Gjyqtarët: 7 kërkesa për Topin

Paga më të larta, më shumë siguri dhe bashkëpunim me KLD-në


Me një gjuhë të drejtpërdrejtë, gjykatësit e vendit, të përfaqësuar nga Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë kanë parashtruar 7 kërkesat e tyre për reformën në drejtësi. Në mënyrë të tërthortë ata i janë drejtuar institucionit të Presidentit të Republikës, kreu i të cilit është njëherazi edhe kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

Unioni ka shprehur vlerësimin ndaj të gjithë gjyqtarëve, institucioneve të drejtësisë ose jo, si dhe ndaj organizatave ndërkombëtare, që kanë mirëpritur dhe inkurajuar krijimin e tij. "Koha ka treguar se ka qenë tepër e vështirë që, pushteti gjyqësor të veprojë si një faktor i vërtetë dhe real në jetën publike e shtetërore në Shqipëri. Për këtë fenomen nuk mund t‘ia drejtojmë gishtin e fajtorit askujt, përvecse iniciativës tonë të munguar", thekson Unioni i Gjyqtarëve, sipas të cilit, është e detyrë jo e lehtë e kësaj shoqate të përmbledhë vullnetin e të gjithë gjyqtarëve të Shqipërisë.

Unioni ka kërkuar gjithashtu që reforma në drejtësi të mbështetet në studime të mjaftueshme, që japin argumente të plota për të bërë ndryshime, duke shmangur kështu dëshirat subjektive të personave apo grupimeve të caktuara, të cilët, direkt apo indirekt cenojnë pavarësinë dhe autoritetin e pushtetit gjyqësor. Drejtues të kësaj shoqate, teksa kanë përshëndetur miratimin e ligjin "Për organizimin dhe funksionimin e pushteti gjyqësor në Shqipëri", thekduan domosdoshmërinë e përdorimit të të gjitha menkanizmave ligjorë e kushtetues që, aplikimi i tij të jetë në përputhje me standardet ndërkombëtare. Më pas, Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë ka renditur 7 kërkesat e tij, që përmbledhin më së shumti rritjen e pagave, krijimin e kushteve më të larta të sigurisë për togat e zeza, por edhe shmangien e kritikave apo ndërhyrjeve nga strukturat jo-gjyqësore.

"Në funksion të reformës së ndërmarrë në drejtësi, institucionet përgjegjëse të aplikojnë parimet bazë të pavarësisë së pushtetit gjyqësor, të miratuara nga Asambleja e Kombeve të Bashkuara në vitin 1985, nga Karta e Evropiane ‘Mbi statusin e gjyqtarit‘, miratuar nga Këshilli i Evropës në vitin 1998, si dhe nga rekomandimet e Komitetit të Ministrave të KE-së ‘Mbi pavarësinë, efektivitetin dhe rolin e gjyqtarëve‘, miratuar me Rezolutën 94, më 12 Tetor 1994. Këto parime duhen përfshirë në kuadrin ligjor, sikundër duhet riparë kuadri ligjor për kompentencat e organit legjislativ e ekzekutiv, që bien ndesh me këto parime", është pika e parë e kërkesave të parashtruara nga Unioni.

Kërkesa tjetër lidhet me vetërregullimin, si një nga principet bazë mbi të duhet të funksionojë një pushtet gjyqësor i pavarur.

Më tej, gjyqtarët kërkojnë marrjen në konsideratë, si një nga elementët më thelbësorë për një pushtet gjyqësor të pavarur, financimin e tij në mënyrë të drejtë e të qëndrueshme. "Në kuadër të kësaj pavarësie financiare të sistemit gjyqësor, rritja e pagës së gjyqtarëve të bëhet duke synuar vendosjen e një standardi jetese të përmirësuar e të pandikueshëm nga inflacioni", nënvizojnë gjyqtarët.

Nëj tjetër kërkesë e rëndëishme e Unionit, në funksion të pavarësisë së pushtetit gjyqësor, është edhe shmangia e ndërhyrjeve në këtë sistem. "Të konsiderohet ndërhyrje e papërligjur dhe e papërshtatshme çdo vlerësim i kujtdo autoriteti jogjyqësor, që lidhet me interpretimin dhe zbatimin e ligjit në çështje konkrete nga gjyqtari, në veçanti në vendime gjyqësore të formës së prerë, të cilat për efektet që krijojnë njehësohen me ligjin. Qëllimi i reformës në drejtësi është përmirësimi i cilësisë së shërbimit gjyqësor ndaj publikut. Por, kritikat e përgjithësuara e në gjuhë të ashpër në adresë të trupës gjyqësore, në realitet krijojnë një efekt të kundërt, duke zbehur dhe dëmtuar sigurinë e gjyqtarëve në dhënien e drejtësisë, gjë e cila nuk i shërben reformimit të saj", është konstatimi i Unionit.

Gjyqtarët i kanë kërkuar ministrisë së Drejtësisë të ndërmarrë masa urgjente për të rritur sigurinë për gjyqtarët nëpër gjykata. Tashmë janë bërë disa raste, shprehen ata, ku gjyqtarëve u është rrezikuar jeta brenda në ambjentet e gjykatës nga persona të armatosur ose jo. Ndërsa Parlamentit i është kërkuar "të konsiderojë hapsirat për të ftuar përfaqësuesit e Unionit të Gjyqtarëve të Shqipërisë, të kontribuojnë me ekspertizën e tyre profesionale në funksion dhe shërbim të reformës për drejtësinë".

Presidenti, kreu i Drejtësisë dhe KLD, sipas gjyqtarëve, duhet të rishikojnë numrin e përgjithshëm të tyre, për shkak të ngarkesës në punë, e që për pasojë tejkalon shpesh edhe afatet kohore të gjykimeve, në përputhje me përgjegjësitë e shtetit shqiptar ndaj konventave evropiane, kryesisht atyre për të drejtat e njeriut. "Të përcaktohen organikat e çdo gjykate, duke mundësuar në mënyrë të shpejtë sistemimin në detyrë të gjyqtarëve, që rezultojnë jashtë funksioni për shkak të riorganizimit të gjykatave të rretheve gjyqësore", përfundojnë kërkesat e paraqitura nga Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë.



Kërkesat


1. Në funksion të reformës së ndërmarrë në drejtësi, të aplikojnë parimet bazë të pavarsisë së pushtetit gjyqësor

2. Të konsiderohet vetërregullimi si një nga principet bazë mbi të duhet të funksionojë një pushtet gjyqësor i pavarur

3. Të merret në konsideratë, si një nga elementët më thelbësorë për një pushtet gjyqësor të pavarur, financimi i tij në mënyrë të drejtë e të qëndrueshme. Rritja e pagës së gjyqtarëve të bëhet duke synuar vendosjen e një standardi jetese të përmirësuar e të pandikueshëm nga inflacioni

4. Të konsiderohet ndërhyrje e papërligjur dhe e papërshtatshme çdo vlerësim i kujtdo autoriteti jo-gjyqësor, që lidhet me interpretimin dhe zbatimin e ligjit në çështje konkrete nga gjyqtari, në veçanti në vendime gjyqësore të formës së prerë

5. Ministria e Drejtësisë të ndërmarrë masa urgjente për të rritur sigurinë për gjyqtarët nëpër gjykata

6. Kuvendi i Shqipërisë të konsiderojë hapësirat për të ftuar përfaqësuesit e Unionit të Gjyqtarëve të Shqipërisë, të kontribuojnë me ekspertizën e tyre profesionale në funksion dhe shërbim të reformës për drejtësinë

7. Presidenti i Republikës, ministri i Drejtësisë dhe KLD të rishohin numrin e përgjithshëm të gjyqtarëve, duke konsideruar faktor të rëndësishëm ngarkesën e punës e për pasojë afatet kohore të gjykimeve në përputhje dhe me përgjegjësitë e shtetit shqiptar


Shoqata tjetër


Pse e kundërshtojmë ligjin e ri


Nëj tjetër shoqatë gjyqtarësh në Shqipëri e ka kundërshtuar ligjin e ri për organizimin dhe funksionimin e pushtetit gjyqësor në Shqipëri. "Ligji i ri për gjyqësorin e lë këtë sistem sërish nën kontrollin e politikës". Ky është reagimi që erdhi, ditë më parë, nga Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve, në kulmin e debateve për reformën në drejtësi. Kryetarja e kësaj shoqate, Manjola Bejleri ka dalë hapur kundër qëndrimeve të ministrit të Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj për kompetencat e inspektimeve, duke konfirmuar kësisoj zërat se gjyqtarët e kësaj shoqate janë përkrahës të nënkryetarit të KLD-së, Kreshnik Spahiu. "Në këtë projektligj nuk është zgjidhur dhe përcaktuar mënyra e qartë e rolit dhe kompetencave që do të ketë në raport me pushtetin gjyqësor Inspektorati i ministrisë së Drejtësisë dhe Inspektorati i KLD-së. Pavarësia e gjyqësorit nuk përmirësohet, duke e lënë ende pushtetin gjyqësor nën kontrollin e politikës. Ministria e Drejtësisë duhet ta shtrijë kontrollin e saj deri tek administrata gjyqësore, duke mos dualizuar me kompetencat dhe veprimtarinë e KLD-së si autoriteti shtetëror për kontrollin e veprimtarisë së gjyqtarëve të rrethit dhe apelit. Ky projekt-ligj nuk sjell asnjë reformim në këtë drejtim", u shpreh Bejleri.


Shqip...