Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 17
  1. #1
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,122
    Postimet në Bllog
    17

    Theosis - qëllimi i vërtetë i jetës njerëzore

    Parathënie

    Është tëpër e guximshme të flasësh për Theosis pa e shijuar vetë më parë atë. Por ne kemi marrë guximin të bëjmë diçka që është përtëj fuqisë sonë duke patur besim në mëshirën e Shpëtimtarit dhe Zotit tonë të madh Jisu Krisht.

    E bëmë një gjë të tillë që të mos fshehim nga vëllezërit tanë të krishtërë qëllimin e vetëm dhe më të lartë të jetës sonë: atë qëllim për të cilin ne u krijuam.

    E bëmë një gjë të tillë gjithashtu për të bërë të qartë se e vetmia formë e vërtëtë Orthodhokse e udhëzimit baritor është ai që ka për qëllim të na drejtojë drejt Theosis, dhe nuk është si në Krishtërimin Perëndimor, që ka si qëllim vetëm një perfeksionim moral të njëriut që nuk varet nga Hiri i Perëndisë.

    E bëmë një gjë të tillë që të gjithë të dëshirojnë atë që është më e mira dhe të mundohen ta arrijnë më të lartën. Kjo është e vetmia gjë që mund të shuajë etjen e thellë të psiqisë (shpirtit) të njeriut për Absolutin, Perendinë Triun.

    E bëmë një gjë të tillë të përmbytur nga mirënjohja që kemi ndaj Bërësit dhe Krijuesit për këtë dhuratë që na dha, Theosis me anë të Hirit.

    E bëmë një gjë të tillë që të gjithë të kuptojmë vendin e pazëvendesueshëm të Kishës sonë të Shenjtë që shërben si një komunitet i Theosis mbi tokë.

    E bëmë një gje të tille që madhështia dhe e vërteta e Fesë sonë Orthodhokse të shfaqët si e vetmia fe që u mëson dhe u jep Theosis pjesëtarëve të saj.

    E bëmë një gje të tille që psiqitë (shpirtat) tanë të ngushëllohen, sepse pavarësisht nga shkalla e helmimit dhe errësimit nga mekati, ata mezi presin dritën e fytyrës së Krishtit.

    Zot i plotmëshirshëm, në dashurinë tënde që nuk njeh kufij, të lutemi të na bësh të denjë që të hyjmë në shtegun e Theosis përpara se të largohemi nga kjo botë e përkohshme.

    Zot i plotmëshirshëm, udhëhiqi vëllezerit tanë Orthodhokse që nuk gëzojnë sepse nuk janë në dijeni të faktit të madhërishëm që janë "thirrur të jene zotër".

    Zot i plotmëshirshëm, gjithashtu udhëhiq hapat e të krishtëreve heterodhoksë që të vihen në dijeni të së Vërtetës tënde, në mënyrë që të mos ngelen jashtë Shtëpisë së Nuses tënde, pa provuar Hirin e Theosis.

    Zot i plotmëshirshëm, ki mëshirë për ne dhe për botën tënde! Amen

    Aboti i Manastirit të Shenjtë të Shen Grigorit
    në Malin e Shenjtë Athos
    Arkmandriti Gjergj
    Mars 1997





    Shënim: teksti në vazhdim është i bazuar mbi ligjërimet që unë kam mbajtur në kohë të ndryshme në qytete të ndryshme të Greqisë me kërkesë të Mitropolitëve të Fortnderuar.
    Stili i kësaj vepre është varur tek fakti se është bazuar mbi përmbledhje të inçizuara të këtyre fjalimeve. Duhet të zë gjithashtu në gojë, se e trajtova këtë subjekt kur më duhej të flisja diku për herë të parë, sepse unë e konsideroj këtë çështje si më të rendesishmen e jetës shpirtërore.
    Ndryshuar për herë të fundit nga Albo : 06-02-2009 më 18:35

  2. #2
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,122
    Postimet në Bllog
    17
    Theosis, qëllimi i vërtetë i jetës njerëzore

    Çështja e destinimit të jetëve tona është shumë serioze sepse përbën çështjen më të rëndësishme për njeriun: për cilin qëllim kemi ardhur mbi tokë? Nëse njeriu mban një qëndrim të drejtë mbi këtë çështje; nëse arrin të gjejë destinimin e vërtetë të tij; atëherë ai do të mund të jetë në gjendje të gjejë këndvështrimin e duhur në raport me çështje të veçanta që hasim në jetën e përditshme; në raport me njerëzit e tjerë; në shkollë, profesion, martesë dhe në lindjen dhe rritjen e fëmijve. Nëse nuk arrin të adresojë siç duhet ketë çeshtje jetike, njeriu ateherë ka për të dështuar në qëllimet e veçanta të jetës, pasi çfarë kuptimi mund të ketë një çështje e veçantë e jetës kur vetë jeta si e tërë nuk ka një kuptim?

    Qëllimi i jetës sonë na shpallet që në kapitullin e parë të Biblës së Shenjtë, kur autori i Shenjtë na thotë se Zoti krijoi njeriun "sipas shembëllimit dhe të ngjashëm me Veten". Që prej këtu zbulojmë dashurinë e madhe të Perëndisë Triun për njeriun: Ai nuk dëshiron që njeriu të jetë një krijesë me disa dhunti, disa cilësi, disa superioritete mbi pjesën tjetër të krijesës, Ai dëshiron që njeriu të jetë zot prej Hirit.

    Nga pamja e jashtme duket sikur njeriu ekziston thjeshtë në një mënyrë biologjike, si gjithë qëniet e tjera të gjalla, si kafshët. Sigurisht, njeriu është një kafshë, por "një kafshë... që është në proçesin e theosis nëpërmjet prirjes së tij karshi Perëndisë,"(1) siç na thotë Shën Grigor Theologu në mënyrën e tij karakteristike. Njeriu është e vetmia qënie që dallon nga gjithë krijesa, sepse ai është i vetmi që mund të bëhet zot.

    Fraza "sipas shembëlltyrës së Tij" përshkruan dhuratat të cilat Perëndia ia dha vetëm njeriut në mënyrë që ta plotësonte si një ikonë e Zotit, dhe nuk ia dha asnjë prej krijesave të Tij të tjera. Dhuratat janë: një nous që rrjedh nga logos (fjala), ndërgjegje, një sovranitet individual, p.sh liri, krijimtari, eros, dhe prirjen për absoluten dhe për Perëndinë, vetë-ndijimi personal, dhe çdo gjë tjetër që e vendos njeriun mbi gjithë qëniet e tjera të gjalla të krijimit dhe e bën njeriun njeri dhe individ. Me fjalë të tjera, çdo gjë që e bën njeriun një person. Këto janë karizmat që na krijojnë ne "sipas shembëlltyrës së Tij".

    Duke qenë se është krijuar "sipas shembëllimit të Tij" njeriu thirret nga Perëndia që të plotësohet "në ngjashmëri me Perëndinë." Ky është Theosis. Krijuesi, Zot nga natyra, thërret njeriun që të bëhet zot me anë të Hirit.

    Kjo karizëm që na krijon ne "sipas shembëllimit të Tij" i është dhënë njeriut nga Perëndia me qëllim që njeriu të mund të arrijë sa më lart; në mënyrë që me anë të saj të mund të fitojmë një ngjashmëri me Zotin dhe Krijuesin; në këtë mënyrë njeriu të mund të ketë jo vetëm një marëdhënie morale të jashtme me Perëndinë, por edhe një bashkim personal me Krijuesin. Mbase është shumë e guximshme për ne të themi apo mendojmë se qëllimi i jetës sonë është të bëhemi zotër me anë të Hirit. Sidoqoftë, as Bibla e Shenjtë dhe as Etërit e Kishës nuk na e kanë fshehur këtë të vërtetë. Për fat të keq, injoranca nuk ekziston vetëm tek njerëzit jashtë Kishës, por edhe tek shumë të tjerë brenda Kishës, sepse këta besojne se qëllimi i jetës sonë është thjeshtë përmirësimi moral duke u bërë njerëz më të mirë; kur Ungjilli, Tradita, Kisha dhe Etërit e Kishës na thonë se qëllimi i jetës sonë nuk është që të bëhemi njerëz më të mirë, më të moralshëm, më të drejtë, më të vetë-kontrolluar, më të dhembshur; të gjitha këto duhet të ndodhin, por asnjë prej tyre nuk është qëllimi i madh për të cilin Bërësi dhe Krijuesi i dha formë njeriut. .

    Cili është qëllimi? Theosis - që njeriu të bashkohet me Perëndinë, jo në një mënyrë të jashtme dhe sentimentale por në një mënyrë ontologjike, në një mënyrë të vërtetë. Njeriu vendoset kaq lart ne antropologjinë Orthodhokse aqsa nëse e krahasojmë atë me antropologjitë e gjithë filozofive apo sistemeve social-psikologjike, do të duket qartë se sa të varfër këto antropologji janë, sa pak i korrespondojnë prirjes së njeriut për diçka madhështore dhe të vërtetë në jetën e tij.

    Meqënëse njeriu është "thirrur të jetë zot" (p.sh u krijuar që të bëhet zot), për aq kohë sa nuk e gjen veten në rrugën drejt Theosis, ai ndjen një boshllëk përbrenda vetes... ndjen sikur diçka nuk po shkon siç duhet, kjo bën që të mos jetë i gëzuar edhe kur përpiqet të mbulojë boshllëkun me aktivitete të tjera. Ai mund ta mpijë veten, mund të krijojë një botë plot shkëlqim, ose ta fusi veten në kafaz apo ta burgosi veten brenda kësaj bote, por prapësëprapi ai mbetet i mjerë, i vogël, i kufizuar. Ai mund ta organizojë jetën e tij në një mënyrë të tillë sa të mos gjejë kurrë paqe, asnjëherë të mos jetë vetëm me veten e tij. I rrethuar nga zhurma, tensioni, televizioni, radio, informacion i pafund për këtë apo atë gjë, mundohet t'i harrojë me anë të drogave; nuk do të mendojë, nuk do të shqetësohet, nuk do të kujtojë që është në rrugën e gabuar dhe i është shmangur qëllimit të tij.

    Në fund, njeriu i lodhur bashkëkohor nuk gjen prehje derisa gjen atë "diçkanë tjetër", gjënë më të lartë; gjënë e cila ekziston në jetën e tij dhe është me të vërtetë e bukur dhe gjallëruese. A mundet njeriu të bashkohet me Perëndinë? A mundet njeriu të kungojë me Të? A mund të bëhet dot zot me anë të Hirit? [I]



    1. Homeli mbi Epifaninë, Migne Patrologia Graeca 36, 324, 13
    Ndryshuar për herë të fundit nga Albo : 05-08-2008 më 01:08

  3. #3
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,122
    Postimet në Bllog
    17
    Mishërimi i Zotit: Shkaku i Theosis të Njeriut

    Etërit e Kishës na thonë se Zoti u bë njeri në mënyrë që të bënte njeriun zot. Nëse Zoti nuk do të ishte mishëruar, njeriu nuk do ta arrinte dot Theosis.

    Në vitet para ardhjes së Krishtit, shumë njerëz të urtë dhe të virtytshëm kishin dalë në skenë. Për shembull, grekët e lashtë kishin arritur një standard të lartë filozofik mbi njohjen e së mirës dhe Perendisë. Filozofia e tyre, në fakt, përmbante farat e së vërtetës, të ashtuquajturat "spermaticos logos". Për më tepër, grekët ishin shumë besimtarë të medhenj, por sigurisht që nuk e njihnin Zotin e vërtetë; ata ishin idhujtarë por ama shumë të dhënë pas besimit dhe jetonin me frikën e Perëndisë. Ata nuk ishin ateistë, siç na i portretizojnë disa bashkëkohësit tanë të painformuar që nuk dinë sa duhet mbi këto gjera. Për këtë arsye, duke u përpjekur që të heqin besimin në Zot nga psiqia* (shpirti) i popullit tonë të devotë pa lejen e tyre, edukatorët, mësuesit, politikanët dhe qeveritarët civilë sillen në nje menyre tjetër nga kujtesa e racës greke, duke bërë kështu "hibris"(2), në kuptimin e lashtë të kësaj fjale. Në esencë, këta përpiqen të çhelenizojnë popullin tonë, sepse Tradita e Grekerve (gjatë gjithë historisë së lashtë dhe të sotme) është një Traditë e mbushur me devotshmëri dhe respekt ndaj Perëndisë. I gjithë kontributi i Helenizmit në mbare botën ishte dhe është i bazuar mbi devotshmërinë dhe respektin ndaj Perëndisë.

    Në filozofinë e grekërve të lashtë mund të shohim një etje për të njohur Perëndinë e panjohur... për përjetimin e Perëndisë. Ata ishin besimtarë të medhenj dhe të devotshëm por u mungonte njohja e plotë dhe e vertetë e Perendisë, sepse u mungonte kungimi me Të, prandaj Theosis nuk ishte i mundur për ta.

    Në Dhiatën e Vjetër gjejmë gjithashtu shumë njerëz të drejtë dhe të virtytshëm, por bashkimi i plotë me Perëndinë, Theosis, u be i mundur, dhe është vetëm i mundur, me mishërimin e Logos*(Fjalës) Hyjnore.

    Ky është qëllimi i mishërimit të Zotit. Nëse qëllimi i jetës se njeriut ishte vetëm që të behej moralisht më i mire, nuk do të ishte nevoja që Krishti të vinte në tokë, apo për gjithe ato ndodhitë e Përkujdesjes Hyjnore që të ndodhnin: mishërimi i Zotit, kryqi, vdekja dhe ringjallja e Zotit, dhe gjithë ato që ne të Krishterët besojmë se kanë ndodhur me anë të Krishtit. Raca njerëzore mund të mesonte që të behej moralisht më e mirë nga filozofët apo njerëzit e drejtë, mesuesit ose nga profetët.

