Apel
ORGANIZATËS SË KOMBEVE TË BASHKUARA
Sekretarit të përgjithshëm, Ban Ki Moon
Shteteve anëtare OSBE-së, (përmes Misionit të OSBE-së në Shkup dhe Ambasadorit, z. Georgio Radicati)
Unionit Europian
Këshillit të Europës
Departamenti i Shtetit, SHBA (përmes ambasadës në Shkup)
Parlamentarëve të Parlamentit Europian (përmes postës elektronike)
Këshillit të NATO-s
Shteteve anëtare të NATO-s
Sekretarit të Përgjithshëm NATO-s
z.Jaap de Hoop Scheffer
Organizatës Botërore Kundër Torturës,kryetarit z. Kofi Annan
Të nderuara Zonja,
Të nderuar Zotëri,
Përmes letrave publike, apeleve për solidaritet dhe formave të ndryshme të komunikimit Bashkimi Demokratik Shqiptar është përpjekur që të sensibilizojë institucionet me relevancë ndërkombëtarë për faktin se autoritetet shtetërore të Maqedonisë kanë aplikuar në vazhdimësi të gjitha format e diskriminimit dhe dhunës ndaj shqiptarëve etnik.
Apelet tona për ndërhyrje energjike u intensifikuan sidomos pas masakrës së Brodecit. (Shih Aneksin nr. 1*)
Siç ju kemi vënë në dijeni dhe ju kemi rikujtuar disa herë, më 7 nëntor 2007, nën arsyetimin e ndjekjes së « të arratisurve nga burgu », qytetarët e Malësisë së Tetovës (Qytet në Maqedoni) u përballën me një sulm luftarak të aparateve represive shtetërore. Si pasojë e këtij demonstrimi të dhunës dhe të arrogancës, në fshatin Brodec u vranë dhe u ekzekutuan 6 persona ndërsa 13 civilë të tjerë u paraburgosën.
Me qëllim që të mbulohen krimet dhe të dëshmohet « ekzistenca e një komploti të madh antishtetëror» autoritetet e hetuesisë ushtruan një dhunë të paparë ndaj civilëve të paraburgosur. (Shihni anekset nr. 2 dhe 3*)
Qëllimi i kësaj dhune shtazarake u bë në funksion të detyrimit të pranimit të veprave penale që nuk i kishin bërë dhe që ishin të sajuara nga politika e koalicionit qeveritar VMRO-PDSH.
Pas gjashtë muajsh dhunë dhe tortura Prokuroria Politike e Shkupit i dorëzoi Gjykatës dosjen e sajuar në kabinetin qeveritar të koalicionit VMRO-PDSH.
Të nderuara Zonja,
Të nderuar Zotëri,
Sot, kur Maqedonia përgatitet për zgjedhje të lira dhe kur këto zgjedhje duhet të shfrytëzohen si një shansë për të përzgjedhur përfaqësuesit politik që do të shpiejnë vendin drejtë integrimeve euro-atlantike, mbeturinat e mentalitetit të vjetër, përmes procesit të motivuar nga urrejtja etnike dhe politike kundër shqiptarëve të pafajshëm, tentojnë të mbajnë gjallë frymën e vjetër.
Të dënohen të pafajshmit për të fshehur krimin e Brodecit është krim i Dyfishtë ! Dhe kjo ndodh para syve tanë !
Bashkimi Demokratik Shqiptar kërkon nga Parlamentarët e Parlamentit Europian, nga Këshilli i Europës, nga shtetet anëtare të OSBE-së, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga mekanizmat e ndryshëm të OKB-së, si Raportuesi Special mbi Torturën, Raportuesi Special mbi ekzekutimet jashtëgjyqësore, arbitrare dhe pa gjyq, që të përdorin të gjitha format e presioneve me qëllim që të lirohen të gjithë civilët e arrestuar padrejtësisht dhe të dalin para drejtësisë autorët e vërtetë të krimit.
Pa lirimin e civilëve të pafajshëm të Brodecit dhe pa rishikimin e të gjitha lëndëve gjyqësore të periudhave të kaluara aspiratës për integrim në vlerat euro-atlantike do t’i zihet fryma nga padrejtësitë e këtij shtetit ndaj shqiptarëve !
Shkup 07.05.2008
Bashkimi Demokratik Shqiptar
P.S. Ne anekset 1, 2 dhe 3 jane ngjitur fotografite e personave te maltretuar qe u publikuan neper gazeta, video te ndryshme si dhe fotografite e te masakruarve ne fshatin Brodec, te cilat nuk i kemi bere publike per mediat.
Krijoni Kontakt