Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 2
  1. #1

    Naftë dhe gaz, Shqipëria do të flasë rusisht?

    Naftë dhe gaz, Shqipëria do të flasë rusisht?


    Stil rus? Aleksandër Prishchepov të pret në selinë e Ambasadës Ruse në Tiranë, një godinë që dikur e kish OSBE-ja dhe që tani po merr shkëlqim tjetër.

    Arben Rrozhani

    26 Prill 2008 08:27:00



    I ndërtuan me njerëzit e tyre dhe makineritë që sollën 60 vite më parë. Tani do t'i rimarrin për t'i modernizuar dhe për të futur edhe Shqipërinë në hartën ruse të energjisë. "Gazprom", "Luk Oil" apo firma të tjera private rigjejnë Shqipërinë, pas kërkesave të shumta të qeverisë "Berisha". Gazsjellësi "Gazprom" përmes Shqipërisë do të derdhë energji për Italinë dhe më gjerë. Sfida më e afërt është blerja e ARMO-s, ku "LUK Oil" ka shfaqur interes. Ambasadori i Federatës Ruse në Tiranë, z.Aleksandër L.Prishchepov është shumë i qetë dhe i qartë për sfidën ku nuk ka rivalë seriozë.



    Stil rus? Aleksandër Prishchepov të pret në selinë e Ambasadës Ruse në Tiranë, një godinë që dikur e kish OSBE-ja dhe që tani po merr shkëlqim tjetër. Kostum i errët dhe i ngushtë, sy bojëqielli, një buzëqeshje e pandërprerë dhe ton i vendosur. Nga Shën Peterburgu? Jo unë jam moskovit, thotë ambasadori, që nuk e fsheh kënaqësinë kur merr komplimente për ngjasimin me presidentin Vladimir Putin. Energji e vazhdueshme, veçanërisht kur flitet për energjinë, atë që po e bën Rusinë një nga vendet me rritjen më të madhe ekonomike në botë, duke i dhënë një armë të fortë në dorë për të rikthyer lavdinë e dikurshme të Kremlinit. Rikthim edhe në Ballkan dhe në Shqipërinë, ku 60 vite më parë rusët ngrinin gjithçka nga hiçi. Kësaj radhe, te pika më e nxehtë e botës së sotme: gazi, nafta, energjia elektrike. "Për "Gazpromin" nuk ka konkurrent serioz në Ballkan, sepse Rusia zotëron 33 për qind të rezervave botërore të gazit dhe tani për tani është përpunuar vetëm një e pesta e këtyre rezervave",- thotë ambasadori duke shtuar edhe emrin e një kompanie tjetër, "LUK Oil", për të cilën thotë se është një kompani nafte që po punon në mënyrë shumë aktive në Ballkan, kryesisht në Bullgari, Maqedoni. "Unë do t'ia rekomandoja",- thotë shkurt Prishchepov, tamam me stilin e tetë viteve të fundit të udhëheqësve rusë.

    Z.Ambasador, qeveria aktuale është treguar e gatshme për të nxitur investimet ruse në Shqipëri, sidomos në energjetikë. Kur do ta kemi "Gazpromin" në Shqipëri?

    Po, vërtetë, qeveria shqiptare paraqet dhe manifeston interesim ndaj Rusisë dhe ndaj zhvillimit të marrëdhënieve me të. Veprimtaria e Komisionit ndërqeveritar për Bashkëpunimin Ekonomik e vërteton këtë, sepse marrëdhëniet tona janë vazhdimisht në zhvillim. Ne vërejmë se në Shqipëri rritet interesimi për zgjerimin e marrëdhënieve të Rusisë në fushën e energjetikës. Kjo, si në drejtim të energjisë elektrike, por edhe për energji-bartësit për të cilët ju folët. Rusisë qeveria p.sh., i propozon të marrë pjesë në tenderat për furnizimin me energji elektrike në Shqipëri. Për ndërtimin e termo dhe hidrocentraleve të reja. Pala shqiptare na është drejtuar edhe me interesimin për të marrë pjesë në ndërtimin e gazsjellësit në territorin e Shqipërisë. Bëhet fjalë për ndërtimin e një gazsjellësi ndërkombëtar përmes territorit shqiptar. Për këtë në kompaninë e madhe të "Gazpromit" është ngritur një grup i veçantë për zgjerimin e furnizimit me bartës të resurseve energjetikë në Ballkan. Nuk bëhet fjalë vetëm për furnizimin me gaz, por për zhvillimin e industrisë së gazit dhe të naftës në Shqipëri në tërësi. Midis të tjerash edhe për ndërtimin e objekteve të naftës dhe të gazit, si dhe në fushën e ristrukturimit, riparimit dhe modernizimit të hidrocentraleve. Kështu që mundësitë janë dhe mendoj që për rezultatet e këtyre bisedimeve që zhvillohen dhe që do të përfundojnë, besoj se do të dëgjojmë së shpejti.

    Mundësia e shtrirjes së tubacioneve të "Gazprom" ka ngjallur xhelozi te naftësjellësi AMBO, një investim amerikan. Çfarë do të bëjë Rusia për ta fituar këtë sfidë për të tranzituar sa më shkurt naftën dhe gazin drejt Italisë?

    Ka diçka këtu. Nuk duhet ngatërruar gazsjellësi dhe naftësjellësi. AMBO është projekt i naftësjellësit, kurse "Gazprom" merret me problemet e gazsjellësve. Për "Gazprom" nuk ka konkurrent serioz në Ballkan, sepse Rusia zotëron 33 për qind të rezervave botërore të gazit dhe tani për tani është përpunuar vetëm një e pesta e këtyre rezervave. Pastaj "Gazpromi" është pronë, pasuria e të cilës vlerësohet në 350 miliardë dollarë. 30 për qind të nevojave të vendeve të Bashkimit Europian, sigurohen nga "Gazprom", si shembull mund të marr 40 për qind të gazit që përdor Gjermania, që merret nga "Gazprom", për Italinë është 30 për qind, për Turqinë 60 për qind, kurse për vende të tilla si Sllovakia, Finlanda, Bullgaria, nga 90 deri në 100 për qind, për Greqinë dhe Lituaninë 80 për qind, për Austrinë 70 për qind. Kështu që e shikoni edhe vetë, "Gazprom" është një ndërmarrje që ka mundësi kolosale. Tani bëhet fjalë për ndërtimin e dy degëve të gazsjellësit nga Bullgaria deri në Itali. Ky është gazsjellësi "Rrjedha e Jugut" (South Stream). Dega veriore e këtij gazsjellësi do të kalojë nga Bullgaria në Serbi, Hungari, Austri dhe Itali. Kurse dega jugore, nga Turqia në Greqi dhe në Itali. Ka mundësi që dega jugore të kalojë edhe përmes Shqipërisë. Aktualisht, në këtë drejtim studiohen variante me leverdi ekonomike.

    Shqipëria është një variant me leverdi ekonomike?

    Ata pikërisht këtë po llogaritin.

    Ju rusët duhet ta dini sepse keni njohuri të thella këtu e 60 vite më parë?

    Jam plotësisht në një mendje me ju. Mirëpo këtu problemi nuk është thjesht mosnjohja, por është leverdia ekonomike, prandaj atje do t'i kenë parasysh të gjithë faktorët.

    Desha të vijoj bisedën me temën e energjisë, që është më aktualja, sidomos sot kur një fuçi naftë shkoi në 117 dollarë. Ju besoj e dini që Shqipëria ka vendosur të privatizojë kompaninë shtetërore të naftës, ARMO. Sa të interesuar janë rusët për naftën në Shqipëri, ku thuhet se ka rezerva të mëdha, dhe a do të jetë ofertë e mirë ajo e rusëve?

    Se si do të shkojë privatizimi, do ta përcaktojë në radhë të parë pala shqiptare. Ne kemi njoftuar Moskën dhe konkretisht Ministrinë e Ekonomisë dhe Energjetikës, që një privatizim i tillë do të bëhet së shpejti. Ju e dini, në Rusi ka shumë kompani nafte private, por të fuqishme, ndoshta ndonjëra prej tyre do të paraqesë interes. Le të presim dhe të shohim se si do të zhvillohen ngjarjet, sepse "Luk Oil" është një kompani nafte që po punon në mënyrë shumë aktive në Ballkan, kryesisht në Bullgari, Maqedoni. Për mendimin tim për këtë firmë do të paraqesë interes ky fakt, unë do t'ia rekomandoja, por ju e dini se në ekonominë e tregut, problemin e leverdisë ekonomike e zgjidh vetë kompania. Qeveria mund të mos e rekomandojë, nisur nga pikëpamje politike. Për ne janë të gjitha kushtet politike që të punohet këtu. Kurse leverdinë ekonomike do ta përcaktojnë ata.



    ARMO, pasuria e shumëmiliardëshe e nxjerrë në ankand

    Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës prej pak javësh ka kërkuar oferta për blerjen e 85% të aksioneve të Shoqërisë Anonime shtetërore "ARMO", kompania shqiptare për rafinimin e naftës dhe shitjen me shumicë të produkteve të saj, aktualisht 100% e zotëruar nga shteti shqiptar. Ofertat do të pranohen deri më 21 maj 2008 dhe ky konsiderohet një nga privatizimet më të rëndësishme dhe më strategjike të bërë nga ndonjë qeveri shqiptare.

    "ARMO Sh.a." është themeluar në 1 prill 1999, pas ndarjes së Ndërmarrjes së Naftës "ALBPETROL" Patos.

    Kapitali i shoqërisë është 5 309 933 000 Lekë dhe është i ndarë në 5 309 933 aksione, me vlerë nominale 1 000 lekë secili. "ARMO", për volumin e nënprodukteve që prodhon, zë rreth 20% të tregut shqiptar të gazoilit, ndërkohë që është furnizuesi i vetëm i tregut me bitum, furnizuesi i vetëm i TEC-it të Fierit me lëndë djegëse, përveç prodhimit të naftës bruto, qymyr koks dhe solar. Njësitë kryesore të shoqërisë, janë dy rafineritë e Ballshit dhe Fierit, TEC-i Ballsh, Filiali i Import-Eksportit të Karburanteve në Vlorë, Qendra Shkencore e Kimi-Përpunimit në Kuçovë si dhe një rrjet Degësh të Shpërndarjes së Karburanteve (11 degë) të shtrirë në të gjithë territorin e vendit.



    Qeveria e Tiranës, asnjë hap për liberalizimin e vizave dhe linjën e drejtpërdrejtë ajrore

    Turizmi, pengesat që ndeshin rusët për t'u "thekur" në bregdetin shqiptar

    Po blejnë gjysmën e botës, vila superluksoze nga Kapri i Italisë, në super hotelet që po bëjnë në bregdetin malazez. Me miliona rusë mbushin plazhet e botës, duke shijuar boom-in ekonomik që po përjeton Rusia. Janë shtresat e mesme ato që përbëjnë kontigjentin më të madh të turistëve rusë, por në pararojë të tyre janë miliarderët e rinj që po ngrenë qytete të tëra bregdetare. Prishchepov, është i sigurt për fuqinë turistike të Rusisë dhe thotë se i vjen keq që asnjë prej tyre nuk përfundon në Shqipëri, e cila nuk ka bërë as hapin më të vogël për të reklamuar aftësisë e resurseve të saj dhe për të liberalizuar vizat, apo vënë një linjë direkte ajrore mes dy vendeve.

    "Nuk është tamam kështu. Është e vërtetë që rusëve u pëlqejnë shumë udhëtimet dhe siç e dini, Rusia është vend kryesisht verior dhe njerëzit kanë shumë dëshirë të theken një çikë në diell dhe të bëjnë plazh. Prandaj, çdo vit, në Turqi shkojnë afro 2 milionë rusë. Rreth 1 milionë shkojnë në Greqi, po kaq afërsisht në Itali dhe Spanjë. Shqipëria padyshim i ka të gjitha përparësitë për ta zhvilluar turizmin, të paktën jo më pak se Mali i Zi. Ky është një problem që diskutohet në Komisionin e Bashkëpunimit Ekonomik. Prandaj ne kemi vendosur që ta aktivizojmë bashkëpunimin në fushën e turizmit, në veçanti për t'i dhënë shtysë këmbimit të turistëve mes dy vendeve, organizimin e udhëtimeve njohëse për gazetarët, këmbim informacioni lidhur me investimet në fushën e turizmit për përgatitjen e kuadrove profesionistë, për të ndihmuar agjencitë turistike dhe në përgjithësi ata që merren me fushën e turizmit, që të marrin pjesë në ekspozita turistike që zhvillohen mes dy vendeve. Por, për fat të keq, kjo është ende në nivel marrëveshjesh". Ambasadori rus thotë se për fat të keq nuk ka hapa konkretë. Kujton me trishtim ngjarjen e dy muajve më parë, në mars, kur pala ruse ftoi palën shqiptare që të merrte pjesë në ekspozitën për turizmin që u hap në Moskë. Është një ekspozitë e nivelit më të lartë, ku marrin pjesë mbi 2000 kompani nga e gjithë bota, rreth 100 agjenci turistike nga Turqia, po kaq nga Greqia dhe nga shumë vende të tjera, kurse nga Shqipëria nuk vajti kush.

    Prishchepov, përmend edhe dy pengesa teknike, siç janë mungesa e një linje të drejtpërdrejtë mes dy vendeve dhe mos liberalizimi i vizave: "Për të ardhur nga Moska në Shqipëri duhet të humbasësh 12 orë për shkak të tranzitit në aeroporte të tjerë. Por turistit nuk i pëlqen që të humbasë dy ditë vajtje-ardhje vetëm për udhëtim. Ne na duhet të mendojmë për vendosjen e një linje ajrore të drejtpërdrejtë. Fluksin e ardhjes së turistëve rusë do ta ndihmonte shumë edhe liberalizimi i regjimit të vizave. Si shembull mund të marr Turqinë. Në fillim të viteve '90 kur Turqia vetëm nisi të zhvillojë turizmin e vet, ata në mënyrë të njëanshme hoqën vizat për turistët rusë. Dhe numri i turistëve u rrit me dhjetëra herë. Aktualisht gjatë verës, në Antalia, me turistë nga Rusia çdo orë zbret një avion, ku ka rreth 20 fluturime në ditë, jo vetëm nga Moska, por edhe nga Siberia, Uralet, Vladivostoku",- shprehet ai.



    Marrëdhëniet

    Ambasadori: Vitet '50, një thesar për lidhjet tona

    Z.Ambasador, si do t'i përkufizonit marrëdhëniet aktuale Rusi-Shqipëri

    Midis Rusisë dhe Shqipërisë, aktualisht ka marrëdhënie të mira. Këto marrëdhënie zhvillohen në drejtim pozitiv. Midis dy vendeve ruhet një dialog i vazhdueshëm, rregullisht takohen ministrat e Punëve të Jashtme. Zhvillohet shkëmbim i vazhdueshëm mendimesh. Kemi marrëdhënie tregtare ekonomike jo të këqija. Këmbimi i mallrave arrin volumin rreth 150 milionë dollarë. Rusia është partneri i pestë tregtar i Shqipërisë. Ne kemi një mekanizëm mjaft të mirë për lidhjet ekonomike, është Komisioni ndërqeveritar për Bashkëpunimin Ekonomik. Ky komision mblidhet rregullisht çdo vit dhe diskuton problemet më aktuale ekonomike dhe të marrëdhënieve në përgjithësi. Ne mendojmë se ky nivel i shkëmbimit të mallrave dhe marrëdhënieve tregtare në përgjithësi nuk i përgjigjet atij resursi të konsiderueshëm që kanë dy vendet tona. Mundësitë potenciale janë të konsiderueshme dhe shpresojmë që në një periudhë sa më të afërt, këto marrëdhënie do të marrin një zhvillim të menjëhershëm. Për zhvillimin e marrëdhënieve të tilla ne kemi një bazë juridike jo të keqe. Brenda 15 vjetëve të fundit, midis dy vendeve tona janë nënshkruar afro 40 marrëveshje për probleme të ndryshme.

    Jo keq zhvillohen marrëdhëniet në fushën e kulturës dhe arsimit. Për studentët shqiptarë Rusia jep çdo vit 20 bursa falas. Arsimi rus njihet mirë në Shqipëri dhe përveç bursave falas, shkojnë shumë më tepër mbi baza komerciale. Këmbimin kulturor midis dy vendeve e quajmë të pamjaftueshëm. Në krahasim me interesimin që ka në Shqipëri për kulturën ruse, ky nivel i marrëdhënieve nuk përputhet fare.

    Çfarë ka qenë pengesë?

    Mendoj se pengojnë proceset që ndodhin në vendet tona dhe në veçanti komercializimi i kulturës. Ky është një proces i përbashkët. Dikur ishte shumë e thjeshtë: dërgoje një grup kulturor, një kor, ose artistë të veçantë, me vendimin e një shefi. Tani, me kalimin në ekonominë e tregut, kuptohet, edhe kultura ka marrë një karakter komercial. Këtë mund ta quajmë një nga efektet anësor dhe negativ, por edhe kjo do të kalojë me kohë. Megjithatë, ne arritëm vitin e shkuar të hapim ekspozitën e një piktoreje ruse, Varzhina, që pati sukses të fuqishëm dhe këtë vit, ekspozita të saj do të hapen në Shkodër dhe Korçë. Vitin e kaluar, në shtator, Ansambli Folklorik i Elbasanit "Elbafolk" ishte në Festivalin Ndërkombëtar që u zhvillua në rrethinat e Moskës dhe pati mjaft sukses.

    Sa ka ndikuar e shkuara e viteve '50 në marrëdhëniet mes dy vendeve?

    Marrëdhëniet e viteve '50 unë do t'i quaja një thesar, të cilat na ndihmojnë shumë në zhvillimin e marrëdhënieve tona. Ju e dini që në ato vite ne kemi patur lidhje shumë të afërta. Kishim marrëdhënie të ngushta edhe politike, tregtare dhe ekonomike dhe humanitare. Ju e dini që me ndihmën e Bashkimit Sovjetik u ndërtuan në Shqipëri mbi 50 ndërmarrje, si hidrocentrale, uzina të përpunimit të naftës, miniera, hekurudhë. Në këtë periudhë, për nevojat e Shqipërisë, në vend hynte gati 90 për qind e pajisjeve mekanike, të teknologjisë së nxjerrjes dhe përpunimit të naftës dhe të mineraleve, rreth 80 për qind e mjeteve të transportit, 70 për qind e pajisjeve bujqësore, mbi 3 mijë studentë shqiptarë kryen studimet në Rusi. Në Shqipëri mbi 10 mijë të tjerë studiuan me pedagogë dhe profesorë sovjetikë. Sot ka shumë shkrimtarë, inxhinierë, mjekë, gjeologë, dhe kur them se për ne marrëdhëniet e viteve '50 janë thesar, unë kam parasysh në radhë të parë këta njerëz, sepse, në fund të fundit, pajisjet, mekanizmat vjetrohen, hidhen, njerëzit vetëm përmirësohen dhe ruhet afërsia që ishte krijuar midis njerëzve, sepse këto marrëdhënie ia transmeton fëmijëve dhe ndodh shumë shpesh që të ndeshim qëndrim shumë të mira të njerëzve ndaj nesh.

    Po, por ky brez po shuhet dhe brezi tjetër i ka sytë nga Perëndimi?

    Bota globalizohet, prandaj, kurrë nuk duhet të shohësh në një drejtim. Sepse nuk do të ishte e drejtë. Natyrisht, shumëkush do të interesohet për kulturën dhe arsimin e Perëndimit, por dikush do të interesohet për Rusinë. Pastaj, interesi ndaj Perëndimit nuk e mohon interesimin ndaj rusëve. Si shembull doja të sillja degën e Gjuhës Ruse në Universitetin e Tiranës. Vetëm në Seksionin e Rusishtes atje studiojnë rreth 90 veta, d.m.th., interesimi ndaj Rusisë nuk dobësohet.

    Gazeta Shekulli

  2. #2
    Anti Zombizem SigPunizem Maska e Duaje Siveten
    Anëtarësuar
    09-09-2007
    Postime
    3,698
    Shekulli, Sat, 07 Jun 2008 08:11:00

    Miku i madh i mjedisit
    Nga Ardian Klosi


    Pardje, në Ditën Botërore të Mjedisit, Kryeministri ynë u shfaq si një mbrojtës i shquar i mjedisit, kaq hapur dhe me pasion sa mund të them që na befasoi. Njerëz që nuk e njohin dhe dëgjonin deklarata të tillë nga kryeministri shqiptar, patjetër që kanë menduar se kishin përpara një ish-anëtar të Greenpeace-it, WWF, ose grupimeve të tjera tejet të ndjeshme ndaj shkatërrimit të Tokës, i cili, bash për arsye se është kryetar qeverie dhe i një partie të madhe politike, ka qenë detyruar të largohet nga organizata e gjelbër së cilës i përkiste.

    Mirëpo, edhe pse zyrtarisht nuk mund të quhet i gjelbër, me zemër është i tillë: “Unë nuk jam anëtar i këtyre organizatave, por me zemër ndihem realisht anëtar i tyre”, tha Berisha pardje. Gjë e mirë për ta ditur, se nuk i thonë pak të kesh anëtar me zemër në një lëvizje mjedisore kryeministrin tënd. Mund ta njohim dhe ta pranojmë si të tillë bie fjala në Aleancën për Mbrojtjen e Gjirit të Vlorës, kryesuesit e së cilës ai para dy muajsh dha urdhër t’i arrestonin. Shpjegohet, pasi shpesh ç’do zemra nuk e bën dot mendja dhe ç’do mendja, një politikan si Berisha, që do gjithmonë mendjen e tij, e bën pavarësisht nga zemra. Por prapëseprapë është mirë, kur di se një zemër si e tij rreh për lëngatat e mjedisit në Shqipëri dhe për organizatat që këtë mjedis kërkojnë ta mbrojnë. Veçse pasioni i tij shkon edhe më tej nga zemra: “Ju siguroj se tek unë ekziston bindja e thellë se një mjedis i mbrojtur dhe i zhvilluar është trashëgimia më e shkëlqyer që mund t’u lëmë brezave që vijnë”. Pra, ai këtë gjë e ka bindje të thellë. Vetëm se të çudit, po ta shohësh nga ana stilistikore, ndërtimi i fjalisë: “Ju siguroj se tek unë ekziston bindja e thellë...”. Përse, nuk i mjafton një kryeministri të thotë: “Kam bindjen e thellë se...”? Përse duhet të na sigurojë ai për këtë gjë?

    Ka dy shpjegime: e para, ai është mësuar që nuk e besojnë. D.m.th., sa thotë diçka, përfytyron koret e dëgjuesve që thonë: Gënjen, gënjen! Prandaj, si për t’i parandaluar këto kore, ai një pohimi të tij i shton fjalët krejt të panevojshme “ju siguroj” ose “ju garantoj”. Shpjegimi i dytë është që, në brendësi të vetes, ai e di fare mirë që po gënjen, ndaj thotë “ju siguroj, ju garantoj”, sikur gjoja po u drejtohet të tjerëve, ndërkohë qetëson ndërgjegjen e vet gënjeshtare me zhurmën e këtyre fjalëve parazite. Ka të ngjarë që të jetë më shumë kjo e dyta.

    Një ditë më parë kësaj shfaqjeje, po ky Kryeministër kishte nënshkruar një radhë VKM për zonat industriale të disa qyteteve të vendit. Unë nuk jam i informuar për Gjirokastrën, Lezhën, Shkodrën etj., por për Vlorën di të them se Parku Industrial është parashikuar për 125 hektarë në zonat kadastrale 8604 dhe 8605, pikërisht aty ku i janë falur rreth 60 hektarë “Petroliferës”, ku i janë dhënë po kaq hektarë dhe edhe më shumë TEC-ve (po të llogarisësh plazhin ranor para tyre dhe pyjet e prera për të ngritur linjat e tensionit), domethënë në pyllin ende të paprerë të Sodës. Për njerëzit që nuk vuajnë nga amnezia, po kujtojmë se një nga premtimet elektorale të Berishës në Vlorë ishte spostimi i vendndërtimit të TEC-it dhe rikonsiderimi i kontratës me Petroliferën.

    Pas fitores në zgjedhje kemi tërheqje të njëpasnjëshme nga këto pozicione: TEC-i do bëhet aty ku ishte planifikuar, mu në mes të pyllit e plazhit më të virgjër ranor që mund të përfytyrohet, mbi rrënoja qytetesh antike e qendrash mesjetare (“nuk ndot më shumë se 500 “Benza” - Berisha); Petrolifera “fiton” një gjyq arbitrazhi në Paris ndaj qeverisë shqiptare, përfaqësuesi i së cilës aty nuk thotë asnjë fjalë, pastaj ministri Ruli bën, më 5 prill 2007 pranë një noteri në Tiranë, për një euro te z.Ottolenghi, përfaqësues i “Petroliferës”, shitjen përfundimtare të 19 hektarëve tokë nominalë dhe 60 hektarëve faktikë, të cilat kthehen në tokë italiane. Vijojnë premtime Prodit për TEC me qymyrguri në Vlorë, nxitja e projektit AMBO etj.

    Në planin rregullues të janarit 1996 parku industrial i Vlorës ishte parashikuar në zonën Babicë-Shushicë, pra larg bregdetit, në një vend ku nuk rrezikohej as shëndeti i qytetarëve as bukuritë, as trashëgimia kulturore as turizmi bregdetar. Por siç e dimë, me vitet 2000 ky plan fshihet dhe shpalosen për Vlorën projektet e mëdha të naftës, që kulmojnë me shpalljen në mars 2003 e shtator 2004 të parkut energjitik-industrial nga qeveria Nano, 550 hektarë pyll dhe bregdet ranor në zonën e Triportit.

    Në 2006-n Berisha shpall me të madh, madje me KRTRSh, anulimin e këtij parku energjitik. Me një diabolizëm, fshatarak do ta quaja se fort e hollë nuk është, jep me dorën e majtë atë që përgatitet ta marrë pjesë-pjesë me dorën e djathtë: 60-100 hektarë u lihen TEC-ve, 60-80 hektarë i falen “Petroliferës” (sepse 19 hektarët nominalë rrethohen nga një zonë e ndaluar prej 500 metra linearë rreth perimetrit) dhe para 3 ditësh 125 hektarë të tjerë caktohen për „park industrial“. Mungojnë pra vetëm rreth 200 hektarë për t’ju afruar përbindëshit 550 hektarë të Fatos Nanos. Çka nuk do të jetë e vështirë për t’i sakrifikuar edhe ato, sidomos kur të shihet se si do t’i shpërfytyrojë “zhvillimi industrial”, më saktë bizneset e klientëve të Nanos, Berishës e Rulit plazhet në veri të Vlorës e deri në Nartë brenda një kohe të shkurtër. Është kjo taktika e sallamit që kanë menduar për Vlorën politikanët tanë, sikurse e shprehte para pak javësh në NZZ, gazetën e madhe të Zyrihut, Martin Voker.

    Ja pra miku i madh i mjedisit, ai që i rreh zemra për shoqatat mjedisore, në pamundësi për të qenë anëtari i tyre. Ky kryeministër, që është zotuar ta mbjellë ultësirën nga Kruja në Lezhë me 5 fabrika çimentoje, që u premton të huajve centrale bërthamore në Shqipëri, kur nuk di të sigurojë as depot e armatimit dhe bizneset me skrape predhash, që po ngutet të mbledhë sa më shumë TEC-e me qymyrguri e me naftë nga fqinjët, duket nga frika se mos nuk rizgjidhet, e pra ky kryeministër, që ngase nuk ka prodhim në vend, arrin të shesë vetëm tokë të virgjër shqiptare për mbeturinat fosile dhe ajër të pastër të Shqipërisë për CO2 të Europës, në të vërtetë duhet shpallur faktor me rrezikshmëri të veçantë për ruajtjen e mjedisit në vendin tonë. Natyrisht mendja e tij, se zemra, e morëm vesh, i rreh për organizatat mjedisore.

Tema të Ngjashme

  1. Lufta ballkanike dhe Shqipëria
    Nga Albin në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 1
    Postimi i Fundit: 15-07-2014, 07:05
  2. Procesi i Pavarësimit të Kosovës
    Nga AsgjëSikurDielli në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 167
    Postimi i Fundit: 12-10-2012, 06:23
  3. Përgjigje: 500
    Postimi i Fundit: 16-10-2009, 14:46
  4. Mocioni, Berisha flet për gjithçka, por jo për Fazlliç
    Nga njemik në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 47
    Postimi i Fundit: 19-12-2008, 10:44
  5. Janullatos: Nuk ka përparim me djegien e kishave dhe xhamive
    Nga Jesushaus në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 157
    Postimi i Fundit: 08-04-2004, 07:40

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •