Ne nuk jemi të sigurt çfarë është një diplomë ‘bachelor‘. Kështu i kujton fjalët e një nëpunësi në Ministrinë e Arsimit, Eduardi, kur ai u mundua të ekuivalentonte diplomën e tij, pasi u kthye nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku kishte studiuar Drejtësi Kriminale. "M‘u deshën afro tetë muaj për të provuar që diploma ime ishte e vlefshme, ndërkohë që unë isha i ndaluar të aplikoj për një punë në institucione shtetërore", kujton ish-studenti në Universitetin e Floridës së Jugut. "Ato nuk e kishin idenë se çfarë ishin kreditet, ose që një diplomë ‘bachelor‘ nga një universitet shtetëror në Shtetet e Bashkuara, u jepte pas një kursi studimi katërvjeçar apo pas dy vjetësh", shton ai.
Çdokush që kërkon të aplikojë për një punë në një institucion publik në Shqipëri, duhet ta njehsojë diplomën e tij si të barabartë më një të lëshuar nga universitetet lokale. Procesi nuk duhet të marrë më shumë se tre muaj. Megjithatë, një investigim nga agjencia e lajmeve ‘Balkan Insajt‘ ka gjetur që jo vetëm procesi shpesh merr deri në një vit, por që gjithashtu ministria ka autentikuar diploma të falsifikuara si autentike. Edhe më keq, ministria ka bërë një sy qorr ndaj këtij gabimi dhe nuk i ka bërë kurrë gjetjet e saj publike, kur është kuptuar që këto diploma ishin false. ‘Balkan Insajt‘ ka zbuluar që diplomat false, shumë nga të cilat aludohet se vinin nga Universiteti i Tetovës në Maqedoni, mund të blihen për disa qindra euro në rrugët e Tiranës. Megjithëse, Ministria e Arsimit thotë që ka njoftuar Ministrinë e Brendshme dhe ish-prokurorin e Përgjithshëm, Theodhori Sollaku, asnjë procedim nuk është iniciuar. Ndërkohë që diplomat false kalojnë nëpërmjet sistemit dhe njerëzit që i përdorin ato nuk konsiderohen përgjegjës, të diplomuar legjitimë si Eduardi duhet të konkurrojnë me njerëz që arsimimi u kushton pak orë punë dhe një grusht me euro.
Heshtja institucionale
Më 3 mars, 2007, një komision ad-hoc u mblodh në katin e tretë të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës në Tiranë, drejtuar nga zv/ministrja Ardiana Gjonaj. Komisioni u mblodh për të rishikuar një vendim të mëparshëm të dhënë nga një komision i ngjashëm në nëntor dhe dhjetor të vitit 2005, që kishte certifikuar një numër diplomash të dhëna nga Departamenti i Drejtësisë në Universitetin e Tetovës në Maqedoni.
Detajet e mbledhjes së fundit, të siguruara nga ‘Balkan Insajt‘, kishin të bënin me 13 persona, të cilët kishin siguruar njehsimin e diplomave nga ministria në vitin 2005 me anë të dokumenteve false. Ndër ta, ishte një deputet në Parlamentin shqiptar, nga koalicioni i djathtë. Deputeti akoma e liston diplomën nga Universiteti i Tetovës në CV-në e tij. Universiteti i Tetovës nuk e kishte fajin për diplomën false të deputetit. Në të vërtetë, më 19 tetor 2005, universiteti e kishte njoftuar Ministrinë shqiptare të Arsimit që, megjithëse parlamentari ishte regjistruar në Departamentin e Drejtësisë, ai nuk kishte kaluar asnjë provim. Në kundërshtim me këtë informacion, ministria e ekuivalentoi "diplomën"e tij që nuk ekzistonte, më 26 dhjetor 2005. Pasi anuloi vendimin e saj të mëparshëm në mbledhjen e vitit 2007, komisioni i Ministrisë së Arsimit njoftoi Ministrinë e Brendshme dhe zyrën e ish-prokurorit të Përgjithshëm dhe mori vendimin t‘i bënte publike gjetjet në web-sitin e ministrisë dhe në shtypin e përditshëm. ‘Balkan Insajt‘ e kontaktoi Gjonajn për ta pyetur nëse vendimi ishte bërë publik, por zv/ministrja nuk pranoi të komentonte mbi çështjen. Por megjithatë, ministria e ndërmori vendimin për të njoftuar atë të Brendshme dhe zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm, por këto institucione shtetërore nuk iniciuan asnjë investigim.
Aleksandër Goga, kreu i zyrës së hetimit në atë kohë në Prokurorinë e Përgjithshme, u shpreh për ‘Balkan Insajt‘ se ai nuk kishte marrë asnjëherë ndonjë dokument që kishte të bënte me diploma false nga Universiteti i Tetovës. Kreu i krimit ekonomik në Prokurorinë e Tiranës, Llambi Baku, gjithashtu mohoi të kishte marrë një dokument nga ish-prokurori i Përgjithshëm, Theodhori Sollaku, i cili ndërkohë është shkarkuar nga detyra.
Diplomat false, fitime të këndshme
Ndërkohë, një biznes ilegal në dokumente të falsifikuara vazhdon i pashqetësuar në rrugët e Tiranës. "Këtu në Rrugën e Kavajës mund të gjesh çfarë të duhet, vetëm jo nonë e babë", bën shaka Roni, një burrë i shëndoshë që merret me dokumente arsimore. "Rruga e Kavajës" në Tiranë është bërë sinonim me dokumente të falsifikuara. Një zonë e preferuar nga grupe njerëzish që në pak orë dhe për çmimin e duhur mund të sigurojnë çdo dokument fals, që nga diplomat e universitetit e deri te pasaporta britanike. Roni shpjegon që kostoja e një diplome universiteti shkon nga 500 deri në 800 euro. "Mund të gjej çfarëdolloj vule të duash", shton ai me konfidencë, kur pyetet nëse mund të sigurojë një diplomë nga Tetova.
Si një universitet në gjuhë shqipe, por jashtë vendit- dhe në të njëjtën kohë jashtë autoritetit të institucioneve zyrtare- Universiteti i Tetovës, i krijuar në mesin e viteve 1990, është një zgjedhje popullore për shqiptarët që kërkojnë të sigurojnë një diplomë false jashtë. Rektori i universitetit, Sadi Bexheti, pranon që problemi është bërë alarmant. "Këto diploma nuk jepen nga universiteti, por printohen nga grupe kriminale me ndihmë të brendshme", ankohet ai. "Shpesh, studentë nga Shqipëria që nuk kanë kaluar as në vitin e dytë, kanë falsifikuar diplomat e tyre dhe kanë kërkuar t‘i ekuivalentojnë ato", shton Bexheti. Rektori thotë se ka informacion që diploma të Tetovës po shiten dhe në Kosovë e Mal të Zi.
Nga zyrtarë e deri në kriminelë me precedentë, për disa qindra euro çdokush mund të blejë një diplomë false në tregun e zi në Tiranë, ndërkohë që autoritetet vazhdojnë ta injorojnë problemin.
Marrë me shkurtime nga ‘Balkan Insajt‘, publikimi në internet i BIRN
Ruaj Lidhjet