Otomanët i kthejnë mitropolitë ilirëve

ZHAN KLOD FAVEIRIAL (pjese nga libri i tij-shenim BARAT)

03/09/2005 - botuar ne gazeten Metropol

Pasojat e pushtimit otoman për metropolitë ilire – Raguza ndërmjetëse midis Romës dhe katolikëve lindorë – kisha latine e Ohrit

Çfarë ishte ajo që donte Foti në shekullin e nëntë? Të nënshtronte Bullgarët nën juridiksionin e tij dhe ti pengonte ata të kishin një hierarki të vetën. Në shekullin e njëmbëdhjetë, çfarë donte Mikel Cerulari? Të ndante Bullgarët nga selia apostolike, me qëllim që të shkatërronte këtë hierarki në përfitim të tij.

Dhe si njëri ashtu dhe tjetri, për ta arritur këtë qëllim të skëterrshëm, çfarë mënyrash përdorën? Pushtetin civil të princërve të krishterë, pushtet që Zoti e kaloi nga duart e Grekëve në ato të Turqëve.

Një nga rrjedhojat providenciale nga më të dallueshmet të pushtimit otoman, ishte se i ktheu pavarësinë e tyre metropolive ilire dhe ua hoqi ato Grekëve. Kostandinopoja ra në duart e Otomanëve veç më 1453, por Ohri ishte nën pushtetin e tyre qysh prej më shumë se 60 vjetësh.

Megjithatë, Otomanët nuk ia morën Ohrin Bizantinëve, por Serbëve, nëse jo më parë, të paktën pas Kosovës (v. 1389). Nga historia kemi parë se Serbët e kishin rrethuar Ohrin më 1329, se Dushani ia besoi Plaçidit qeverisjen e këtij qyteti dhe të rrethinave të tij. Më vonë, ne shohim si guvernator Gjunidin (v. 1412), i njëjti Gjunid që Murati e mbyti më 1425 (shih Hammer, vëll. 2, fq. 155).

Me rënien e mbretërisë së Prespës (v. 1017), kombet që e përbënin atë: Vllehët, Shqiptarët dhe Bullgarët, e humbën pavarësinë e tyre politike. Por primatia ilire nuk e humbi të sajën. Ajo vetëm se u zvogëlua, më 1204, nga krijimi i një primatie në Tërnovë në përfitim të Bullgaro-Vllehëve danubianë, dhe në vitin 1219 nga krijimi i primatisë së Pejës në përfitim të Serbëve.

Shumë shkaqe ia diktuan Papa Inoçentit III dhe Honorit III këto dy vendime. Por, nëse ka shkaqe politike, sigurisht ka në to edhe shkaqe fetare. Për të thënë të vërtetën, selia e Ohër-Justinianës kishte ruajtur autonominë e saj administrative. Por, qysh më 1040, primatët e saj nuk ishin vendas, por ishin bizantinë, të prodhimit perandorak, dhe të gjithë heretikë.

Fjalët e Barlahamit të famshëm na thonë se cila ishte, në këtë kohë, gjendja e kishave në perandorinë greko-bizantine. Midis Grekëve -shkruan ai -nuk është figura e kryetarit dhe uniteti i sundimit ato që respektohen, por shumësia dhe anarkia. Pasi janë pesë patriarkë, duke përfshirë këtu atë të Bullgarisë, të cilit mund ti bashkohet edhe ai i tribasëve (serbëve). Ndërkohë që prej të gjashtëve nuk gjen një të vetëm i cili të jetë i tillë, si për nga drejtësia apo nga veprat, që pesë të tjerët të dëshirojnë ta njohin si kryetar të tyre, që të drejtohen nga ai dhe nga koncili i tij, dhe që të vështrohet si një mëkat mosbindja ndaj urdhërave të tij (Rohrbacher, vëll. 20, fq. 40).

Selia e Ohër-Justinianës ishte autonome, pra, deri në rënien e Perandorisë së Poshtme. Por, primati i saj ishte tërësisht bizantin dhe i vendosur nga perandori grek, pasi faktikisht një primat bizantin i kryente më mirë se një vendas punët e perandorit dhe të patriarkut. Patriarku kishte nevojë për një skizmatik, që të ruante përçarjen fetare, ndërsa perandori kishte nevojë për një spiun për të survejuar Bullgaro-Vllehët.

Ka mundësi që selia apostolike ka dashur të jetë në mirëkuptim me perandorët bullgaro-vllehë dhe me mbretërit serbë, por shkaku kryesor që duhet ta ketë detyruar të krijojë dy metropoli të reja në dëm të metropolisë së madhe ilire, ishte vetë gjendja e kësaj metropolie. Pikësëpari, caktimi i primatit ishte bërë nga një perandor skizmatik, dhe ky primat, edhe ai vetë fanatik si ishin Grekët, jo vetëm që përhapte gabimet bizantine, por edhe ushqente antipatinë për gjithçka që ishte latine. Vetë i famshmi Teofilakt është një dëshmi për këtë.

Por, kur vendin e spastruan Otomanët, edhe prej Grekëve edhe prej Serbëve, kleri ilir rifitoi autonominë e tij dhe u rikthye drejt vetvehtes e në prirjen e natyrëshme në bashkësinë katolike. Grekët nxitën grindjet fetare, turqit diktuan paqëtimin. Atëhere, nën sundimin turk, ndodhi me prirjen e vetvetishme fetare, ashtu si me prirjen e krishterë nën paganizmin. Pastërtia e shpirtit iu kthye gjithë botës katolike.

Nën Grekët dhe nën Serbët, askush nuk guxonte të thoshte fjalën katolik. Duhej të ushtroje religjionin jo nga Ungjilli dhe Etërit, por nga politika njerëzore. Pushtimi otoman e ktheu secilin në prirjen e vet ndjesore, apo për të përdorur vetë shprehjen e Tertulianit, në dëshmimin e fshehtë të vetë shpirtit të vet, dëshmi po aq më e njëmendtë sa ç'është dhe më e thjeshtë, aq më e natyrëshme sa ç'është dhe më hyjnore.

Të kthyer në vetvehten e tyre, primatët e ndryshëm ilirë, ata të Pejës dhe të Tërnovës, ashtu si dhe ai i Ohrit, rimëkëmbën gjithçka në atë mënyrë siç kishin qënë dikur të ngritura nga selia apostolike. Dikur metropolitët zgjidhnin primatin dhe e emëronin, në pritje të konfirmimit nga Roma. Primati, nga ana e tij, ndihmonte metropolitët, zgjidhte ipeshkvët, dhe iu jepte emërimin kanonik.

Sa i përket marrëdhënieve të tyre me selinë apostolike, është e sigurtë se ato ekzistonin nëpërmjet agjentëve raguzianë. Është për tu shënuar, në të vërtetë, se duke parashikuar rënien e Perandorisë së Poshtme dhe kalimin e trashëgimisë së saj në duart e Otomanëve, selia apostolike angazhoi Raguzën të merrej me ta (v. 1365 dhe v. 1414).

Më vonë, Mehmeti kërkoi një rritje të tributit pasi u kishte dhënë strehë Grekëve të arratisur (v. 1453). Raguza i nënshtrohet kësaj me mjaft vullnet, pasi si shkëmbim ajo fitonte një shtrirje të mëtejëshme të privilegjeve të saj tregtare dhe protektoratin e kishave katolike që shtriheshin në zotërimet e tyre.

Ky protektorat ishte po aq më i dobishëm për katolikët, sa edhe ushtrohej më me ndershmëri. Falë atij, Roma, jo vetëm ruajti shëndoshë e mirë katolicizmat latine, armene dhe bullgare të perandorisë Otomane, por ajo, gjithashtu, pati mundësi, me anën e Raguzës dhe të agjentëve të saj, të kalonte këshillat, inkurajimet, vetë ndihmat, për ata që kishin nevojë për to.

Në çdo qendër të madhe të populluar, gjendej një koloni raguziane, dhe çdo koloni i kryente shërbimet fetare me priftërinj të dërguar nga Roma. Në Europë, kolonitë kryesore raguziane ishin Sarajeva, Novi Pazari, Belgradi, Vidini, Bukureshti, Rusçuku, Varna, Filipopoja, Adrianopli, Sèresi në Maqedoni, dhe Trikalla në Thesali. Në Shqipërinë e epërme, ekzistonte për një kohë të gjatë një koloni e madhe raguziane dhe një ipeshkv latin bashkë me një seminar në Yskup (Shkup). Flitet, po ashtu, për një ipeshkv latin me seli në Kandavi apo Kolonja.

Sa për Ohrin, pa dyshim se atje kishte një koloni raguziane. Po ashtu, kishte një të tillë në Bitolje. Pleqtë na kishin folur për katër familje të huaja që jetonin aty dhe që, pak nga pak, u përzien me pjesën tjetër të popullsisë, ndaj ne kërkuam emrat e tyre dhe gjetëm se ishin emra raguzianësh. Nga ana tjetër, të gjithë anëtarët e kolonive raguziane nuk ishin nga Raguza, por të gjithë përfitonin nga privilegjet e tyre dhe gëzonin mbrojtjen e kësaj republike.

Vëmë re se, duke kaluar nga Ohri, në kishën e Shën Klementit gjendet një shtatore shenjtori, e zezë, e vjetër dhe e ngrënë krimbash. Ne e kemi vlerësuar atë si një dëshmi të lidhjes së kësaj primatie me Romën, pasi Grekët kishin tmerr prej shtatoreve. Për të na thanë se ishte një shtatore e Shën Klementit.

Gjendej dhe një tjetër në një kishë pranë Krupishtës. Një peshkop fanariot u llahtaris prej saj dhe e hodhi në Aliashmon. Por s'kaluan veç dy orë dhe një breshër i tmerrshëm shfarosi të korrat. Populli aty pa dorën e Zotit, dhe peshkopi i mallkuar e kërkoi shtatoren dhe e vuri përsëri në vendin e saj. Këtë ngjarje na e tregoi një dëshmitar okular para dhjetë vjetësh (v. 1875).

Por dëshmia arkitekturore, dhe ende e gjallë, e lidhjeve hierarkike që primatia e Ohrit gjithmonë ka patur me Romën, gjendet në kishën latine që kjo primati e kishte pranë asaj të Shën Klementit, metropolisë së saj, dhe muret e së cilës janë ende më këmbë. Ne i kemi parë vetë ato.