    E dimë se si Eva dhe Adami u mashtruan nga djalli dhe nuk deshën të bashkëpunonin me Zotin; deshën që të beheshin zotër jo nëpërmjet përulesisë, besimit apo dashurisë, por nëpërmjet forcave të veta dhe nje kokëfortësie egoiste dhe autonome. Kjo do të thotë se esenca e rënies është egoizmi. Prandaj, duke adoptuar egoizmin dhe interesat vetjake ata e ndanë veten nga Perëndia dhe në vend që të arrinin Theosis, ata arritën krejt të kundertën: vdekjen shpirtërore.

    Siç na thonë Etërit e Kishës, Perëndia është jetë. Keshtu që kushdo që e ndan veten nga Perendia, është duke ndarë veten nga jeta. Prandaj, vdekja dhe nekroza shpirtërore (p.sh vdekja fizike dhe shpirtërore) janë rezultati i pabindshmërisë të të parë-krijuarve.


    Duke rënë larg Theosis

    Të gjithë i njohim konseguencat e rënies. Ndarja nga Perëndia e hodhi njeriun në një jetë mishërore, kafshërore dhe demonike. Krijesa brilante e Perëndisë u semur rëndë, gati sa s'vdiq. Ajo që u krijua "sipas shembëllimit të Tij" u errësua. Që nga rënia, njeriu nuk ka më kualifikimet që i duhen për të arritur tek Theosis, siç i kishte para se të mëkatonte. Në ketë gjendje të semure rëndë, gati pa jetë, njeriu nuk mundet ta riorientojë veten drejt Perëndisë. Prandaj lind nevoja për një rrënjë të re për njerëzimin; nevoja për një njeri të ri që është i shëndetshëm dhe i aftë për të ridrejtuar lirinë e njeriut drejt Perëndisë.

    Kjo rrënja e re, ky njeriu i ri, është Perëndi-Njeriu, Jisu Krisht, Biri dhe Logos(Fjala) e Perëndisë, që u misherua për tu bërë rrënja e re, fillimi i ri, majaja e re e njerëzimit.

    Siç na thotë edhe Shen Grigor Nazienzi, Theologu, në shkrimet e tij theologjike, me mishërimin e Logos(Fjalës), u arrit një kungim i dytë ndërmjet Perëndisë dhe njerëzimit. Kungimi i parë ishte në Parajsë. Ky kungim u prish. Njeriu u nda nga Perëndia. Pastaj Perëndia plot-mirësi realizoi një kungim të dytë që nuk mund të prishet më, bashkimin e Perëndisë me njerëzit. Ky kungim i dytë i Perëndisë me njerëzit ndodh brenda personit të Krishtit.

    Perëndi-Njeriu Krisht, Biri dhe Fjala(Logos) e Perëndisë At, ka dy natyra perfekte: hyjnore dhe njerëzore. Këto dy natyra perfekte janë bashkuar "pa ndryshim, pa mosmareveshje, pa ndarje dhe pa përçarje" në personin e Krishtit, sipas përkufizimit të famshëm të Sinodit të Shenjtë Ekumenik të Katërt në Kalqedon, që u dha nën udhëzimin e Shpirtit të Shenjtë. Me pak fjale, ky përkufizim formon mburojën theologjike të Kishes sonë Orthodhokse kundër gjithë herezive Kristologjike të të gjitha formave gjatë gjithë kohërave. Pra ne kemi një Krisht me dy natyra, hyjnore dhe njerëzore.

    Tani, meqenëse Krishti është Perëndi-Njeriu i përjetshëm, nëpërmjet bashkimit hipostatik të të dy natyrave në personin e Krishtit, natyra njerëzore është bashkuar në menyre të pandashme me natyrën hyjnore sepse Krishti është Perëndi-Njeriu i përjetshëm.

    Si Perëndi-Njeri Ai u ngjit në qiell.

    Si Perëndi-Njeri Ai ri ulur në të djathtë të Atit.

    Si Perëndi-Njeri Ai do të gjykojë botën në Ardhjen e Dytë.

    Prandaj, natyra njerëzore është fronëzuar në gjirin e Trinisë së Shenjtë. Tani e tutje asgjë nuk mund ta ndajë natyrën njerëzore nga Perëndia. Tani, pas mishërimit të Zotit, pavarësisht se sa mekatojmë* ne si njerëz, pavaresisht se sa e largojmë veten nga Perëndia, nëse zgjedhim që të bashkohemi përsëri me Perëndinë, mund t'ia dalim mbanë me sukses vetëm me anë të pendimit*. Ne mund të bashkohemi me Të duke u bërë kështu zotër me anë të Hirit.





    * Shiko Legjendën

    2. Hibris ka të njëjtën rrënjë si fjala hibrid. Hibris në fillim kish kuptimin që të veprosh kundër natyrës. Në Greqinë e lashtë, e gjithë natyra ishte e lidhur në mënyrë intime me hyjnoren, kështu që duke vepruar kundër natyrës, harmonia hyjnore prishej. Kuptimi modern i fjalës, krenari e tepruar, nënkuptohet edhe nga konteksti klasik i fjalës.

    * Shiko Legjendën

    * Shiko Legjendën
    Ndryshuar për herë të fundit nga Albo : 21-12-2008 më 03:30

  4. #4
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,122
    Postimet në Bllog
    17
    Kontributi i Hyjëlindëses(Theotokos) për Theosin e Njeriut

    Keshtu pra, Zoti Jisu na jep mundësinë për t'u bashkuar me Perendinë dhe për tu kthyer tek qëllimi primar të cilin Zotin ia caktoi njeriut. Prandaj Ai (Krishti) përshkruhet ne Shkrimin e Shenjtë si rruga, dera, bariu i mirë, jeta, ringjallja, drita. Ai është Adami i ri i cili ndreq të gjitha gabimet e Adamit të parë. Adami i parë na ndau ne nga Perëndia nëpërmjet pabindjes dhe egoizmit të tij. Kurse Adami i dytë, Krishti, me dashurinë dhe bindjen e tij ndaj Atit, bindje deri ne vdekje, deri në "vdekje mbi kryq", na sjell përsëri tek Perëndia. Përsëri ai e orienton lirinë tonë drejt Perëndisë, pasi duke i ofruar Atij lirinë tonë, ne bashkohemi me Të.

    Vepra e Adamit të ri presupozon veprën e Evës së re, Panagjia* e cila ndreq të gjitha gabimet e bëra nga Eva e vjetër. Eva e shtyu Adamin në pabindje. Eva e re, Panagjia, kontribuon në mishërimin e Adamit të ri i cili do të udhëheqë racën njerëzore drejt bindjes ndaj Perëndisë. Prandaj, si njeriu i parë që arriti Theosis, në një mënyrë të jashtëzakonshme dhe të papërsëritshme, Zonja Hyjëlindëse luajti një rol në shpëtimin, rol që nuk ishte vetëm rrënjësor, por edhe i nevojshëm dhe i pazëvendësueshëm.

    Sipas Shën Nikolla Kasabilas, theologu* i madh i shekullit të 14, nëse Panagjia, në bindjen e saj, të mos ia kish ofruar lirinë e saj Perëndisë, sikur të mos i kish thënë "po" Perëndisë, Perëndia nuk do të kish mundur dot të mishërohej. Që nga momenti që Perëndia i dha lirinë njeriut, Ai nuk do të mund të shkelte dot dhuratën e Tij për njeriun, dhe kështu nuk do të mund të mishërohej dot po të mos kish një psiqi (shpirt) kaq të kulluar, te tërëshenjtë, të pacënuar si ai i Hyjëlindëses, e cila ia ofroi lirinë e saj, vullnetin e saj, gjithë veten e saj Perëndisë në mënyrë që ta afronte Atë drejt vetes dhe drejt nesh.

    I jemi shumë borxhllinj Panagjias. Kjo është arsyeja përse Kisha jonë e nderon dhe lartëson Hyjëlindësen kaq shumë, aqsa Shën Grigor Palamai, duke përmbledhur theologjine patristike, thotë se Panagjia jonë mban vendin e dytë pas Trinisë së Shenjtë; ajo ësht zot pas Zotit, kufiri mes te krijuarve dhe të pakrijuarve. "Ajo udhëheq ata që janë duke shpëtuar", - na mëson një tjetër theolog i Kishës sonë. Kohët e fundit, Shën Nikodimi i Malit të Shenjtë, ky mësues i ndritur dhe i palodhur i Kishës, na tregoi se vetë rangjet engjëllore iluminohen nga drita që marrin nga Panagjia.

    Prandaj ajo lavdërohet nga Kisha jonë si "më e nderuar se Kerubimi dhe tejmase më e lumëruar se sa Serafimi."

    Mishërimi i Logos(Fjalës) dhe Theosis i njeriut janë misteret* e mëdha të Fesë dhe Theologjisë tonë.

    Kisha jonë Orthodhokse e përjeton këtë çdo ditë me Misteret e saj, me himnet e saj, me ikonat e saj, me gjithë jetën e saj. Edhe vetë arkitektura e një Kishe Orthodhokse dëshmon një gjë të tillë. Kubeja e madhe e kishave, mbi të cilat pikturohet Patokratori, simbolizon zbritjen e qiellit mbi tokë; na tregon ne se Perëndia "përkuli qiejt dhe zbriti". Shën Joan Ungjillori shkruan se Perëndia u bë njeri "dhe jetoi mes nesh"(Joani 1:14).

    Gjithashtu, e perfaqësojmë Hyjëlindësen në harkun e altarit që të tregojmë se Perëndia vjen në tokë dhe tek njerëzit nëpërmjet saj, sepse Ai u bë njeri nëpërmjet Hyjëlindëses(Theotokos). Ajo është "ura me anë të cilës Perëndia zbriti", dhe përsëri "ajo që drejton si në tokë edhe në Qiell", Mbretëresha e Kupës së Qiejve, hapësira e të papërmbajtshmes, e cila përmbajti Zotin e parpërmbajtshëm brenda vetes për hir të shpëtimit tonë.

    Po të vazhdojmë më tej, Kishat na tregojnë njerëz të hyjnizuar, ata që u bën zotër me anë të hirit sepse Zoti u bë njeri. Në Kishat tona Orthodhokse shohim jo vetëm Zotin e mishëruar, Krishtin, dhe Nënën e Tij të pacënuar, Zonjën Hyjëlindëse, por shohim edhe shenjtorët përreth dhe poshtë Pantokratorit; mbi gjithë muret e Kishës ne pikturojmë rezultatet e mishërimit të Zotit: njerë të shenjtëruar dhe hyjnizuar.

    Prandaj, kur hyjmë në një Kishë Orthodhokse dhe shohim ikonat e shenjta e të bukura, ky është një përjetim i menjëhershëm me anë të cilit ne mësojmë se cilat janë planet e Perëndisë për njeriun; cili është qëllimi i jetës sonë.

    Cdo gjë brenda Kishës na flet rreth mishërimit të Zotit dhe Theosis të njeriut.



    * Shiko Legjendën
    Ndryshuar për herë të fundit nga Albo : 21-12-2008 më 03:31

  5. #5
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,122
    Postimet në Bllog
    17
    Kisha: Vendi i Theosis të Njeriut

    Ata që duan të bashkohen me Jisu Krishtin, dhe me anë të Krishtit të bashkohen me Perëndinë At, e kuptojnë se ky bashkim realizohet në trupin e Krishtit, që është Kisha jonë e Shenjtë Orthodhokse. Sigurisht, që ky Bashkim nuk ndodh me esencën* hyjnore, por me natyrën njerëzore të hyjnizuar të Krishtit. Por ky bashkim me Krishtin nuk është i jashtëm, as thjeshtë moral.

    Ne nuk jemi pasues të Krishtit ashtu sic dikush mund të ndjekë një një filozof apo mësues. Ne jemi pjesët përbërëse të Trupit të Krishtit, të Kishës. Kisha është trupi i Krishtit, trupi i vërtetë, jo një trup i moralshëm, sic kanë shkruar disa theologë të gabuar, pa parë thellë sa duhet në shpirtin e Kishës së Shenjtë. Pavarësisht nga padenjësia dhe jeta e plotmëkat, Krishti na merr ne të Krishterët dhe na bashkon me trupin e Tij. Na bën pjesë të trupit të Tij. Bëhemi pjesëtarë të vërtetë të Krishtit, jo thjeshtë pasues të një kodi të moralit. Sic na thote Apostulli Pavël, "Ne jemi pjesë të trupit të Tij, mishit të Tij, kockave të Tij" (Efesianëve 5:30).

    Sigurisht, në varësi të gjendjes shpirtërore të të Krishterëve, herë janë pjesë të gjalla të trupit të Krishtit, e herë janë pjesë të vdekura. Edhe kur jemi pjesë të vdekura, për asnjë moment nuk rreshtim së qëni pjesë të trupit të Krishtit. Për shembull, një njeri që është pagëzuar është bërë pjesë e trupit të Krishtit. Nëse ky njeri nuk rrëfen mëkatet, nuk merr Kungimin, nuk jeton një jetë shpirtërore, ai është një pjesë e vdekur e trupit të Krishtit, por kur pendohet, menjëherë merr jetën hyjnore. Kjo e përshkon atë dhe kthehet në një pjesë të gjallë të trupit të Krishtit. Një njeri si ky nuk ka nevojë që të ripagëzohet. Kurse dikush që nuk është pagëzuar ndonjëherë, nuk është një pjesë e trupit të Krishtit edhe sikur personi të jetë duke bërë një jetë të morlashme sipas standardeve njerëzore. Në mënyrë që dikush të bëhet pjesë e trupit të Krishtit, në mënyrë që dikush të bëhesh një me Krishtin, duhet të pagëzohet.

    Duke qenë se ne jemi pjesë të trupit të Krishtit, jeta e Krishtit na ofrohet dhe bëhet jeta jonë. Kështu ne rigjallërohemi, shpëtojmë, hyjnizohemi. Ama, nuk do të mund të hyjnizoheshim nëse Krishti nuk do të na bënte pjesë të trupit të Tij; nuk do të shpëtonim dot nëse Misteret e Shenjta të Kishës nuk do të ekzistonin. Këto na bëjnë ne një me trupin e Krishtit dhe sipas Etërve të Kishës, ne ndajmë të njëjtin trup dhe të njëjtin gjak me Krishtin... ne jemi në fakt një trup dhe një gjak me Krishtin.


    Theosis dhe Kisha

    Sa bekim i madh është të kungosh në Misteret e pacënuara! Krishti bëhet toni; jeta e Krishtit bëhet jeta jonë; gjaku i tij bëhet gjaku jonë. Shën Joan Gojarti thotë se Perëndia nuk ka se çfarë t'iu japi më shumë njeriut se ajo që i jep në Kungimin e Shenjtë. Njeriu nuk ka se çfare t'I kërkojë më shumë Perëndisë se sa ajo që ai merr nga Krishti në Kungimin e Shenjtë.

    Pra, duke u pagëzuar, duke u krizmuar, duke u rrëfyer, ne kungojmë nëpërmjet Trupit dhe Gjakut të Zotit, dhe bëhemi zotër me anë të Hirit; ne bashkohemi me Zotin; nuk jemi më të huaj për Të, jemi bërë të njohur me Të.

    Brenda Kishës në të cilën ne bashkohemi me Perëndinë, jetojmë në këtë realitetin e ri të cilin Krishti ia solli botës: krijesën e re. Kjo është jeta e Kishës, jeta e Krishtit, e cila bëhet edhe jeta jonë si një dhuratë e Shpirtit të Shenjtë.

    Çdo gje brenda Kishës na shpie në Theosis; Liturgjia e Shenjtë, Misteret, Adhurimi hyjnor, predikimi i Ungjillit, agjerimi, të gjitha këto na cojnë në Theosis. Vetëm Kisha është vendi i Theosis.

    Kisha nuk është një organizatë historike, kulturore apo shoqërore dhe nuk ngjason me organizatat e tjera në botë. Nuk është si institucionet e tjera të botës. Bota ka institucione të mira, organizata të mira dhe plot gjëra të tjera të mira, por Kisha jonë Orthodhokse është e papërsëritshme, i vetmi vend i kungimit të Perëndisë me njeriun për Theosin e njeriut. Vetëm brenda Kishës njeriu mund të bëhet zot dhe në asnjë vend tjetër; as në universitete, as në shërbimet sociale, as në ato gjërat e bukura e të mira që bota ka. Pavarësisht se sa të bukura dhe të mira janë, asnjë nga këto nuk mund të ofrojë atë që ofron Kisha.

    Pavarësisht se sa avancojnë sistemet dhe institucionet e botës, ato kurrë nuk do të mund të zëvendësojnë dot Kishën.

    Është e mundur që ne njerëzit e dobët dhe të plotmëkat të kalojmë kriza dhe vështirësi herë pas here brenda Kishës. Është e mundur që skandale të plasin brenda gjirit të Kishës. Të gjitha këto ndodhin në Kishë pasi ne jemi ende rrugës për në Theosis, dhe është shumë e natyrshme për dobësitë njerëzore të egzistojnë. Jemi duke u bërë zotër, por nuk jemi bërë akoma plotësisht. Prandaj pavarësisht se sa shpesh këto gjëra ndodhin, ne nuk duhet të largohemi nga Kisha, sepse brenda Kishës gjejmë të vetmin mundësi për tu bashkuar me Perëndinë.

    Për shembull, kur shkojmë në Kishë për të marrë pjesë në shërbesë, mund të takojmë njerëz që nuk u kushtojnë vëmendje shërbesës, njerëz që flasin me njëri-tjetrin dhe na tërheqin vëmendjen. Dhe menjëherë na vjen në vjen ndër mend një mendim që në pamjen e jashtme duket i arsyeshëm: "Çfarë fitoj që vij në Kishë? A nuk do të ishte më mirë të rrija në shtëpi dhe të luteshe në rehatin dhe qetësinë e shtëpisë time?"

    Sidoqoftë, duhet ti kundërvihemi këtij mendimi të djallëzuar me forcë: "Po, mbase do të kisha më shumë paqe të jashtme në shtëpi, por nuk do të kisha Hirin e Perëndisë që të më hyjnizonte dhe shenjtëronjte. Nuk do të kisha Krishtin që është i pranishëm në Kishën e Tij. Nuk do të kisha Trupin e Tij të shenjtë dhe Gjakun e Tij të cmuar që i gjen mbi Altarin e shenjtë të Kishës së Tij të Shenjtë. Nuk do të merrja dot pjesë në Darkën e Fundit të Liturgjisë së Shenjtë. Do të isha ndarë nga vëllezërit e mi në Krisht, me të cilët krijojmë së bashku Trupin e Krishtit."

    Pra, çfarëdo që të ndodhi nuk duhet të largohemi nga Kisha, sepse vetëm brenda saj ne gjejmë shtegun për në Theosis.



    * Shiko legjendën

  6. #6
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,122
    Postimet në Bllog
    17
    Theosis bëhet i mundur me anë të energjive të pakrijuara të Perëndisë


    Sipas mësimeve të Biblës së Shenjtë dhe Etërve të Kishës, njeriu mund të arrijë Theosis sepse brenda Kishës Orthodhokse të Krishtit Hiri i Perëndisë është i pakrijuar. Perëndia nuk është vetëm esencë, siç mendon Perëndimi. Perëndia është edhe energji. Nëse Perëndia do të ishte vetëm esencë, ne nuk do të bashkoheshim dot me Të, nuk do të kungonim dot me Të, sepse esenca e Perëndisë është madhështore dhe e paafrueshme dot nga njeriu, siç është edhe shkruar: "Kurrë njeriu nuk do të mund të shohi fytyrën Time dhe të jetojë" (Eksodi 33:20).

    Le të sjellim një shembull relevant nga gjërat njerëzore. Nëse kapim me dorë një tel elektrik do të vdesim në vend. Por ama nëse lidhim një llambë me të njëjtin tel, do të ndriçohemi. Energjinë elektrike e shohim, e shijojmë, na ndihmon, por nuk mnd të kuptojmë dot esencën e saj. Le të themi se diçka e ngjashme ndodh edhe me energjitë e pakrijuara të Perëndisë.

    Nëse do të ishim në gjendje të bashkoheshim me esencën e Perëndisë, ne do të bëheshim zotër në esencë. Atëherë çdo gjë do të kthehej në zot dhe do të krijohej një konfuzion aq i madh sa asnjë nuk do të ishte zot. Me pak fjalë, kjo është ajo që besojnë fetë orientale, p.sh në Hinduizëm, Zoti nuk është një ekzistencë personale por një fuqi e padallueshme e përhapur në gjithë botën, mes njerëzve, mes kafshëve, dhe mes objekteve (Pantheizëm).

    Pra, nëse Perëndia do të kish vetëm esencën hyjnore, në të cilën ne nuk mund të bëhemi pjesëtarë, dhe nuk do të kish energjitë e Tij, Ai do të ngelej një zot i vetëmjaftueshëm, i mbyllur brenda vetvetes dhe do ta kish të pamundur të komunikonte me krijesat e veta.

    Perëndia, sipas pikëpamjes theologjike Orthodhokse është Një në Trinitet dhe një Trinitet në Një. siç na thonë shpesh Shën Maksim Rrefimtari, Shën Dhionisi Aropagjiti, dhe etër të tjerë të shenjtë, Perëndia është i mbushur me eros hyjnore, një dashuri hyjnore për krijesat e Tij. Falë kësaj dashurie të pafund dhe ngazëlluese të Tij, ai del jashtë Vetes dhe kërkon të bashkohet me krijesat e Tij. Kjo shprehet dhe kuptohet si Energji e Tij, ose më mirë, si energjitë e Tij.

    Me këto energji të Tij të pakrijuara, Perëndia krijoi botën dhe vazhdon që ta ruajë atë. Ai i jep esencë dhe përmbajtje botës sonë me anë të energjive të Tij esencë-krijuese. Ai është i pranishëm në natyrë dhe e mbron universin me energjitë e Tij ruajtëse. Ai ndriçon njeriun me energjitë e Tij ndriçuese. Ai e shenjtëron njeriun me energjitë e Tij hyjnizuese. Pra, nëpërmjet energjive të tij të pakrijuara, Zoti i shenjtë depërton natyrën, botën, historinë dhe jetën njerëzore.

    Energjitë e Perëndisë janë energji hyjnore. Ato janë Perëndi por pa esencën e Tij. Ato janë Perëndi dhe prandaj mund të hyjnizojnë njeriun. Nëse energjitë e Perëndisë nuk do të ishin hyjnore dhe të pakrijuara, ato nuk do të ishin Perëndi dhe nuk do të ishin në gjendje që të na hyjnizonin ne, nuk do të na bashkonin dot me Perëndinë. Do të ishte një distancë e pakapërcyeshme midis Perëndisë dhe njerëzve. Por ashtu si Perëndia ka energjitë hyjnore dhe me anë të tyre bashkohet me ne, edhe ne njerëzit jemi në gjendje që të kungojmë me Të dhe të bashkohemi me Hirin e Tij pa u bërë identikë me Perëndinë, e cila do të ndodhte vetëm po të bashkoheshim me esencën e Tij.

    Kështu pra, ne bashkohemi me Perëndinë nëpërmjet energjive të Tij të pakrijuara dhe jo nëpërmjet esencës së Tij. Ky është misteri i fesë dhe jetës sonë orthodhokse.

    Heretikët Perëndimorë nuk mund ta pranojnë këtë. Duke qenë racionalistë, ata nuk bëjnë dallim midis esenës dhe energjive të Perëndisë, prandaj thonë se nuk mund të flasin dot për Theosin e njeriut sepse Perëndia është vetëm esencë dhe mbi bazë të kësaj, si mund të hyjnizohet njeriu kur ata nuk pranojnë se energjitë hyjnore janë të pakrijuara, dhe ata vetë i shohin këto energji si të krijuara? Si mund të hyjnizojë njeriun diçka e krijuar, p.sh. si mundet diçka jshtë Perëndisë të mund të hyjnizojë njeriun?

    Me qëllim që të mos bien në pantheizëm, ata nuk flasin fare për Theosin. Atëherë sipas tyre, cili ngelet të jetë qëllimi i jetës njerëzore? Thjeshtë përmirësimi moral. Nëse njeriu nuk mund të hyjnizohet me anë të Hirit hyjnor dhe energjive hyjnore, cili është qëllimi i jetës së tij? Vetëm që të bëhet moralisht më i mirë. Por perfeksioni moral nuk është i mjaftueshëm për njeriun. Nuk është e mjaftueshme për ne që të bëhemi moralisht më të mirë se më parë thjeshtë duke bërë punë të moralshme. Qëllimi ynë final është që të bashkohemi me Vetë Perëndinë e shenjtë. Ky është qëllimi i krijimit të universit. Kjo është ajo që ne dëshirojmë. Ky është gëzimi ynë, lumturia jonë, dhe përmbushja jonë.

    Psiqia (shpirti) i njeriut, i cili është krijuar sipas shembëllimit dhe ngjashmërisë të Perëndisë, ndjen mungesën e Perëndisë dhe dëshiron të bashkohet me Të. Pavarësisht se sa i moralshëm dhe i mirë është njeriu, pavarësisht se sa vepra të mira mund të bëjë, nëse njeriu nuk gjen Perëndinë, nëse nuk bashkohet me Të, njeriu nuk ka për të gjetur prehje. Sepse Perëndia i shenjtë vendosi brenda njeriut këtë etjen e shenjtë, erosin hyjnor, dëshirën për tu bashkuar me Të, për Theosis, kështu njeriu ka brenda vetes fuqitë erotike që mori nga Krijuesi i tij, me qëllim që të dashurojë me të vërtetë, fort dhe me vetëmohim... ashtu si Krijuesi i tij i shenjte bie në dashuri me botën e Tij, krijesat e Tij. Ia dha njeriut këto fuqi që me këtë shtysë erotike dhe këtë fuqi dashurie, njeriu të mund të bier në dashuri me Perëndinë. Nëse njeriu nuk do të kish shembëllimin e Perëndisë brenda vetes, nuk do të ishte në gjendje që të kërkonte prototipin e tij. Secili prej nesh është një shembëllim i Perëndisë dhe Perëndia është prototipi ynë. Shembëllimi kërkon prototipin dhe vetëm kur e gjen arrin të gjejë edhe gjithçka tjetër.


    Shën Grigor Palamas dhe energjitë e Perëndisë


    Në shekullin e katërmbëdhjetë, ndodhi një tronditje e madhe në Kishë që u provokua nga një murg Perëndimor, Barlaami. Ai dëgjoi se murgjit Athonitë flisnin mbi Theosis. Ai ishte informuar se pas një përpjekje të gjatë, pastrim pasionesh, shumë lutje, murgjit bëheshin të denjë të bashkoheshin me Perëndinë, të përjetonin Perëndinë, ta shikonin Perëndinë. Barlaami dëgjoi se ata shihnin dritën e pakrijuar të cilën Apostujt e shenjtë e kishin parë gjatë Shpërfytyrimit të Shpëtimtarit tonë Krisht në Malin Tabor.

    Por Barlaami, duke patur shpirtin heretik, racionalist Perëndimor, nuk ishte në gjendje të kuptonte vërtetësinë e këtyre përjetimeve hyjnore të murgjve të përulur, kështu që filloi t'i akuzonte murgjit Athonitë se sikur gjoja ata ishin të iluzionuar, heretikë, sikur ata ishin idhujtarë. Duke qenë se ai nuk dinte asgjë mbi dallimin e esencës dhe energjive të pakrijuara të Perëndisë, Barlaami tha se ishte e pamundur për një njeri që të shohi Hirin e Perëndisë.

    Atëherë, Hiri i Perëndisë na shfaqi një mësues të madh dhe të ndritur të Kishës sonë, Athonitin Shën Grigor Palamas, Kryepeshkopi i Selanikut. Me një urtësi dhe ndriçim të dhuruar nga Perëndia, por edhe duke u bazuar mbi përjetimin e tij personal të Perëndisë, Shën Grigori shkruajti dhe predikoi shumë, në pajtim të plotë me Shkrimet e Shenjta dhe Traditën e Shenjtë të Kishës, se drita e Hirit të Perëndisë është e pakrijuar, se Hiri i Perëndisë është një energji hyjnore dhe në fakt njerëzit e hyjnizuar e shohin këtë dritë si përjetimin më të lartë dhe vendimtar të Theosis; dhe vetë ata i shohim nëpërmjet kësaj drite prej Perëndisë. Kjo është lavdia e Perëndisë, shkëlqimi i Tij, drita e Malit Tabor, drita e Ringjalljes së Krishtit dhe Pentekostit, dhe reja që shkëlqente në Dhiatën e Vjetër. Është drita e vërtetë e pakrijuar e Perëndisë dhe jo diçka simbolike, siç besonte Barlaami dhe ata që besonin si ai në iluzionet e tyre.

    Në vazhdim, gjatë tre Sinodeve të mëdha të mbajtura në Konstandinopojë, e gjithë Kisha justifikoi Shën Grigor Palamas duke deklaruar se jeta në Krisht nuk është thjeshtë lartësimi moral i njeriut, por Theosis i tij, dhe kjo do të thotë pjesmarrje në lavdinë e Perëndisë, një vegim të Perëndisë, të Hirit dhe dritës së Tij të pakrijuar.

    I jemi shumë borxhllinj Shën Grigor Palamas sepse me ndriçimin që ai mori nga Perëndia, me eksperiencën dhe theologjinë e tij, ai shprehu gjithë përjetimin e amëshuar të Kishës, duke na dhënë mësimin e në lidhje me Theosis të njeriut. Një i Krishterë nuk është i Krishterë vetëm se është në gjendje që të flasi për Perëndinë. Ai është i krishterë pasi është në gjendje të përjetojë Perëndinë. Ashtu siç kur e dashuroni dikë me të vërtetë dhe bashkëbisedoni me të, e ndjeni prezencën e tij, kënaqeni në prezencën e tij, ashtu ndodh edhe në kungimin e njeriut me Perëndinë: nuk ekziston një marëdhënie thjeshtë e jashtme por një bashkim i mistershëm i Perëndisë dhe njeriut në Shpirtin e Shenjtë.

    Deri tani, Perëndimorët e kanë konsideruar Hirin hyjnor, ose energjinë e Perëndisë, si diçka të krijuar. Për fat të keq, kjo është një nga shumë dallimet që duhen marrë seriozisht në konsideratë gjatë dialogjeve theologjike me Romano Katolikët. Nuk janë vetëm filioque, primati i pushtetit apo "pagabueshmëria" e Papës, dallimet bazë midis Kishës Orthodhokse dhe Papistëve. Është edhe kjo e sipërmja. Nëse Romano Katolikët nuk e pranojnë se Hiri i Perëndisë është i pakrijuar, ne nuk mund të bashkohemi me ta edhe nëse ata pranojnë gjithë pikat e tjera. Sepse kush do të na sjellë Theosis nëse Hiri hyjnor është një krijesë dhe jo një energji e pakrijuar e Shpirtit të Tërëshenjtë?
    Ndryshuar për herë të fundit nga Albo : 21-12-2008 më 03:33

  7. #7
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,122
    Postimet në Bllog
    17
    Kualifikimet për Theosis

    Etërit e Kishës na thonë me siguri se brenda Kishës mund të arrijmë Theosis. Por nga ana tjetër na thonë se Theosis është një dhuratë nga Perëndia, nuk është diçka që mund të arrijmë me forcat tona. Sigurisht, duhet që të kemi dëshirën për ta arritur, të përpiqemi për të, dhe të përgatisim veten që të jemi të denjë, të aftë dhe të gatshëm që të pranojmë dhe ruajmë këtë dhuratë të madhe të Perëndisë, sepse Perëndia nuk dëshiron që të bëjë diçka pa respektuar lirinë tonë, por në të njëjtën kohë, Theosis është një dhuratë e Zotit, prandaj Etërit e shenjtë të Kishës thonë se ne i nështrohemi Theosis, dhe nga ana tjeter Perëndia vepron në Theosis.

    Nga kjo ne dallojmë disa kualifikime që janë të nevojshme në rrugën e njeriut drejt Theosis. Këto janë:


    1) Përulësia

    Sipas Etërve të shenjtë, kualifikimi i parë i nevojshëm është përulësia. Pa përulësinë e bekuar, njeriu nuk mund të marri dot rrugën e duhur të Theosis, nuk mund të pranojë Hirin hyjnor dhe nuk mund të bashkohet dot me Perëndinë. Thjeshtë të pranosh se Theosis është qëllimi i jetës sonë kërkon përulësi, sepse pa përulësi, si mund të pranosh se qëllimi i jetës sonë është jashtë vetes sonë, pra është në Zot?

    Për aq kohë sa njeriu do të jetojë në mënyrë egocentrike, antropocentrike, autonome, ai e vendos veten në qendër të jetës së tij. Ai beson se mund të perfeksionohet me forcat e veta, të krijojë identitetin e tij me forcat e veta, të hyjnizohet me forcat e veta. Ky është shpirti i qytetërim bashkëkohor, filozofisë bashkëkohore, politikës bashkëkohore: të krijojë një botë më të mirë, më të drejtë, por ta arrijë këtë gjë në mënyrë autonome, me forcat e veta. Do të krijojë një botë që do të ketë njeriun në qendër pa e zënë në gojë fare Perëndinë, pa pranuar që Perëndia është burimi i gjithë të mirave. Ky është gabimi që bëri Adami, besoi se, vetëm me fuqitë e tij do të mund të bëhej Zot, do të mund të përmbushte vetveten. Gabimi i Adamit është i njëjti gabim që bëjnë të gjitha kredot njerëzore gjatë gjithë kohërave. Ato nuk e konsiderojnë kungimin e njeriut me Perëndinë jetik për përmbushjen e njeriut.

    Çdo gjë Orthodhokse është theantropikisht(natyra njerëzore përmban edhe hyjnoren) e qendërzuar; qendra e saj është Perëndi-Njeriu Krisht. Çdo gjë që nuk është Orthodhokse ka këtë emërues të përbashkët: qendra e saj është njeriu, si në rastin e Protestantismit, Papizmit, Frimasonërisë, Millenarianizmit (Dëshmitarët e Jehovait), ateizmit, ose çdo gjë tjetër jashtë Orthodhoksisë. Për ne, qendra është Perëndi-Njeriu Krisht. Kjo do të thotë se është e lehtë për dikë të bëhet heretik, një Millenarianist (Dëshmitar i Jehovait), një Mason ose çdo gjë tjetër, por është e vështirë që të bëhet i Krishterë Orthodhoks. Që të bëhesh një i Krishterë Orthodhoks duhet që në fillim të pranosh se qendra e botës nuk është vetja tënde por Krishti.

    Prandaj, fillimi i rrugës drejt Theosis është përulësia: p.sh. ne e pranojmë se qëllimi i jetës sonë është jashtë vetes sonë; është me Atin tonë, Bërësin dhe Krijuesin tonë.

    Përulësia na nevojitet që të shohim se jemi të sëmurë, që jemi të mbushur plot dobësi e pasione.

    Po e përsëris, që të vazhdosh rrugën e nisur, dikush që fillon rrugën e Theosis duhet të ketë përulësi konstante, sepse po të pranojë mendimin se ia del shumë mirë vetë duke u mbështetur në forcat e veta, atëherë ka për ti hyrë krenaria; e humbet atë që ka fituar dhe duhet të fillojë përsëri nga fillimi që të bëhet i përulur, të shohi dobësitë e veta, të shohi sëmundjen njerëzore, dhe të mësojë që të mos i vari shpresat tek vetja. Në mënyrë që të ngelet vazhdimisht në rrugën e duhur drejt Theosis, njeriu duhet ti vari shpresat tek Hiri i Perëndisë.

    Prandaj, kur njihemi me jetën e shenjtorëve, impresionohemi nga përulësia e tyre e madhe. Kur shenjtorët ishin pranë Perëndisë, u ndriçonte përbrenda drita e Perëndisë, bënin mrekullira, lëshonin miro, dhe në të njëjtën kohë besonin për veten e tyre se ishin shumë të ulët, shumë larg Perëndisë, sikur ishin më të këqinjtë mes njerëzve. Ishte kjo përulësi e tyre që i bëri zotër me Hir Perëndie.


    2) Asketizmi

    Etërit e shenjtë gjithashtu na mesojnë se Theosis ka shkallë. Fillon nga shkalla më e ulët e arrin në më të lartën. Kur arrijmë të fitojmë përulësinë, që të pastrohemi nga pasionet fillojmë asketizmin tonë duke aplikuar urdhërimet e shenjta të Krishtit, duke filluar kështu përpjekjen tonë të përditshme në Krisht me pendim dhe shumë durim. Etërit e shenjtë na thonë se brenda urdhërimeve të Tij, rri i fshehur Vetë Perëndia. Kur i krishteri i mban këto urdhërime nga dashuria dhe besimi në Krisht, atëherë ai arrin të bashkohet me Të.

    Sipas Etërve të shenjtë, kjo shkalla e parë e Theosis quhet ndryshe edhe "praksis". Ky është një udhëzim praktik që jepet në fillimin e rrugës drejt Theosis.

    Natyrisht që kjo nuk është aspak e lehtë sepse përpjekja për të shkulur pasionet brenda vetes sonë është e madhe. Këkohet një punë e madhe në mënyrë që gradualisht toka jonë e djerë e brendshme të pastrohet nga gjembat dhe gurët e pasioneve që të mund të bëhet e kultivueshme shpirtërisht, dhe fara e Logos së Perëndisë të bier dhe të japi fruta. Një përpjekje e madhe dhe e vazhdueshme drejtuar vetvetes është e nevojshme për të arritur këtë gjë. Prandaj Zoti tha se "Mbretëria e Perëndisë* pëson dhunë, dhe të dhunshmit e kapin" (Mateu 11:12). Dhe përsëri, Etërit e shenjtë na mësojnë: "jepni gjak e fitoni Shpirt" p.sh nuk mund merrni Shpirtin e Shenjtë nëse nuk jepni gjakun e zemrës suaj në përpjekjen për pastrimin e vetvetes nga pasionet në mënyrë që të pendoheni me të vërtetë dhe thellësisht, dhe në mënyrë që të fitoni virtytet.

    Të gjitha virtytet janë aspekte të një virtyti të vetëm të madh, virtytit të dashurisë. Kur i Krishteri fiton dashurinë, ai i ka të gjitha virtytet. Eshtë dashuria që përzë shkaktarin kryesor të të gjithë të këqijave dhe gjithë pasioneve nga psiqia (shpirti) i njeriut. Ky shkaktar, sipas Etërve të shenjtë është egoizmi. Gjithë të këqijat brenda nesh burojnë nga egoizmi, që është një dashuri e sëmurë për vetveten. Kjo është arsyeja përse Kisha jonë ka asketizëm. Pa asketizëm, nuk ka jetë shpirtërore, nuk ka përpjekje, dhe nuk ka progres. Ne bindemi, kreshmojmë, mbajmë vigjilje, punojmë duke u gjunjëzuar, rrimë në këmbë drejt, të gjitha këto që të mund të pastrohemi nga pasionet tona. Nëse Kisha Orthodhokse heq dorë nga asketizmi, ajo heq dorë nga të qenit Orthodhokse, sepse atëhere do të hiqte dorë nga ndihma që i jep njeriut për tu pastruar nga pasionet në mënyrë që të bëhet zot me Hir Perëndie.

    Etërit e Kishës krijuan një mësim të thellë antropologjik mbi psiqinë (shpirtin) dhe pasionet e njeriut. Sipas tyre, në psiqi (shpirt) dallojmë pjesët inteligjente dhe të ndjeshme. Pjesët e ndjeshme përbëhen nga dëshirat dhe pasionet. Pjesët inteligjente përmbajnë forcat e arsyes së psiqisë (shpirtit): mendimet dhe forcat dalluese. Pjesët e pasioneve janë emocionet pozitive dhe negative; dashuria dhe urrejtja. Pjesa e dëshirave përmban dëshirat e mira për virtyte dhe dëshirat e këqija për kënaqësira; për qejf, dorështrënguarësi, grykësi, adhurim i mishit dhe pasioneve të trupit. Nëse këto tre pjesë të psiqisë (shpirtit), pjesa inteligjente, pasionante dhe dëshiruese nuk pastrohen, njeriu nuk mund të marri dot Hirin e Perëndisë brenda vetes dhe nuk mund të hyjnizohet dot. Pjesa inteligjente pastrohet me anë të vigjilencës, që është ruajtja e vazhdueshme e nousit (shpirtit) nga mendimet, duke pranuar mendimet e mira dhe duke refuzuar mendimet e këqija. Pjesa pasionante, po ashtu, pastrohet me anë të dashurisë. Së fundi, pjesa e dëshirave pastrohet nga vetkontrolli. Të gjitha këto pjesë pastrohen dhe shenjtërohen me anë të lutjes.


    3) Misteret e Shenjta dhe Lutja


    Krishti e instalon Veten e Tij në zemrën e njeriut me anë të Mistereve të Shenjta: Pagëzimi i Shenjtë, Krizmimi, Rrëfimi i Shenjtë dhe Eukaristi(Kungimi) Hyjnor. Ata të Krishterë Orthodhoksë që janë në kungim me Krishtin kanë Perëndinë dhe Hirin e Tij brenda tyre, në zemrat e tyre, sepse janë pagëzuar, krizmuar, janë rrëfyer dhe kanë marrë Kungatën e Shenjtë.

    Pasionet mbulojnë Hirin Hyjnor ashtu si hiri mbulon thëngjillin. Nëpërmjet asketizmit dhe lutjes, zemra pastrohet nga pasionet, thëngjilli i Hirit Hyjnor rindizet, dhe i Krishteri besëplot ndjen Krishtin në zemrën e tij: qendrën e ekzistencës së tij.

    Çdo lutje e Kishës ndihmon në pastrimin e zemrës, por e ashtuquajtura lutje me një frazë të vetme, apo siç njihet ndryshe lutja noetike apo lutja e zemrës, ndihmon veçanërisht shumë: "Zot, Jisu Krisht, ki mëshirë për mua, mëkatarin." Kjo lutje që është përcjellë gjithmonë nga murgu në murg në Malin e Shenjtë, ka këto avantazhe: duke qenë se është vetëm një fjali na ndihmon që të përqëndrojmë më lehtësisht nousin (shpirtin) tonë. Duke përqëndruar nousin, ne zhytemi në zemrën tonë dhe kushtojmë vëmendje që të sigurohemi që zemra nuk është duke u marrë me gjëra dhe mendime të tjera, të mira apo të këqija, por është duke u marrë vetëm me Perëndinë.

    Praktika në këtë lutje të zemrës, e cila me ndihmën e Hirit të Perëndisë me kohën mund të bëhet e vazhdueshme, është një shkencë më vete, një art i shenjtë të cilin Shenjtorët e Besimit tonë na e përshkruajnë në detaj në shkrimet e tyre të shenjta, po ashtu edhe në koleksionin e madh të teksteve Patristike të quajtur "Filokalia".

    Kjo lutje e ndihmon dhe e gëzon njeriun, dhe kur i Krishteri përparon në këtë lutje dhe në të njëjtë kohë jeta e tij ndjek urdhërimet e shenjta të Krishtit dhe Kishës së Tij, atëherë ai është i denjë që të marri përjetimin e Hirit Hyjnor. Ai fillon të shijojë ëmbëlsinë e kungimit me Perëndinë, të dijë nga përjetimi: "O shijoni dhe shikoni se Zoti është i mirë" (Psallmi 34:8). Për ne Orthodhoksët, Perëndia nuk është një ide, diçka për të cilin mendojmë, apo që mbi të Cilin diskutojmë apo lexojmë, por është një Person me të Cilin mund të jetojmë dhe kungojmë personalisht. Eshtë diçka që e jetojmë, dhe dikush prej Të Cilit ne marrim përjetim.

    Atëherë ne arrijmë të shohim se çfarë gëzimi i madh, i patregueshëm dhe i parrëfyeshëm me fjalë është të kesh Krishtin brenda vetes dhe të jemi të Krishterë Orthodhoksë.

    Brenda sheqetësimeve të tyre të ndryshme dhe punëve ditore, të Krishterët që janë në botë i ndihmon shumë sikur të gjejnë pak minuta në heshtje duke e ushtruar veten në këtë lutje.

    Sigurisht që kur që kur të jemi mbushur me përulësi dhe dashuri, të gjitha punët dhe detyrimet tona karshi Perëndisë na shenjtërojnë, por lutja është gjithashtu e nevojshme.

    Në një dhomë të qetë, (mbase pasi të keni lexuar diçka shpirtërore, apo pasi të keni ndezur një llampë të vogël vaji para një ikone dhe pasi të keni djegur thimjam), sa më larg që të mundni nga zhurma dhe aktiviteti, dhe pasi detyrimet dhe mendimet e tjera të kenë rënë në qetësi, duhet që ta zhysni nousin(shpirtin) në zemër duke thënë lutjen: "Zot Jisu Krisht, ki mëshirë për mua, mëkatarin." Sa shumë paqe dhe fuqi tërheq psiqia (shpirti) nga heshtja e Perëndisë! Sa shumë e fuqizon të Krishterin gjatë ditës duke na mbajtur në paqe pa tensione nervore dhe ankth, por me të gjitha forcat të bashkuara në harmoni!

    Disa popuj në vende të tjera kërkojnë qetësinë e psiqisë (shpirtit) duke përdorur mjete artificiale që janë iluzioniste dhe djallëzore, si në rastin e të ashtuquajturave fe Orientale. Ata mundohen të gjejnë një farë qetësie duke bërë ushtrime të jashtme, meditim, etj., për të arritur një farë balance të psiqisë (shpirtit) dhe trupit. Gabimi në të gjitha këto është se ne fakt, edhe kur njeriu përpiqet të harrojë aspektet e ndryshme të botës materiale ai nuk është duke dialoguar me Zotin, por është duke bërë një monolog me vetveten, kështu që përfundon përsëri në antropocentrizëm dhe kështu dështon.
    Ndryshuar për herë të fundit nga Albo : 28-12-2020 më 03:06

  8. #8
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,122
    Postimet në Bllog
    17
    Përjetimet e Theosis

    Përjetimet e Theosis janë në përpjesëtim të drejtë me pastërtinë e njeriut. Sa më shumë pastrohet dikush nga pasionet, aq më i lartë përjetimi që do të marri nga Perëndia: ai e shikon Perëndinë ashtu siç është shkruar: "Të bekuar janë zemërbardhët sepse ata do ta shohin Perëndinë" (Mateu 5:8).

    Kur njeriu fillon të pendohet, të rrëfet, dhe të derdhi lotë për mëkatet e veta, ai merr përjetimin e parë të Hirit të Perëndisë. Përjetime të tilla janë para së gjithash lotë të pendimit, të cilat i sjellin psiqisë (shpirtit) një gëzim të patregueshëm, për tu pasuar nga një paqe e thellë. Për këtë arsye, ky vajtim për mëkatet tona quhet "vajtim i gëzueshëm" siç thotë edhe Zoti në Lumërimet e Veta: "Të bekuar janë ata që vajtojnë, sepse ata do të ngushëllohen" (Mateu 5:4).

    Më pas, kalojmë në shkallë më të larta me anë të ndriçimit hyjnor që na ndriçon nousin i cili i shikon gjërat, botën dhe njërëzit me një hir tjetër.

    Atëherë i Krishteri e do Perëndinë më shumë dhe lotë të rinj ndryshe vijnë, lotë më të lartë, që janë lotët e dashurisë për Perëndinë, lotët e erosit hyjnor. Atëherë njeriu nuk qan më për mëkatet e tij, sepse ai ka sigurinë se Perëndia ia ka falur mëkatet e tij. Lotët e rinj, të cilët i sjellin shpirtit një lumturi më të madhe, gëzim, dhe paqe, janë një përjetim më i lartë i Theosis.

    Pastaj, njeriu fiton çlirimin nga pasionet: një jetë pa pasionet mashtruese dhe dobësitë e plotmëkatshme. Atëherë njeriu është në paqe dhe i patrazuar nga sulmet e jashtme, i çliruar nga krenaria, urrejtja, dashakeqësia dhe dëshirat e mishit.

    Kjo është shkalla e dytë e Theosis, e quajtur "theoria", gjatë së cilës njeriu, pasi është pastruar nga pasionet, ndriçohet nga Shpirti i Shenjtë, bëhet i ndritshëm në rrugë e sipër për tu hyjnizuar. Theoria do të thotë vegim. Theoria e Perëndisë do të thotë vegim i Perëndisë. Që njeriu të mund të shohi Perëndinë, ai duhet të jetë një njeriu i hyjnizuar. Prandaj, theoria e Perëndisë do të thotë gjithashtu Theosis.

    Sigurisht, kur njeriu është pastruar plotësisht dhe ia ka ofruar veten plotësisht Perëndisë, atëherë ai merr edhe përjetimin më të madh të mundshëm të Hirit hyjnor për njerëzit, që sipas Etërve të shenjtë, është vegimi i dritës së pakrijuar të Perëndisë. Ata që janë shumë të avancuar në Theosis e shohin këtë dritë, shumë pak veta në çdo brez. Shenjtorët e Perëndisë e shohin atë dhe shfaqen brenda saj, dhe për koinçidencë, këtë dritë na tregon edhe ai rrethi i ndritur rreth kokave të shenjtorëve në ikonat e shenjta.

    Për shembull, në jetën e Shën Vasilit të Madh thuhet se kur Shën Vasili lutej në qelinë e tij, ata që mund ta shikonin duke u lutur tregonin se ai vetë dhe qelia e tij shkëlqenin përbrenda nga drita e pakrijuar e Perëndisë, nga drita e Hirit Hyjnor. Në jetët e shumë Martirëve-Të rinj të Besimit tonë lexojmë se pas torturave të tmerrshme, kur turqit i varnin trupat e tyre në sheshet e qytetit që të frikësonin të Krishterët e tjerë, gjatë shumë netëve, një dritë shfaqej rreth tyre. Shkëlqente kaq fort dhe kaq pastër, sepse në këtë mënyrë shfaqej në mënyrë brilante e vërteta e Fesë sonë, aqsa pushtuesit dhanë urdhër që ti ulin trupat që të mos turpëroheshin përpara të Krishterëve, të cilët e panë se si Perëndia i lavdëron Martirët e Tij të shenjtë.

    Hiri i Theosis i ruan trupat e Shenjtorëve të paprishur, dhe këto janë lipasnet e shenjta që lëshojnë miro dhe bëjnë mrekullira. Siç thosh Shën Grigor Palamas, Hiri i Perëndisë, pasi u bashkua në fillim me psiqitë (shpirtat) e Shenjtorëve, i mbështjell trupat e tyre të shenjtë dhe i mbush edhe ato me Hir: jo vetëm trupat e tyre por edhe varret e tyre, ikonat e tyre, Kishat e tyre. Kjo është arsyeja përse ne nderojmë dhe puthim ikonat, lipsanet e shenjta, varret, dhe Kishat e Shenjtorëve. Falë Theosis, të gjitha këto kanë diçka nga Hiri i Perëndisë, Hir të cilin e kish Shenjtori në psiqinë (shpirtin) e tij falë bashkimit të tij me Perëndinë.

    Prandaj, në Kishë, ne gëzojmë Hirin e Theosis jo vetëm me psiqinë (shpirtin) tonë por edhe me trupin tonë, sepse teksa tempulli i Shpirtit të Shenjtë i Cili prehet në të dhe përpiqet së bashku me psiqinë (shpirtin) tonë bën që trupi lavdërohet me të vërtetë.

    Hiri që buron nga Zoti i shenjtë, Perëndi-Njeriu Krisht, derdhet mbi Panagjian (Zonjën Shën Mari), mbi Shenjtorët, dhe vjen edhe mbi ne njerëzit e përulur.

    Vlen që të theksojmë se përjetimet e të Krishterit nuk janë gjithmonë përjetime të Theosis dhe përjetime kaq shpirtërore. Shumë njerëz janë iluzionuar nga përjetimet demonike apo psikologjike. Në mënyrë që ta mbrojmë veten nga rreziku i iluzioneve dhe influencave demonike, të gjitha këto përjetime duhet t'ia tregojmë Atit tonë Shpirtëror, i cili, me ndriçimin e Perëndisë do të dallojë nëse këto përjetime janë të mirëfillta ose jo, dhe ka për ti dhënë udhëzimet e duhura psiqisë (shpirtit) që po rrëfehet. Në përgjithësi, bindja që tregojmë ndaj Atit Shpirtëror është një nga pikat më themelore për rritjen tonë shpirtërore. Nëpërmjet saj ne fitojmë një shpirt eklesiastik (kishtar) të dishepullit në Krisht me anë të të cilit legjitimiteti i përpjekjeve tona konfirmohet me qëllim që të na udhëzojë drejt bashkimit me Perëndinë.

    Brenda Kishës, një sferë e veçantë e Theosis është monasticizmi, ku murgjit, pasi janë shenjtëruar, arrijnë përjetime të larta të bashkimit me Perëndinë.

    Shumë nga murgjit që përjetojnë Theosis dhe shenjtërim ndihmojnë gjithashtu edhe gjithë Kishën, sepse, ne të Krishterët besojmë ashtu siç na mëson Tradita e shenjtë e Kishës që prej krijimit të saj, se përpjekja e murgjve ka një efekt pozitiv mbi jetën e çdo besimtari që përpiqet në këtë botë. Në Orthodhoksinë tonë, populli i Perëndisë ka një nderim të madh për Monasticizmin pikërisht për këtë arsye.

    Së fundi, në Kishë ne marrim pjesë në kungimin me Shenjtorët, dhe përjetojmë gëzimin e bashkimit me Krishtin. Me këtë duam të themi se brenda Kishës ne nuk jemi pjesë të izoluara por jemi një unitet, një vëllazëri, një komunitet vëllazëror, jo vetëm midis nesh por edhe me Shenjtorët e Perëndisë, ata shenjtorë që jetojnë mbi tokë sot dhe ata që janë ndarë prej nesh. As vdekja nuk i ndan të Krishterët. Vdekja nuk është në gjendje që ti ndajë të Krishterët sepse ata janë të gjithë të bashkuar në trupin e ringjallur të Krishtit.

    Prandaj çdo të dielë dhe çdo herë që Shërbesa Hyjnore kremtohet, ne jemi të gjithë të pranishëm së bashku me të gjithë Engjëjt, të gjithë Shenjtorët e gjithë kohërave. Edhe të afërmit tanë të vdekur janë të pranishëm, nëse, sigurisht, ata janë të bashkuar me Krishtin. Ne jemi të gjithë atje dhe kungojmë me njëri-tjetrin në mënyrë të mistershme, jo në mënyrë të jashtme, por në Krisht.

    Kjo është e dukshme gjatë Prothesis* ku pjesë për Panagjian (Shën Marinë), për Shenjtorët dhe për të krishterët e gjallë e të vdekur, vendosen mbi Pjatën* e Shenjtë përreth qengjit Krisht. Pas shenjtërimit të Blatës së Shenjtë, të gjitha këto pjesë mbulohen nga Gjaku i Krishtit.

    Ky është një bekim i madh i Kishës që ne jemi pjesëtarë të saj, dhe si pjesë të trupit të Krishtit mund të komunikojmë jo vetëm me Perëndinë por edhe me njëri-tjetrin.

