Babai larg shtëpisë
Dritan Laci
Si po rriten fëmijët e baballarëve emigrantë. Mungesa e njërit prej prindëve në shtëpi dhe e psikologëve në shkolla, po krijon golle të frikshme në botën e të vegjëlve. Një fenomen social për të cilin flitet gjithnjë e më pak
Nuk e di pse mu rikthye në kujtesë tani, kaq shumë kohë më pas, ajo ndodhi e gëzueshme që kishte kaptuar vite e vite më parë lagjen tonë të vogël ku unë jetoja. Saktësisht nuk e mbaj mend, por sipas hamendjes sime, kjo histori duhet të jetë zhvilluar diku aty nga vitet e para të ndërrimit të sistemit. Kujtohem shumë mirë, megjithëse isha ende i vogël për t'i dhënë dum ca gjërave, se ishim mbledhur ndjestë pastë në shtëpinë e plakës Inxhiko. Në fakt tani që e sjell në mend, kujtoj me kënaqësi se në këtë mënyrë ishte gatuar komshillëku në mëhallën time. Ishim të gjithë të këputur ekonomikisht dhe e vetmja gjë që ruanim si të shenjtë ishte shkuarja mirë me banorët e mëhallës. Shtëpitë tona ndaheshin nga avlli të vogla, të sajuara me qerpiç, e për të dalë matanë te komshiu, mjaftonte ndonjëherë edhe të kapërceje muret me shkallë të vogla druri. Kështu u mblodhëm edhe atë ditë te shtëpia përdhese e Inxhikos.
Ishim aty të mëdhenj dhe të vegjël. Unë vetë akoma nuk arrija të nuhasja se çfarë kishte ndodhur apo do të ngjaste. Si duket edhe fëmijët e tjerë nuk kishin kapur gjë. Në shtëpinë e komshies sonë plakë kishte shumë lëvizje. Njerëzit hynin e dilnin pa mbarim. Uronin Inxhikon e më pas rehatoheshin në divanët e vjetëruar, aq sustat e çelikut rënkonin nga forca e peshës. Aq e madhe ishte zallamahia, sa edhe karriget prej kompesate të gjitonëve të mbërritura me shpejtësi, ku ishin e ku s'ishin, nga të gjitha shtëpitë e lagjes, nuk mjaftuan për të rehatuar vizitorët. Në mos e ekzagjeroj, neve fëmijëve na dukej vetja si të ishim në kinema, aq shumë njerëz ishin mbledhur njëherësh.
U desh një zë burri, që të gjithë të pushonin. Aty nisa edhe të ftillohem pak e nga pak për qëllimin e vërtetë të vizitës, në atë orë jo fort të zakonshme të ditës. Që të mos e zgjasim, ai burri, që mori përsipër të vinte rendin e prishur në shtëpinë e Inxhikos, na dha edhe sihariqin e lumtur. Agroni, djali i madh e Inxhikos, jo vetëm që kishin mbërritur shëndosh e mirë në Itali, por na kishte sjellë edhe një kasetë audio, ku pyeste jo vetëm për shëndetin e nënës dhe të familjes në përgjithësi, por çuditërisht edhe për banorët e lagjes, me emra të përveçëm. Në ato vite posta i vetmi mjet komunikimi me jashtë herë punonte e herë jo. Atëherë ishte kohë tjetër. Laj-thaj i vetmi mjet komunikimi ishte telefoni i postës, dhe tek-tuk i ndonjë banori të lagjes. Nuk ishte si sot, ku mjetet e komunkimit janë të shumëllojshme. Njerëzit si jashtë dhe brenda ishin të detyruar të sajonin lloj-lloj mënyrash për të dëgjuar sadopak një haber të mirë nga njëri-tjetri. Kështu edhe djali i plakës Inxhiko, kishte sjellë një kasetë magnetofoni me zërin e tij, ku vetë pyeste e vetë përgjigjej.
"Nënë ç'kemi. Bujari, Belja, fëmijët si i kanë. Unë jam në Itali. Jam shëndoshë e mirë. Albina si vete me shkollë. Unë dhe Bardha nuk kemi filluar akoma punë. I thuaj fëmijëve të mos mërziten se babi do vi t'i marrë së shpejti. Metin si e kam, luan akoma bixhoz. Mi bëj të fala dhe i thuaj që të mos mërzitet se do mundohem ta tërheq këndej. Nënë mos harro të mi përshëndesësh edhe komshinjtë me radhë". Zëri në kasetë vinte jo fort i qartë, ndërsa qetësia në dhomë kishte arritur në decibelin më të lartë të mundshëm. Të gjithë prisnin që Agroni, t'i kujtonte me emër. Ca të afërmëve të tij, që nuk u doli emri u ngeli edhe hatri. "Na harroi", thanë. Ata qaheshin se Agroni nuk i zuri me gojë, ndërsa vajza e tij Albina, sapo kishte dëgjuar emrin ia kishte mbathur vrapit dhe qante e strukur në një cep të avllisë të shtëpisë. Në përfundim për të mbyllur këtë copëz histori, Agroni, kishte menduar të na përshëndeste të gjithëve, me një këngë italiane, ku si për çudi, kishte edhe ca fjalë shqip, që më shumë se story e tekstit, dukeshin se ishin përdorur për gallatë. E shkrova këtë histori, për të sjellë edhe njëherë në kujtesë dramën e sa e sa familjeve, që për hir të kushteve ekonomike u detyruan për vite me radhë të jetojnë të ndarë. Për fat te keq, edhe pas kaq shumë vitesh të ndërrimit të sistemeve, ende familjet shqiptare nuk kanë mundësi të jetojnë së bashku. Shumë fëmijë, ndoshta jo kaq e theksuar sa në vitet e para të emigracionit, vazhdojnë të rriten vetëm, në pritje të babait apo nënës emigrante. Kështu po rritet edhe Jurgeni 10-vjeçar, nxënës në klasën e katërt në shkollën "Kushtrimi i Lirisë" në Tiranë. Për fat të mirë Albina, personazhi në hyrje të shkrimit, u bashkua shumë shpejt me familjen dhe tani jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa Juri për shkurt, personazhi për të cilin do flasim më poshtë ende pret me sytë nga porta.
Ai i ka kaluar të gjithë etapat e jetës pa praninë e babait, i cili ndodhet prej vitesh emigrant në qytetin e Ankonës në Itali. Jurit iu desh ta festonte 5-vjetorin e parë të lindjes pa babain. Po kështu edhe 10-vjetorin. Po kështu edhe ditën e parë të shkollës. Ai e ndjen jashtëzakonisht mungesën e të atit, aq sa nuk harron ta përshkruajë mallin e largësisë edhe në detyrat që i jep mësuesja në klasë. "Babai im ushtron profesionin e ustait të ndërtimit. Ai është atestuar në kategorinë e tretë. Ai ushtron gjithë profesionet dhe me ndihmën e shoqërisë ai arriti të mësojë përpunimet në gur e shumë të tjera". Kështu shkruan Juri për babain e tij në fletoren e lëndës së Edukatës Shoqërore. Megjithëse flet pothuajse çdo dy ditë në telefon me të atin, ai e ndjen sërish mungesën e tij. "Po më mungon shumë, qoftë kur shkoj në shkollë, ashtu dhe kur shkoj të loz kalçeto. Kur shkojmë të lozim futboll, të gjithë shokët e kanë babin me vete, kurse unë jo", thotë Juri. Mungesën e bashkëshortit e ndjen edhe Afërdita. Megjithëse jetojnë mirë ekonomikisht, falë të ardhurave që vijnë nga emigracioni, mamaja e Jurit, thotë se në mungesë të burrit i është dashur të jetë vetë shkop vetë kadi në shtëpi. "Bashkëshorti ka katër vite që punon në Itali. Herën e fundit që ka ardhur ka qenë vitin e kaluar. Erdhi se e kishte marrë malli për fëmijët. Nuk duronte dot më pa i parë".
Si shumica e emigrantëve që punojnë dhe jetojnë në tokë të huaj, edhe babai të Jurit i është dashur të punojë në të zezë, pa dokumenta të rregullta. Ashtu siç edhe shkruan Juri, në detyrën e shtëpisë, babai i tij punon në ndërtim. "Me babin flas një herë në dy ditë. Ai më pyet për gjithçka. Më pyet si shkoj me shkollë, çfarë bëj gjatë ditës. Edhe unë e pyes, por ai nuk m'i tregon të gjitha gjërat se nuk do të shqetësohem unë". Juri preket më shumë kur shikon fëmijët e tjerë që shoqërohen nga baballarët. Megjithatë ai e di mirë se një ditë babain do ta ketë sërish pranë. "Po mua babi më ka thënë që do të vi nga vera. Unë mezi po e pres. Ajo është gjëja që dua më shumë tani".
Juri tani është i rritur por sidoqoftë ai ka nevojë për praninë e babait, aq më shumë në moshën në të cilën ai ndodhet. Këtë sa vjen e më shumë e kupton e ëma e tij Afërdita. Ajo ka edhe dy vajza të tjera. Ato janë në një moshë delikate dhe kanë nevojë për këshillat e babait. "Do të doja të ishte këtu vetëm fizikisht. Sa do t'i mësoj unë fëmijët, ata kanë nevojë për autoritetin e babait në shtëpi. Bashkëshorti interesohet shpesherë, por sidoqoftë edhe ai e ndjen se është larg dhe nuk ka mundësi të jetë i pranishëm në vendimet e familjes". Ashtu si Juri edhe shumë nxënës të tjerë që kanë prindët në emigracion, mundohen që ta reflektojnë mallin në temat e lira të hartimit, në vizatime apo edhe në bisedat që zhvillojnë në klasë. "Kur iku babi në emigracion, unë lotët si pushova dot. Mendja më rrinte vetëm te ai. Mua më ka marrë shumë malli për të. Kam një vend bosh në zemër, ai është vendi i babait. Kur më merr në telefon më vjen për të qarë nga malli e ndonjëherë them se nuk dua të flas në telefon me babin, sepse më vjen për të qarë nga malli. Kur më ka dërguar për herë të parë një letër e një varse, unë letrën e lexoja dhe e lexoja çdo ditë, kurse varsen e mbaj me vete kudo që shkoj se më jep fat".
Këto fjali malli, janë shkëputur pa lejen e autores nga fletorja e hartimit e një nxënëseje që ndjek mësimet në klasën e 6-të në shkollën "Kushtrimi i Lirisë". Ashtu si edhe Juri, edhe vajza identitetin e së cilës për arsye etike nuk po e bëjmë publik, ndjen mungesën e babait emigrant në Greqi. Mësuesja e Gjuhë-Letërsisë, Anila Luku, shprehet se është normale që ndjenja e largësisë te nxënësit të transmetohet edhe në hartime. Mësuese Anilës, njëkohësisht edhe nën/drejtoreshë në shkollën "Kushtrimi i Lirisë", i është dashur jo rrallë të bëjë edhe rolin e psikologes, në mungesë të këtyre të fundit në shkolla. Në momente të vështira asaj i është dashur të komunikojë me nxënësit për problemet që ata i shqetësojnë, si edhe të mësojë dashur pa dashur edhe historitë e tyre familjare, siç është edhe mungesa e prindërve.
"Te fëmijët ndodh që të gjitha problemet që ata kanë në shtëpitë e tyre, qofshin edhe të mira, t'i transmetojnë në hartime. Përgjithësisht, te fëmijët që kanë prindët në emigracion, ndodh që i larguari le të themi nga shtëpia, të jetë babai". Për mësuese Anilën, të dyja gjinitë e kanë të vështirë largimin e babait në emigracion. Vite më parë, ky fenomen ishte shumë më i përhapur se sot. Ajo thotë se përgjithësisht më shumë e ndjejnë largësinë vajzat, të cilat ndjejnë me ikjen e babait edhe mungesën e llastimit. "Kryesisht nxënësit që e ndjejnë më shumë mungesën e babait janë vajzat, pasi u mungon ajo mënyra e të llastuarit. Kjo mungesë forcohet më shumë pasi mamatë kanë edhe tendencën për të kontrolluar mësimet. Në shkollën tonë nuk është se ka shumë fëmijë që kanë prindërit në emigracion. Por duke bërë një sondazh të vogël në klasa kam vënë re disa gjëra specifike, njëra prej të cilave është rritja e mjeteve të komunikimit, që bëjnë të mundur disi shuarjen e ndjenjës së mallit". Mësuese Anila, thotë se nëse disa vite më parë do pyesje një nxënës se ku i kishte prindët, ai do të prekej dhe do fillonte të qante. Tashmë gjërat kanë ndryshyar disi. Komunikimi me celular, me internet nëpërmjet videokamerave, i ka ulur disi barrierat e komunkimit.
Mësuese Anila na rrëfen historinë e një nxënësi, të cilin vonë e kanë mësuar se e kishte babain në emigracion, por që në fakt ai vetë kurrë nuk e kishte shprehur mungesën e njërit prej prindëve në familje.
"Edhe pse djemtë nuk shprehen shumë, e vërteta është se të dyja gjinitë e ndjejnë mungesën. Por sidoqoftë këta janë fëmijë që i kuptojnë problematikat familjare. Ata janë të vetdijshëm se prindët janë larguar për të përmirësuar kushtet ekonomike të familjes. Gjithsesi unë i ndjej ata në mënyrën e të folurit, në faktin që ata në mënyra të ndryshme kërkojnë ta shprehin mallin që i mundon". Këto ndjenja përveçse në hartime apo në vizatime të ndryshme, shprehen edhe në tekste të shkurtra që jepen për zhvillim gjatë orës së mësimit. Mësuese Anila e ilustron këtë fakt edhe me pjesë të shkëputura nga bisedat në klasë.
"Ndjenja e mallit shprehet në hartime, në poezi, në vizatime, në të gjitha format. Kjo ndjenjë shprehet edhe në tekste të shkurtra që jepen gjatë orëve të mësimit ose në mënyrën e përgjigjes që ata japin, t'i e kupton që ata flasin për babain në emigracion. Psh: në një tekst që bënte fjalë për një djalë që i kishte vdekur babai, edhe pse nuk kishte raste të tillë në atë klasë, por duke menduar largësinë, njëri prej fëmijëve tha: "Unë e kuptoj se sa e rëndë është të kesh një rast të tillë. Kam pasur shokë të cilëve u ka vdekur prindi. Unë për vete e kam prindin jashtë shtetit dhe ai vjen shpesh, por ato 4 muaj kur ai nuk vjen në shtëpi, unë e ndjej shumë mungesën e tij dhe mendoj sikur të më kishte ndodhur një gjë e tillë.". Dhe kjo është mëse e vërtetë. Fëmijët janë atë që e ndjejnë më shumë mungesën e prindit në familje. Sado i rreptë që të jetë, babai apo nëna kanë rolin e tyre të pazëvendësueshëm në familje. Mungesën e tyre nuk mund ta zëvendësojnë as gjyshërit dhe as gjyshet, sado të mirë që të jenë.
"Nënë ç'kemi. Bujari, Belja, fëmijët si i kanë. Unë jam në Itali. Jam shëndoshë e mirë. Albina si vete me shkollë. Unë dhe Bardha nuk kemi filluar akoma punë. I thuaj fëmijëve të mos mërziten se babi do vi t'i marrë së shpejti. Metin si e kam, luan akoma bixhoz. Mi bëj të fala dhe i thuaj që të mos mërzitet se do mundohem ta tërheq këndej. Nënë mos harro të mi përshëndesësh edhe komshinjtë me radhë".
"Do të doja të ishte këtu vetëm fizikisht. Sa do t'i mësoj unë fëmijët, ata kanë nevojë për autoritetin e babait në shtëpi. Bashkëshorti interesohet shpesherë, por sidoqoftë edhe ai e ndjen se është larg dhe nuk ka mundësi të jetë i pranishëm në vendimet e familjes".
"Kam pasur shokë të cilëve u ka vdekur prindi. Unë për vete e kam prindin jashtë shtetit dhe ai vjen shpesh, por ato 4 muaj kur ai nuk vjen në shtëpi, unë e ndjej shumë mungesën e tij dhe mendoj sikur të më kishte ndodhur një gjë e tillë."
Krijoni Kontakt