Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 4
  1. #1
    Evidenca Maska e RaPSouL
    Anëtarësuar
    09-03-2006
    Vendndodhja
    Gjermani
    Postime
    17,464

    Ndoka: Ja pikat e dobëta të mjekësisë e spitaleve

    Diploma e shkollës së lartë nuk do të jetë e mjaftueshme për të siguruar një vend pune në spital. Mjekët e rinj do të kalojnë në filtrin e licencës, pas praktikës së detyruar dhe vetëm nëse kalojnë këtë provim do të mund të ushtrojnë profesionin në mënyrë të pavarur. Ndërkohë që problemet e sistemit shëndetësor, me gjithë reformat e ndërmarra, vazhdojnë të mbeten të shumta. Ministri i Shëndetësisë, Nard Ndoka, në një intervistë për “Gazetën” tregon rrugën nëpër të cilën do kalojnë reformat e sistemit tonë shëndetësor që do ta transformojnë atë.

    Cilat janë pikat e dobëta të sistemit tonë shëndetësor?

    Nëse i shikon me sy kritik, mund të zbulosh shumë pika të dobëta. Ne ende nuk kemi një rrjet spitalor modern, të pajisur me teknologjinë e duhur mjekësore dhe me kushtet e tjera që e bëjnë këtë shërbim të krahasueshëm me atë që ofrohet nga spitalet në vendet e BE-së. Edhe aparaturat mjekësore shpesh s’funksionojnë, kurse blerja e pajisjeve të reja ose e ndonjë pjese që duhet zëvendësuar, kalon nëpër procedura të gjata, duke i lënë pacientët pa shërbimin e nevojshëm. Ka edhe plot mungesa të tjera, që herë krijohen nga keqmenaxhimi dhe papërgjegjshmëria e drejtuesve, e herë nga mungesa të tjera objektive. Ka ndodhur shpesh që pacientët të blejnë barna të caktuara duke qenë të shtruar në spital, dhe kjo është një situatë e papranueshme. Ne do t’i japim fund kësaj gjendjeje që ka mbisunduar prej vitesh në spitalet tona. Probleme ka pasur edhe me shërbimin hotelier e kuzhinën.

    Drejtoria e QSUT-së po rishikon listën e barnave që marrin pacientët në këtë qendër dhe këtë vit në të do të futen alternativat më të lira, pasi buxheti që i është dhënë, nuk i mjafton për të siguruar të paktën atë listë barnash që ishte vjet. A nuk mendoni se duke futur ilaçet më të lira, do të ulet cilësia e shërbimit dhe besimi i pacientëve?

    Është normale që lista e barnave të rishikohet çdo vit. Në hartimin e buxhetit të këtij spitali, për blerjen e barnave është parashikuar mbulimi i nevojave të këtij spitali. Madje mund të them se buxheti për QSUT-në është dyfishuar. Natyrisht, mundësitë tona financiare janë të limituara, por ne synojmë të ofrojmë barna cilësore në spitale. Nga ana tjetër, ne jemi të vendosur t’i japim fund një praktike, sipas së cilës barnat që bliheshin për nevojat e spitalit, shiteshin nën dorë, ose tregtoheshin jashtë ambienteve të tij. Jemi të vendosur të luftojmë çdolloj abuzimi dhe në asnjë rast nuk do të lejojmë mungesa që shkaktojnë probleme në trajtimin e pacientëve.

    Shpeshherë, në media apo edhe tek “Urdhri i Mjekut”, familjarët ngrenë akuza ndaj mjekëve për mjekim të gabuar, që në disa raste përfundojnë me vdekje. Ministria apo edhe vetë drejtoritë e spitaleve, a kanë analizuar ndonjëherë të gjitha rastet e vdekjeve në spitale për të nxjerrë shkaktarët e vërtetë? Dhe për më tepër, a është marrë ndonjë masë kundër mjekëve?

    Midis mijëra rasteve që trajtohen në spitalet tona, sigurisht mund të ketë edhe një përqindje rastesh të diagnostikimit të gabuar dhe për pasojë, të trajtimit të gabuar. Kostoja e gabimeve në mjekësi është shumë e rëndë, pasi mund të kushtojë jetë njerëzish. Ne, secilin rast e trajtomë me seriozitetin më të madh. Çdo spital është i detyruar të analizojë rastet e vdekjeve të ndodhura në ambientet e tij. Ndërkaq, Ministria e Shëndetësisë bën analizën e vdekjeve të grave në lindje, rast për rast, pa asnjë neglizhim. Kur kemi raste të denoncuara, ose raste vdekjesh të grave në lindje, Ministria e Shëndetësisë krijon grupe pune të përbërë nga specialistë të spitaleve universitare. Ky grup ekspertësh shkon në vendin e ngjarjes, analizon kartelën mjekësore dhe nxjerr shkaqet e vdekjes. Në përfundim bëhen dhe rekomandimet përkatëse, të cilat i trajtojmë me shumë seriozitet.

    QSUT-ja ka kërkuar shpesh që të administrojë vetë të ardhurat dytësore, duke premtuar se nuk do të ketë më krizë të mungesës së medikamenteve. Pse ngurrohet në dhënien e kësaj të drejte?

    Së pari nuk kemi të bëjmë me një krizë në QSUT, për shkak të përdorimit ose jo prej tyre të të ardhurave dytësore. Gjithçka është në studim. Do zgjidhet dhe çështja e përdorimit të të ardhurave dytësore në përputhje me legjislacionin në fuqi.

    Gjatë vitit të kaluar, shumë herë ka pasur probleme me furnizimin me medikamente të spitaleve për shkak të dështimit të tenderave. Cila është zgjidhja për këtë vit?

    Në përgjithësi skema ka funksionuar. Ka pasur edhe vështirësi, sigurisht, por në të gjitha rastet ndërhyrja jonë ka qenë energjike. Vështirësi janë krijuar edhe nga procedurat e ngarkuara, edhe nga ndërhyrjet e APP-së. Këtë vit i kemi marrë të gjitha masat që situata të tilla të mos përsëriten dhe furnizimi me barna i spitaleve të realizohet sipas planit.

    Cila është rruga që ministria do të ndjekë për rritjen e cilësisë, jo vetëm të personelit mjekësor (akreditimi), por edhe të spitaleve?

    Akreditimi është një proces i domosdoshëm për të parë performancën e ofruesve të shërbimeve shëndetësore. Për këtë Ministria e Shëndetësisë, nëpërmjet Qendrës Kombëtare të Cilësisë, Sigurisë dhe Akreditimit po punon për reformimin e procesit të vlerësimit të kompetencave profesionale të personelit dhe institucioneve shëndetësore. Për personelin po punohet për kalimin nga punësimi në bazë të diplomës, në atë të kalimit në filtrin e licencës, duke parashikuar që pas diplomimit të kryhet praktika e detyruar (e mbikëqyrur) dhe provimi për të pasur të drejtën e ofrimit të shërbimit në mënyrë të pavarur. Po punohet për procesin e certifikimit dhe ricertifikimit për specialistët e mjekësisë, të cilët pas licencimit do të specializohen në një fushë të caktuar të mjekësisë dhe do të certifikohen. E reja është se do të ricertifikohen për të bërë rifreskimet e nevojshme të njohurive e mos të ngelen me atë çka mësojnë gjatë specializimit. Kanë përfunduar dhe janë miratuar standardet për spitalet dhe nën drejtimin e Qendrës së Akreditimit, po punohet për përgatitjen e standardeve në kujdesin parësor, dentar, farmaceutik, laboratorëve dhe licencimit.


    Balkanweb
    Sui generis

  2. #2
    i/e regjistruar Maska e BARAT
    Anëtarësuar
    20-07-2006
    Vendndodhja
    Himarjot jet' e jet', Zot mbi male Hyll mbi det
    Postime
    2,565
    Ndoka: Ja pikat e dobëta të mjekësisë e spitaleve
    Po pika e fuqishme?
    Ndoka minister shendetesie???

  3. #3
    zhapik buster Maska e drity
    Anëtarësuar
    11-01-2006
    Postime
    1,237
    hahaha
    When you are in it up to your ears, keep your mouth shut.

  4. #4
    Anti Zombizem SigPunizem Maska e Duaje Siveten
    Anëtarësuar
    09-09-2007
    Postime
    3,698
    www.GazetaKritika.net 11/3/2008

    Ndoka e Njeh Mire Berishen
    Nga Petro Vasili

    Nje vit me pare, kur elektro-auto Ndoka mori detyren e ministrit te shendetesise, te gjithe menduan se kjo cudi s’do te zgjaste shume. Porse u gabuan… cudia zgjat e do te vazhdoje te zgjase. Pse ndodh keshtu….? C’kane te perbashket Ndoka me Berishen? C’i lidh njeri me tjetrin ? Origjina e perbashket rurale ? Pragmatizmi? Dinakeria? Qe te treja keto, nuk perbejne shkaqe te besueshme. Celsi i ketij problemi qendron ne ate qe, Ndoka e njeh mire Berishen, madje sic do ta shohim me poshte, jo rralle mundohet ta imitoje ate.

    Ndoka e njeh mire Berishen. Ai e di se si punon kryeministri i tij. E di se gjithe informacionin e merr nga mediat e shkruara e nga tv. E di se qendrimet e gjata ne zyre, jane qendrime para tv e mbi gazetat, si te ndonje homologu te tij latino-amerikan. Ndoka e ka kuptuar mire, se kryeministri e vlereson punen e cdo ministri jo nga rezultatet, jo nga treguesit, por nga ato qe shkruajne gazetat e qe thuhen ne tv. Ne intervisten e vitit te ri Berisha e konfirmon vete kete fakt. Si ka qene reagimi i Ndokes? Ne stafin e tij politik prej 6 vetesh, kater jane gazetare (dy te shtypit e dy te tv), sa nuk ka as ne Ministrine e Kultures. Keta, kane si detyre kryesore censurimin e shkrimeve e reportazheve negative per shendetesine dhe lustrimin e imazhit te ministrit. Tentakulat e tyre jane te shtrira mbi te gjithe median shqiptare. Eshte anekdotik rasti i nje eksponenti te majte te cilit shkrimin per shendetesine “nuk ja pranoi” as Zeri i Popullit E pra, kete do Berisha, kete ben dhe Ndoka…..per shendetesine te mos shkruhen gjera te liga sepse na nxjerrin pune.

    Ndoka e njeh mire Berishen. E di se ati i duhen shume para per rrugen e tij te zemres, prandaj “mundohet” te mos i realizoje investimet e t’i kaloje parate e “kursyera” ne rruget e kryeministrit. A nuk “kurseu” QSUT 2 milione euro nga mosblerja e aparaturave kaq te nevojshme per pacientet ?! Po fondi qe u transferua ne fund te vitit nga Ministria e Shendetesise tek rruget e kryeministrit, a nuk kishte kete domethenie? Ne nje qeveri normale, kur nje ministri nuk realizon investimet, i pari qe mban pergjegjesi eshte ministri perkates. Porse nuk ndodh keshtu me qeverine Berisha, ku ministrat, plot bujari dhurojne “tepricat” e kursyera ne kurriz te shendetit te njerezve Ndoka e njeh mire Berishen. Njeh gjuhen e tij te shantazhit. A nuk u ben kryeministri te veteve e kundershtareve shantazh me dosjet? Kete ka filluar te beje dhe Ndoka, ani pse partia e vet gelon nga spiunet, ani pse edhe atij vete i permendet ndonje pseudonim. A s’po cirret ai, si shefi i tij’ per hapjen e dosjeve kur e di se ky i fundit s’ka ndermend t’i hape kurre? A nuk po i ben ky edhe vete Berishes shantazh me prishje qeverie apo shkarkim Jozefine?

    Ndoka e njeh mire Berishen, ja njeh nepsin per te kontrolluar e per te pergjuar cdo gje. Kur Berisha kerkon te pergjoje cdo qelize te shoqerise, pse Ndoka te ngelet pas? A nuk dha ai urdher qe te instalohen kamera e pergjues neper spitale? Ku eshte pare kjo, pervecse ne qeverine Berisha ? C’eshte ky personel Orwellian qe pranon te jete i survejuar 24 ore? Po pacientet, me te drejtat e tyre, a e pranojne kete fakt? A do te pranonte ndokush prej nesh te ndiqej me kamera nje i aferm me bark te care, apo bashkeshortja duke lindur? A nuk jane keto te drejtat me elementare te njeriut qe shkelen me te dyja kembet ? Perfytyroni qe, ne spitalet “troke”, pa barna e pa aparatura, harxhohen gjithe keto para per kamera, ekrane e personel?!

    Ndoka e njeh mire Berishen. A nuk eshte ky i fundit qe ne administraten e varur prej tij, hoqi te gjithe specialistet per t’i zevendesuar me KOP-demokrate apo njerez te tarafit te tij? Pse Ndoka te mos bente te njejten gje me personelin shendetesor? A nuk i zevendesoi ai te gjithe drejtuesit ne qender e ne rrethe me kristian-demokrate te oreve te fundit?

    Mund te vazhdonim gjate, me paralelizmat Ndoka Berisha, por nuk ja vlen.

    Konkluzioni eshte i qarte per gjithkend: Sa te kete Berishe do te kete dhe Ndoke!

Tema të Ngjashme

  1. Skandali, ilaçe kafshësh përdoren tek njerëzit
    Nga [Perla] në forumin Aktualitete shoqërore
    Përgjigje: 35
    Postimi i Fundit: 06-03-2010, 00:07
  2. Drejtorët e spitaleve, ikin mjekët, vijnë menaxherët
    Nga DYDRINAS në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 2
    Postimi i Fundit: 13-04-2007, 11:56
  3. Me kerkese te Farukut
    Nga Gostivari_usa në forumin Komuniteti musliman
    Përgjigje: 5
    Postimi i Fundit: 16-03-2007, 07:56
  4. Studentë të mjekësisë në amerikë
    Nga beeta në forumin Mentori akademik
    Përgjigje: 48
    Postimi i Fundit: 01-07-2006, 09:42
  5. Pergatitje per Shkollen E Mjekesise!
    Nga Reina në forumin Mentori akademik
    Përgjigje: 5
    Postimi i Fundit: 18-02-2004, 15:10

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •