Pse 13-ta është numër me fat!??? Formohet republika e 13-tës !!!


Dikush e ka me fat numrin 13-të dhe ndoshta kjo e bën këtë shifër disi të preferueshme.Nuk dihet mirë origjina e “fatit” te 13-ta, por Juda ka qenë i trembëdhjeti ndër ndjekësit fillestar të Krishtit dhe kushedi pse ishte një renegat e bukëshkalë, që shpëtoi duke çuar në trekëmbësh mjeshtrin e tij, ato që kanë vetëm ndjesinë e të shpëtuarit edhe në fatkeqësinë e tjetrit, numrin 13-të e kanë si numër fati. Nejse, nga ambasadori amerikan dhe një studim i IDRA-s, numri me fat i yni është shifra 13-të për qind korrupsion më shumë, me fjalë të trasha, për këtë vit. Për më tepër nga goja e diplomatit më të rëndësishëm i përfaqësuar në Shqipëri, doli jo vetëm ky numër, por edhe largimi nga imuniteti, i deputetëve shqiptarë. Akoma më shumë dolën edhe probleme të mëdha dhe statistika të IDRA-s amerikane, që arrijnë jo t’i japin popullit shqiptar të shohë realitetin, sepse ai tashmë e njeh, por i japin të kuptojë popullit shqiptar se edhe amerikanët i dinë këto maskarallëqe tonat. Një ditë më pas nga gjyqësori është thënë se, ne jemi më mirë se qeveria dhe deputetët apo edhe doganierët dhe mjekët apo ...
Nejse. Kemi shumë punë përpara dhe nuk është hera e parë. Nga i gjithë entuziazmi qeveritar dhe i maxhorancës për evenimentet integruese, që bota e qytetëruar na afron deri tani, diçka do të shkonte në kundra rrymë dhe kjo ishte deklarata anti-korrupsion dhe ajo e largimit të imunitetit për përfaqësuesit e popullit. Virtualiteti i luftës ndaj korrupsionit, në fakt është ditur dhe parë tashmë edhe në qeverisjen e maxhorancës së djathtë dhe vetëm shifrat e ambasadorit, nuk janë të vetmet që bërtasin fort. Korrupsioni, i cili nuk ka ngjyrë dhe krah, është tashmë me një lartësi të madhe historike dhe kjo nuk është aspak entuziazmuese.
Po pse deputetët pa imunitet?
Mesa duket nga njeriu, që përfaqëson shtetin më demokratik dhe të vetmen superfuqi të botës, këtu fillon e keqja. Në pamundësinë, që gjykatat dhe prokuroria kanë të hetojnë lirshëm një deputet të parlamentit shqiptar. Përfaqësuesit e popullit në fakt sipas kësaj teorie, duhet të barazohen me qytetarët e thjeshtë të këtij vendi. Praktikisht, për mua kjo është diçka e rëndë, por kështu sikundër kanë shkuar punët në Shqipëri, kjo mënyrë e trajtimit të figurës së përfaqësuesit të popullit është plotësisht e pranuar dhe e drejtë. Pse është e drejtë? Në fakt me ligjin e ndryshuar dhe kthyer në proporcional, deputetët nuk janë përfaqësuesit e vërtetë të popullit, por të partive. Ne i kishim disi të popullit dhe ato nuk janë afër tij asnjë ditë dhe afër korrupsionit përditë. Imagjinoni tani që deputetët i nxjerrin dy njerëz apo partia dhe sa të kthyeshëm në popull do të jenë ato, dhe sa të përgjegjshëm dhe të merakosur për njerëzit, do të ndjehen ato. E vërtetë! Aspak, sepse janë të gjithë në lista partie dhe asgjë më shumë. Por, kjo rrjedh plotësisht nga demokracitë e brendshme të partive dhe ajo që dihet sot është se absolutisht në PD mungon demokracia e brendshme dhe në PS ajo është vertikale që i ngjan “demokracisë” që ka një punishte private, ku rregulli i lojës është se si t’i shkosh pas konkurrentit dhe t’i bindesh plotësisht pronarit. Nga këto dy “demokraci” të mëdha të brendshme dalin pastaj edhe ministrat e korruptuar, doganierët e korruptuar, gjyqtarët e korruptuar, prokurorët e korruptuar dhe shumë drejtorë dhe zyrtarë të tillë të korruptuar. Pse, duhet t’i kërkojmë larg? Të gjitha postet e larta dhe ku ka fitim apo pushtet, që mbështet në lek dhe ryshfet, dalin nga kryetarët e partive kaq demokratike dhe shpërndahen duke filluar nga parlamenti. Prandaj, tani kur edhe deputetët do të dalin thjesht nga partia dhe kryetarët edhe bota e qytetëruar dhe demokratike “propozon” që të mos kenë imunitet. Pra, mund të quhet me fat numri 13-të dhe për të mos shkuar 14-të apo 44-r, masa e vetme e ndalimit që shifra të mos kapërcejë është largimi i sigurisë, që një përfaqësues i tillë krejtësisht i pamerituar i popullit të jetë së paku me ligj baraz me shtetasin që pëson shifrën në fjalë. Gjetje e bukur, por tepër sinjikative për të treguar se shteti shqiptar është një pështjellje imoraliteti njerëzor dhe politik që shkon drejt limiteve të larta të korrupsionit. Numri 13-të është praktikisht me fat, sepse kabineti i qeverisë shqiptare ka 14-të ministra dhe pikërisht 13 për qind më tepër korrupsion për katërmbëdhjetë ministra, janë një shifër e ulët në tërësinë e mundësive që ato kanë për më tepër. Por, 13-ta është konkretisht me fat, sepse nesër korrupsioni nuk do të shpërndahet në deputetëve e 13-të partive parlamentare, por në dy apo tre prej tyre ku “cilësia” për frymë do të jetë akoma më e madhe.
Kur të tilla përqindje dhe kur i tillë propozim bëhet dhe nga ndërkombëtarët, shihet qartë se ne “na e ka marrë ferra uratën”, por ka një gjë të ndryshme. Kur “ferra e merrte uratën” në shprehjen popullore në fakt “urata e dinte se ishte në ferrë”. Kurse, në Republikën e 13-tës “urata asnjëherë nuk do t’ia dijë se e ka marrë ferra” dhe vazhdon me po të njëjtën mënyrë, deri sa të shkojmë të gjithë mundësisht në ferr.