    Koka e këtij trupi është Vetë Krishti. Jeta vjen nga koka në trup. Trupi vërtet ka pjesë të gjalla, por ka edhe pjesë që nuk kanë të njëjtin vitalitet; jo të gjitha pjesët e trupit kanë shëndet perfekt. Kjo është e vërtetë për shumicën e besimtarëve. Jeta vjen nga Vetë Krishti dhe pjesët e gjalla të Tij; gjaku i shëndetshëm shkon edhe tek pjesët më pak të shëndetshme, në mënyrë që me dalë-ngadalë edhe këto pjesë të bëhen të shëndetshme dhe të forta. Kjo është arsyeja përse duhet të jemi në Kishë... që të marrim shëndet dhe jetë, pasi jashtë trupit të Kishës nuk ka mundësi që të shërrohemi dhe të rigjallërohemi.

    Sigurisht që e gjitha kjo nuk vjen menjëherë. Gjatë gjithë jetës së tij i Krishteri Orthodhoks duhet të përpiqet, në mënyrë që dalë-ngadalë brenda Kishës, me Hirin e Perëndisë, me përulësi, pendim, lutje dhe me Misteret e Shenjta, të mund të shenjtërohet dhe hyjnizohet.

    Ky pra është qëllimi i jetëve tona; qëllimi i madh. Nuk është shumë e rëndësishme se sa progres bëjmë ekzaktësisht. Është vetë përpjekja jonë, të cilën Perëndia e bekon tej mase, që ka vlerë si në këtë jetë edhe në atë jetën që do të vijë.




    * Shiko Legjendën
    Ndryshuar për herë të fundit nga Albo : 21-12-2008 më 03:47

  9. #9
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,122
    Postimet në Bllog
    17
    Dështimi i shumë njerëzve për të arritur Theosis

    Sidoqoftë, edhe pse jemi thirrur për këtë qëllimin e madh, të bashkohemi me Perëndinë, të bëhemi Zotër me anë të Hirit, dhe të gëzojmë këtë bekim të madh për të cilin Bërësi dhe Krijuesi jonë na krijoi, ne shpesh bëjmë një jetë sikur ky qëllim i madh dhe fisnik nuk egziston për ne. Për këtë arsye jeta jonë është e mbushur me dështime.

    Përëndia jonë e Shenjtë na krijoi për Theosis, kështu që po nuk u hyjnizuam, e gjithë jeta jonë është një dështim.

    Le të zëmë në gojë disa nga arsyet për këtë:


    1) Dhënia pas përkujdesjeve të thjeshta të jetës


    Ne mund të bëjmë gjëra të bukura dhe të mira, mund të studiojmë, të fitojmë një zanat, të krijojmë një familje, të blejmë prona apo të bëjmë vepra bamirësie. Kur e shohim dhe përdorim botën në mënyrë eukaristike, si një dhuratë nga Perëndia, atëherë çdo gjë bashkohet me Të dhe kthehet në një rrugë për tek bashkimi me Perëndinë. Nëse edhe atëherë nuk bashkohemi me Perëndinë, kemi dështuar dhe çdo gjë ishte e kotë.

    Njerëzit zakonisht dështojnë pasi gënjehen nga qëllimet e ndryshme dytësore të jetës. Ata nuk e vendosin Theosis të parën dhe në krye. Ata mahniten nga gjërat e bukura të botës dhe harrojnë të përjetshmen. E japin veten plotësisht pas qëllimeve dytësore dhe harrojnë "gjënë e vetme të nevojshme" (Llukai 10:42).

    Veçanërisht sot, njerëzit janë të zënë tërë kohën, dhe e neglizhojnë shpëtimin e tyre për hir të aktiviteteve ditore. Mbase kjo është një skemë e djallit për të mashtruar edhe njerëzit e zgjedhur. Për shembull, ne tani harxhojmë kohë duke mësuar, studiuar, lexuar por nuk kemi kohë për tu falur, për të shkuar në Kishë, apo për tu rrëfyer dhe marrë Kungimin e Shenjtë. Nesër do të kemi takime dhe konferenca, detyrime personale dhe shoqërore, por si do të gjejmë kohë për Perëndinë? Pasnesër do të kemi dasma, detyrime familjare, dhe e kemi të pamundur për tu angazhuar në gjëra shpirtërore. Edhe ne gjithashtu, i përsërisim pa pushim Perëndisë: "Nuk mundem të vi... Të kërkoj të më falësh" (Llukai 14:19-20).

    Kështu pra, të gjitha gjërat legjitime dhe të bukura e humbin vlerën e tyre.

    Të gjitha gjërat kanë vlerë reale dhe substanciale kur ndërmerren me Hirin e Perëndisë, për shembull, kur mundohemi të bëjmë gjithçka për lavdinë e Perëndisë, por vetëm atëherë ama kur nuk pushojmë së dashuri dhe ndjekuri atë që është tej studimeve, tej profesionit, tej familjes, tej gjithë përgjegjësive dhe aktiviteteve të mira e të shenjta. Vetëm atëherë ne vazhdojmë të dëshirojmë edhe Theosis, vetëm atëherë të gjitha këto gjejnë kuptimin e vërtetë parë nga perspektika e përjetshme. Vetëm atëherë këto gjëra janë me vlerë për ne.

    Zoti tha: "kërko në fillim Mbretërinë e Perëndisë dhe të gjitha këto gjëra do të jepen" (Mateu 6:33). Mbretëria e Perëndisë është Theosis, është atëherë kur ne marrim Hirin e Shpirtit të Tërëshenjtë. Kur Hiri hyjnor vjen dhe mbretëron brenda njeriut, ai njeri drejtohet nga Perëndia, dhe nëpërmjet këtyre njerëzve të hyjnizuar, Hiri i Perëndisë vjen edhe tek njerëzit e tjerë dhe tek shoqëria. Por siç na mësojnë Etërit tek Lutja e Zotit: "Ardhtë Mbretëria jote" që do të thotë "Ardhtë Hiri i Shpirtit të Shenjtë." Kur Hiri i Shpirtit të Shenjtë vjen e hyjnizon njeriun.


    2) Moralizëm

    Fatkeqësisht, shpirti i moralizmit që e zumë në gojë më lart, p.sh kur e barazojmë jetën e Krishterë me përmirësime morale, ka influencuar negativisht në një shkallë të lartë devotshmërinë dhe spiritualitetin e të Krishterëve edhe këtu në vendin tonë. Shpesh ne heqim dorë nga vazhdimi i rrugës së Theosis falë influencave Perëndimore në theologjinë tonë.

    Udhëzimi që ka për qëllim të vetëm përmirësimin moral është antropocentrik - është i qendërzuar mbi njeriun dhe brenda tij, përpjekjet njerëzore dominojnë, jo Hiri i Perëndisë. Dhe atëherë na duket sikur është morali ynë që na sjell shpëtimin, dhe jo Hiri i Perëndisë. Jeta nën këto kushte nuk na jep përjetime të mirëfillta të Perëndisë, prandaj psiqia (shpirti) nuk është i kënaqur me të vërtetë sepse etja e tij ngelet ende e pashuar. Kjo metodë e udhëzimit është provuar dhe ka dështuar sepse nuk përfaqëson shpirtin e mirëfilltë të Kishës së Krishtit. Kjo është shpesh përgjegjëse për ateizmin dhe për indiferencën e shumë njerëzve karshi jetës shpirtërore, veçanërisht tek të rinjtë.

    Në katekizmin tonë, në predikimet dhe çdo gjë që thonë prindërit, mësuesit, klerikët dhe punëtorët e tjerë të Kishës, në vend që të flasim për përmirësime sterile të njerëzimit, le ti edukojmë të Krishterët drejt Theosis. Ky është shpirti dhe përjetimi i mirëfilltë i Kishës. Përndryshe, virtytet, pavarësisht se sa të mëdha mund të jenë, nuk e përmbushin në fakt jetën e të Krishterit. Ato janë thjeshtë mënyra dhe mjete që na përgatisin ne për të pranuar Theosis, Hirin e Shpirtit të Shenjtë, siç na mëson aq qartë edhe Shën Serafimi i Sarovit.


    3) Humanizmi antropocentrik


    Ky humanizëm i ngritur mbi forcat e veta është një sistem socio-psikologjik që është ndarë dhe bërë i pavarur nga Perëndia. E drejton njeriun bashkëkohor drejt një qytetërimi të ngritur mbi egoizmin dhe kjo e ka çuar njerëzimin modern në një hendek. Në emër të zhvillimit dhe çlirimit të njerëzimit dëshiron të na largojë ne nga Feja jonë e Krishterë Orthodhokse.

    Por a ka zhvillim më të madh të mundshëm për njeriun se sa Theosis?
    Ndryshuar për herë të fundit nga Albo : 21-12-2008 më 03:49

  10. #10
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,122
    Postimet në Bllog
    17
    Konsekuencat e udhëzimit për Theosis

    Udhëzimi që Kisha jonë Orthodhokse na ofron, me Shërbesat e Shenjta, theologjinë Patristike, Monasticizmin, është një udhëzim theantropocentrik. Qendra e udhëzimit është Perëndi-Njeriu Krisht dhe ky udhëzim të shpie në Theosis.

    Kjo na sjell një gëzim të madh në jetë kur e dimë se çfarë destinimi të madh kemi dhe çfarë bekim i madh na pret.

    Kur i kthejmë sytë nga Theosis, na embëlson dhimbjet që shkakton çdo tundim apo shqetësim i jetës.

    Kur jemi duke u përpjekur për të arritur Theosis, e thënë me fjalë të tjera, kur e shohim njeri-tjetrin si zotër të ardhshëm, sjellja jonë ndaj njerëzve të tjerë ndryshon për më mirë. Sa më i thellë dhe më substancial do të jetë atëherë udhëzimi që do tu japim fëmijëve tanë! Sa do ti duan dhe respektojnë babai dhe nëna fëmijët e tyre, në një mënyrë që i pëlqen Perëndisë, duke ndjerë përgjegjësinë dhe detyrimin e shenjtë që kanë karshi tyre; sa shumë kanë për ti ndihmuar, me Hirin të Perëndisë, që të arrijnë Theosis, qëllimi për të cilin ata i sollën në jetë! Po si mund ti ndihmojnë fëmijët e tyre, kur vetë prindërit nuk janë të orientuar drejt këtij qëllimi, drejt Theosis? Sa më shumë respekt do të kemi për veten kur e ndjejmë se jemi krijuar për këtë qëllim të madh; kur të jemi pa egoizmin dhe krenarinë që kundërshton Perëndinë!

    Sigurisht, Etërit e Shenjtë dhe theologët e mëdhenj të Kishës thonë se në këtë mënyrë, duke mposhtur dashurinë e vetvetes (mendjemadhësinë) dhe filozinë antropocentrike të egoizmit, ne arrijmë të bëhemi popull i vërtetë, njerëz të vërtetë. Atëherë kemi për të takuar Perëndinë me nderim dhe dashuri, por kemi për të takuar gjithashtu edhe njerëzit e tjerë me respekt dhe dinjitet të vërtetë duke mos i parë si një mjet kënaqësie dhe përfitimi, por si një ikonë Perëndie të destinuar për Theosis.

    Për aq kohë sa jemi të mbyllur brenda vetes, brenda unit (egos) tonë, ne jemi individë por jo persona. Atëherë kur dalim nga ekzistenca e mbyllur individuale dhe fillojmë, në mirëkuptim edhe me udhëzimin e bazuar mbi Theosis, me Hirin e Perëndisë por edhe me bashkëpunimin tonë, që të duam, që t'ia ofrojmë veten tonë gjithmonë e më shumë Atij dhe fqinjit, bëhemi kështu persona të vërtetë. Me këtë dua të them se kur uni (egoja) jonë takon Ti-në e Perëndisë dhe "ti-në" e vëllait tënd, atëherë ne fillojmë të gjejmë vetveten e humbur. Sepse, brenda kungimit në Theosis për të cilin ne jemi krijuar, ne jemi në gjendje që ti hapim zemrën njeri-tjetrit, të komunikojmë me njëri-tjetrin, të gëzojmë me të vërtetë në praninë e njëri-tjetrit...dhe jo vetëm në një mënyrë egoiste.

    Ky është ethosi i Liturgjisë Hyjnore, në të cilën ne mësojmë që të ngrihemi mbi interesat e ngushta dhe të vogla në të cilat na shtyjnë djalli dhe mëkatet e pasionet tona, dhe nga ana tjetër të mësojmë ti hapim zemrën kungimit të sakrificës dhe dashurisë në Krisht.

    Një vetëdije e kësaj thirrje të madh të Tij, p.sh Theosis, e ngushëllon dhe plotëson me të vërtetë njeriun.

    Humanizmi Orthodhoks i Kishës sonë është bazuar mbi këtë thirrjen e madhe për njeriun, prandaj ia zhvillon të gjitha fuqitë në ekstrem njeriut.

    Cila formë tjetër e humanizmit, sado progresive dhe liberale që mund të duket, është aq revolucionare sa humanizmi i Kishës që është në gjendje që ta bëjë njeriun zot? Vetëm humanizmi i Kishës arrin kaq lart.

    Veçanërisht sot, kur shumë përpiqen që të mashtrojnë njerëzit, dhe sidomos të rinjtë, duke u projektuar një humanizëm të gabuar që në fakt e gjymton njeriun dhe nuk e plotëson atë, theksimi i këtij udhëzimi të Kishës ka një rëndësi të madhe.

  11. #11
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,122
    Postimet në Bllog
    17
    Konsekuencat e udhëzimit që nuk të shpie në Theosis

    Sot, të rinjtë kërkojnë përjetime. Ata nuk janë të kënaqur me jetën materialistike, as me shoqërinë racionalistike që ne të vjetrit mundohemi t'ua lëmë trashëgimi. Fëmijët tanë, duke qenë ikona të Perëndisë, "të thirrur për tu bërë zotër" kërkojnë diçka përtej formave llogjike, filozofisë materialistike dhe arsimit ateist që ne u ofrojmë. Ata kërkojnë përjetime të jetës së vërtetë, Dhe sigurisht, që nuk mjafton vetëm tu tregojmë me fjalë për Perëndinë. Ata kërkojnë përjetimin e Tij, të dritës së Tij, të Hirit të Tij. Shumë prej tyre kërkojnë më kot të gjejnë diçka jashtë apo përtej logjikës duke u marrë me gjëra të thjeshta sepse nuk e dinë se Kisha i ofron të dyja, edhe aftësinë për t'i ngushëlluar edhe përjetimin për të cilin kanë etje të madhe.

    Disa të tjerë bien pas misticizmit Oriental siç është joga, njerëz të tjerë ndjekin okultizmin ose gnosticizmin dhe në fund, fatkeqësisht, disa njerëz ndjekin edhe satanizmin e mirëfilltë.

    Edhe në moral ata nuk njohin kufij, sepse morali, kur ndahet nga esenca e tij dhe mohoet qëllimi i tij, që është bashkimi me Perëndinë e shenjtë, katandiset në një moral fare të pakuptimtë.

    Atëherë, fenomene tragjike si anarkia dhe terrorizmi bëhen ndodhi të zakonshme, aqsa shumë të rinj jepen pas çdo lloj ekstremizmi dhe dhune kundër njerëzve të tjerë. Thellë përbrenda ata duan të kënaqin një dinamizëm që kanë brenda vetes. Kjo etje e thellë e tyre nuk përmbushet thjeshtë sepse ata nuk patën shansin që të njihen me këtë udhëzim të Theosis.

    Shumica e të rinjve, dhe jo vetëm të rinjve, e shpien dëm kohen e çmuar në jetën e tyre si dhe fuqitë që Perëndia u dha me qëllim që të arrinin Theosis, duke kërkuar kënaqësinë dhe adhurimin e mishit. Fatkeqësisht, qëllon shpesh që falë tolerancës së shtetit, këto kthehen në idhujt e tyre bashkëkohorë, në "zotërit" e tyre bashkëkohorë, duke krijuar kështu një korrozion të madh të trupit dhe psiqisë (shpirtit) të tyre.

    Disa të tjerë, jetojnë pa kurrfarë qëllimi duke shpënë dëm ditët e tyre në profesione të ndryshme, monotone, të paqëllimta dhe të dëmshme. Disa ndjejnë kënaqësi në të ngarët e makinave në rrugë me shpejtësi skëterë, shpesh me pasoja tragjike që rezultojnë në dëmtim apo vdekje. Kurse disa të rinj të tjerë, pasi shumë eksplorimeve, dorëzohen pa kushte në varësinë demonike të drogës, e keqja e re e madhe e kohës sonë.

    Dhe së fundi, ka edhe nga ata njerëz, që pas një jete relativisht të shkurtër të mbushur plot me dështime dhe zhgënjime, në mënyrë të ndërgjegjshme apo të pandërgjegjshme, kërkojnë ti japin një fund rrugëtimit të tyre të kotë e të lodhshëm, duke iu dorëzuar fatkeqësisht formës më ekstreme të dëshpërimit, vetvrasjes.

    Jo të gjithë të rinjtë që bëjnë këto gjëra iracionale dhe tragjike janë uliganë. Ata janë të rinj, fëmijë të Perëndisë, edhe fëmijët tanë, të cilët, të zhgënjyer nga jeta materialistike, të kësaj shoqërie-vetëkërkuese të cilën ne ua lëmë trashëgimi, nuk arrijnë të gjejnë atë për të cilën u krijuan, atë të vërtetën, atë të përjetshmen. Ne nuk u dhamë, kështu që ata nuk e njohin. Ata nuk e njohin qëllimin e madh të jetës së njeriut, Theosis. Atëherë, duke mos mundur që të gjejnë paqe në asgjë tjetër, ata i nënshtrohen dëshpërimit format e të cilit i zumë në gojë më lart.

    Sot, falë dashurisë vetëmohuese, shumë Barinj të Kishës sonë të shenjtë, peshkopë, priftërinj, etër shpirtërorë, dhe vëllezërit tanë besimtarë të thjeshtë, i përkushtohen përditë udhëzimit të rinisë drejt qëllimit të Theosis. Të gjithë ne u jemi mirënjohës këtyre Barinjve për shërbimin dhe sakrificën e tyre: për këto punët e tyre që kënaqin Perëndinë, me të cilat, me Hirin e Perëndisë, psiqitë (shpirtrat) e atyre për të cilët Krishti vdiq shenjtërohen dhe shpëtohen.

    Përunjësisht, Mali i Shenjtë jep ndihmën e vetë në këtë hall të madh të Kishës. Kopshti i Panagjias(Shen Maria) sonë, duke qenë një vend i veçantë me shenjtëri dhe qetësi dedikuar Perëndisë, shijon bekimin e Theosis, jeton kungimin me Perëndinë, dhe ka përjetime të gjalla dhe të forta të Hirit dhe Dritës së Tij, kështu që shumë nga njerëzit tanë, shumica e tyre të rinj, kur bëjnë pelegrinazh në Malin e Shenjtë ose kur mbajnë lidhje më specifike me të, të përfitojnë duke u fuqizuar e rilindur në Krisht. Në këtë mënyrë njerëzit gëzojnë me Perëndinë në jetën e tyre dhe fillojnë e kuptojnë se çfare është Orthodhoksia, çfare është jeta e Krishterë, çfarë është përpjekja shpirtërore, dhe sa gëzim dhe kuptim të madh këto gjëra i japin ekzistencës së tyre. Me këtë dua të them, se ata shijojnë diçka nga kjo dhuratë e madhe e Perëndisë për njeriun, Theosis.

    Të gjithë ne, Barinjtë e Kishës, theologët, katekistët, të mos harrojmë këtë udhëzim për në Theosis, me anë të të cilit të rinjtë, me të gjithë ne të përulurit, me anë të Hirit të Perëndisë dhe përjekjeve tona ditore, përpjeket e pendimit dhe mbajtjes së urdhërimeve të Tij të shenjta, të mund të fitojmë mundësinë për të gëzuar këtë bekim të Perëndisë, këtë bashkim me Të, ta gëzojmë sa më shumë në këtë jetë, por edhe të fitojmë lumturinë dhe jetën e bekuar në përjetësi.

    Duhet të falenderojmë vazhdimisht Perëndinë e shenjtë për dhuratën e Theosis, që është dhuratë e dashurisë së Tij. Le t'I përgjigjemi dashurisë së Tij me dashurinë tonë për Të. Perëndia do dhe dëshiron që ne të hyjnizohemi. Në fund të fundit, për këtë qëllim Ai u bë njeri dhe vdiq mbi Kryq që Të ndriçojë si diell mes diejve dhe si Zot mes zotërve.
    Ndryshuar për herë të fundit nga Albo : 22-12-2008 më 03:57

  12. #12
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,122
    Postimet në Bllog
    17
    LEGJENDA


    Esenca (οὐσία–ousia)

    Esenca e Perëndisë dhe energjitë e Tij janë të para-amëshuara dhe të pakrijuara. Esenca e Perëndisë, që është natyra e Tij esenciale, është e paprekshme dhe e panjohur për ne, dhe prandaj ka për të mbetur gjithmonë një mister.

    Dallimi midis esencës së Perëndisë dhe energjive të Tij garantojnë panjohshmërinë e plotë të Perëndisë dhe në të njëjtë kohë na jep mundësinë ne që të arrijmë kungimin intim dhe personal me Të me anë të energjive të Tij, sepse këto energji ne mund ti prekim.


    Zemra (καρδία–kardia)

    Zemra është një fjalë biblike që kuptohet shumë pak në ditët e sotme edhe pse ka një dimension me të vërtetë shumë të thellë. Zemra është vendi ku bashkimi me Perëndinë mund të arrihet: prandaj ka një dimension shpirtëror. Zemra nuk është thjeshtë qendra jonë psikosomatike, pjesa më e thellë dhe më domethënëse e qënies sonë; zemra është edhe "njeriu i brendshëm" prej të cilit energjitë e psiqisë (shpirtit) burojnë.

    Ekziston një lidhje midis nousit, psiqisë, zemrës dhe "njeriut të brendshëm".


    Blatimi i Shenjtë


    Blatimi i Shenjtë ndodh në Altarin e Shenjtë, si pjesë e Liturgjisë së Shenjtë gjatë së cilës elementët Eukaristikë i ofrohen Perëndisë, dhe kthehen në Trupin dhe Gjakun e Tij të Shenjtë.


    Pjata e Shenjtë

    Pjata e Shenjtë është një pjatë prej metali e vendosur mbi një bazament të fortë. Mbi këtë pjatë vendosim me kujdes copat e bukës, që më vonë do të kthehen në Trupin e Krishtit, në mënyrë që mund ti lëvizim me kujdes tek Tavolina e Shenjtë.


    Mbretëria e Perëndisë (Βασιλεία τοῦ Θεοῦ – Basileia tou Theou)


    Mbretëria e Perëndisë do të thotë, "Sundimi i Perëndisë" ose gjithashtu edhe "Fuqia Sunduese e Perëndisë". Megjithëse kjo mbretëri është gjithëpërfshirëse dhe kudondodhur, është shpirtërore dhe mbi gjithë kategoritë e gjërave të marra me mend apo të ndjera. Mbretëria e Perëndisë i referohet gjithashtu edhe pjesëmarrjes sonë në jetën hyjnore të Trinisë së Shenjtë, duke e bërë personin e zgjedhur me anë të Hirit në atë që Perëndia është nga natyra. Mbretëria e Perëndisë dhe Mbretëria e Qiellit janë sinonime.

    Shën Simeon, Theologu i Ri e përshkruan në këtë mënyrë, "sepse ata që bëhen fëmijë të dritës dhe bij të ditës që po vjen, ata që gjithmonë ecin në dritë, Dita e Perëndisë nuk ka për të ardhur kurrë sepse ata janë tashmë me Perëndinë dhe në Perëndinë."


    Logos (Fjala) (Λόγος–Logos)

    Fjala greke logos kish një histori të gjatë para se të përdorej nga Shën Joani. Tre kuptimet kryesore të saj janë: "mendoj", "marr me mend", "flas". Si gjithë gjërat racionale, fjala logos në nivelin e vetë më të thellë do të thotë: "kuptimi", "renditja" dhe "përmbajtje e arsyeshme". Me kohën kjo fjalë filloi të identifikohej edhe me "Arsyen Universale" dhe "Arsyen Krijuese".

    Shën Joani i kompleton të vërtetat filozofike të grekërve të lashtë duke i lidhur ato me Traditën Judaike të kohës së tij. Kështu që kur Ungjilli i Shën Joanit na thotë: "Në fillim ishtë Logos (Fjala), dhe Logos ishte me Perëndinë, dhe Logos ishte Perëndi. Ai ishte që nga fillimi me Perëndinë. Të gjitha gjërat u bënë prej Tij dhe pa Të asgjë nuk u bë. Në Të ekziston jeta, dhe jeta ishte drita e njerëzve... Dhe Logos u bë mish(trup) dhe banoi mes nesh..." Shën Joani e tregon qartë se Jisu Krishti është Logos. Logos, Personi i Dytë i Trinisë së Shenjtë, njihet gjithashtu edhe si Urtësi, Intelekt dhe Përkujdesje e Perëndisë. Krijesa gjen arsyen, shkakun dhe qëllimin e vetë tek Logos.


    Njeriu (ἄνθρωπος–anthropos)


    Së bashku me Biblën e Shenjtë, theologjia përdor shpesh fjalën njeri në një kuptim të përgjithshëm si për burrin edhe për gruan, që me fjalë të tjera do të thotë se gjuha eklesiatike (kishtare) është përfshirëse. Njeriu është e vetmia krijesë që u bë në "shembëllimin dhe ngjashmërinë" (Zanafilla 1:26) e Zotit, dhe në këtë mënyrë ishte arritja më madhështore e Perëndisë. Vizioni i Perëndisë për njerëzimin e tejkalon jashtë mase të kuptuarit e limituar tonë, dhe kjo duket pjesërisht edhe në thënien e Krishtit, "Sepse kur ringjallen ata as martohen dhe as nuk jepen në martesë, por janë si engjëjt e Perëndisë në qiell" (Mateu 22:30).


    Misteri (μυστήριον–mysterion)

    Fjala greke, mister, në fillim fare nënkuptonte "filloj të kuptoj", "sekret", ose "vegim i një sekreti". Krishtërimi e trashëgoi këtë kuptim dhe duke e zgjatur kuptimin e fjalës filloi të kuptohej si "vegim nga Perëndia".
    Misteret janë edhe simbole edhe mistere. Për aq kohë sa misteri ngelet i "i mbyluar me vello", ritualet ngelen në nivelin simbolik apo ikonografik; por kur dikush pranon Hirin e Perëndisë dhe ky Hir fillon e vepron në të, atëherë Misteret zbulojnë atë që fshihet pas "vellos" (cf. 2. Korinthianëve 3:16; 4:3). Misteri mban karakteristikën e dyfishtë të dickaje të fshehur dhe të zbuluar, nga një anë përrallë dhe nga ana tjetër vegim.

    Kemi shtatë mistere kryesore të ngritura nga vetë Krishti që përfshijnë Rrëfimin, Pagëzimin dhe Eukaristinë (Kungimin) e Shenjtë; por numri i tyre ka mundësi të jetë pa limit sepse brenda Kishës të gjitha gjërat punojnë në një mënyrë të mistershme për të na shfaqur Mbretërinë e Perëndisë.


    Nousi (νοῦς–nous)

    Nousi është shqisa jonë më e lartë. Eshtë quajtur: "syri i psiqisë (shpirtit)", "syri i zemrës", si dhe "energjia e psiqisë (shpirtit)". Kur pastrohet, nousi qëndron dhe vepron nga brenda zemrës; mund të perceptojë Perëndinë dhe principet shpirtërore që janë bazat e krijesës; është kognitiv, vizionar dhe intuitiv. Metropoliti i Nafpaktos, Hierotheos pati thënë, "Nousi është shemëlltyra e Perëndisë. Ashtu si Perëndia është dritë, edhe nousi vetë reflekton dritën me anë të Hirit të Perëndisë."
    Pas rënies së njeriut dhe pas "fragmentimit" të psiqisë (shpirtit), nousi padyshim që do ta identifikojë veten me mendjen, imagjinatën, shqisat, ose vetë trupin - duke humbur kështu vëmendjen nga gjendja e vetë e kulluar dhe patrazuar.


