INTERVISTE/Kryebashkiaku Ramadan Lika: Investimi 3 mln euro
Pas plot 18 vitesh do të zgjidhet përfundimisht problemi i furnizimit me ujë të pijshëm të mijëra banorëve të Koplikut. Kryetari i Bashkisë së këtij qyteti, Ramadan Lika, në një intervistë të dhënë dje për "Gazeta Shqiptare", ka deklaruar se një gjë e tillë do mundësohet falë zbatimit të dy projekteve të mëdha që po financohen nga qeveria austriake. Sipas Likës, vlera në total e investimit në rrjetin e ujësjellësit të Koplikut arrin në rreth 3 milionë euro
Si paraqitet furnizimi me ujë të pijshëm për Koplikun?
Në fakt, qyteti i Koplikut përballet me vështirësi të shumta. Problemet janë të trashëguara prej shumë vitesh, pasi nuk është investuar asnjëherë në rrjetin e ujësjellësit. Gjatë 24 orëve kemi rreth 6 orë furnizim me ujë të pijshëm. Banorët, të mësuar me këto vështirësi, iu janë rikthyer puseve, pasi rrjeti i kanalizimeve është i amortizuar plotësisht. Kemi marrë masa me Ndërmarrjen e Ujësjellësit, për të bashkërenduar punën që gjithçka të jetë nën kontroll
Çfarë masash keni marrë për zgjidhjen e këtij problemi?
Kemi arritur të sigurojmë financime të dy projekteve të mëdha. Projekti i parë, me një fond të bashkëfinancuar nga qeveria austriake dhe qeveria shqiptare, kap vlerën e 1 milion e 400 mijë eurove. Përfshirja e qeverisë është si një lloj garancie për vazhdimin me sukses të kësaj ndërhyrjeje. Ky projekt ka si qëllim rritjen e kapacitetit të prurjeve të ujit të pijshëm. Në këtë projekt punohet në një gjatësi 6 km, nga fshati Rrjoll deri tek qyteti i Koplikut. Ndërkohë, zbatimi i këtij projekti mundëson sjelljen e ujit të pijshëm në qytet, por nuk realizohet shpërndarja e ujit deri tek banesat.
Pra, banorët do të kenë sërish probleme me ujin e pijshëm?
Për të dërguar ujin e pijshëm në çdo shtëpi, duhet të realizohet edhe projekti i dytë që do investohet po nga pala austriake. Bëhet fjalë për një investim prej 1 milion e gjysmë eurosh. Ky investim ka si qëllim rikonstruksionin e plotë të rrjetit të kanalizimeve të ujit të pijshëm të Koplikut. Madje ky rrjet kanalizimesh do të jetë plotësisht i ri.
Një pjesë e banorëve të Shkrelit, ku kalon ujësjellësi nga Rrjolli në Koplik, janë të pakënaqur me shpronë-simet. Jeni në dijeni të këtij problemi?
Me çështjen e shpronësimeve janë duke u marrë specialistë të Drejtorisë së Përgjithshme të Ujërave dhe Kanalizimeve. Para pak muajsh kemi bërë një takim të përbashkët me të gjitha institucionet dhe është rënë dakord që të zgjidhet ky problem.
(a.r-Gazeta Shqiptare/Balkanweb)
Krijoni Kontakt