VRASJET DHE BURGOSJET e SHQIPTARËVE NË KRAHINËN E PLAVËS DHE GUCISË - Nëntor 1944 dhjetor 1945
Hasan GJONBALAJ
Sunday, 27 April 2008
Krahina e Plavës dhe e Gucisë shtrihet në pjesën e skajshme të Malësisë së Madhe, që gjeografikisht dhe historikisht është pjesë e tërësisë shqiptare, por nën administrimin e Malit Zi, të cilës i ra fati që ndër të parat të copëtohet nga trungu i vet, më pastaj të përjetoj pushtim pas pushtimi pa iu nda. E tërë kjo trevë ka një lidhshmëri natyrore e rrethuar me vargmalet e Alpeve Shqiptare me kryeqendrën komunale Plavën. Bukuritë më magjepse dhe më joshëse që din vetëm Zoti t'i fali, shtyri shumë udhëpërshkrues të hedhin në letër përshtypjet nga këto anë , si p.sh. Zuko Xhumbur, shkruan: “Xheneti i kësaj bote fillon në Guci”. Ndërsa Cvijiqi shprehet në këtë mënyrë: “Kjo krahinë bie ndër viset më të bukura në Gadishullin Ballkanik”. Në vazhdimësi edhe më tutje lakmitë ndaj kësaj bukurie sjellin pushtues të ndryshëm, kurse kufiri i dhunshëm nëpërmes trupit shqiptar qëndroj gati një shekull, por prapëseprapë zemra e kësaj popullate mbeti e plotë dhe e pathyeshme.
Është e kuptueshme se okupator të mirë nuk ka, këtë e kishin të qartë malësorët e këtyre viseve, për tu bindur në këtë i kujtonin “përkëdheljet” austro-hungareze, andaj nuk u besonin as fjalëve të ëmbla të italianëve, e më pas as të gjermanëve të cilët erdhën në Guci që nga prilli i vitit 1941. Fillimisht italianët duke ditur ëndrrën shekullore të tyre jepnin shenja pozitive me propagandë “Tash e tutje kjo krahinë e ka kryeqendër Tiranën e jo Cetinën dhe Beogradin”. Kjo popullatë kohë të gjatë priste ndonjë lajm të tillë. Nëpër heshtje të këtij lajmi malësorët u bashkuan rreth parisë dhe për ta vërtetuar thënien e tillë dërguan një delegacion për në Shkodër dhe Tiranë. Me t'u kthyer delegacioni, solli sihariqin që pati jehonë të madhe , se “Trojet e copëtuara shqiptare do të bashkohen me nënën Shqipëri”. Ky lajm u mirëprit dhe kushtrimi u shndërrua në hiq-kushtrim, që përfshinte moshën prej 7 deri në 100 vjeç.
Në mbledhjen e parisë, nën udhëheqjen e 85 vjetarëve, Çun Mulës - vuthjanë dhe Shaban Begut plavjanë, mbajtur në prill 1941, te Krojet e Vuthajve, mori pjesë edhe përfaqësuesi i malazezëve kapedan Nika, i cili në parim u pajtua me vendimet që u morën aty për aty. Vëllezërve nga Vermoshi u printe patrioti i dëshmuar Prekë Cali. Udhëheqësit e mbledhjes me mençuri dhe përvojë afruan shumë mendime duke respektuar vullnetin e pjesëmarrësve të tri besimeve fetare. Këtu fuqishëm u shpreh vetëm një dëshirë, bashkimi i trojeve etnike shqiptare.
Një ndër vendimet e para ishte që Plava të jetë prefekturë, ose së paku nënprefekturë me kryetar vendas. Gjithashtu edhe kryetarët e komunave, në Guci, Plavë dhe Zhanicë, pretendohej të ishin vendas. Më pas u hartua plani për një ushtri civile-vullnetare, duke bërë mobilizimin në bazë të vetëdijes dhe ndërgjegjes kombëtare, kurse në Plavë caktohet selia e Shtabit të mbrojtjes popullore. Meqenëse kushtrimi ishte gjithë kombëtar në mënyrë të vazhdueshme arrinin edhe forcat vullnetare nga viset e tjera shqiptare të udhëhequra nga prijësit e vet, që më pas binin nën udhëheqjen e qëndresë në Guci. Për ta bindur masën për një rrugë dhe fitore kombëtare u ngritë flamuri shqiptar në ndërtesën e komunës së mëparshme te Gucisë, me këtë rast roje nderi i bënin djemtë e kësaj treve...
Filli i okupimit italian ishte i qetë dhe i matur, krijohej përshtypje se lënin hapësirë për organizim të brendshëm. Propaganda e tyre jepte të kuptonin se, nuk duhet kthyer pushkën atij që ndihmon të bashkojë trojet etnike. Bindje e tillë u krijua edhe nëpër viset e tjera, që ishin më larg kufijve të Shqipërisë së atëhershme. p.sh. Rozhaja, Rafshlarta e Peshteri, Pazari i Ri etj. Kështu patriotëve të krahinës së Plavës dhe Gucisë s´u mbet gjë tjetër vetëm se të luftojnë kundër atyre që pengonin dhe kundërshtonin një bashkim të tillë. Andaj që në fillim për ballë kishin vetëm sllavo-çetnikët e pamëshirë ndaj popullit jo sllav të këtyre viseve.
Atdhetarët e kishin të qartë programin e çetnikëve, por befasoheshin me paraqitjen e idesë së dytë, e cila filloj aktivitetin edhe në këtë mes. Për ti përfituar të rinjtë përdoreshin në masë të madhe shprehjet afirmim, vëllazërim - bashkim dhe perspektivë e ndritshme.
Paria e vendit e paarsimuar, por të përcaktuar drejtë në frymën kombëtare, iu vu përballë edhe aleancës së tillë. E shpresat gjithsesi ua shtoj kthimi i të mërguarve, që nga vitet 1912-1913, 1919, të cilët ishin shkolluar edhe nëpër qendra të njohura evropiane. Gjatë prillit 1941 dhe nëntor 1944, “Koha e Shqipnisë”, Nënprefektura e Plavës mbikëqyrej nga paria vendase, e cila edhe pse fitoi krah pas mbledhjes së dytë të Lidhjes së Prizrenit, diku në mbarim të vitit 1944 nisi t´i bie forca, nga se marrëdhëniet komuniste shqiptaro-jugosllave e bënë të veten. Shumë tronditës ishte fakti më pas kur nëpër këto vise shiheshin dy simbole luftëtarësh, në kapelë partizane ylli me pesë cepa, kurse në qeleshen e bardhë shndriste Stema e Skënderbeut. Duke përjetuar edhe goditje të tilla forcat patriotike gjenin forcë dhe mençuri për të bërë përpjekje për ruajtjen e qetësisë me qëllim që të mos ndodhë vëlla-vrasje.
Aleanca e partizanëve shqiptar me ata sllav u jepte krahë çetnikëve për ta shtuar sulmin e egër dhe dhunën ndaj kësaj popullate. Vjeshta e vitit 1944 ishte thyerja e brishtë dhe humbja e shpresës për tu mbrojtur nga sllavo-komunistët dhe çetnikët. Paria, ndër më të këqijat zgjodhi më të mirën dhe zyrtarisht dërgojë një shkresë në Shkodër që njësitet partizane shqiptare të stacionohen në këtë trevë. Pas thirrjes së tillë arritën njësitet partizane shqiptare, të cilat u mirëpritën nga paria dhe popullata. Mirëpo pas disa ditë qëndrimi vendin ia lëshon “vëllait, çlirimtarit jugosllav”. Pazarllëqet e tilla e bënë që pansllavizmi të krijoj hapësirë dhe të vendos administrimin ushtarak. Fatkeqësisht pas dy dekadash u përsërit rasti kur shqiptarët ua patën dorëzuar serbëve “Zonën e lirë Junikun”, e tani së dyti krahinën e Plavës dhe Gucisë.
Forca dhe tradhtia bënë që krahina të fundosët në terrin e së kaluarës dhe të bie në thumb të pushkës, në dhunë, burgosje, ekzekutime dhe likuidime të tmerrshme dhe të pandërprera. Liridashësit, pavarësisht nga këto rrethana mbetën besnik parimit të bashkimit të trojeve etnike, madje edhe iu veshën malëve në lëvizjen e përgjithshme shqiptare për rezistencë, sikur t´i kishin frymëzuar në këtë rast vargjet e Fishtës:
Krijoni Kontakt