    Panagjia (Παναγία–Panagia)

    Virgjëresha Mari njihet me shumë emra që janë si përshkrues edhe nderues për të. Një nga më popullorët është edhe Panagjia, që do të thotë fjalë për fjalë "Ajo e Tërë-Shenjta".


    Prothesis (πρόθεσις–prothesis)


    Prothethis përshkruan si vendin edhe përgatitjen e bukës dhe verës, që do të kthehet në Trupin dhe Gjakun e krishtit. Prothesis gjendet në të majtë të Altarit të Shenjtë, dhe në kishat me ndërtim tradicional gjendet në një si aneks të vogël. Trupi i Krishtit do të thotë e gjithë Kisha, që përfshin trupat engjëllorë, Panagjian, shenjtorët dhe të gjithë besimtarët si ata që janë gjallë edhe ata që janë ndarë nga kjo jetë.


    Psiqi (ψυχή–psyche)

    Fjala psiqi është fjala më e rëndësishme dhe më pak e kuptuar nga të gjitha fjalët Biblike. Kuptimi Orthodhoks i psiqisë mbetet i unifikuar dhe i pandryshuar. Psiqia është një esenë e kulluar dhe e patrazuar që vë në lëvizje dhe i fal jetë trupit; është natyra jonë e jo-materiale, e krijuar por ama e përjetshme, përbëhet nga aspektet tona kognitive, konative dhe afektive, duke përfshirë si aspektin e ndërgjegjshëm edhe atë të pandërgjegjshëm. Prej këtej nxjerrim konkluzionin natyrshëm se shëndeti psiqik i paraprin shpëtimit.

    Në mënyrë që të përfshijmë të gjithë kuptimin e fjalës psiqi ashtu siç kuptohet nga Krishtërimi tradicional, do të na duhet të shkrijmë kuptimin e pesë fjalëve anglisht: "shpirt", "jetë", "frymë", "psiqi" dhe "mendje".

    Në Perëndim, fjala shpirt është kthyer në një fjalë pa taban dhe në një term të mjegullt: psiqia, fjala origjinale biblike korresponduese e fjalës shpirt, është grupuar tashmë me dy fusha të ndryshme konceptuale. Fjalët "shpirt", "jetë" dhe "frymë" përbëjnë një fushë. Fjalët "psiqi" (si në shembullin e psikologjisë moderne) dhe "mendje" përbëjnë fushën tjetër. Falë këtyre grupimeve të ndara, ka pak ose aspak lidhje midis shëndetit "psiqik" dhe principit jetëdhënës të përjetshëm që njihet si "shpirt".

    Kjo zhvendosje shërben si një tregues i sëmundjes së thellë shpirtërore në njeriun Perëndimor.


    Pendimi (μετάνοια–metanoia)


    Pendimi do të thotë: një ndryshim i zemrës, një ndryshim i mendjes - kuptimi i mirëfilltë është një ndryshim i nousit (p.sh meta-nousi). Pendimi është më shumë se sa keqardhje apo ndjenja e zënies në faj; pendimi kërkon një ndryshim themelor të jetës.

    Krishti na thotë se rruga për t'iu afruar Mbretërisë së Perëndisë është pendimi. Një përkthim më i saktë i Mateut 4:17 është "Vazhdoni të pendoheni se Mbretëria është afër", me fjalë të tjera, mos u pendoni vetëm njëherë por vazhdimisht. Na duhet që të ridrejtojmë vetet tona derisa të arrijmë objektivin e jetës - bashkimin me Perëndinë - prandaj pendimi është një mister.

    Pendimi nuk është legalistik; p.sh nëse një ndëshkim jepet gjatë rrëfimit nga rrëfyesi shpirtëror, kjo bëhet thjeshtë për arsye shëruese, qëllimi i vetëm i së cilës është të pastrojë nousin dhe zemrën nga mëkati.


    Mëkati (ἁμαρτία–hamartia)

    Në Krishtërim, hamartia do të thotë "largim nga Perëndia", ose më saktë "dikush dështon të arrijë destimin e vetë", dhe po ashtu folja harmartanein do të thotë "të mos arrish destinimin tënd" - kuptimi origjinal i fjalës ishte "të mos godasësh në shenjë". Më vonë këto fjalë u përkthyen si "mëkat" dhe "të mëkatosh".

    Objektiv kryesor i jetës njerëzore është bashkimi me Perëndinë; që do të thotë se çdo veprim apo çdo mendim që na largon nga Perëndia është mëkat. Siç na thotë Shën Pavli, "Thumbi i vdekjes është mëkati" (1 Korinthianëve 16:56); mëkati nuk ka një dimension legalistik, është thjeshtë një largim nga Jeta.


    Theolog (θεολόγος–theologos)

    Theologjia merret me Perëndinë, pjesmarrjen tonë në Të, dhe me bazat e realitetit hyjnor që trashëgohen në krijim. Eshtë shumë më tepër se sa një ligjërim intelektual e skolastik mbi Perëndinë dhe as nuk fitohet nëpërmjet studimeve akademike.

    Një theolog i vërtetë është dikush që ka arritur një kungim intim me Perëndinë dhe arrin të perceptojë botën shpirtërore. Po citojmë Evagrius "Nëse je një theolog, do të lutesh me të vërtetë; dhe nëse lutesh me të vërtetë, ti je një theolog." ndërsa Shën Maksim Rrëfimtari dhe Shën Grigor Palamasi na thonë: "Devocioni ynë nuk duket tek fjalët por në realitete."


    Theosis (θέωσις–Theosis)

    Theosis fjalë për fjalë do të thotë të bëheni zotër me anë të Hirit. Fjalët biblike që janë sinonime ose përshkruajnë Theosis janë: adoptim, shpengim, trashëgim, lavdërim, shenjtëri dhe perfeksion. Theosis është marrja e Shpirtit të Shenjtë, dhe me anë të Hirit njeriu bëhet pjesëtar në Mbretërinë e Perëndisë. Theosis është një akt i dashurisë së pafund dhe të pakrijuar të Perëndisë. Fillon këtu në kohë dhe në hapësirë, por nuk është statik apo i plotë, dhe është një progres që nuk ka fund dhe që nuk pushon gjatë gjithë përjetësisë.


    Theotokos (Θεοτόκος–Theotokos)

    Titulli Theotokos që i është dhënë Shën Marisë do të thotë "Nëna e Zotit"; përkthimi i mirëfilltë i kësaj fjale është "Lindëse e Zotit". Ky titull u afirmua nga Sinodi i Tretë Ekumenik (viti 431 Pas Vdekjes së Krishtit) i cili deklaroi se Krishti ishte me të vërtetë dhe plotësisht Zot që para mishërimit të Tij.



    Libri “THEOSIS THE TRUE PURPOSE OF HUMAN LIFE” nga ARQIMANDRITI GJERGJ U PRINTUA NE MUAJIN SHTATOR 2006 nga "MELISSA" EDITIONS, ASPROBALTA 570 21, TEL. 23970 23313 NE 3000 KOPJE SI NJE PUBLIKIM I MANASTIRIT TE SHEN GRIGORIT NE MALIN E SHENJTE.
    ISBN: 960-7553-26-8




    Përktheu nga anglishtja, Ilirjan Papa. Ky liber eshte perkthyer ne disa gjuhe te botes, te cilat i gjeni tek adresa: http://www.orthodoxinfo.com/general/theosis.aspx
    Ndryshuar për herë të fundit nga Albo : 22-12-2008 më 03:57

  13. #13
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    27-12-2004
    Postime
    1,681
    Çështja e destinimit të jetëve tona është shumë serioze sepse përbën çështjen më të rëndësishme për njeriun: për cilin qëllim kemi ardhur mbi tokë? Nëse njeriu mban një qëndrim të drejtë mbi këtë çështje; nëse arrin të gjejë destinimin e vërtetë të tij; atëherë ai do të mund të jetë në gjendje të gjejë këndvështrimin e duhur në raport me çështje të veçanta që hasim në jetën e përditshme; në raport me njerëzit e tjerë; në shkollë, profesion, martesë dhe në lindjen dhe rritjen e fëmijve. Nëse nuk arrin të adresojë siç duhet ketë çeshtje jetike, njeriu ateherë ka për të dështuar në qëllimet e veçanta të jetës, pasi çfarë kuptimi mund të ketë një çështje e veçantë e jetës kur vetë jeta si e tërë nuk ka një kuptim?
    Kjo qe shkruhet ketu eshte e vertete , edhe une kam arritur ne te njejtin perfundim por pa lexuar asnje liber fetar mendim qe e kam shprehur edhe ketu ne forum diku ne nje postim.
    larguar forever

  14. #14
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,122
    Postimet në Bllog
    17
    Citim Postuar më parë nga dardajan Lexo Postimin
    Kjo qe shkruhet ketu eshte e vertete , edhe une kam arritur ne te njejtin perfundim por pa lexuar asnje liber fetar mendim qe e kam shprehur edhe ketu ne forum diku ne nje postim.
    Po te behesh me Hir qe vjen nga lart bir i Perendise, te ka shkuar mendja?

    Lexoje te plote artikullin qe te mesosh se si mund te behesh i tille.

    Albo

  15. #15
    i/e regjistruar Maska e Alpha_Virginis
    Anëtarësuar
    09-07-2008
    Vendndodhja
    Freie Hansestadt Hamburg
    Postime
    157
    Te falenderoj Albo per kete perkthim. E kam printuar te gjithin. Eshte kenaqesi ta lexosh.

  16. #16
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    27-12-2004
    Postime
    1,681
    Citim Postuar më parë nga Albo Lexo Postimin
    Po te behesh me Hir qe vjen nga lart bir i Perendise, te ka shkuar mendja?

    Lexoje te plote artikullin qe te mesosh se si mund te behesh i tille.

    Albo
    Pergjigja juaj nuk ka lidhje me citimin tim, ajo qe une kam cituar flet per qellimin e jetes dhe jo per menyren si te behesh bir i perendise.

    Une lexova ate postim dhe jam dakort me llogjiken e atij postimi por po e them qe edhe une kam arritur ne te njejten llogjike te trajtimit te qellimit te jetes e mbasi e kam gjetur edhe qellimin tim te jetes duke hapur me te vertet te gjitha rruget per realizimin e tij. Por e them perseri qe njeriu mund te arrije edhe vete ne te njejtat perfundime pa i marre ato te gatshme ne nje liber tjeter ,, sigurisht pastaj ajo mvaret nga aftesia intelektuale e individit ose nga kapaciteti intelktual i tij ne ate moment per ate problem, qe eshte dicka relative sepse i njejti individ qe nuk arrin sot ne kete konkluzion duke u rritur e studiuar mund te arrije mbas nje 1 muaji viti apo me shume ne te njejtin perfundim por mund edhe te mos arrije kurre. Te lexosh teorikisht se c'far eshte qellimi i jetes nuk eshte njesoj sikur ta zbulosh ate brenda teje.Vetem kur te kutosh me te vertet qellimin tend ne jete nuk do keshe asnje pengese per ta realizuar ate, sepse ajo percakton piken kur inteligjenca jote e brendshme (organike) njehsohet me inteligjencen jo organike pra ate ( te fituar nga librat ).
    Mbasi ke percaktuar qarte qellimin e ke shume te lehte per te caktuar etapet kohore dhe mundesite financiare dhe intelektuale per realizimin e tij qe shpesh duhen edhe vitet te tera jete.
    Keto jane te shkruara ne ate postim teorikisht, kurse une i kam provuar realisht prandaj dhe e besoj pasi gjej vetveten ne ate pershkrim.

    Por shpesh ky qellim kuptohet gabimisht nga shum individ qe mendojne se kane gjetur qellimin dhe veprojne per realizimin e tij sic jane fondamentalistet ,setat e ndryshme satanike,etj ne fusha te ndryshme te jetes.
    Dhe fajtor per kete nuk eshte individi por informacioni qe ai ka marre , nje informazion apo burim i gabuar con ne qellim te gabuar dhe mekanizmi per realizimin e tij eshte i njejte sikurse qellimi te ishte i drejte.

    Pak a shume ky ishte qellimi i atij citimi bere nga mua, nuk di ,nese kam qene shume i qarte.
    larguar forever

  17. #17
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,122
    Postimet në Bllog
    17
    Citim Postuar më parë nga Alpha_Virginis Lexo Postimin
    Te falenderoj Albo per kete perkthim. E kam printuar te gjithin. Eshte kenaqesi ta lexosh.
    Mund te lexosh edhe keto dy shkrime qe kompletojne ate me lart:

    Shën Justini: Misioni i brendshëm i Kishës sonë
    http://www.forumishqiptar.com/showthread.php?t=39900

    Drejt një jete shpirtërore të frutshme
    http://www.forumishqiptar.com/showthread.php?t=42559

Tema të Ngjashme

  1. KOSOVE-1981 - Rrofte Republika Socialiste e Kosoves
    Nga DYDRINAS në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 46
    Postimi i Fundit: 07-07-2018, 11:21
  2. Kisha është Një
    Nga Albo në forumin Komuniteti orthodhoks
    Përgjigje: 14
    Postimi i Fundit: 29-05-2010, 11:25
  3. Kontributi i shkenctarëve islam në shkencë
    Nga Bleti002 në forumin Komuniteti musliman
    Përgjigje: 19
    Postimi i Fundit: 15-03-2009, 22:29
  4. Feja Islame
    Nga Muslimane në forumin Komuniteti musliman
    Përgjigje: 2
    Postimi i Fundit: 28-07-2005, 21:23
  5. Janullatos: Nuk ka përparim me djegien e kishave dhe xhamive
    Nga Jesushaus në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 157
    Postimi i Fundit: 08-04-2004, 07:40

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •