Ridvan Bode, "faraoni i piramidave" që po shkatërron ekonominë Shqiptare
Nga Kastriot Myftaraj
Bode, ish-ekonomisti i kooperativës së Përrenjasit, ministri i përjetshëm i “piramidave financiare”
Kur në vitin 1995, gjatë qeverisjes së parë të PD-së, Ridvan Bode u bë drejtor i Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, të gjithë u habitën, pasi këtë njeri nuk e njihte askush. Atëhere PD në pushtet ishte duke bërë ndryshime të mëdha në administratë si reagim ndaj humbjes në referendumin për projekt-kushtetutën, për të rritur efikasitetin e administratës në kohën kur po afroheshin zgjedhjet parlamentare. Këto ndryshime në administratë paraqiteshin sikur po bëheshin për të sjellë njerëz të përgatitur dhe të aftë në nivelet e ndryshme të qeverisjes. Nëse ishte ky motivi, në rastin e Ridvan Bodes ishte fjala për një zgjedhje të keqe. Bode u prezantua si një njeri që vinte nga një specializim i gjatë jashtë vendit, në Francë. Kjo ishte e vërtetë, por kjo ishte vetëm një fiksion pasi baza e formimit të tij ishte Universiteti bujqësor i Tiranës ku Bode kishte kryer studimet për Ekonomi agrare, edhe pse Bode pretendon sikur ai është diplomuar për «financier i lartë» në Universitetin Bujqësor të Tiranës (Kamzë).
Se përse i ka kryer studimet pasuniversitare Bode në Francë, kjo mbetet një mister që ende nuk është zbuluar. Në faqen në Internet të Ministrisë së Finanacave, tek jetëshkrimi i ministrit Bode, thuhet, në mënyrë evazive, se ai ka marrë në Francë një «Diplome de specialisation post-universitaire» (Diplomë e specializimit pasuniversitar), si dhe një «Master of Science» (Mjeshtër kërkimor shkencor në ekonomi). Por nuk thuhet asgjë se cila është përmbajtja e studimeve që Bode ka bërë në Francë dhe ku konsistojnë tituj shkencorë që ai ka marrë atje. Merret vesh, kjo gjë bëhet që Bode të fshehë faktin se në Francë ai është specializuar në ekonominë agrare.
As në faqen në Internet të Kuvendit të Shqipërisë, ku jepet jetëshkrimi i deputetit Ridvan Bode, nuk gjenden të dhëna për përmbajtjen e studimeve që ka bërë në Francë dhe të titujve shkencorë që ka marrë atje, por në këtë faqe on-line gjenden të dhëna për kohën dhe vendin ku i ka bërë këto studime. Atje thuhet se Bode ka bërë një specializim pasuniversitar në Universitetitn e Montpellier në Francë, në vitet 1992-1993, kur ka marrë «Diplome de specialisation post-universitaire» (Diplomë e specializimit pasuniversitar). Gjithashtu thuhet se në vitet 1992-1995 përfundoi ciklin e thelluar të studimeve pasuniversitare në Montpellier në opsionin «Kërkim shkencor», duke fituar titullin «Master of science». Pra, duket edhe se edhe këtu Bode kërkon të fshehë faktin se ku konsistojnë studimet e veta pasuniversitare në Francë.
Një tjetër mister mbetet se përse Bode të dhënat për universitetin ku ka studiuar dhe kohën kur ka studiuar nuk i ka paraqitur dhe jetëshkrimin e vet si ministër në faqen në Internet të Ministrisë së Financave, por vetëm në jetëshkrimin e vet si deputet në faqen në Internet të Kuvendit. Logjika të thotë se jetëshkrimin më të hollësishëm të Bodes duhet ta gjenim në faqen on-line të Ministrisë së Financave ku Bode është drejtues dhe jo në atë të Kuvendit të Shqipërisë, ku Bode është vetëm një nga 140 deputetët. Kjo të bën të dyshosh se mos të dhënat e shkollimit pauniversitar të tij janë së paku pjesërisht të rreme. Bode mund të merrte kurajon që të paraqiste të dhëna të rreme në faqen në Internet të Kuvendit të Shqipërisë, por jo në faqet në Internet të qeverisë, të cilat kqyren me vëmendje më të madhe nga të huajt, çka mund të shkaktonte një skandal për Boden. Gjithsesi, këtë anomali ka detyrimin që ta sqarojë ministri Bode. Një kërkesë që i kam bërë me e-mail për të sqaruar këtë anomali zyrës për komunikim me publikun të Ministrisë së Financave ka mbetur pa përgjigje.
Në kushtet kur Bode nuk i sqaron këto anomali, njerëzit kanë të drejtë që t’ u besojnë fjalëve që thuhen sikur Bode në vitin 1992 shkoi në Francë për dy javë si pjesë e një grupi pedagogësh të Universitetit Bujqësor të Tiranës që ishin ftuar në Francë dhe me këtë rast Bode qendroi në Francë si refugjat. Në Francë Bode kërkoi që të siguronte një bursë për të kryer studime pasuniversitare dhe ndërkohë punoi tek një fermer francez. Se si arriti Bode që të siguronte një bursë për studime pasuniversitare kjo mbetet ende për t’ u sqaruar, por një gjë është e sigurt. Kur Bode u kthye në Shqipëri, në vitin 1995, ai ishte në marrëdhënie shumë të mira me shefin e atëhershëm të SHIK, Bashkim Gazideden, i cili ia rekomandoi Boden Berishës si një njeri të përshtatshëm për të zënë poste të larta në administratë dhe në PD. Ridvan Bode me t’ u kthyer nga Franca mori postin e drejtorit të përgjithshëm të doganave.
Nuk mund ta shpjegosh ngritjen e befasishme të Bodes në poste të larta në administratë dhe në qeverisjen e PD-së, në rast se nuk konsideron ndryshimin e orientimit politik ndërkombëtar të Presidentit të atëhershëm Berisha, në atë kohë, nga një orientim proamerikan, në një orientim proeuropian, posaçërisht profrancez. Në kohën që Bode u rikthye në Shqipëri, në 1995, Berisha ishte prishur përfundimisht me amerikanët, për periudhën e qeverisjes së tij të parë, duke parë tashmë nga Europa, ku afrimit me Francën i jepte një rëndësi të madhe për shkak të peshës së Francës në politikën europiane. Emërimi i Bodes në krye të doganave shqiptare, duke ditur rëndësinë e madhe që doganat kanë në një vend si Shqipëria, deri edhe për buxhetin e shtetit, ishte, në aspektin e politikës së jashtme një sinjal afrimi që Berisha i jepte Francës, duke i thënë se ai po rriste akcesin në PD për intelektualët frankofonë. Se përse u zgjodh Bode, i cili kishte formim intelektual agrar, kur për këtë post mund të zgjidhej një financier i mirëfilltë. Duket se Bode pati përparësi se ai kishte një rekomandim jo vetëm nga Bashkim Gazidede, por edhe nga adresa: Boulevard Mortier nr. 141, Paris, ku duket se atë e kishin zhytur në “ujin” çudibërës të “pishinës”, që ashtu si uji mitologjik ku e zhytën Akilin, kishte veti mrekullibërëse.
Kur Ridvan Bode erdhi në krye të drejtorisë së përgjithshme të doganave, në PD dhe në mjedise të tjera administrative dhe më gjerë të shoqërisë shqiptare u bë pyetja se kush është ky Ridvan Bode. Si atëhere, ashtu dhe tash Ridvan Bode nuk ka parapëlqyer të japë të dhëna për veten. Edhe kur jep të dhëna personale, ato përgjithësisht janë evazive, madje të falsifikuara, duke filluar që nga vendlindja e tij. Në jetëshkrimin e Bodes të paraqitur në faqet në Internet të Ministrisë së Financave dhe të Kuvendit të Shqipërisë thuhet se Bode ka lindur në Korçë. Kjo mund të merret si e vërtetë në sensin që vendilindja e Bodes, fshati i thellë Rakickë i Devollit, në vitin 1959 kur lindi Ridvan Bode ishte pjesë e rrethit të Korçës. Por në vitin 2005 kur Bode ka hartuar jetëshkrimin e vet fshati Rakickë ishte dhe është pjesë e rrethit të Devollit dhe lidhja e këtij fshati me Korçën qendron vetëm tek fakti se ai është pjesë e Qarkut të Korçës. Të thuash siç bën Bode se ka lindur në Korçë, është njëlloj sikur Sali Berisha të thotë se vendlindja e tij është Kukësi, meqë Tropoja sot është pjesë e Qarkut të Kukësit.
Sipas atyre që thotë Bode në jetëshkrimin e vet në faqen on-line të Ministrisë së Financave ai studimet e larta i ka kryer në vitet 1979-1983, në Universitetin Bujqësor të Tiranës, dhe ai parapëlqen të thotë se është diplomuar si financier, merret vesh si financier agrar, në rast se atij i pëlqen të quhet patjetër financier, kur fjala më e saktë do të ishte ekonomist agrar. Kjo degë në Universitetin Bujqësor të Kamzës përgatiste specialistë për të mbajtur llogaritë e kooperativave dhe të Ndërmarrjeve Bujqësore të kohës së komunizmit. Sipas atyre që thotë Bode në jetëshkrimin e vet, ai, pas diplomimit, në vitet 1983-1989 ka punuar si shef i degës së financës në Prrenjas të rrethit të Librazhdit. Përsëri të dhënat e Bodes janë evasive, duke qenë se ai nuk e saktëson se për degë finance të kujt bëhej fjalë. Fjala “degë finance” është një eufemizëm, pasi Bode ka punuar në financën e kooperativës bujqësore të bashkuar në Përrenjas, pastaj çuditërisht të një ndërmarrjeje të furnizimit të punëtorëve të minierës, që për nëj ekonomist agrar ishte një punë e pëlqyer dhe të cilën ai e mori edhe pse formimi i tij si ekonomist ishte agrar. Por duket se në këtë degë atë e çoi “dega” tjetër nga e cila ai varej.
Në jetëshkrimin e vet të shkruar në vetën e tretë në faqen on-line të Ministrisë së Financave, Bode bën një kapërcim kohor në paraqitjen e etapave të karrierës së vet. Ai thotë se në Prrenjas ka qenë me punë deri në vitin 1989 dhe pastaj bën një kapërcim dhe shkon në vitin 1991 kur thotë se ka qenë pedagog i analizës financiare në Universitetin Bujqësor të Tiranës. Por ku ka qenë Bode në vitet 1989-1991? Ai nuk e thotë këtë gjë në asnjë nga versionet e jetëshkrimit të vet. Në fakt Bode ka shkuar si pedagog në Universitetin Bujqësor të Tiranës që në vitin 1990, por ai parapëlqen që të pretendojë se ka shkuar në vitin 1991. Pse e bën Bode këtë gjë? Sepse ai vuan shumë fjalët që qarkullojnë për të se ai ka qenë kryetar i shoqatës së Vullnetarëve të Enverit në Universitetin Bujqësor të Kamzës në shkurt-mars 1991 dhe se ka qenë një nga drejtuesit e mitingut që u zhvillua me këtë rast nga enveristët në këtë universitet. Për ta mohuar këtë të vërtetë Bode bën një mashtrim duke thënë se ai ka shkuar në Universitetin e Kamzës në vitin 1991, duke u nënkuptuar fillimi i vitit shkollor, në vjeshtë, çka do të thotë se ai nuk ka qenë në Kamzë në shkurt-mars 1991. Kjo është një gjë qesharake sepse janë me mijëra vetë që e dijnë se Bode ka qenë atje në atë kohë.
Me siguri që kur ish-vullnetari i Enverit i vitit 1991, duhet të ketë provuar emocione të mëdha kur shkoi në Montpellier në qytetin dhe universitetin ku pati studiuar Enver Hoxha. Mund të përfytyrohet se me sa përmallim ecte Bode në rrugët e qytetit dhe korridoret e universitetit, duke rijetuar përshkrimet që bën Enver Hoxha në librin «Vitet e Rinisë», ashtu siç duket se kishte bërë Bode edhe në vendlindjen e Enver Hoxhës, në Gjirokastër, qytet ku Bode bëri shkollën e mesme, për arsye për të cilat ai nuk do të donte që të zbuloheshin kurrë plotësisht.
Trajektorja e karrierës së Bodes erdhi gjithmonë në ngjitje dhe në zgjedhjet parlamentare të vitit 1996, ai u bë kandidat për deputet i PD-së, në rrethin e Devollit, vendlindjen e tij. Dukej se pas Bodes qendronte një dorë e fshehtë që e shtynte atë para. Në PD pyesnin me ironi se a e kishte Bode teserën e partisë. Bode nuk u bë anëtar i PD-së as në vitin 1990, kur u themelua kjo parti, as në vitin 1991, as më vonë, deri në vitin 1995, kur ai u bë drejtor i doganave shqiptare. Në gusht 1997, në një aktiv të degës së PD-së në Korçë, Ridvan Bode, i cili shoqëronte të deleguarin e qendrës Genc Pollo, dhe që kishte ardhur pasi atëhere do të lançohej në lidershipin e PD-së, duke u paraqitur si përfaqësues i Korçës, u gjend para kritika të rrepta nga të pranishmit, të cilët i kërkuan që të tregonte teserën e PD-së dhe datën se kur ishte anëtarësuar në PD. Gjërat dolën nga kontrolli dhe Pollo u detyrua që të ndërpriste mbledhjen për të ulur tensionet.
Bode ishte njeriu i parë në Shqipëri që krijoi precedentin e futjes së doganierëve në komisionet elektorale. Shtabi elektoral dhe komisionerët e Bodes ishin në një masë të madhe doganierë, pasi në zonën elektorale të Bodes kishte dy dogana. Sigurisht që në zgjedhjet e vitit 1996 Bode fitoi, duke u bërë deputet. Por kjo ishte vetëm pikënisja e karrierës së tij politike. Kur u krijua qeveria e PD-së pas zgjedhjeve, të gjithë në PD dhe jashtë saj mbetën gojëhapur nga habia kur panë emrin e Ridvan Bodes si ministër i financave. Ky ishte një nga rastet e rralla në historinë e shtetit shqiptar kur ministri i financave nuk kishte qenë një financier i mirëfilltë, por një «financier» agrar. Si ministër i financave, Bode është mbiquajtur «ministri i piramidave». Ishte pikërisht në kohën që Bode ishte ministër i financave, në korrik-dhjetor 1996, që skemat rentiere piramidale u rritën në mënyrë të përbindshme. Nëse ka njeri drejtpërdrejt përgjegjës për këtë gjë, ky sigurisht është ministri i financave i kohës kur ndodhi kjo gjë. Bode pretendon se ka meritën që në tetor 1996 ai i paralajmëroi shqiptarët që mos të depozitojnë para në firmat rentiere.
E tepërt ta thuash, Bode me këtë tregohet më së paku joserioz, pasi me paralajmërimin mund të mburret një gazetar, por jo ministri i financave, i cili i kishte të gjitha instrumentat ligjore për ta frenuar katastrofën, në rast se donte. Bode nuk e bëri këtë gjë, edhe sepse ai kishte përfitimet e veta nga «deti kos» i parave të skemave piramidale, ku njerëzit si Bode kishin mundësi të merrnin jo me «lugë», por me «kovë». Është kurioz fakti që ministri i financave në periudhën e rritjes galopante të skemave rentiere piramidale, ishte një njeri që u katapultua në poste të larta pas një qendrimi të gjatë në Francë, që është aleatja tradicionale e Serbisë. Kur Berisha e bëri Boden ministër të financave në vitin 1996, ai këtë gjë sigurisht e bëri edhe me rekomandimin e francezëve, me të cilët Berisha në vitin 1996 ishte afruar si kurrë ndonjëherë. Në fushatën elektorale për zgjedhjet e vitit 1996 në krah të Berishës ishin politikanë dhe zyrtarë të lartë francezë që mbajtën fjalime elektorale pro PD, mes të cilëve dhe këshilltari i Presidentit Shirak dhe Presidenti i Senatit të Francës.
Bode u zgjodh për të qenë ministër ë lulzimit të skemave piramidale dhe për faktin se ai kishte dhënë prova për mbarëvajtjen e tyre, pasi që në kohën kur kishte qenë drejtor ë përgjithshëm ë doganave. Një nga operacionet-kyç të funksionimit të skemave piramidale ishte transporti ë parave cash të depozituara në skemat piramidale që dilnin jashtë vendit, të konvertuara në valutë, për pagesën e e të ardhurave të investimeve fiktive, që përbënte në fakt mënyrën e grabitjes së parave të shqiptarëve. Ky fluks parash kalonte në mënyrë të kundraligjshme nëpër doganat shqiptare (rasti «Vavilis» është një grimë e kësaj) dhe ata që e lejonin merrnin pjesën e vet. Ridvan Bode ishte vënë në krye të doganave shqiptare si njeri ë besuar për të kryer këtë operacion. Pasi dha prova në këtë fushë, ai u gjend ë përshtatshëm të bëhet ministër ë financave për ta çuar deri në fund operacionin e skemave piramidale. Me këtë ai zbatonte porosinë franceze për të shkatërruar ekonomikisht Shqipërinë për llogari të Serbisë.
“Vullnetari i Enverit” Ridvan Bode shndërroi ekonominë shqiptare në një «megapiramidë»
Pas falimentimit të skemave piramidale dhe trazirave që pasuan ato, Bode, i cili nuk ishte më ministër, pasi qeveria kishte dhënë dorëheqjen, u largua për në Francë ku iu dha me procedurë të përshpejtuar leja e qendrimit. Thuhet se Bode gjatë qendrimit jashtë vendit rregulloi disa punë të vetat, posacërisht ato që kishin të bënin me llogaritë e veta bankare që ishin shtuar gjatë krizës së piramidave. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 1997 Bode nuk u bë deputet, pasi Berisha nuk e futi atë as në listën proporcionale, nga ku u bënë deri edhe Vili Minarolli, Ylli Vejsiu dhe Leonard Demi, të cilët kishin qenë më poshtë se Bode nga posti që kishin mbajtur në qeverisjen e PD-së. Është mister se përse Berisha vendosi që ta riciklonte politikisht Boden pasi PD doli në opozitë në verën e vitit 1997 dhe ta katapultonte në lidershipin e ri të PD-së, së riorganizuar pas daljes në opozitë.
Në Kuvendin e PD-së të mbajtur në tetor 1997, u prit me habi rishfaqja e Bodes dhe zgjedhja e tij në Këshillin Kombëtar dhe në Kresinë e partisë. Por habia u bë më e madhe kur Këshilli Kombëtar, në mbledhjen e vet të parë pas Kuvendit, e zgjodhi Ridvan Boden sekretar të përgjithshëm të partisë, çka sipas statutit të partisë ishte posti nr. 2 në parti pas kryetarit. Të gjithë e patën konsideruar të mbyllur karrierën politike të Bodes në PD, kur Berisha nuk e bëri atë deputet nga lista shumëemërore në zgjedhjet e qershorit 1997
vijon
Pse Berisha e ricikloi politikisht Ridvan Boden pas zgjedhjeve të vitit 1997? Arsyet për këtë janë disa. E para është se Bode, si ish-ministër i financave në kohën e pikut të piramidave dinte shumë gjëra dhe Berishës i konvenonte që këtë njeri ta kishte pranë, që ai mos të fliste për gjëra që Berisha nuk do të donte që të bëheshin publike. Por kjo nuk e shpjegon megjithatë ngjitjen e Bodes kaq lart në hierarkinë e PD-së. Kjo mund të shpjegohet vetëm me atë se Berisha, pasi u largua nga pushteti në vitin 1997, ende dhe për një kohë të gjatë do të vazhdonte që të ishte në marrëdhënie të këqija me SHBA-të, marrëdhënie të cilat nuk u bënë të mira deri në vitin 2004. Për këtë arsyeje Berishës i duhej të kujdesej për të patur një alternativë franceze, qoftë edhe për t’ i bërë amerikanët që ta afronin më tepër Berishën. Me Boden si nr. 2 në PD Berisha u jepte një mesazh të qartë francezëve.
Në skemën «gjeopolitike» brenda shqiptare të Berishës, Bode në lidershipin e PD-së duhej të përfaqësonte Shqipërinë e Jugut dhe posaçërisht Shqipërinë Juglindore, me Korçën si kryeqendër të saj. Me sa duket Berisha, i cili atëherë ishte në një raport të vështirë me Vlorën, nuk parapëlqeu që të zgjidhte në vend të Bodes një njeri me origjinë nga pjesa jugperëndimore e Shqipërisë së Jugut, posaçërisht nga Vlora, duke menduar se kishte më tepër gjasa që të fitonte mbështetje më të fortë në jugperëndim të Shqipërisë Jugore. Por problemi qëndronte se Bode ishte me origjinë nga pjesa skajore e Shqipërisë Jugperëndimore, nga një fshat i Devollit, çka vështirë se do ta bënte Boden që ai të shihej nga Korça dhe zonat përreth si përfaqësues i tyre. Dhe Bode nuk e arriti dot kurrë reputacionin e të qenit përfaqësues i zonës së gjerë prej nga ku e kishte origjinën. Në skemën e Berishës Bode, i cili është me origjinë muslimane, duhej të përfaqësonte muslimanët e Shqipërisë së Jugut, ndërsa nënkryetari i PD, Genc Pollo duhej të përfaqësonte kristianët ortodoksë të Shqipërisë së Jugut dhe kristianët ortodoksë në përgjithësi.
Ridvan Bode do të zgjidhej në postin e sekretarit të përgjithshëm të PD-së katër herë rresht, në 1997, 1999, 2001, 2005. Kur Bode u bë nr. 2 në PD mund të supozohej se ai do të ishte një shënjestër e parapëlqyer për propagandën e së majtës, për të provuar se në krye të PD-së vazhdonin të ishin përgjegjësit për skemat piramidale, por nuk ndodhi kështu. Emri i Ridvan Bodes shfaqej shumë rrallë në faqen e parë të «Zërit të Popullit» aq sa mos të krijohej dyshimi se përse PS nuk e atakon këtë njeri.
Kur në PD doli fraksioni i ashtuquajtur i reformatorëve, me në krye Genc Pollon, në 1999, Bode mbajti anën e Berishës. Sigurisht që ky qëndrim i Bodes erdhi jo nga ndonjë sens besnikërie, por nga fakti se Bode, për shkak të së kaluarës së vet si «ministër i piramidave», nuk shihte tjetër mundësi për të mbetur në politikë, përveçse duke qenë pas Berishës. Bode, duke mbajtur stigmën e piramidave financiare, ishte i padëshirueshëm për çdo lëvizje nismëtare për një lidership të ri në PD. Në takimet konfidenciale me të huajt Bode thoshte se e gjithë përgjegjësia për firmat piramidale ishte e Berishës dhe se ai vetë (Bode) kishte qenë për mbylljen e tyre. Por Bode harron të thotë se se megjithatë edhe ai vetë (Bode) nuk kishte qenë kundër përfitimeve që pati prej skemave piramidale.
Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2001 Berisha e përdori Boden si rrufepritëse. Atëhere, Berisha, i gjendur para kërkesa ngulmuese të mediave se kush do të ishte kandidati për kryeministër i koalicionit opozitar (PD dhe partitë aleate) nëse ai i fitonte zgjedhjet, duke qenë se e majta e kishte paraqitur kryeministrin në detyrë Meta, si atë që do të drejtonte qeverinë edhe pas zgjedhjeve, Berisha bëri një truk duke paraqitur Ridvan Boden si «kandidati për kryeministër i opozitës». Me këtë kllounadë Berisha e bëri të qartë se ai jo vetëm që nuk shpresonte që opozita t’ i fitonte zgjedhjet, por as donte që opozita të paraqitej para elektoratit sikur kërkonte seriozisht që t’ i fitonte zgjedhjet. Nuk mund të shihej ndryshe veçse si kllounadë që fushatën elektorale të opozitës e drejtonte Berisha dhe premtimet i bënte ai, ndërsa si kandidat për kryeministër paraqitej Bode. Është e vërtetë se edhe tek e majta si kandidat për kryeministër nuk kishte dalë kryetari i PS Nano, por Ilir Meta, por kjo kishte ndodhur si rezultat i konflikteve të brendshme në këtë parti dhe Nano do të kërkonte që ta merrte postin e kryeministrit pas zgjedhjeve.
Ndërsa Berishën asgjë nuk e pengonte për të dalë si kandidat për kryeministër para zgjedhjeve, duke i bërë premtimet të besueshme, pasi ai që i bënte paraqitej si njeriu që do të merrte përgjegjësinë për t’ i realizuar. Sigurisht që Berisha nuk donte të dilte si kandidat për kryeministër, duke nxjerrë Boden si të tillë, pasi donte që ta shkarkonte mbi Boden përgjegjësinë për humbjen e zgjedhjeve. Bode humbi madje edhe në zonën e vet elektorale në Devoll, humbje për të cilën akuzoi publikisht kryeministrin Meta, sikur përdori dhunë për mos të lejuar që, sipas fjalëve të Bodes, «kryeministri i opozitës» të fitonte në zonën e vet elektorale. Me sa duket Bode e kishte marrë shumë seriozisht këtë shakanë e Berishës të shpalljes së tij si kandidati për kryeministër i opozitës. Në fakt PD edhe mund të kishte fituar në Devoll sikur atje mos të kishte kandiduar Boden, të cilin në vendlindje e njihnin mirë. Kjo gjë u provua në zgjedhjet e vitit 2005, kur PD fitoi në Devoll me një kandidat tjetër, jo me Boden, i cili këtë herë kandidoi në qytetin e Korçës, ku fitoi me hijen e liderit të PD-së.
Gjatë kohës që PD ishte në opozitë, Bode nuk u trajtua keq nga socialistët. Kur Arben Isaraj e akuzoi për nepotizëm ministrin Bode në një debat televiziv në vitin 2006, duke i thënë se kishte emëruar kushëririn e vet të parë drejtor të doganës së Qaf-Thanës, nuk tha se ky njeri kishte qenë në punë në sistemin doganor në një rol drejtues edhe gjatë kohës që socialistët ishin në pushtet. Gjatë kohës që socialistët ishin në pushtet bizneset që Bode hapi që në kohën kur PD kishte qenë herën e parë në pushtet, me anë të njerëzve të vet të afërm, ecën mirë dhe nuk u shqetësuan nga socialistët. Me sa duket kjo është arsyeja që ministri Bode vazhdon të mbajë në punë në ministrinë e financave, në rangun e drejtorit të drejtorisë kunatin e Erion Braçes, si shembulli më spikatës i ruajtjes prej tij të nepotizmit socialist në administratë.
Në kohën që PD ishte në opozitë, Bode gjeti kohë dhe mundësi që të rifillonte edhe karrierën e vet «akademike», duke u bërë pedagog i jashtëm në fakultetin ekonomik të Universitetit të Tiranës. Në jetëshkrimin e vet në faqen e Ministrisë së Financave në Internet Bode nuk e thotë se ç’ lëndë jepte ai në fakultetin ekonomik. Ç’ mund t’ u mësonte studentëve të këtij fakulteti ky ekonomist agrar, i specializuar për mbajtjen e llogarive të kooperativave bujqësore komuniste? Mbetet mister se ç’ nevojë kishte fakulteti ekonomik për këtë ekonomist agrar me një specialitet të dyshimtë në Francë dhe përse ky njeri nuk shkoi të jepte mësim në Universitetin Bujqësor, ku edhe i takonte ta bënte këtë gjë. Por këto ishin kortezi që Bodes ia bënin miqtë e vet socialistë. Ndërsa Bodes kjo gjë i duhej për të pasuruar CV e vet akademike, duke dashur të rriste profilin e vet me mendimin për t’ u rikthyer në postin e ministrit të financave kur PD të rikthehej në pushtet.
Në zgjedhjet e vitit 2005 Ridvan Bode nuk parapëlqeu të kandidonte në vendlindjen e vet në Devoll, por kandidoi në qytetin e Korcës, ku fitoi më tepër me autoritetin e PD-së se të vetin. Pas ardhjes së PD-së në pushtet, në vitin 2005, kryeministri Berisha e bëri Boden ministër të financave. Rikthimi në vitin 2005 në postin e ministrit të financave i «ministrit të piramidave» ishte një shenjë se Berisha nuk kishte ardhur me mendjen e ndarë për të qeverisur seriozisht. Në postin e ministrit të financave Bode, i cili gjatë kohës që PD ishte në opozitë, e kishte zakon që t’ u bënte militantëve demokratë premtime nga më fantastiket për vende pune, u bë një nga ministrat që u bë i paaritshëm për t’ u takuar nga militantët. Bode, që kur u bë ministër, edhe pse mban postin nr. 2 në hierarkinë partiake, nuk shkel më në selinë e PD-së pothuajse fare. Praktikisht PD ka mbetur pa sekretar i përgjithshëm, që është administrator i partisë dhe kjo gjë u ndje edhe në këto zgjedhje vendore.
Si ministër Bode ndoqi një politikë kontradiktore, nga njëra duke futur njerëzit e vet të afërm dhe shokët në poste të rëndësishme në administratë, ndërsa nga ana tjetër duke refuzuar të gjithë militantët e PD-së që i kërkonin vende pune. Gjithashtu Bode u bë një nga ministrat që kundërshtonte më fort largimet nga puna në dikastere dhe sot në ministrinë e Bodes janë bërë vetëm disa «krasitje» dekorative. Më kot militantët e PD-së tregojnë modelin e socialistëve të cilët kur erdhën në pushtet në 1997, pa pyetur për ligje bënë spastrime totale në administratë. Ministri Bode nuk ka veshë për t’ i dëgjuar këto gjëra. Bode, edhe pse është nr. 2 në parti dhe ministër, është sot në situatën paradoksale që ka frikë të shkojë në selinë e partisë së tij, përveç rasteve kur atje është Berisha, pasi një herë mezi ka shpëtuar nga duart e disa militantëve, vetëm me ndihmën e rojeve të veta.
I rikthyer në postin e ministrit të financave Bode nuk e përgënjeshtroi famën e vet të «ministrit të piramidave», duke e shndërruar ekonominë shqiptare në një «megapiramidë», që i ka zbrazur xhepat e shqiptarëve të thjeshtë. Bode mburret se ai ka luftuar me sukses evazionin fiskal duke rritur të ardhurat nga tatimet dhe doganat, si dhe duke i sjellë të ardhura shtesë buxhetit të shtetit. Por kostoja e këtij suksesi paradoksalisht ka rënë mbi shqiptarët e thjeshtë, pasi rritja e të ardhura nga tatimet, e bërë në mungesë të eliminimit të monopoleve në tregtinë me shumicë (një premtim elektoral ky i PD-së), ka bërë që biznesi i madh t’ i kompensojë paratë që i ikin për shlyerjen e detyrimeve fiskale me të ardhurat nga rritja e çmimeve, të cilët monopolistët i kontrollojnë lehtësisht. Dhe çmimet kanë vazhduar që të rriten edhe gjatë kohës që PD është në pushtet. Natyrisht që kjo megapiramidë e ndërtuar nga ministri Bode nuk mund të mbijetojë gjatë dhe ajo të të rrënohet me pasoja edhe për treguesit makroekonomikë.
Në këto zgjedhje vendore Ridvan Bode ishte një nga ministrat që humbi në bashkinë ku ishte ngarkuar nga PD të punonte për zgjedhjet, në bashkinë e Korçës, ku Bode ishte zgjedhur deputet. Thuhet se kur Bode i telefonoi Berishës për t’ i thënë se e kishin humbur Korçën, ky i tha: Ridvan, mos u kthe në Tiranë, shko në Rakickë!
Në Korçë qarkullon një anekdotë se sikur mos e kishte ndaluar Berisha Boden që të shkonte në Bilisht, kryeqendrën e Devollit, PD do të kishte humbur edhe atje. Këto janë simptoma të faktit se Bode nuk e shohin më si një lider përfaqësues as në zonën e ngushtë dhe as në zonën e gjerë që ai supozohet që të përfaqësojë në lidershipin e PD-së, pra as në Devoll, as në Korçë dhe as në Shqipërinë Juglindore në përgjithësi.
Disa kohë më parë u duk se Berisha në kuadrin e ndryshimeve që po bënte si reflektim për humbjen në zgjedhjet vendore, e pati vënë Boden para zgjedhjes për të mbajtur ose postin e vet partiak, ose postin në qeveri. U bënë spekulime sikur Bode parapëlqen postin e vet në qeveri, pasi ai është shumë më fitimprurës se posti partiak. U tha edhe se, në rast se Bode heq dorë nga posti partiak, kjo do të thotë që karriera e tij politike të marrë fund me marrjen fund të karrierës së tij si ministër, pasi një Bode i mbetur jashtë lidershipit partiak, nuk do të zgjidhet as deputet në zgjedhjet e ardhshme. U duk se Bode i pati bërë llogaritë dhe e dinte trajektorja e karrierës së vet politike tashmë ka marrë drejtimin poshtë pa kthim, prandaj është mirë që të përfitonte sa të mundte nga periudha e tij e fundit në pushtet. Berisha nuk e bëri «fli» Boden në ndryshimet qeveritare që ka bërë pas zgjedhjeve vendore të vitit të kaluar, edhe pse ministria që drejton Bode është një nga më katastrofalet e qeverisjes së PD. Kjo i shtohet përgjegjësisë së hershme të Bodes që Bodes ka të bëjë në radhë të parë me piramidat financiare të që u ngritën gjatë qeverisjes së parë të PD-së. Përgjegjësia e Bodes është në fakt pjesë e përgjegjësisë së Berishës. Nëse një ditë në Shqipëri do të ketë shtet ligjor të vërtetë, Bode do të jetë në top-listën e të kërkuarve nga drejtësia.
Karriera politike e Ridvan Bodes u gropos në kraterin e Gërdecit, për të cilin Bode ka një përgjegjësi të drejtpërdrejtë, pasi si ministër i financave ai ka pasur nën kontroll të gjitha ato struktura shtetërore të cilat duhet të mbulonin veprimtarinë e kompanisë së Delijorgjit, dhe është përgjegjës për faktin që ajo kishte regjistruar vetëm një punëtor. Policia tatimore e Bodes kontrollonte gazetat me task force të saj, në kohën që në Gërdec gra dhe fëmijë punonin mes maleve me municion, sikur të zhvishnin misër në kooperativën e Përrenjasit, ku e nisi karrierën Bode. Tashmë kur është në përfundim të karrierës së vet politike Bode mund t’ i pohojë vetes në heshtje se ka qenë më fat që ka bërë një karrierë përrallore dhe të pamerituar. Si politikan dhe ministër Bode mbetet një monument i gafave që ka bërë Berisha. Edhe në qeveritë e kohës së monarkisë zogiste dhe të Luftës së Dytë Botërore Shqipëria ka pasur në postin e ministrit të financave financierë të vërtetë dhe është e turpshme që Shqipëria e vitit 1996 dhe aq më tepër ajo e vitit 2005 të kishte në këtë post një ekonomist agrar, specialist të ekonomisë bujqësore të planifikuar komuniste, pra një ekonomist fiktiv. «Financieri» Bode, i cili në kohën e regjimit komunist, bënte studime financiare për të mirat e tufëzimit të bagëtive, kur u bë ministër i financave, krenohej me tufëzimin e shqiptarëve në skemat piramidale, sipas sloganit berishian të vitit 1996 «Me ne fitojnë të gjithë!» Në fund, të fituar nga ata që e brohoritën këtë slogan dolën vetëm Bode, Berisha dhe miqtë e tyre të afërm, ndërsa të tjerët fituan të drejtën që të shikojnë liderët e tyre të lumtur dhe të kënaqur. Kur të ketë mbaruar kjo histori dhe Bode të jetë larguar nga lidershipi i PD dhe qeveria, ndoshta militantët do ta shuajnë kuriozitetin e kahershëm se kur u bë Bode anëtar i PD-së, pasi po të kërkojnë në banjot e selisë së PD-së, me siguri do të gjejnë atje teserën e Ridvan Bodes që ky i fundit do ta ketë hedhur atje.
Duket se Bode, pas përfundimit të karrierës politike do të rikthehet në Francë, prej nga ku erdhi në vitin 1995, për t’ u katapultuar në politikë, në një nga operacionet më misterioze të kryera në PD dhe në krejt politikën shqiptare të periudhës së tranzicionit në Shqipëri. Por këtë herë Bode do të rikthehet në Francë jo si një student pasuniversitar bursist, por si një njeri shumë i pasur, që për nga pasuria jo vetëm mund të rivalizojë të gjithë politikanët aktualë francezë, por që është edhe më i pasur se disa prej shtetarëve kryesorë francezë të marrë së bashku, duke llogaritur edhe ministrin francez të financave.
Se cila është e vërteta e karrierës përrallore të Bodes kjo do të merret vesh vetëm kur të hapen dosjet supersekrete për Shqipërinë në Boulevard Mortier nr. 141, Paris, gjë për të cilën do të kalojnë breza para se të ndodhë, ose ndoshta nuk do të hapen kurrë. Për të shkuar tek e vërteta ka praktikisht vetëm një mënyrë, të rindërtosh tërësinë duke u nisur nga grimcat, ashtu siç bëjnë paleontologët, të cilët duke u nisur nga një eshtër e vogël ndërtojnë gjithë skeletin e dinozaurit. Një gjë është e sigurt, Bode, me gjithë dëmet që ka shkaktuar, doli i padëmtuar nga aventura e vet si ministër i piramidave dhe do të dalë i padëmtuar dhe nga kjo aventurë e dytë e tij ministrore, se ai është bërë i pacënueshëm nga «uji i pishinës», siç e quajnë ndërtesën e Bulevardit Mortier nr. 141 në Paris. Bode tashmë ka mbetur në politikë si një fosil politik i orientimit francez antiamerikan të Berishës në vitet e qeverisjes së parë të tij. Dhe fosilet e kanë vendin në muze.
Krijoni Kontakt