8 pikat e varësisë
1. Deklarata e shpalljes nuk u parapri nga referendumi i cili e fuqizon atë, duke e bërë deklaratën formalizim të vullnetit të popullit dhe si të tillë të pakthyeshëm. Deklarata e tillë ia lë derën hapur kompromiseve të ardhshme, p.sh. Konfederatës.
2. Deklarata nuk e mohoi Rezolutën 1244 e cila ia njeh sovranitetin dhe integritetin territorial Jugosllavisë (tash Serbisë) mbi Kosovën.
3. Deklarata do të përcillet menjëherë me zbatimin e Marrëveshjes së Ahtisarit dhe me ftesën për BE-në që ta qeverisë Kosovën me pushtet ekzekutiv. Pra, do të kushtëzohet së brendshmi me konfirmimin e varësisë sonë.
4. Deklarata do të njihet ndërkombtarisht vetëm nëse zbatohet Marrëveshja e Ahtisarit dhe nëse nëse ftohet misioni i BE-së (EULEX) për ta qeverisur Kosovën. Pra do të kushtëzohet së jashtmi me vazhdimin e varësisë sonë.
5. Deklarata do të na dërgojë drejt zbatimit të Marrëveshjes së Ahtisarit e cila e ndanë Kosovën në baza etnike e fetare. Ajo e bën rolin e Serbisë brenda Kosovës të përhershëm duke i legalizuar strukturat paralele në enklava dhe duke krijuar lidhjet vertikale mes komunave dhe Serbisë, si dhe lidhjet horizontale të komunave mes vete. Ajo i krijon Serbisë mekanizëm për ta bllokuar funksionimin e institucioneve të pakicave të drejtën për ta vënë veton në miratimin e ligjeve në kuvend përmes ushtrimit të sistemit të votës së dyfishtë. Kjo Marrëveshje do ta cenojë sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës.
6. Deklarata u shoqërua me ftesën për misionin e BE-së (EULEX) për ta qeverisur Kosovën, duke ia mohuar kështu popullit të Kosovës sovranitetin dhe demokracinë. Misioni do të ketë pushtet ekzekutiv dhe do ta ketë pushtetin t'i shkarkojë zyrtarët e zgjedhur të cilët e kundërshtojnë Marrëveshjen e Ahtisarit, si dhe t'i ndryshojë e anulojë ligjet që nuk janë në frymën e kësaj marrëveshjeje. Prandaj, kjo Deklaratë do të jetë e kushtëzuar me të mbeturit jodemokratik!
7. Deklarata nuk do të rezultojë me një Kosovë me ulëse në OKB, me Ministri të Punëve të Jashtme, dhe më me rëndësi me një Kosovë me ushtri të veten. Pa këto Kosova nuk do të jetë shtet; nuk do të ketë mundësi ta mbrojë veten; dhe nuk do të ketë përfaqësim të jashtëm.
8. Pa mekanizëm të mirëfilltë të mbrojtjes së integritetit territorial dhe shtrirjes së sovranitetit, Deklarata ia hap dyert Serbisë për t'i nxitur enklavat ta refuzojnë njohjen e pavarësisë dhe të deklraohen pjesë e Serbisë, duke e zgjeruar kështu ndarjen jozyrtare të veriut të Kosovës edhe në lindje. Kjo do ta shtrojë rrugën për negociata të mëtejme, fillimisht me serbët e vendit, pastaj edhe me Serbinë.
Kjo deklaratë nuk do ta krijojë një Kosovë me pavarësi të plotë, sovrane dhe demokratike. Ajo është vetëm afirmim i varësisë sonë të vazhdueshme: pengesë e sovranitetit, integritetit territorial dhe demokracisë.
Marrë nga: http://www.vetevendosje.org/ gazeta nr. 126
Krijoni Kontakt