mend që ta ndalojë këtë përpjekje.

    Lajmi është publikuar në “The New York Times” më 28 tetor 1914
    Sui generis

  2. #12
    Evidenca Maska e RaPSouL
    Anëtarësuar
    09-03-2006
    Vendndodhja
    Gjermani
    Postime
    17,464
    Diaspora shqiptare në Amerikë, histori konfliktesh


    Konfliktet mes përfaqësuesve politikë dhe intelektualëve të diasporës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ekzistuar që në fillimet e shekullit XX. Në shkrimet e publikuara nga “The New York Times”-i rrëfehen mosmarrëveshjet mes përfaqësuesve më të njohur të saj, ku në rastin konkret, në shkrimin e sotëm, flitet për një konflikt pak të dëgjuar; atë midis Fan Nolit dhe Ismail Qemalit. Gazeta amerikane kishte publikuar një mesazh të Ismail Qemalit në vitin 1917, në të cilin thuhej se ai përfaqësonte shqiptarët e diasporës në kontinentin amerikan. Por kjo ka shkaktuar pakënaqësinë e Fan Nolit, i cili është kundërpërgjigjur në të njëjtën gazetë. Noli, përfaqësues i federatës “Vatra”, deklaron publikisht përmes “Times”-it se Ismail bej Qemali nuk është përfaqësues i saj. Në atë periudhë udhëheqësi i shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë në vitin 1912 në Vlorë jetonte në Paris dhe kishte marrë një fushatë sensibilizimi për bashkimin e shqiptarëve kudo nëpër botë. Një tjetër shkrim e tregon qartë këtë. Gazeta sjell për lexuesit e saj një mesazh që Ismail bej Qemali u shpërndau të gjitha organizatave dhe shqiptarëve anekënd botës, për të treguar maturi përpara botës në momentin kritik të përfundimit të Luftës së Parë Botërore. Ai kërkon që shqiptarët të lënë mënjanë xhelozitë, sherret dhe mosmarrëveshjet e vogla.
    Përplasja e Ismail Qemalit me Fan Nolin vjen në një histori tipike shqiptare të konflikteve mes personaliteteve më të spikatura të Shqipërisë në Perëndim, që kanë pasur me njëri-tjetrin.
    Sui generis

  3. #13
    Evidenca Maska e RaPSouL
    Anëtarësuar
    09-03-2006
    Vendndodhja
    Gjermani
    Postime
    17,464
    Përplasje në “The New York Times” midis Fan Nolit dhe Ismail Qemalit

    BOSTON – Lidhur me një telegram të ardhur nga Parisi, publikuar në numrin e 14 nëntorit në gazetën tuaj të nderuar rreth Ismail bej Qemalit, gjej rastin të tërheq vëmendjen tuaj në faktin se ky zotëri i nderuar nuk i përfaqëson shqiptarët e Amerikës, siç pretendon. Përfaqësuesit realë të shqiptarëve të Amerikës janë të gjithë ata që u emëruan nga organizata shqiptare, e cila është më e madhja dhe më e rëndësishmja organizatë në Shtetet e Bashkuara dhe e shpërndarë nëpër botë. Përfaqësuesit e federatës “Vatra” në Europë janë si më poshtë: Mehmet Bej; zoti Faik Konica, anëtar i Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit të Shqipërisë; juristi Nikolas Kashezi, në Londër, Angli; dhe ish-ministri i Arsimit, Doktor Mikel Turtulli, në Lozanë të Zvicrës.

    Me respekt
    Fan Noli
    President i Federatës Vatra
    97 Compton Street

    Lajmi është publikuar në “The New York Times” më 16 nëntor 1917
    Sui generis

  4. #14
    Evidenca Maska e RaPSouL
    Anëtarësuar
    09-03-2006
    Vendndodhja
    Gjermani
    Postime
    17,464
    Mesazhi i Ismail Qemalit: “Shqiptarët t’i lënë mënjanë konfliktet”

    PARIS – Ismail bej Qemali, ish-president i Qeverisë së Përkohshme të Shqipërisë, ka lëshuar një thirrje për Partinë Kombëtare Shqiptare, e krijuar së fundi në Amerikë. Ai thotë: “Zjarri i patriotizmit tim nuk është prej një personi simulant. Sidoqoftë, shpreh me kënaqësi mbështetjen time për Partinë Kombëtare Shqiptare. Dëshira që ndiej për vendin tim të dashur më jep fuqi dhe kurajë të mbetem i përkushtuar këto kohë që të mbroj kauzën tonë të shenjtë, nën flamurin fitimtar të heroit tonë të pavdekshëm Skënderbeu, i cili pas pesë shekujsh maturie më ka nxitur që të shpalos gjithnjë e më shumë respekt dhe nderim. Në asnjë moment nuk do të ngurroj të hyj në një luftë të re për shpëtimin e vendit tonë të dashur, ndonëse ruhet nga besnikëria dhe mbështetja e bashkëpatriotëve të mi të dashur, dhe as dyshoj në suksesin e tyre, por kjo ndodh vetëm nëse unë ju gjej ju, të gjithëve, të bashkuar, prandaj po bëj thirrjen për armëpushimit, duke lënë mënjanë rivalitetet dhe ngatërresat e vogla”.
    Pas thirrjes për bashkim të shqiptarëve të Amerikës, mesazhi vazhdon: Vetëm në këtë mënyrë, në këtë periudhë të përfundimit të luftës së madhe botërore dhe vendosjes së paqes, përpara takimit të Këshillit Suprem të Fuqive, ne mund të besojmë në qartësinë dhe drejtësinë e tyre, në mbështetjen e argumenteve të pakundërshtueshme për të drejtat tona. Vetëm në këtë mënyrë ne mund t’i ofrojmë këtij Këshilli një mundësi, duke riparuar padrejtësinë e bërë në copëtimin e Shqipërisë, e cila u lind prej nesh. Vetëm në këtë mënyrë do të kthehet integriteti ynë territorial dhe pavarësia jonë kombëtare, në ofrimin e një garancie të qëndrueshme të ekuilibrit dhe paqes për popujt në Ballkan.
    Thirrja e Ismail bej Qemalit ishte në përgjigje të një kërkese formale të bërë nga Partia Kombëtare Shqiptare, e cila numëron rreth 70 mijë anëtarë, dhe nga përfaqësuesit shqiptarë kudo nëpër botë që ai të udhëheqë kombin në mbrojtjen e pavarësisë politike dhe territoriale të tij.

    Lajmi është publikuar në “The New York Times” më 14 nëntor 1917
    Sui generis

  5. #15
    Evidenca Maska e RaPSouL
    Anëtarësuar
    09-03-2006
    Vendndodhja
    Gjermani
    Postime
    17,464
    “The New York Times”-i më 1913-n: “Esat Pasha të garantojë paqen në vend”

    Gazeta amerikane i kushton një editorial çështjes shqiptare

    TIRANË – Qëkur Esat Pasha erdhi në këtë qytet, pasi Shkodra u sulmua nga Car Nikolla, disa korrespondentë kanë pushtuar vendbanimin e tij, - një shtëpie e madhe dhe e bukur, në një vend në pronësi të një tregtari të kamur, - për të marrë vesh se çfarë do të bëjë ai në të ardhmen, sipas asaj që kanë deklaruar Fuqitë e Mëdha për Shqipërinë.
    Esat Pasha, ende i veshur me uniformën e gjeneralit turk, mban në shtëpinë e tij flamurin e Turqisë dhe ruhet nga forca ushtarake turke. Në anën tjetër, flamuri i Pavarësisë së Shqipërisë duket kudo dhe forcat shqiptare janë duke bërë stërvitje të përbashkëta; megjithatë, qeveria lokale po ecën sipas stilit shqiptar, me skemën e tanishme të Esatit, i cili nuk ka asgjë otomane në karakterin e tij. Kjo e gjitha është një lojë shumë e madhe për korrespondentët; Ata nuk marrin të dhëna sa duhet në atë që dëgjojnë nga goja e këtij njeriu. Megjithatë, në një pikë ai është shumë i vendosur. Kur u pyet nëse atje kishte pasur ndonjë marrëveshje sekrete midis tij dhe Car Nikollës kur ai dorëzoi Shkodrën; të tilla si pagim parash, apo premtim nga Car Nikolla për mbështetjen e tij si sundues i Shqipërisë, ai tha prerazi: “Është e pamundur që të zgjasim rezistencën tonë; unë nuk do të them për një ditë, apo për disa orë. Kriza dhe asgjë tjetër, siguroi fitoren përtej nesh”. Kur u pyet për marrëdhëniet e tij me Qeverinë e Përkohshme (qeveria e Vlorës, e drejtuar nga Ismail Qemali, - shën. red.) qendra e së cilës është në Vlorë, ai tha me një qeshje të lehtë që të sjell ndër mend shpirtligësinë: Ju e patë vetë se çfarë jam, – një drejtues ushtrie, një specie prej ushtaraku. Çfarë prisni prej meje, që një gjeneral turk të ruajë marrëdhëniet me një qeveri që nuk pajtohemi me të, si ajo e Vlorës? Me sa duket, kjo nuk është e mundur. Është e vërtetë se konsujt e Austro-Hungarisë dhe Italisë patën dashamirësinë të më informonin se një qeveri e tillë ekziston. Por, përsa më përket mua, nuk di asgjë rreth saj. Ajo nuk më intereson. Ashtu si për marrëdhëniet e mia me qeverinë turke, asgjë nuk mund të jetë më e thjeshtë. Unë pres urdhrat, të cilat më dërgohen nga Ministria e Luftës në Kostandinopojë. Unë jam gati të drejtoj me njerëzit e mi kudo që ata dërgohen në misionin e tyre, gjë që ka ndodhur jo shumë kohë më parë. Por, për shembull, ne nuk na dërguan në Bagdad apo në thellësi të Azisë së Vogël.
    “Unë nuk jam vetëm. Unë kam miq dhe të njohur në vend. Unë mund t’i bashkoj drejtuesit e fiseve të vendit, dhe të gjithë së bashku, ndoshta, mund të bëjmë diçka. Oh! Unë e di më së miri se ne kemi nevojë për asistencën financiare dhe teknike të Europës. Por kjo asistencë që të na jepet ne, duhet të jetë e pakushtëzuar. Ajo çfarë unë dëshiroj, çfarë ne dëshirojmë, është që te të gjitha kostot të mos jenë të vetëm”. Për Esat Pashën, çështja e krijimit të qeverisë është, në mënyrë të dukshme, e rëndësisë sekondare. Janë çështje të vogla nëse drejtuesi i Shqipërisë mund të jetë një princ apo një mbret. Ajo që ai realisht shfaq është se ka caktuar në zemrën e tij një kompromis besnik dhe të ndershëm me Turqinë, dhe më pas të organizojë vendin konform traditave kombëtare të tij. Megjithatë, siç vazhdon ndërhyrja e Europës, duket gjithnjë e më e mundshme që Esat Pasha për veten e tij të mos dëshirojë të marrë pjesë në punën që është planifikuar për t’u bërë. Kjo tregon se ai, i vetmuar, nuk mund të bëjë asgjë përtej idesë që Esati për veten e tij dëshiron të marrë fronin.
    Kur ai fliste, dukej tamam sikur po thoshte: “Jo, faleminderit! Jo për mua”. Ndonëse Europa, realisht, ka ndër mend ta lërë Shqipërinë në paqe, Esati mund ta nxisë të bjerë në këtë linjë dhe kjo do të jetë gjëja më e mirë që mund të bëjë ai për shtetin e ri.

    Shkrimi është publikuar në “The New York Times” më 6 korrik 1913
    Titulli origjinal është “E ardhmja e Shqipërisë”. Shkrimi është editorial i gazetës
    Sui generis

  6. #16
    Evidenca Maska e RaPSouL
    Anëtarësuar
    09-03-2006
    Vendndodhja
    Gjermani
    Postime
    17,464
    Esat Pasha pranon pretendimet greke për kufijtë e Jugut

    ATHINË – Një letër e marrë këtu nga Korfuzi thotë se Esat Pasha, komandanti turk në drejtim gjatë kohës së rrethimit të Shkodrës, ka krijuar një qeveri në Tiranë, ku ka shpallur autonominë e Shqipërisë nën pushtetin e Turqisë dhe ka ngritur lart flamurin e Turqisë në vend të atij të Shqipërisë. Tirana është një krahinë e mbushur plot me reminishenca të kohës së princërve të vjetër shqiptarë. Ajo ndodhet rreth 54 milje larg Shkodrës dhe në më pak se 20 milje larg Krujës, ku princi i famshëm shqiptar, Skënderbeu, gjatë shekullit të 15-të, për shumë vjet, i rezistoi baticës së pushtimit mysliman të Europës.
    Gjithashtu, Esat Pasha ka shkruar një letër për Metropolitanin e Durrësit, duke i thënë se qeveria shqiptare njeh autoritetin e Kishës Ortodokse, së cilës do t’i ofrojë mbrojtjen e saj. Letra thotë se qeveria shqiptare nuk është në asnjë mënyrë në armiqësi me Greqinë dhe që ajo njeh kufijtë jugorë të Epirit, në mbështetje me kërkesat e qeverisë greke.

    Shkrimi është publikuar në “The New York Times” më 3 maj 1913


    Car Nikolla u bindet Fuqive të Mëdha për Shkodrën

    LONDËR – Car Nikolla dhe gjeneralët e tij, gjatë zhvillimit të Këshillit Mbretëror, ditën e shtunë, në Cetinjë, vendosën të pranojnë kërkesat e Fuqive për t’u tërhequr nga Shkodra. Parlamenti malazez kishte thirrur mbledhjen për të mërkurën, ku çështja do të shtrohej për diskutim para tij. Qëndrimet në lidhje me këtë zhvillim kishin mbërritur mbrëmjen e kaluar në Londër dhe Vjenë. Nëse ato, realisht, paraqesin synimet e Car Nikollës, gjendja në Shkodër pritet të kalojë në një periudhë më të favorshme. Megjithatë, pak më vonë, Ministria e Jashtme Austriake nuk kishte pohuar informacionet se prirjet më paqësore ishin duke mbizotëruar në Cetinjë, pasi atje ishte dukshëm një gatishmëri shumë e fortë në drejtimet zyrtare dhe nuk i zihej besë Car Nikollës dhe politikës së tij. Një mesazh special i mbërritur nga Cetinja tek “The Daily Telegraph” thotë se, sipas informacioneve nga Shkodra, Esat Pasha ka bërë një përplasje të paparashikuar me Xhavid Pashën, në një zonë afër Durrësit, duke e shkatërruar atë pas një lufte që zgjati së paku disa orë. Megjithatë, informacione të tjera thonë se Xhavid Pasha ishte fitimtari.

    Shkrimi është publikuar në “The New York Times” më 5 maj 1913
    Sui generis

  7. #17
    Evidenca Maska e RaPSouL
    Anëtarësuar
    09-03-2006
    Vendndodhja
    Gjermani
    Postime
    17,464
    Prag lufta, Shqipëria në komentin e “Times”-it


    Viti 1913, fill pas dështimit të Qeverisë së Përkohshme të Vlorës, të drejtuar nga Ismail Qemali, e vendosi sërish në udhëkryq Shqipërinë. Gjatë gjithë asaj periudhë nisën ftesat, negociatat, debatet dhe përplasjet për t’u bërë mbret apo princ i vendit që kishte probleme të pafundme, deri në ekzistencën e tij si shtet. Pikërisht në këtë periudhë, gazeta e njohur amerikane “The New York Times” bën një editorial ku sqaron situatën. Përmes gazetarëve të tyre, të cilët i ndoqën konfliktet në Shkodër mes forcave të Esat Pashës dhe trupave malazeze, jepen të dhëna të detajuara për situatën. Në editorialin e shkruar në korrik të vitit 1913, gazetari shprehet qartë se Europa do ta lërë në paqe Shqipërinë, por detyra e vetme e Esat Pashës është që ta mbajë situatën në kontroll.
    Përveç kësaj analize, sjellim edhe dy informacione të shkurta në lidhje me ekzistencën e një letre që ishte dërguar në Greqi nga Esat Pasha, ku thuhet se ai njeh Metropolitinë Ortodokse të Durrësit dhe pretendimet greke për ndarjen e kufirit me Shqipërinë. Po ashtu, edhe një informacion tjetër për tërheqjen e Malit të Zi nga Shkodra pas kërkesave të bëra nga Fuqitë e Mëdha.
    Sui generis

  8. #18
    Evidenca Maska e RaPSouL
    Anëtarësuar
    09-03-2006
    Vendndodhja
    Gjermani
    Postime
    17,464
    “The New York Times”: “Kaosi i shkaktuar nga ardhja e Princ Vidit”

    Gazeta amerikane rrëfen për një ditë tmerri në Durrës


    LONDËR – Sipas informacioneve të “The Daily Telegraph”, të marra nga Durrësi në lidhje me ngjarjen e ndodhur ditën e shtunë, dr. Dillon ia ngarkoi përgjegjësinë realizimit të një sërë gabimesh trashanike të kryera nga një oficer holandez, major Sleys, i cili urdhëroi 120 malësorë të marshojnë kundër rebelëve në Shijak. Malësorët mërmëritnin dhe thoshin se janë shumë pak, por ata shkuan.
    Megjithatë, kur oficeri holandez i urdhëroi të marshojnë drejt Tiranës, ata e refuzuan kategorikisht. Ata ishin ndëshkuar rëndë për mosbindje dhe u urdhëruan të dorëzonin armët. Ata u tërhoqën kur oficeri i qortoi publikisht.
    Më pas Sleys urdhëroi 50 vullnetarë të patrajtuar që të parakalonin kundër rebelëve, të cilët nuk u entuziazmuan, por vetëm treçerek ore më pas, larg qytetit, ata ishin rrethuar nga kryengritësit dhe pasi kishin qëlluar ndaj aleatëve të tyre, e kuptuan se i kishin ngatërruan ata për rebelë, dr Dillon tha: Në mesnatë, ministri italian, Baron Alitti, nxitoi te Pallati, takoi mbretin dhe nxori në pah budallallëkun e veprimit të majorit holandez, i cili solli bashkimin dhe konsolidimin e myslimanëve fanatikë, duke i bashkuar ata me vështirësi për të krijuar një grup.
    “Çdo hap i ndërmarrë nga plani sekret për të rrëzuar poshtë Esat Pashën, për të dërguar 50 vullnetarë të papërvojë kundër qindra njerëzve të komanduar nga fanatikët, kishte qenë një marrëzi”.
    Largohet mbreti
    Në lidhje me largimin e mbretit nga kryeqyteti, dr. Dillon tha se ministri i Financës, Nogga, kërkoi që të ruhej mbreti. Ai vijon: “Në 4.45 minuta mbreti dhe mbretëresha, të shoqëruar nga tre ish-ministra dhe disa oficerë, kaluan ngadalë nën ballkonin tim, në drejtim varkës austriake të shpëtimit, mes një qetësie të thellë, dhe në 4.50 minuta Vilhelmi i Parë, i emëruar për të mbretëruar Shqipërinë, kishte kaluar matanë”.
    Ai vazhdoi: “shqiptarët po shikojnë skena të paharrueshme, duke e interpretuar me komente therëse largimin e sovranit dhe rrëshqitjen e disa pikave loti. Që të rivendosen masat këtu, mbreti duhej të ishte jashtë vendit, por ishte arritur konsensusi që ai për veten e tij mund dhe duhej të mbetej në qytet, ndërsa gruaja dhe fëmijët e tij të dërgoheshin tek anija”. Komisioni i Kontrollit zhvilloi bisedime me kryengritësit të shtunën në mbrëmje dhe ua mbushi mendjen atyre që të lënë mënjanë armiqësitë. Komisionarët më pas vizituan anijen luftarake italiane, ku mbreti ishte strehuar dhe e informuan atë e çfarë kishte ndodhur, pas së cilës mbreti u rikthye në kryeqytet, i shoqëruar nga mbretëresha.
    Rikthimi i tij
    “Pritja e dhënë për mbretin gjatë kthimit të tij ishte e ftohtë”, - thotë dr. Dillon. ///////////////////////////////“Konstatime të hidhura ishin bërë hapur në lidhje me largimin e tij të bërë me ngut nga rreziku që i kanosej në qytet pasi ai ishte larguar pa mbrojtjen e përshtatshme. Shqiptarët pohojnë se të njëjtat ndjenja do t’i nxisin fshatarët e tyre nëpër gjithë vendin dhe se sundimi i të parit mbret ishte praktikisht i mbaruar. Ata pohojnë se nuk mund të ringjallej entuziazmi, të cilin ai e kishte ndjerë dje.
    “Qetësia me të cilën kryengritësit ishin shtuar tregoi urtësinë e atyre njerëzve të keqdrejtuar. Nëse masat pajtuese do të ishin adoptuar më parë, në vend të acarimit të myslimanëve nga kundërshtimi i katolikëve malësorë ndaj tyre dhe braktisjes së përfaqësuesit të tyre, Esat Pasha, incidentet e këtyre ditëve nuk do të kishin ndodhur kurrë. “Këtë mëngjes komisionari francez e siguroi mbretin se ai mund të shëtisë pa rrezik jashtë, kudo, madje edhe te rebelët, të cilët mund t’i puthnin dorën dhe ta mirëpresin atë në mënyrë entuziaste. Ministri Nogga dha garanci të ngjashme, duke shtuar se nëse lë Durrësin, sundimi i tij ndoshta mund të përfundojë”.
    Shqipëria e vështirë
    Në një mesazh të mëparshëm dr. Dillon tha: ///////////“Shqipëria vazhdon të jetë thjesht një koncept gjeografik, pa ekzistuar politikisht. Ajo është bërë arenë e ndikimeve heterogjene, duke u zvarritur në drejtime të ndryshme. Ajo zotëron vetëm një drejtues të emëruar dhe i mungon një staf udhëheqës. Nuk ekziston një urdhër, nuk ka program, nuk ka autoritet të njohur në vend. Propaganda, intrigat dhe shpifjet mbajnë të fshehta çështjet reale. Elementet fillestar të organizimit politik ekzistojnë me bollëk, por ka abuzime në mënyrë sistematike. Një njeri i fortë që drejton dhe moderon me mendjemprehtësi politike, mund të ndërtojë një shtet kompakt dhe të pavarur më lehtë këtu sesa gjetkë, por në vend të një njeriu me sens praktik, këtu ekzistojnë hesape dhe xhelozi të njerëzve ngatërrestarë; të gjithë punojnë për synime të ndryshme dhe mjaftohen thjesht për të llapur, që t’u vënë rrotat nën këmbë rivalëve.
    “Pozita e mbretit është e vajtueshme. I nxitur nga qëllimet më të mira, ai është gati të vendosë interesat personale në hiçgjë, kur shtrohet çështja e mirëqenies së komunitetit. Por ai është i keqinformuar kur vjen çështja për të vepruar. Këshilltarët e tij jozyrtarë bëjnë vetëm budallallëqe. Ai për veten e tij fajëson armiqtë e Esatit, që fatkeqësisht, ia mbushin mendjen, pa e bindur Madhërinë e tij, se një komplot ishte kurdisur kundër tij në favor të drejtuesit myslimanë; që jeta e tij është në rrezik dhe se Esati ishte shkaktar i këtyre makinacioneve të pabesa. Tashmë, kushdo, në Durrës, Tiranë, Shijak dhe në të gjithë vendin, e di se sunduesi mund të dalë të shëtisë, të urdhërojë myslimanë dhe të krishterë pa pasur një grup shoqërimi dhe merr urime mirëseardhjeje të përzemërta kudo”.
    Dr. Drillon ai atribuon të gjithë shqetësimin zellit të tepruar të oficerit holandez, që përdori pushtetin suprem në Durrës, duke kërkuar për ta shtrirë atë në Veri dhe Jug të vendit dhe lëshoi urdhra sikur të ishte drejtuesi i një qeverie të rregullt. Për pasojë të kësaj dhe të veprimeve të tjera arbitrare, anëtarët e kabinetit, të enjten caktuan një strukturë brenda Pallatit Mbretëror dhe stafi i mëparshëm paraqiti dorëheqjen te mbreti në mënyrë të menjëhershme, duke refuzuar që të trajtohen më gjatë si marioneta në duart e oficerit holandez, dhe të bëhen kurban, por shkak të proçkave djallëzore të tij.


    Shkrimi është botuar në “The New York Times” më 25 maj 1914
    Titulli është redaksional
    Sui generis

  9. #19
    Evidenca Maska e RaPSouL
    Anëtarësuar
    09-03-2006
    Vendndodhja
    Gjermani
    Postime
    17,464
    “The New York Times”: “Ja kush është Princ Vidi”

    Gazeta amerikane tregon të gjithë historinë e familjes Vidi

    Baron Uxkull

    Në ditët tona nuk ndodh shpesh që çdokush të ketë mundësinë të takojë një personazh që është bërë sundues i një vendi, - madje edhe nëse ky është një vend i tillë si Shqipëria; romantik, i egër dhe pjesë e panjohur e botës. Ne dimë shumë pak rreth Shqipërisë. Ajo shtrihet larg, e pashkelur nga turistët dhe shumë pak eksplorues kanë arritur të penetrojnë brenda fshatrave të thella dhe maleve të larta. Ajo çfarë ne dimë për vendin dhe banorët e tij janë rrëfimet për dhunën mizore të kryer nga turqit, kryengritjet e vazhdueshme të fiseve të ndryshme kundër sunduesit turk, ndëshkime të rënda përmes jataganit dhe zjarrit. Në të vërtetë, një luftëtar fisnik shqiptar mund të përshkruhet kështu përsa u përket cilësive të spikatura të tij; si i pamposhtur, me shpirt luftarak shumë të theksuar, por me një sens primitiv të nderit, me besën e tij absolute nëse ta jep fjalën. Por ligji dhe arsyeja e komunitetit janë koncepte akoma të panjohura te shqiptarët.
    Pozicioni i Princ Vidit
    Brenda këtij kaosi, në këtë vend të pafat, Princi Vilhelm i Vidit është caktuar të jetë si sundues. Në të vërtetë, Princi ka zgjedhur një detyrë të vështirë, një detyrë e cila mund të shkaktojë shumë mosmirënjohje për të. Kjo është një detyrë të cilën ai akoma nuk ka nisur, për motive egoiste nga më të ndryshmet, por me qëllimin për të vendosur rregulla të forta, në dispozicion të popullit nevojitet një dorë e fortë, me shumë aftësi dhe talentin e një njeriu të zgjuar.
    Nuk është një honor i kotë të bërit drejtues i një populli; nuk ishte ambicia e cila e bëri Princ Vidin të pranojë fronin. Ai është sensi i detyrës; të realizosh plotësisht një mision të vështirë, fati i të cilit i ka rënë atij që të bëhet princ, duke u larguar nga vendi i tij i lindjes, duke lënë shumë miq dhe një karrierë ushtarake premtuese.
    Karriera e Princit
    Princ Vidi, i cili tani është 37 vjeç, është njohur si një oficer brilant. Ai përfundoi studimet në Jena. Madje, që në djalëri ai ishte i dashuruar pas librave; gjatë atyre viteve të studimit ai gjithmonë ishte i dhënë pas të mësuarit të gjërave rrënjësisht. Ishte një nxënës i mirë dhe i kaloi të gjitha testimet ushtarake me vlerësime të pazakonta dhe me çmime speciale të dhëna nga mbreti. Ai e nisi karrierën e tij ushtarake në “Garde du Corps”, Regjimenti i Kalorësisë Perandorake Gjermane. Ai pranohet në Akademinë e Luftës, shkolla e lartë e Shtabit të Përgjithshëm Gjerman, ku ishte i shkëlqyer. Dikur njëri thoshte: “Ah! Po. Sigurisht Princi Vidi përparoi në Akademi. Por ai ishte me lidhje, pasi është princ dhe që natyrisht e përdori plotësisht një gjë të tillë gjatë atyre tre viteve të studimit në Akademi dhe e mbaroi atë përpara të gjithë oficerëve të tjerë, që nuk ishin me aq fat, pasi nuk kishin lidhje të tilla siç i kishte ai”.
    Por, shokët e tij, që kanë qenë bashkë me të të ulur në një bankë nëpër leksione, kundërshtojnë dhe thonë: “ Ah! Jo. Për të nuk kishte rëndësi thjesht mbiemri i tij; Muller, apo Schultze, kjo nuk përbënte ndonjë ndryshim. Ai ishte i shkëlqyer dhe një karrierë e shkëlqyer e pazakontë e pret atë në çdo rast. Dhe kjo doli e vërtetë. Nëse e shikoni atë në qetësinë, fuqinë dhe pamjen e vendosur, ju ndjeni fuqinë e urdhrave të tij, intelektin e tij. Ai flet shumë pak, në të vërtetë ai duket i përngjashëm me stërgjyshin e tij Uilliam, - “Heshtja e Portokallit”, por që ai në ato që thotë i bie pikës. Fjalët e pakta të tij i jepnin fund një sherri të gjatë mes miqve të tij dhe sqaroheshin të gjitha keqkuptimet. Ai është njeriu i veprimit, jo i fjalëve. Akoma në pamjen e jashtme të tij ju ndjeni qetësi.
    Prejardhja e familjes
    Princ Vidi ka një rreth të lidhjes familjare të jashtëzakonshme; janë të paktë gjermanët e pakurorëzuar princër që janë me prejardhje kaq të mirë. Motra e tij ishte princesha e Holandës. Ai është kushëriri i dytë i Perandorit Gjerman dhe Carit të Rusisë. Ai ishte një fijan (djali i mirë) i perandorit Uilliami i Parë, që gjatë viteve të fundit të jetës së tij tregoi një interes të veçantë për princin e ri. Familjet mbretërore të Suedisë, Norvegjisë dhe Danimarkës janë të lidhura ngushtësisht me të. Vëllai i madh i princit, i kurorëzua Princ Vidi, u martua me princeshën Vyrtemberg. Halla e tij është mbretëresha e Rumanisë, e njohur si shkrimtare dhe poete, me emrin Carmen Sylva. Ajo gjithmonë ka treguar një interes të veçantë në lidhje me nipin e saj. Princi është vizitor i rregullt në Bukuresht dhe Sinaja, vend ku ndodhet rezidenca e bukur verore e mbretit të Rumanisë. Për këtë ai është i mirinformuar në lidhje me problemet dhe politikat e Ballkanit. Përpara se të pranojë ofertën për fronin shqiptar, Princi qëndroi disa javë me çiftin mbretëror rumun.
    Natyra e Princit 37-vjeçar
    Princi ka prejardhjen nga një familje e cila përgjatë shumë shekujve, gjithmonë është njohur si shumë liberale dhe tolerante në lidhje me çështjet fetare. Kjo është e një rëndësie të madhe dhe e bëri Princ Vidin kandidaturën e qëlluar për t’u bërë sundues i Shqipërisë, ku popullsia përbëhet nga besimet muhamedane, katolike dhe ortodokse greke. Vetëm një shpirt vërtet liberal në çështjet fetare mund t’ia dalë mbanë me kaq shumë besime të ndryshme, duke punuar në mënyrë të harmonishme. Përveç tolerancës, Princi ka trashëguar interesa të forta në çështjet e shkencës.
    Një nga paraardhësit e tij, princi Maksimilian Vidi, zbuloi Brazilin; ai ishte i mirënjohur në radhën e shkencëtarëve, sepse zbuloi kafshë të ndryshme, të cilat deri në atë kohë nuk njiheshin nga ne, dhe një pjesë e Muzeut Historik Natyror në Rio De Zhanerio mban emrin e tij. Gjyshi i Princ Vidit ishte filozof dhe shkroi libra filozofie; babai i tij, një oficer i shkëlqyer, që u shqua në luftën franko-prusiane, ishte një piktor i talentuar.
    Natyrisht, Princi Vidi gjithmonë ka qenë i interesuar për politikën. Ai është i njohur për pikëpamje të hapura dhe krijon gjykimin e tij vetëm pasi i ka dëgjuar të gjitha palët. Ai është shumë i pavarur në opinionet e tij dhe nuk influencohet lehtë nga të tjerët. Duke qene oficer i Kavalierisë, Princi, sigurisht është një kalërues shumë i mirë. Gjithashtu, edhe princesha njihet për të njëjtën gjë. Princi Vilhelm është një gjahtar dhe një sportist i pasionuar. Ai është fizikisht i fortë dhe i aftë që t’u rezistojë të gjitha vuajtjeve.
    Bashkëshortja e Princ Vidit
    Gruaja e tij, princesha e Vidit, Sofija, ka lindur si princesha von Schoendburg-Waldenburg dhe e kaloi rininë e saj në Rumani, në pronat e pafundme të prindërve të saj. Ajo është me gjak aristokrat rumun nga gjyshja e saj, e cila ishte princesha e Cantacuzene, që i përket familjes shumë të vjetër të Cantacuzene-ve, që njëherë e një kohë sunduan Mbretërinë e Bizantit. Princesha ishte rritur në fushat e pafundme të Moldavisë, si një vajzë që i kalonte pushimet e verës në Karpate. Edukimi i saj nuk përngjan me atë të një princeshe të përkëdhelur, megjithëse i kishte të gjitha lukset e një familjeje mbretërore. Ajo i mori përshtypjet e para direkt nga natyra, nga magjia e netëve të bukura rumune, fushat e pasura dhe malet romantike. Edukimi i princeshës ishte i shkëlqyer. Ajo është një pianiste dhe harpiste e përkryer. Ajo ka arritur për t’i bërë shtëpitë e saj në Berlin dhe Potsdam qendra për të dashuruarit pas artit dhe muzikës.
    Oborri mbretëror shqiptar
    Fëmijët, vajza, princesha Maria Eleonora dhe djali Carol Victor, trashëgimtari i fronit që akoma nuk ka mbushur vitin, janë nën shoqërinë e prindërve të tyre në Shqipëri. Pak njerëz do ta shoqërojnë Princin, i cili do të përzgjedhë njerëzit që do të kryejnë detyrat përkatëse në qeverinë e re, ku do të përfshihen edhe vetë shqiptarët, aq sa të jetë e mundur. Në mes të shqiptarëve aristokratë atje, janë një numër njerëzish inteligjentë dhe të edukuar, që do të jenë të aftë të luajnë pjesën e tyre në qeverinë e shtetit të ri. Një doktor dhe një sekretare private do të jenë në suitën mbretërore dhe një zonjë në shërbim, detyra e së cilës është të që trajnojë zonjat shqiptare me prejardhje fisnike. Megjithatë, si aristokraci shqiptare, pjesa më e madhe janë ndjekës të islamit. Vajzat e reja gjithmonë do të shfaqen të mbuluara dhe vetëm një burrë në Shqipëri do të ketë privilegjin e të shikuarit të fytyrës së tyre; ai do të jetë sunduesi.
    Për fillim, së paku, Oborri i ri do të duhet të respektojë zakonet e vendeve Orientale, një prej të cilave është që zonja e lartë nuk do të lejohet të ecë në këmbë nëpër qytete. Vetëm ulur në një karrige, apo ndoshta majë kalit, princesha do të jetë në gjendje që të presë brohoritjet dashamirëse nga të tjerët. Në çdo rast, muajt e parë do të jenë disi si një tur kampingu: aspak luksoz, përmes të cilit çifti mbretëror do të mësojnë se si është Shqipëria. Por kjo, sigurisht, është një cikërrimë.
    Duhet takt dhe aftësi
    Për të shtruar fiset malore të padisiplinuara në rregulla, disiplinë dhe në respekt të ligjit, Princit do t’i nevojitet shumë takt dhe zotësi. Shqiptarët, banorët krenarë të maleve, kurrë nuk e kanë ulur kokën e tyre para çdo personi. A do ta mbështesin Princin, që është duke dhënë gjithçka, në mënyrë që ai ta realizojë plotësisht këtë detyrë të vështirë? Apo sherret, mosbesimi, xhelozitë dhe luftërat do ta bëjnë këtë sipërmarrje më të vështirë për një njeri të tillë si Princ Vidi?
    Një gjë mund të besohet, se një ambicie bujare prej fisniku, që të zgjidhë një problem aq të rëndësishëm siç është çështja shqiptare, një problem i gërshetuar me shumë siklete, madje shumë rreziqe, do të ketë çmimin e tij, por që Princ Vidi do t’ia dalë mbanë në arritjen e detyrës së vështirë, së cilës ai i ka kushtuar jetën e tij.

    Shkrimi është publikuar në “The New York Times” më 8 mars 1914
    Titulli është redaksional
    Sui generis

  10. #20
    Evidenca Maska e RaPSouL
    Anëtarësuar
    09-03-2006
    Vendndodhja
    Gjermani
    Postime
    17,464
    Esat Pasha braktis Princ Vidin pak ditë pasi u gradua ministër Lufte

    “The New York Times”-i rrëfen për krisjen mes princ Vidit dhe Esat Pashës

    LONDËR – Një kryengritje ka shpërthyer në Tiranë, në lindje të Durrësit, dhe forcat e qeverisë kishin pësuar disfatë. Ditët e fundit njoftohej se një varg prej 5 mijë kryengritësish kishin përparuar nga Durrësi drejt Kavajës, 20 milje larg, në jug të kryeqytetit, me flamurin turk të ngritur lart. Austria dhe Italia janë duke bërë përgatitje që të dërgojnë trupa nga Shkodra drejt Durrësit.
    Zgjidhja e mbretit
    Kur Perandoria Turke në Europë ishte shpërbërë nga bullgarët, serbët dhe grekët, Fuqitë e Europës ishin përballur me problemin se çfarë do të bënin me pjesët në brendësi të saj, në drejtim të Perëndimit. Xhelozitë ndërkombëtare penguan përvetësimin e këtyre territoreve nga shtetet kristiane në zonat kufitare me to, megjithatë, shqiptarët për veten e tyre pritën shumë derisa të vendosej për të drejtën e tyre të pavarësisë. Në pamje të parë dukej e vështirë kjo çështje, por tashmë ishte vendosur që të krijohej një shtet autonom, kryesisht nën ndikimin e Austro-Hungarisë.
    Më pas, një sundues ishte gjetur dhe Fuqitë e Mëdha, që akoma respektojnë influencën e Austrisë, i ofruan kurorën Princ Uilliam Vidit, anëtar i njërës prej familjeve më të njohura të Gjermanisë. Gruaja e tij, Sofia, që vjen nga një familje e vjetër rumune, është veçanërisht e përkushtuar në lidhje me zakonet dhe artin e Lindjes dhe është thuajse e gatshme të ndërmarrë rreziqet, duke u përfshirë në procesin e civilizimit të shqiptarëve. Në sipërmarrjen e tij të parë situata duket thuajse e pashpresë.
    Problemet me shqiptarët
    Shqipëria, për shumë shekuj, është drejtuar nga të zotët e shtëpisë. Formalisht, pjesë e Perandorisë Turke, drejtuesit e fiseve kanë ushtruar thuajse një autoritet të pakontrolluar në territorin e tyre dhe ishin të fortë për ta mbajtur atë. Së fundi, atje ishte një njeri i fortë, që ishte mprehur për të qenë mbret. Esat Pasha, i lindur nga shqiptarë, kishte rezistuar në kohërat e rrëmujshme të luftës dhe njihej si një person që mund t’i kundërshtonte hapur Fuqitë e Mëdha.
    Kur Mali i Zi donte të zgjeronte pozitat e tij, duke e blerë me çdo çmim Shqipërinë, ishte Esati që bashkoi të krishterët, ortodoksë, katolikë dhe muhamedanë në një lëvizje kombëtare që t’i parandalonte ata dhe ishte Esati që u tregua i gatshëm të përballej me serbët fitimtarë kur ata rrezikuan kufijtë e Shqipërisë. Ai ishte i njohur kur Princ Vidi pranoi të shkonte në Shqipëri, i cili duhej të fitonte mbi Esat Pashën, ta bënte në anën e tij ose vendi do të përballej me trazira shumë serioze. Mbreti i ri mezi kishte mundur të shkonte në Durrës, kur e gjeti atë në vështirësi. Epirotët nuk e kishin aprovuar asnjëherë përfshirjen e tij (Esatit) në Mbretërinë e Shqipërisë dhe kishin qenë në revoltë të vazhdueshme. Esat Pasha, si ministër Lufte, sugjeroi që të ndërmerrte një fushatë kundër tyre, por mbreti Uilliam, dyshues në besnikërinë e tij, - nëse ai do të gjendej në krye të një force luftëtarësh, hodhi poshtë miratimin e tij. Epirotët sulmuan një pjesë të territorit të Shqipërisë dhe pak javë më parë ata plaçkitën në Hormovë 250 shqiptarë muhamedanë, i kryqëzuan ata në një kishë te kodra dhe më pas ndërtesës i vunë zjarrin për të djegur trupat.
    Konflikti
    Ndarja midis Esat Pashës dhe mbretit të ri u shfaq javën e fundit. Më 18 maj Esati vizitoi Pallatin Mbretëror dhe u emërua ministër i Luftës. Menjëherë 5300 mbështetësit e tij sulmuan Pallatin; Esati, për veten e tij, hapi zjarr me goditjen e parë. Xhandarmeria holandeze e mbretit i mbajti ata nën kontroll. Mbreti Uilliam u dërgua tek anijet e huaja të ankoruara në port për të kërkuar ndihmë dhe ata dërguan detashmentet për të mbrojtur mbretin fatkeq. Gjithashtu, Esati u bëri apel atyre, duke kërkuar të largoheshin, për t’u strehuar në anijet italiane të luftës, por kjo ishte refuzuar dhe ai ishte arrestuar. Tani ai është në Napoli.

    Shkrimi është publikuar në “The New York Times” më 24 maj 1914
    Titulli është redaksional
    Sui generis

Faqja 2 prej 6 FillimFillim 1234 ... FunditFundit

Tema të Ngjashme

  1. Çfarë mendoni për Ahmet Zogun?
    Nga honzik në forumin Elita kombëtare
    Përgjigje: 242
    Postimi i Fundit: 03-03-2014, 08:03
  2. Hyseni: Kadare kundër bashkimit të Shqipërisë etnike
    Nga Brari në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 69
    Postimi i Fundit: 18-06-2009, 12:44
  3. Mehdi Bej Frashëri: "Pse ia dhashë Shën-Naumin Serbisë"
    Nga ALBA në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 9
    Postimi i Fundit: 09-10-2007, 09:48
  4. Rexhep Qosja: Të vërtetat e vonuara
    Nga ARIANI_TB në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 20
    Postimi i Fundit: 19-09-2006, 20:51
  5. Përgjigje: 9
    Postimi i Fundit: 27-08-2006, 06:46

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •