Mes dy familjeve nga Fushë-Arrëzi, që vuajnë prej tre vjetësh pasojat e trafikimit të vajzave të tyre në Itali .

Fushë-Arrëz, aty ku varfëria nxit prostitucionin

Valentina Biçaku është zhdukur tre vjet më parë. Prindërit kanë denoncuar tutorin por nuk kanë gjetur të bijën

Aleksandra Bogdani

FUSHË-ARRËZ- Në qytetin e vogël nuk dëgjohen prej vitesh sharrët e zhurmshme të druvarëve. Ndërsa pyjet, me të cilat mbanin frymën gjallë pjesa më e madhe banorëve, janë shkretuar plotësisht. Varfëria dhe skamja kanë pushtuar pjesën më të madhe të familjeve të qytetit verior. I vetmi ngushëllim për banorët e këtij qyteti ka mbetur kisha, ku çdo ditë ata i lypin ndihmë zotit t’u ndryshojë gjendjen e mjerueshme. Fenomeni i gjakmarrjes duket i zbutur në këtë qytet verior, gjatë këtyre viteve të fundit. Sipas policisë, lokale vetëm 3-4 familje jetojnë nën kërcënimin e gjakut. Ndërsa trafiku i prostitucionit, në këtë qytet të vogël verior , është kthyer në një plagë për shumë familje të varfra. Sipas policisë lokale të këtij vendi, është pikërisht kjo gjendje e varfër ekonomike që ka nxitur trafikun e prostitucionit në Fushë-Arrëz. Statistikat policore tregojnë se në rrethin e Pukës janë trafikuar rreth 83 vajza, të cilat kanë ushtruar më pas prostitucion në Itali, Greqi, Belgjike apo edhe Danimarkë. Ndërsa në Fushë-Arrëz shënohen rreth 10 raste të trafikut të prostitucionit, katër prej të cilave ndodhen në hetim e sipër. Por sipas drejtuesve të policisë lokale, mësohet se ky fenomen, në të shumtën e rasteve, nuk denoncohet nga banorët. Por nuk gjejmë të njëjtin qëndrim tek qytetarët hallexhinj, të cilët kanë vuajtur në kurriz shfrytëzimin e vajzave të tyre. Ata janë të gatshëm të rrëfejnë vuajtjet e tyre, të kërkojnë ndihmë , të shpresojnë tek çdo i huaj që troket në derën e tyre për t’u interesuar për dramat e parrëfyera.
Trafikimi
Lena Pepa është një meso-grua e cila jeton vetëm prej disa muajsh në katin e parë të një pallati në Fushë-Arrëz. Kur e pyesim për vajzën e saj, ajo nuk heziton aspak të tregojë historinë e dhimbshme . “Të gjithë komshinjtë e dinë historinë”,-thotë ajo, pa dashur të fshihet aspak. Lena Pepa tregon se vajza e saj ka qenë 18 vjeç kur është larguar nga shtëpia. “Ajo është gënjyer nga e kunata dhe përfundoi në Itali”,-tregon Lena. E bija e saj, M.P është mashtruar fillimisht nga nusja e të vëllait, e cila e ka prezantuar me një djalë. Më pas, ky person i ka premtuar një jetë të lumtur, vetëm n.q.se shkonin së bashku në Itali. Vajza 18-vjeçare ka shkuar në Itali, ku nuk ka gjetur aspak një jetë të lumtur. Djali që e mori M.P nga Fushë-Arrëzi ia ka dorëzuar vajzën e re personave të tjerë, të cilët kanë tentuar ta shfrytëzojnë atë për prostitucion. Por ajo ka mundur t’u shpëtojë “kthetrave” të tutorëve dhe është strehuar më pas në një qendër rehabilitimi në Bergamo të Italisë. Sipas adresës së letrave, që M.P i kishte dërguar Lenës, kjo qëndër drejtohej nga Karitasi. Ndërsa muaj më parë, ajo është riatdhesuar së bashku me vajza të tjera shqiptare, të cilat qëndrojnë në një qendër rehabilitimi në Tiranë. Lena tregon se sa herë që mundet ajo shkon në Tiranë për të takuar të bijën. “Kam folur për gjithçka me time bijë, që ka lidhje me ikjen e saj në drejtim të Italisë”,-thotë Lena Pepa. Ajo shton se e di shumë mirë se kush e ka mashtruar të bijën, por nuk ka se ç’të bëjë. Ndërkohë, Lena jeton në vetmi, në një gjendje të mjerueshme pas largimit të së bijës nga Fushë-Arrëzi. Por ajo është e kënaqur që e bija ka mundur t’i shpëtojë prostitucionit dhe që po riaftësohet për t’iu kthyer jetës.
Zhdukja
Një tjetër histori trafikimi na rrëfehet pak metra më tutje, tek një tjetër familje e varfër në Fushë-Arrëz. Frane Biçaku , nënë e shtatë fëmijëve dhe bashkëshorti i saj jetojnë prej tre vjetësh me bujqësi dhe me ndihmën e kishës, pasi janë besimtarë të devotshëm. Por kjo familje ka më shumë se tre vjet që nuk e ka parë vajzën e madhe, Valentinën. Frana tregon se ajo ishte zhdukur para tre vjetësh, pa paralajmëruar prindërit e saj. “Fqinjët na treguan emrin e personit që e kishte mashtruar vajzën tonë”,-thotë Frana. Pak ditë pas zhdukjes së vajzës, ajo ka shkuar në komisariatin e Pukës, ku ka denoncuar trafikimin. Ndërsa një ditë më vonë, tutori i Valentinës është prangosur në qendër të Fushë-Arrëzit. Ai është marrë në pyetje nga policia por nuk ka treguar asgjë për vendndodhjen aktuale të 16- vjeçares(para tre vjetësh). Tutori, i cili banon në një fshat të Fushë-Arrëzit, ka rrëfyer para uniformave blu se e ka përcjellë vajzën e re deri në Vlorë. Më pas ajo u është dorëzuar personave të tjerë, të cilët e kanë përcjellë në drejtim të Italisë. Që prej kësaj dite, nuk dihet asgjë tjetër për fatin e Valentinës. Prindërit e saj kanë pritur më kot një lajm apo një letër prej së bijës. Por vajza e re është zhdukur pa asnjë gjurmë, ndërsa kërkimet e policisë së Pukës për gjetjen e saj kanë qenë të kota. Franë Biçaku dhe bashkëshorti i saj shprehen se do të jepnin gjithçka për të rikthyer në shtëpi të bijën. “Duam të dimë nëse është gjallë, ku ndodhet dhe me se merret”,-thotë nëna e Valentinës me lot në sy. Ndërsa i ati, shumë më i vjetër në moshë, fillon e loton pa mundur ta mbajë vetën për të bijën. “Do të doja ta takoja time bijë, po ku ta gjej”,-tregon ai, dhe pasi fshin lotët ledhaton vajzën më të vogël. Valentina Biçaku është zhdukur tre vjet më parë. Gjithçka që prindërit e saj dinë, është se ajo është trafikuar për qëllime prostitucioni. Ndërsa personi që e ka mashtruar atë është arrestuar nga policia e Pukës dhe tashmë ndodhet në qeli. Por vajza e re nuk është bërë e gjallë gjatë këtyre tre viteve. Familja e saj jeton çdo ditë me brengën e vajzës së zhdukur, ndërsa presin me ankth që ajo të bëhet e gjallë. Ndërsa policia, që ka marrë në dorë fillimisht denoncimin e Franës dhe më pas hetimin e kësaj çështjeje, nuk ka mundur të zbulojë vendin ku ndodhet vajza që tashmë duhet t’i ketë mbushur 21 vjeç. Ashtu si Valentina, në Fushë-Arrëz ka dhe vajza të tjera, fati i të cilave nuk dihet as nga prindërit e tyre.

POLICIA
Trafiku, 83 vajza në kthetrat e prostitucionit
FUSHË-ARRËZ- Trafiku i prostitucionit është kthyer në një sfidë për forcat e policisë së Pukës. Sipas punonjësve të këtij komisariati, ky trafik ka filluar të luftohet pas vitit 1998. Ndërsa nga uniformat blu të policisë është realizuar një studim, për numrin e vajzave të cilët janë mashtruar për qëllime prostitucioni. “Sipas studimit tonë, janë rreth 83 vajza, viktima të prostitucionit në Pukë dhe Fushë-Arrëz”,-thotë një punonjës i policisë. Ndërkohë, pranë këtij komisariati mësohet se banorët e këtyre zonave nuk denoncojnë zhdukjen e vajzave të tyre, gjë që vështirëson edhe aksionet policore për kapjen e tutorëve. Kështu, gjatë kësaj periudhe kohore janë goditur vetëm në Fushë-Arrëz tre raste të trafikut të prostitucionit. Ndërkohë që policia po punon për grumbullimin e provave dhe hetimin e katër rasteve të tjera, nën akuzën e shfrytëzimit të prostitucionit. Një tjetër studim, që është realizuar nga policia e Pukës tregon vendndodhjen e vajzave të trafikuara nga këto dy qytete. Pjesa më e madhe e tyre janë dërguar në Itali, nga ku më pas janë detyruar të prostituojnë në vende të tjera. Ndërsa nga informacionet që policia e Pukës ka grumbulluar, pjesa tjetër e vajzave ndodhen në Belgjikë, në Francë dhe në Danimarkë. Sipas burimeve policore pranë këtij komisariati mësojmë se përveç vajzave-viktima të prostitucionit, jashtë shtetit ndodhen edhe një pjesë e tutorëve. Dy prej tyre, të cilët janë dënuar nga gjykata e Pukës me 13 dhe 8 vjet heqje lirie, janë fshehur jashtë shtetit, për të mos u kapur nga policia shqiptare. Ndërkohë, policia po punon mbi katër rrjete të trafikut të prostitucionit, të cilët ndodhen ende nën hetim.
-------------------------------
---------------------------------
Oj sharki e lehte si era , a ka ardhur ne Shqiperi pranvera?